Henrik Kaçulini: Dy aktoret elbasanase tek drama “Triumfi i Lirisë”: Lirie Hakani dhe Mynevere Zaimi
- 12 hours ago
- 3 min read

Më 2 mars 2026 Henrik Kaçulini shkruan se “pata kënaqësinë dhe emocionin e veçantë të dhuroj për Bibliotekën Biblioteka “Qemal Baholli” dymbëdhjetë tituj librash të shkruara nga Dr. Kristo Floqi, një personalitet i rëndësishëm i kulturës dhe i mendimit shqiptar.” Pesë prej këtyre veprave kanë një histori të veçantë, shkruan Henriku, pasi ato u zbuluan prej tij dhe u botuan për herë të parë plot 75 vjet pas vdekjes së autorit. Ishte një moment që i përkiste jo vetëm librit, por edhe kujtesës kulturore të qytetit të Elbasanit. Nga Henrik Kaçulini dhe shkrimi tij mësojmë se “Salla e bibliotekës ishte e mbushur plot me lexues, studiues, miq të librit dhe qytetarë të interesuar për trashëgiminë kulturore. Në atë atmosferë të ngrohtë, falënderim i veçantë i takon drejtoreshës së bibliotekës, zonjës E. Janku, për përkushtimin dhe organizimin e këtij aktiviteti që i dha jetë një dialogu të bukur mes së kaluarës dhe së tashmes. Një nga momentet më mbresëlënëse të takimit ishte fjala e profesor Ingrit Zaimi. Ai solli para të pranishmëve kujtime të çmuara për nënën e tij, Mynevere Zaimi, e cila në kohën e saj kishte qenë drejtoreshë e bibliotekës dhe një figurë e njohur e jetës kulturore të qytetit. Por përtej detyrës së saj institucionale, ajo mbartte edhe një histori të veçantë artistike.”
Sipas informacionit Profesor Zaimi rrëfeu se e ëma e tij kishte luajtur si aktore në shfaqjen e dramës “Triumfi i Lirisë”, një vepër e shkruar nga Dr. Kristo Floqi. Kjo dramë ishte vënë në skenë në Elbasan në vitin 1942, në një kohë kur skena shqiptare po kalonte një periudhë të rëndësishme transformimi kulturor dhe shoqëror. Në atë shfaqje, përkrah Mynevere Zaimit, shton studiuesi elbasanas Bukurosh Dylgjeri, se kishte interpretuar edhe aktorja elbasanase Lirie Hakani. Dy emra që sot mund të duken të largët në kohë, por që përfaqësojnë një moment historik për teatrin shqiptar dhe për emancipimin e skenës sonë.
Roli i Mynevere Zaimit ka një rëndësi të veçantë në historinë e teatrit. Ajo konsiderohet si një nga gratë e para që guxoi të dalë në skenë si aktore në qytetin e Elbasanit. Deri në atë periudhë, në traditën teatrore shqiptare, rolet e femrave shpesh interpretoheshin nga meshkuj, një praktikë e trashëguar nga një mentalitet i vjetër shoqëror. Dalja e një gruaje në skenë për të interpretuar një rol femëror përbënte një hap të guximshëm dhe një akt emancipimi kulturor.
Në këtë kuptim, pjesëmarrja e Mynevere Zaimit në dramën “Triumfi i Lirisë” nuk ishte vetëm një akt artistik, por edhe një simbol i një ndryshimi që po ndodhte në shoqërinë shqiptare. Ajo përfaqësonte një brez grash që filluan të zinin vendin e tyre në jetën publike dhe kulturore. Po ashtu, pranë saj qëndronte figura e Lirie Hakanit, një tjetër aktore elbasanase që kontribuoi në atë shfaqje dhe në jetën teatrale të qytetit. Dy gra në një skenë që deri atëherë kishte qenë pothuajse ekskluzivisht mashkullore. Dy zëra artistikë që u bënë pjesë e një historie të re kulturore.
Drama “Triumfi i Lirisë” e Dr. Kristo Floqi nuk ishte vetëm një tekst teatror; ajo ishte edhe një pasqyrë e idealit të lirisë dhe të dinjitetit kombëtar, një temë që Floqi e trajtonte me ndjenjë të fortë patriotike dhe me gjuhë dramatike. Vendosja e saj në skenë në Elbasan në vitin 1942 tregonte se qyteti kishte një jetë kulturore të gjallë dhe një publik të etur për artin dhe teatrin. Sot, kur këto vepra të Floqit rikthehen në dritë përmes botimit të tyre dhe kur kujtimet për aktorët e atyre viteve risillen nga dëshmitarët dhe familjarët, kuptojmë se historia e kulturës nuk ndërtohet vetëm nga librat dhe autorët, por edhe nga njerëzit që i dhanë jetë veprave në skenë, në bibliotekë dhe në kujtesën e qytetit.
Në atë sallë të mbushur të Bibliotekës “Qemal Baholli”, ndërsa flitej për librat e Floqit, për dramaturgjinë dhe për historinë e teatrit, dukej sikur jehona e asaj skene të vitit 1942 rikthehej për një çast: dy aktore elbasanase, Lirie Hakani dhe Mynevere Zaimi, që dilnin në skenë për të interpretuar “Triumfin e Lirisë”. Dhe në një farë mënyre, vetë kujtesa e tyre ishte një tjetër triumf i lirisë: liria e kulturës për të mos u harruar.









Comments