top of page

Heroi


Noke Abilekaj


Jam në letargji. Jam duke medituar për kuptimin e jetës.

Nuk e mësova kurrë.


Në një film për Tolstoin, veçova këtë pasazh:


Tolstoi, në rreth të tetëdhjetave të tij, pyet juristin 22-vjeçar::

-Të pëlqen letërsia?

-Më rrëmben.

-Shkruan?

-Kam shkruar diçka.

-Çfarë të frymëzon?

-Jeta.

-E ke kuptuar jetën?

-Emm, akoma.

-As unë, mbyll bashkëbisedimin Tolstoi.


Kështu edhe unë. Nuk e kuptova kurrë jetën. Aq më pak e ftilloj tani kuptimin e saj.

Por më zgjon facebook-u duke më pyetur 24 orë në ditë:


"Noke, çfarë mendon?"


Këtë çast më gjeti portën e shpirtit hapur. Më vijnë zërat rrotull meje dhe më shtyjnë të mendoja

për njeriun që hidhet në sulm,

për idealistin që vetëmohohet,

për naivin që beson pa mëdyshje .

... për HEROIN.


Ndërmenda një paragraf që kisha shkruar te romani "SHOKU HIÇ" në bashkëbisedim me qenushkën e zonjës sime greke.


***

-Qenushka ime, nuk e kupton akoma heroin?

- ....

Je e sinqertë, pra. Nuk je egoiste dhe për atë që nuk e kupton kërkon shpjegime. Atëherë. dëgjo me vëmendje!

Hero bëhet një njeri që vret njerëz.

- ... !!!

Ka hero në betejë dhe hero pas betejës.

Heroi i betejës është ai që i gëlltit idetë siç ia servirin, mbruhet me to dhe i mbron me gjakun e tij.

Ky Hero është njeri i mirë, Krajlica, sepse ka ideale, sepse betohet dhe e mban fjalën, sepse është trim.

Ama, edhe ai që është njeri i mirë, s’mund të bëhet hero pa vrarë njerëz.

Çdo hero beteje ka vrarë njerëz,

doemos ka vrarë njerëz

të një race tjetër,

të një kombi tjetër,

të një shteti (domethënë përtej kufiri) tjetër,

të një ideje tjetër

dhe mbasi është vrarë ka fituar kryeheroi i tij.


Ky gjakoset apo vritet edhe vetë prandaj bëhet hero. Në qoftë se heronjtë do të bëheshin pa vrarë askënd, ose duke vrarë kafshë a insekte, atëherë nuk do kishte fare kuptim ekzistenca e fjalës heroizëm.


-Më mirë të mos vrasin e të mos vriten. Ham!


-Shshët! Ju nuk e njihni heroizmin. Këtë e ka shpikur njeriu. E ka shpikur që të bëjë apel të frikshmëve, të butëve, të menduarve që të nxjerrin nga shpellat ku e kanë fshehur trimërinë e njeriut të origjinës dhe të hidhen në shesh të luftës.

Njeriu që e ka shpikur këtë nuk bën heroizma nëpër beteja.

Heroizmi i betejës të dërgon në parajsë.


Njeriu i madh, domethënë heroi më i madh, del në dritë e shpallet pas betejës. Ai bën sakrificë, bërtet “ngrehuni dhe bjeruni!”, ia mohon vetes vrasjen në betejë kështu që dërgon të tjerë në parajsë. Prandaj edhe është i madh. Për syrin tonë ai është heroi më i madh,

aq më i madh sa më shumë heronj beteje ka kthyer në gurë.


Të duket i mirë ky heroi më i madh? Hajde ta njohësh.


Ja, ajo kodra atje është plot me heronj. Mos u çudit, mos kërko të shohësh njerëz, sepse

ka kafshë,

ka njerëz,

ka dhe heronj.

Ai guri i madh është i një heroi më të madh se vetë guri, është i Mazes.

Unë kam dëgjuar një histori të vockël për heroizmin e Mazes. Këtë histori e pruri deri tek unë shoku i tij i llogores.


Tha ai: “Ishim tre vetë në llogore. Duhet të merrnim kodrën që kishim përballë por atje villte zjarr një mitraloz dhe vendi ishte i zhveshur.

Mazja: -I duhet mbyllur gryka atij mitralozi.

-Jemi të zbuluar.

-Të zbuluar jemi, por na i griu shokët.”

-“ ...”

-Do vërvitem mbi të.

-Mos!

Ai ishte nisur.

-Mazee!

Por Mazja ishte trim. Ku pyeste Mazja? Lëshoi një sokëllimë, u sul, bëri dy, tri hapa dhe ra. Ra heroikisht.

Ai ishte hero i vërtetë”, përfundoi kallëzimin nga ekrani i televizorit, ish bashkëluftëtari i Mazes i cili mbante veshur një kostum të shtrenjtë dhe kravatë me figura gjarpërore.

Ky patjetër ishte hero më i madh derisa ishte gjallë.

Ishte kryehero.


Pas ikjes së Mazes mitralozi pushoi. Mazja e kishte hedhur granatën mbi të. Kjo kuptohet deri sa rrëfyesi, ky pra që fliste tridhjetë e pesë vjet më vonë nga televizori, arriti i pari në kodër. Arriti i pari në kodër dhe u bë vetë kryehero, nga ata heronj që i mbajtën medaljet në gjoks.

Mazja nuk i pa si ishin medaljet.


-Ham! Ham! Sa keq!

-Për kë sa keq?

-Ku e di unë!? Për të dy.

Më mirë thuaj atë “ku ta di unë” dhe mos e shty më tutje. Prandaj të tregova se nën atë gurin e madh është Mazja, heroi.


Unë i respektoj dhe i dua heronjtë. Kam dëshiruar të bëhem hero, bile, do ta them tërë jetën,

më ka ardhur keq kur u bë heroinë një grua se u përpoq të shpëtonte pesë pemë nga zjarri,

më erdhi keq që nuk u përvëlova e nuk u shpalla hero në vend të saj.

E kam (domethënë e kam pasur) tharmin e heroit në gjak por, nga toni i rrëfimit të bashkëluftëtarit, më buisi dyshimi se mos Mazja kishte lëshuar një “oh!”, pas shqyerjeve që i shkaktuan plumbat në mish, se mos ishte përpëlitur pak për ta gjetur prapë jetën që ua dhuroi të tjerëve?


32 views0 comments

Comentarios


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page