top of page

Editorial: Kallaisjet patriarkale

  • 12 hours ago
  • 3 min read

Politika në Ballkan ka një zakon të vjetër. Një zakon të trashëguar. Një zakon që nuk shkruhet në ligje, por sundon mbi to. Është instinkti patriarkal i pushtetit. Frika nga personaliteti. Frika nga gratë që rriten në politikë. Frika nga figurat që bëhen më të mëdha se hijet e liderëve. Kosova sot ndodhet përballë një tjetër krize institucionale. Vendi rrezikon të shkojë sërish në zgjedhje të jashtëzakonshme. Këtë herë për Presidentin e Republikës. Afatet kushtetuese kanë filluar të rrjedhin. Kuvendi nuk ka nisur procedurën. Ora po troket. Në fund të numërimit mbrapsht mund të vijë përsëri votimi. Publiku në Kosovë e ka parë këtë skenë më parë. Partitë nuk bien dakord. Vota është e copëzuar. Partia e parë nuk ka vota të mjaftueshme për të qeverisur vetëm. Të tjerat hezitojnë të bëjnë koalicion me të. Dhe kështu vendi mbetet pezull. Mes ambicies dhe frikës për të ndarë pushtetin.

Por këtë herë drama politike ka edhe një dimension tjetër. Një dimension më të thellë. Një dimension që lidhet me mënyrën se si politika trajton figurat e forta. Sidomos kur ato janë gra. Presidentja aktuale, Vjosa Osmani, duket se nuk do të ketë një mandat të dytë. Pesë vite më parë ajo u zgjodh në një moment shprese. Në një moment kur brezi i ri dukej se po merrte drejtimin e shtetit të ri të Kosovës. Lëvizja e saj “Guxo” dhe “Vetëvendosja” krijuan një aleancë. Një marrëveshje politike që e bëri Albin Kurtin kryeministër dhe Vjosa Osmanin presidente. Ishte një çift politik i brezit të ri. Një premtim për një stil tjetër drejtimi. Gjatë këtyre viteve Osmani e përfaqësoi Kosovën me një dinjitet të qartë. Ajo u bë një figurë e respektuar në diplomaci. Në takime ndërkombëtare. Në marrëdhëniet me aleatët. Roli i presidentit në një republikë parlamentare nuk është ceremonial. Ai kërkon maturi. Kërkon përmbajtje. Kërkon aftësi për të mbajtur ura të hapura edhe kur politika përplaset.

Në shumë raste Osmani e mbajti këtë rol. Ajo mbajti të hapura kanalet me partnerët ndërkombëtarë. Edhe kur qeveria përballej me presione. Edhe kur Kosova ishte nën vëzhgimin kritik të aleatëve. Në Shtetet e Bashkuara ajo mori vlerësime të qarta. Në takime të nivelit të lartë. Në biseda serioze pune me diplomacinë amerikane. Në Uashington e njohin rolin e saj. E dinë peshën e saj politike. Por në politikën e brendshme ndodh shpesh e kundërta. Kur një figurë rritet shumë, fillon të bëhet e padurueshme për ata që kontrollojnë pushtetin. Kjo është logjika e vjetër patriarkale. Logjika e liderit që kërkon nënshtrim, jo personalitet. Logjika e një politike që nuk toleron figura të pavarura.

Një histori e ngjashme ndodhi edhe në Shqipëri. Me largimin e papritur të Elisa Spiropalit nga posti i Ministres së Jashtme. Pa një shpjegim të qartë për publikun. Pa një arsye të fortë politike apo diplomatike. Në diplomaci postet ndryshojnë rrallë. Ministrat e jashtëm zakonisht qëndrojnë gjatë. Sepse marrëdhëniet ndërkombëtare ndërtohen mbi besimin personal. Mbi njohjet. Mbi vazhdimësinë. Por kur politika sundohet nga instinkti i kontrollit, këto rregulla thyhen lehtë. Dhe këtu lind një pyetje që nuk është vetëm për Kosovën apo për Shqipërinë. Është një pyetje për gjithë rajonin. Pse gratë që arrijnë sukses në politikë shpesh ndalen në një moment të caktuar? Pse pikërisht kur kanë përvojë, autoritet dhe pjekuri? Përgjigjja është e vjetër sa vetë politika. Është frika e pushtetit nga personaliteti. Është instinkti patriarkal që nuk e duron konkurrencën.

Kështu liderët kthehen në komandantë kazermash politike. Ata rrethohen nga njerëz pa zë. Nga funksionarë që nuk rriten shumë. Nga figura që nuk bëhen kurrë të rrezikshme për fronin e tyre. Por historia nuk shkruhet nga këta njerëz. Historia shkruhet nga personalitetet që guxojnë të rriten. Edhe kur politika përpiqet t’i ndalë. Edhe kur kallaisjet patriarkale përpiqen t’i mbulojnë me një shtresë të hollë pushteti dhe frike. Sepse në fund, çdo sistem që trembet nga personaliteti, fillon të shembet nga brenda vetes. Dhe bashkë me të shembet edhe iluzioni se pushteti mund të kontrollojë historinë.

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page