Azis Gjergji: Koha kur u vra Heroi i Popullit Shqiptar Bajram Curri
- Prof Dr Fatmir Terziu
- Mar 28
- 5 min read

Dossier
100-vjetori i rënies dëshmor i patriotit demokrat Bajram Curri (29 mars 1925-29 mars 2025)
Ndërsa në Shqipëri kishte nisur punën qeveria demokratike e Fan Nolit, më 30 qershor 1924, Legata Shqiptare në Beograd, njoftoi MPJ në Tiranë se, ditën e premte, 27 qershor 1924, Ahmet Zogu arriti në stacionin hekurudhor të kryeqytetit jugosllav i shoqëruar nga kunati i tij serbofil Ceno bej Kryeziu, 19 oficerë e nënoficerë, 150 ushtarë, 50 familjarë, 60 nëpunës dhe civilë të tjerë. Në stacion u prit nga dy funksionarë të Ministrisë së Jashtme, të cilët u kujdesën për strehimin dhe ushqimin e tyre në hotelin e madh “Bristol”. Shtypi i Beogradit e prezantoi Ahmet Zogun në publik si “mysafir i posaçëm” i kryeministrit Nikola Pašić dhe “Miku me shpirt i Jugosllavisë”. (AQSH. F. 151, V. 1924, D. 257, f. 7; D. 260, f.1 dhe 260)
Shërbimet e kryera nga Ahmet Zogu në favor të mbretërisë Serbo-Kroato-Sllovene (Jugosllavisë) ishin të dokumentuara në faturat e pagesave të qeverisë për Ahmet Zogun, të ruajtura në Arkivin Historik Ushtarak të Beogradit. Sipas tyre, prej Kongresit të Lushnjës, e sidomos pas vrasjes së Esat pashë Toptanit deri në muajin maj 1924, qeveria e Beogradit kishte harxhuar 2.000.000 dinarë për karrierën e Ahmet Zogut.” (Arkivi i Institutit Historik Ushtarak, Beograd, F-17, K. 61, I, d. 14).
“Kur në vitin 1924 në Shqipëri u rrëzua nga pushteti qeveria feudale e Ahmet Zogut,” shkruan historiani Vladimir Dedijer, “pushtetmbajtësit në Beograd e pritën këtë feudal, e armatosën dhe e hodhën me ndihmën e bjellogardistëve të Vrangelit në Shqipëri, duke shpenzuar për këtë aventurë 105 milion dinarë.” Sipas studiuesit Zhivko Avramovski, “aventura e kthimit të Zogut në pushtet në Shqipëri” i kushtoi qeverisë jugosllave “30 mijë napolona flori”. (Vladimir Dedijer, Marrëdhëniet jugosllavo–shqiptare, 1939–1948,” Tiranë: Medaur, 2005, f. 122; Zh. Avramovski, “Gjurmime Albanologjike”, V.VII, Nr. 2.Prishtinë, 1968, f. 132)
Detyrimet e Ahmet Zogut ndaj qeverisë jugosllave për rikthimin në pushtet gjenden në dy kopje identike të “Marrëveshjes sekrete Pašić-Zog”, në .gusht 1924, e përpiluar sipas modelit të dy marrëveshjeve të kryeministrit Pašić dhe komandantit mercenar Esat pashë Toptani, më 17 shtator 1914 dhe 28 qershor 1915. Marrëveshja në fjalë ka 16 pika, ndër të cilat, në Pikën 12, Ahmet Zogu premtoi: “Qeveria shqiptare do të rrijë larg nga një politikë ngushtësisht kombëtare dhe nuk do të interesohet për elementin shqiptar jashtë kufijve të veta. Ajo impenjohet [it. impegno –zotohet] veç kësaj që të mos pranojë në tokën e saj kosovarët dhe elementët e tjerë që njihen ose dyshohen për ndjenjat e tyre kundër politikës jugosllave.” (AQSH. Fondi 151, viti 1925, dosja 105, dok. 2, f. 1-5)
“Sipas një burimi të padiskutueshëm britanik,” shkruan historiani anglez Joseph Swire, “për realizimin e planit të Zogut u vunë në dispozicion 500 mercenarë matjanë, dibranë e esadistë, të arratisur kohë pas kohe në Jugosllavi; 1000 rekrutë malazezë e shqiptarë dhe 1000 rezervistë nga Kërçova, Tetova, Gostivari e Dibra, të veshur me rroba të vendit. Ky kontingjent komandohej nga 16 oficerë jugosllavë me uniformë. Përkrah tyre u aktivizuan 40 oficerë dhe 800 ushtarë rusë të bardhë të gjeneralit Vrangel dhe Gjithsej u hodhën në sulm mbi 3300 forca të armatosura, të shoqëruan nga 2 bateri të artilerisë malore, model austriak, me rreze 9000 metra, së bashku me artilierët profesionistë; 10 mitraloza të rëndë e 20 të lehtë, të drejtuar gjithashtu nga mitralierë profesionistë të ushtrisë jugosllave.” (Joseph Swire, Shqipëria. Ngritja e një mbretërie,” Tiranë:Dituria, 2005, f. 351)
Vetë Ahmet Zogu e ngriti shtabin e tij në Dibër të Madhe. Dokumentet dhe dëshmitarët e luftës së 17 dhjetorit 1924, pohojnë se, guvernatori i Dibrës së Madhe urdhëroi garnizonin jugosllav të sulmonte dhe të shpartallonte mbrojtjen shqiptare në kufi për t’u hapur rrugën mercenarëve të Zogut. Forcat vullnetare të Elez Isufit dhe nipit të tij, Isuf Xhelilit zhvilluan një betejë heroike në malin e Kenokut. Midis dhjetra luftëtarëve demokratë dibranë, në zbatim Marrëveshjes kobzezë “Pašić-Zog”, të .gushtit 1924, ranë dëshmorë edhe “gjenerali me shajak”, heroi Elez Isufi dhe nipi i tij trim Isuf Xhelili. (AQSH. F. 152, V. 1924, D. 98, f. 311)
Më 24 dhjetor 1924, Ahmet Zogu hyri triumfator në Tiranë. Ai mori në duart e tij pushtetin ekzekutiv si kryeministër dhe ministër i Punëve të Brendshme dhe komandën e përgjithshme të ushtrisë. Mbarë Shqipëria iu nënshtrua regjimit të gjendjes së jashtëzakonshme. Më 25 janar 1925, gazeta “Indipendenca shqiptare” botoi me germa të mëdha lajmin e vrasjes së patriotit demokrat dibran Zija Dibra. Ish-shefi i Zyrës Sekrete dhe i kabinetit të Ahmet Zogut, Vasil Kalluçi, në një intervistë dhënë një gazetari gjerman do të deklaronte se, Zogu kishte urdhëruar vrasjen e kapitenit Zija Dibrës në Harizaj të Kavajës dhe në Sulovë të Elbasanit, të gazetarit e mësuesit të shquar demokrat Salih Çekës nga Filati i Çamërisë, rënë dëshmor i Demokracisë, më 1 shkurt 1925. (Gazeta “Liria Kombëtare”, 1 qershor 1927)
Për vrasjen e Mësuesit të Popullit, Salih Çeka, Kryetari i Republikës, Kryeministri dhe ministri i Punëve të Brendshme të Shqipërisë, Ahmet Zogu u sigurua nga vjehrri dhe bashkëpunëtori i tij i ngushtë në atë vrasje, çifligari i madh Shefqet bej Vërlaci; vetëm lajmin e vrasjes së kapitenit lZija Dibra kërkoi të verifikohej mirë dhe, ashtu si dikur Sulltan Mahmudi II kishte kërkuar t’ia çonin në tepsi kokën e Ali pashë Tepelenës, edhe Ahmet Zogu kërkoi me çdo kusht kokën e Dibrës, për t’u bindur vërtet se ai kishte vdekur. (Bernd Fischer, “Mbreti Zog...” Tiranë: Çabej, 1996, f. 88)
Në ditët e para të dhjetorit 1924, kur Elez Isufi i kishte vënë gjoksin mbrojtjes së frontit të Peshkopisë dhe Bajram Curri po luftonte në Qafën e Prushit të Malësisë së Gjakovës, patrioti i shquar demokrat, Luigj Gurakuqi, gjendej në frontin antizogist të Koplikut të Shkodrës. “Gurakuqin,” ka dëshmuar Fan Noli, “sa më mirë e kam njohur, aq më tepër kam qenë i shtrënguar ta respektoj. Veteran i çështjes, pothuaj tridhjetë vjet në shesh të nderit paprerë, ka vënë në shërbim të atdheut tërë forcën dhe tërë jetën e tij...” Ndërsa trupat mercenare po i afroheshin Tiranës, më 20 dhjetor 1924, udhëheqësi i pafat demokrat Luigj Gurakuqi u lajmërua nga kolegët për t’u nisur në emigracion drejt Italisë.
Për organizimin e vrasjes së tij, Ahmet Zogu do të emëronte në postin e konsullit në legatën shqiptare të Barit bashkëpunëtorin e ngushtë të bizneseve dhe prapaskenave të tij, Çatin Saraçin. Disa ditë më pas do të infiltrohej midis emigrantëve politikë në Bari edhe krimineli shkodran Baltion Stambolla. Ndonëse kishte lidhje gjaku me Gurakuqin, në mbrëmjen fatale të 2 marsit 1925, Stambolla u shfaq te dera e Bar-Ristorante “Cavur”, duke shkrehur mbi trupin e atdhetarit të madh tre plumba vdekjeprurës.

Ende pa u mbyllur zija popullore e vrasjes së Martirit të Demokracisë, Luigj Gurakuqi, Ahmet Zogu, tashmë i shpallur Kryetar i Republikës, Kryeministër dhe ministër i Punëve të Brendshme të Shqipërisë, më 29 mars 1925, arriti një tjetër sukses në realizimin e zotimit që kishte marrë përpara kryeministrit shovinist serb, Pashiç: vrasjen e strategut popullor të kryengritjeve për liri, pavarësi, demokraci dhe tërësi tokësore të Shqipërisë, heroit legjendar, Bajram Curri. Kur Ahmet bej Zogu ishte nisur kufirit shqiptaro-jugosllav, Bajram Curri kishte ngritur në këmbë 800 luftëtarët e tij vullnetarë të Malësisë së Gjakovës për t’u bashkuar me 500 trupat mbrojtëse të qeverisë demokratike të Fan Nolit në Qafën e Prushit. Kundër tyre kishte marshuar nga Prizreni kolona e mercenarëve të komanduar nga kunati i Ahmet Zogut, mercenari i shovinistëve jugosllavë, Ceno beg Kryeziu. Në përpjekjen e parë, Ceno Begu ishte thyer keq dhe ishte kthyer në Prizren për t’u përforcuar edhe me një batalion të dytë këmbësorie e dy bateri malore serbe. Edhe në mësymjen e dytë Ceno Beu kishte dështuar, por ndërkohë, kryeqyteti i Shqipërisë, Tirana, kishte rënë në duart e Zogut.
Patrioti dhe demokrati i pathyeshëm Bajram Curri u tërhoq me gardën e tij luftarake në thellësi të Malësisë së Gjakovës, me shpresë se në pranverën e ardhshme demokracia do të fitonte përsëri në Shqipëri. Por, ndërsa ngricat e janarit 1925 zbardhën malet e lirisë, Ahmet bej Zogu do t’i niste komandantit të “operacioneve të tij ushtarake në Shqipërinë e Veriut”, shqiptarit renegat në shërbim të Serbisë, Ceno beg Kryeziut, urdhrin famëkeq:
“Urgjent, Tiranë, më 9 janar 1925. Kolonel Ceno Beg Kryeziut, Komandant i Operacioneve të Veriut: Currin, gjallë a vdekur, duhet ta zini dhe fuqinë e tij duhet ta shkatërroni krejt, duke marrë të gjitha masat që kështu të shuhet revolucioni i Kosovës e të mos përsëritet ma!” (AQSH, F. 152, V. 1925, D. 9, f. 7/1: telegram origjinal)
Pas tre muajve ndjekjesh këmba-këmbës, mal më mal e shpellë më shpellë të Dragobisë, më 31 mars 1925, koloneli zogist, Ceno beg Kryeziu, i dërgoi komandantit të Përgjithshëm të Operacionit kundër pjesëmarrësve në Revolucionin Demokratik të Qershorit 1924, diktatorit Zog, sihariqin e përgjakur:
“Mbas një lufte të përgjakshme që është bërë në bjeshkët e Dragobisë, i arratisuri Bajram Curri ka mbetur i vrarë dhe shoku i tij, i arratisuri Shefqet Draga është zënë i gjallë. Në këtë përpjekje kanë mbetur pesë xhandarë të vrarë e katër të plagosur. Në vendin që jetonte Bajram Curri janë gjetur dhe shtatëdhjetë armë. Shokët e tij të arratisur janë shpërndarë tepër të dëshpëruar dhe po ndiqen prej fuqisë operative...” (AQSH, F. 152, D. 9, dok. 58: tel. dt. 31.03.1925, origjinal)
Që “Revolucioni i Kosovës të mos përsëritej ma”, Ceno Begu vari në litar burrin e mençur të kuvendeve të Malësisë së Gjakovës, Hoxhë Zogun e Bytyçit dhe kryetrimat Gjelosh Rama e Tolkuç Rama të Nikaj-Mërturit; vrau Asllan Currin e Husli Thaçin dhe dogji e shkretoi të gjitha shtëpitë e luftëtarëve besnikë të Bajram Currit. Me shuarjen e qëndresës së armatosur të Bajram Currit, Ahmet bej Zogu e shoi përfundimisht edhe vatrën e Komitetit “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës” në Shqipëri. Më 1 prill 1925, Kryetari i Republikës dhe Kryeministri i Shqipërisë, Ahmet Zogu, e emëroi njeriun e besuar të kryeministrit serb, Nikola Pašić, Ceno beg Kryeziun, në postin e ministrit të Punëve të Brendshme të Shqipërisë. (“Shqipenija më 1937”, vëll. I, Tiranë, 1937)
Hazis Gjergji, historian, Lexington, KY, USA
Comentarios