top of page

Hasan M. Shahinaj: Refleksion studimor:  Vlerat enciklopedike të një libri të çmuar voluminoz...

25 minutes ago
7 min read

Hasan M. Shahinaj: Refleksion studimor:  Vlerat enciklopedike të një libri të çmuar voluminoz...

 

Sapo mora vëllimin nr. 3 të trilogjisë dimensionale me titullin spikatës "Me dibranët e shquar ndër vite" të autorit të talentuar Aqif Ademi, u zhyta në oqeanin prej 973 faqesh, ku gjenerojnë e flasin qartazi në kohë e hapësirë 188 figura të shquara dibrane me vlera e rrezatim kombëtar, rajonal e më gjerë deri në SHBA e Kanada. Ky vëllim libror e plotëson mirëfilli kolanën botuese dhe shterruese të hulumtimeve serioze, po edhe tejet të guximshme të zotni Ademit, pas një rezymeje disavjeçare lodhjesh e shpenzimesh thuajse fort të konsiderueshme financiare në këtë kohë e realitet shqiptar varfëror; ku ne (siç dihet) mbijetojmë "fytas", thënë dibrançe, duke u përballur e sfiduar pengesat-mal të mbishpenzimeve vetjake për të botuar libra të këtij kalibri, siç bën i përkushtuari, pasionanti, durimgjati, ekselenti, regjisori dimensional, z. Aqif Ismet Ademi me impute rrezatuese e mirënjohëse anekënd vendit, po edhe nëpër diasporën ekselente mbarëshqiptare në të 5 kontinentet globale nga Kanadaja deri në Euro-Azi e Australinë e largët. Ja disa risi vlerash të vërteta e origjinale të vëllimit nr. 3 të trilogjisë së suksesshme "Me dibranët e shquar ndër vite", botuar kohët e fundit, qershor 2026:

Së pari, pasurohet galeria e pafund e thesareve dibrane gjithëkohore me figura emblematike të rangut kombëtar. Si për shembull, nisur qysh nga profesorë doktorët e shquar në disa fusha kyçe të ekonomisë e të kulturës shqiptare. Bie fjala: nga Myqerem Fafaj, Fatmir Terziu, Ramazan Çadri, Shpëtim Cami, Petrit Bara, Agim e Naim Kaba, Shpëlqim Kuka, Astrit Bardhi, Florian Xholi, Neki Kuka, Behar Shehu, Isak Shehu etj. Parakalojnë rradhazi figura të spikatura inxhinjerike, biznesmenësh, mjekësh të talentuar të kalibrit Rahim Xhika, Kastriot Boriçi, farmacistit të lartë Ramazan Haxhiaj; muzikantë e këngëtarë tradicionalë si Haxhi Maqellara, aktorë si Behar Mera, artistë, sportistë, shkrimtarë e publicistë, piktorë të shquar si Naim Muca, ushtarakë të gradës gjeneral si Gjergj Vladi; mësues e studiues, doktorë shkencorë; gra të shquara si p.sh.: Yllka Çausholli, Zarifka Rajku, Alma Cani, poetesha bulqizake Bahrie Çupi e deri tek kryebashkiakja e Bulqizës minatore Festime Mjeshtri etj. Këta / këto figura rrezatuese janë e do jenë jo vetëm të shquara, por edhe pika referimi; modele imitative për brezat e sotëm dhe ata/ato që do të vinë, sepse ky libër dimensional tashmë është pronë e Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë dhe më gjerë, krahas pasurimit dinjitoz të bibliotekave bashkiake e personale, anekënd trojeve shqipfolëse e shkruese.

Të mos harrojmë: thesari trashëgimor i librit është më i madhi në jetën e një njeriu leximtar e të shquar, të modeluar si shembull imitimi kudo e kurdoherë! Vend të dukshëm në libër zë fisi i fisëm Murati (madje denjësisht edhe sponsor) ndër breza me kontribute të mirënjohura në veprat madhore energjetike e ndërtimtare të vendit. Po ashtu zë vend mendjeholli, dibranomadhi Dali Noka, ky dijetar popullor me rrezatim në odën e famshme kuvendare dibrane; pasuar nga një plejadë e gjerë ndër brezni deri më sot edhe nga fise të tjera pa hatërmbetjen më të vogël.

Së dyti, vetëm pena vizionare, largpamëse e autorit Aqif Ademi bëri të mundur që, në galerinë tejet të pasur të kësaj trilogjie librore -enciklopedike, të zënë vendin e nderuar edhe shumë e shumë figura të munguara të nacionalistëve dibranë, të cilët deri më sot kanë qenë të privuara të pasqyroheshin!!


Pena e mprehtë dhe guximtare e z. Aqif i nxori në dritë të diellit këto figura, i ngriti mbi piedestalet e harruara, ashtu siç e kanë merituar prej dekadash; neglizhuar nga hipokritët shtetarë! Mirëpo, shpirtligësia proverbiale e pjesës negative - idhnake e asaj paranojës së tejnjohur "Gropa e Dibrës", jo vetëm i patën ngrënë këta / këto figura të munguara, madje i pati "gropëzuar" si në Ferrin famëkeq dantesk, për të mos mësuar brezat e sotëm e të nesërm se cilët kanë qenë rrënjët e vërteta lisnore; cilët janë e do jenë nacionalistët vitalë dibranë! Shkurt e qartazi: janë e do jenë shtylla kurrizore dhe palca e qëndrestarisë dibrane e mbarëkombëtare; të cilët edhe me vepra flijuan deri jetën për ndryshimet e nevojshme, pra edhe në Shqipërinë tonë të izoluar katërcipërisht, vetmitare, mjerane, të anatemuar, provinciale!  P.sh.: le të rilexojmë tejet vëmendshëm nga libri voluminoz i z. Aqif se si portretizohen figurat e ndritura të Ferit Sines, Besim Ndregjonit, Enver Kullës etj. Apo të fiseve të fisme të pushkës së parë sikurse Nokajt, Tershalla, Kaloshajt, Kulla, Spata, Karasanajt,  Bajraktari etj, etj.

Dhe,, dhe, për sa më lart, i lutemi lexuesit objektiv e të paanshëm që të rikujtojmë së bashku se si i la në gropën e harresës figurat madhore të tipit Abdurrahman Krosit (Hoxhës), Dali Ndreut, Suf Xhelilit, Xhedikajt, Xhilagët, Karahasanajt, Kaloshët, Demajt etj, etj. Një vargan i vërtetë majëmalesh të panënshtruara e të papërsëritshme, madje me zë përveçësues në historinë shumëshekullore dibrane.

Së treti, si rrallëkush tjetër autor shqiptar dhe veçmas dibran, z. Aqif Ademi, ky krijues mendjemprehtë, vullnethekurt dhe tejet i aftë me atë pasionin këmbëngulës, për t'u pasur xhelozi nga çdo krijues/e ; ka ideuar, ka seleksionuar, arkitekturuar dhe së fundmi botuar vëllimin nr. 3 "Me dibranët e shquar ndër vite", duke u ngjitur krenarisht në majë të krijuesve dibranë. E përsëris, duke e nënvizuar këtë, gjë që përbën jo vetëm eventin madhor të shkrimtarit si më prodhimtarin e kësaj fushe, por mbi të gjitha thënë modestisht z. A. Ademin kësisoj: realisht pikë referimi për gjithësecilin/ën prej nesh... Ai shpirtërisht e mendërisht ka përjetuar jetën intensive të çdo personaliteti të shquar dibran dhe kryesorja me atë "lupën" e tij mikroskopike duke u thelluar nëpër indet palcore e qelizore të veçantisë së gjithësecilit për të na dhënë sheshit rezultanten e këtij skaneri të vështirë shkrimor karakterial. Prandaj, për çdo figurë del saktësisht veprimtaria konkrete, veçantia profesionale, maturia shembullore në kohë e hapësirë, motivimi i duhur në kushtet konkrete. Falë vizionit regjezorial disa- planësh të z. Aqif, ai ka mundur të tipizojë çdo dibran/e të shquar ndër vite, dekada apo qindvjeçarët e parë që përjetojnë nga arkivat e jetës reale mbarëshqiptare. Ky mision ka qenë i vështirë, por doli i suksesshëm plotësisht! Përfundimisht, z. Aqif Ismet Ademi meriton përgëzimet falenderuese në shkallën superiore, sepse na dhuroi duke pasuruar bibliotekat tona personale, prefekturore, kombëtare me trilogjinë enciklopedike "Me dibranët e shquar ndër vite", me totalin e 2819 faqeve dhe të 676 personaliteteve të publikuara!

Së katërti, si rrallëkush autor tjetër dibran nga plejada tradicionale, qysh nga zanafilla e të madhit Haki Stërmilli e deri më sot, autori ynë pararendës, i talentuar, alternativ, vizionar dhe tjetërlloj, ka trajtuar me finesë, zemërgjerësi portretizimin moralo-fizik e psikik shumë personalitete të Maqellarës, si zona më e lakmuar e Dibrës për mençuri, arsim, shëndetësi, kulturë, art e bujqësi pararojë.  Zotni Ademi, pa rënë kurrësesi në kurthin e folklori- zantit, as në subjektivizëm, ka realizuar njësëjtërisht modelin skanor të një subjekti të pasur prej skenari figurat më të spikatura maqellarase, qysh nga fshati i moçëm etno- gjenetik Allajbegi (Burimi) në 6-të shekullori, e deri tek skajet më të thella kufitare të të 16 fshatrave të mëdhenj maqellaras me emër të ndritur. Shembëlltyra e penës së talentuar të z. Aqif Ademi ka dhënë modele të bashkëjetesës fetare mes të 16 fshatrave në fjalë, pa harruar atë të besimit ortodoks si p.sh.: Herbelin, Kërcishtin, Kllobçishtin, Erebarën, Majtarën, Obokun, Podgorcën bregdrinase etj. Sipas meje HSH, këto portretizime janë ajka e risive letraro-publicistike të vëllimit të 3-të të Trilogjisë komplekse "Me dibranët e shquar ndër vite", të të talentuarit autor vizionar e dimensional z. Aqif Ismet Ademit; për të cilin çdo lexues i bën vlerësimet sa objektive aq edhe ballafaquese me të tjerët, sa origjinale aq dhe meritore!

 Së pesti, tre vëllimet librore që përbëjnë denjësisht trilogjinë enciklopedike prej 2819 faqesh "Me dibranët e shquar ndër vite" të autorit A. Ademi, ku pasqyrohen 676 personalitet më të spikatura; me krenari legjitime, zëplot dhe entuziazëm madhor njëherësh, mund të themi se është një galeri e tërë katërdimensionale vlerash, traditash, idesh, mesazhesh, vizionesh perspektive, të cilat i japin sharmin e duhur, nderimin e merituar autorit Aqif; Por kam bindjen e plotë e të thellë se: me vizionin e tij poliedrik optikal e meditativo- filozofik të regjisorit po aq të mirënjohur kombëtarisht, Ai me siguri do të vijojë punën e mirëfilltë edhe me 2 vëllime të tjera që të kompletohet 5-shja e duhur për trevën historiografike arkivore të pasur të Dibrës sonë; ashtu siç e personifikon vetë z. Aqif Ademi "Zemra e Kombit shqiptar!". Gjithashtu, unë gjykoj gjithsesi: me qenë se lumi më i madh ujërashumë e më i gjatë i Shqipërisë sonë, Drini i Zi, kalon mespërmes Shqipërisë së moçme e të vërtetë etnike; në kuadrin e bashkimit kombëtar të ardhmërisë së pritshme, hë për hë është fort e dhimbshme kur ende flasim e shkruajmë "Dibra e Madhe", "Dibra e Vogël", "Dibra e Poshtme". Jo, or jo! Padrejtësitë copëtuese të shekujve duhet të marrin fund njëherë e përgjithmonë: Dibra e dibranëve ka qenë, është e do jetë një etni, një gjak, një gjuhë ,,, asnjë milimetër më pak! Kështu e trashëgojmë nga të parët dhe për trojet tona vdesim me hak e bajrak! Kështu e ka krijuar Zoti dhe kështu qoftë e mbretëroftë mot pas moti Dibra e dibranëve me kryeheroin Gjergj Kastrioti!

Së fundi, me botimin dinjitoz të trilogjisë voluminoze dhe enciklopedike "Me dibranët e shquar ndër vite", vëllimet 1, 2, 3, kam të drejtën ekskluzive si reflektues studimor profesional i këtij materiali tejet të pasur prej 2819 faqesh, që na ofron publikisht trilogjia shembullore në fjalë; ta quaj mirëfilli autorin poliedrik z. Aqif Ademin denjësisht dhe objektivisht një shkrimtar Emeritus prej statusit reflektiv të mijëra lexuesve të tij të zellshëm, brenda e jashtë Atdheut tonë të dashur; të cilët e kanë vlerësuar maksimalisht trilogjinë në fjalë, jo vetëm si një vepër madhore e të munguar deri më tash, por mbi të gjitha një enciklopedi Made in Dibra, e cila ka shtjelluar e definuar konkurrueshëm e faqebardhë, duke nxjerrë në dritë të së vërtetës diellore rrënjët e identitetit të lakmuar të dibranëve, banorë trashëgimtarë ndër shekuj në këto troje të patjetërsueshme iliro-arbërore në shekuj e njëherësh të panënshtruara nga asnjë epidemi mortajore pushtuesish. Ndaj, përgëzimet e mia më të merituara me dy duart në zemër për Ju, autori ynë Aqif Ismet Ademi, duke u ndjerë krenarisht që të kemi vital mes nesh ja kësisoj: masovik, ekspresiv, mendjehollë, vizionar, puro shqiptar e bio-cilësisht dibran i klasit të parë. Bir i devotshëm, zot mbi zotër me këmbët në tokë, zemërgjerë e mendjendritur; gjithënjë në shërbim qytetarie të vlerave objektive në shkallën më të lartë kombëtare e më gjerë.                                                 

Urime zemrash të gufuara krenarisht për ju!...

Comments


Shkrimet e fundit

bottom of page