Hasan M. Shahinaj: Refleksion letrar ...

Hasan M. Shahinaj: Refleksion letrar për librin-poemë "Gratë, mbretëreshat mbi tokë" të autorit Reuf Mukaj
Autori Reuf Mukaj na ka gëzuar me këtë libër të këndshëm dhe tjetërlloj, i cili si një burim kristalor mali, ka buruar nga shpirti i tij i lirizuar erotiko-dashuror deri në përjetësi. Ma ka ënda, të pohoj se: deviza e kredos së z. Reuf, këtij poeti përpjekës (të lindur), ma ka hapur dritaren e frymëzuar të shpirtit të vet me llojshmëri ideore sentencash dhe mesazhesh ngjyrashumë; me persiatje të gjetura, si edhe një fantazie "të shfrenuar" (në thonjëza) e të derdhur pa limit. Si rrallëkush, pena kaltroshe e autorit në fjalë, ka depërtuar me adhurim e finesë në botën oqeanike të femrës (siç e hiperbolizon Ai); krijesës hyjnore e ripërtëritëse të jetës, prej së cilës buron njerëzimi mbarë. Ja, disa veçori të këtij libri, gjithsesi tërheqës në llojin e vet, me titullin metaforiko-hiperbolik "Gratë, mbretëreshat mbi tokë":
Së pari, autori Reuf Mukaj (sipas meje H.SH) është një poet sa realisto-prozodik (po edhe "prozaik" do thoshja në thonjëza) aq edhe romantiko-idealist i cili duke e njohur dhe provuar sistematikisht e substancialisht dashurinë (falë shpirtit të tij të pasur dhe pamjes vizuale tërheqëse), është përjetësisht i dashuruar me makrobotën dhe mikrobotën njerëzore; por sidomos asaj femërore (vajzërore, grarishte, mëmësoro-hyjnore).
Prandaj, poema e tij "Gratë, mbretëreshat mbi tokë" ka një natyralitet-bio prej penës së tij shijehollë deri në detaje; ka një optikë këndvështrimi tjetërlloj, falë botës leximore dhe veçanërisht përjetimeve të përditshmërisë tranzitive mbi 3 dekada, ngjizur në laboratorin e tij meditativo-krijues.
Së dyti, thelbi i kësaj poeme (me 28 poezi të veçanta), që koncepton titullin e librit në fjalë, ndërtohet mbi bazën e një sentence poetiko-logjike me 9 shembuj simbolikë të tjerë, të motivuar e gjetur nga autori, duke e krahasuar gruan shtatzënë me lulet dyshe (boçe); me bletët punëtore që thithin nektar e prodhojnë mjaltë; me mbretëreshën-bletë që ve "disiplinën" instiktive në çdo zgjua e duke kulmuar me idenë e qartë (vetiake): o gra e nëna, jeni mbretëresha hyjnore të jetës njerëzore! (Shih konkretisht fq. 8, 72-73 etj.)
Psh: "do të doja të isha i zoti dhe i fortë sa gjysma e çdo gruaje"; "gratë shtatzëna, mua më duken mbretëresha"; "gruan time s'e kam parë as vajzë, as me fustanin e bardhë më të bukur se shtatzënë"; "se unë pa femrat, nuk e kuptoj dot jetën" etj., etj.
Së treti, nisur nga poezia sociale "Buzë mbrëmje" e fq. 85, autori është treguar mjeshtër në përcjelljen ideore të mesazheve aktuale sensibilizuese.

Psh: disa sentenca të goditura ironiko-satirike janë strofat e fq. 86-87 me kumtin fshikullues të poetit Mukaj: "Deti me baticën e tij e kishte fshirë turpin tonë për pak çaste!..." Nënteksti është: domethënë, kishte fshirë ndotjen prej mbeturinave, që hedhim (kudo e veçmas në plazh) ne, shqiptarët. Krejt ndryshe nga kujdesi e mirësjellja qytetëruese e turistëve të huaj! Dhe... dhe, në antitezë e kontrast të thekshëm me indiferencën ("e qëllimshme") të të rriturve - vijon poeti - batica detare s'kishte prishur kështjellat prej rëre dhe lodrat e pafajshme të fëmijëve të tyre!
Përpos kësaj, ia vlen të përveçësoj, poezitë me titujt: "Treni i ferrit"; "Ndarje pa kthim"; "Gratë"; "Çfarë është dashuria"; "Bukuria e një gruaje" etj; të cilat na befasojnë me detajet dhe imazhet e gjetura nga ai dialogu vital i autorit Mukaj me planetet Diell e Hënë (të futur me pasion e finesë gati në çdo vargëzim) dhe të veshura me figurat stilistike të metaforës, krahasimit, epitetit, ironisë, alegorisë, simbolit, paralelizmit figurativ, antitezës dhe pyetjes retorike. Poema-libër, që kemi ndër duar, kulmon e mbyllet me "Poezia e grisur", e cila, si një epilog kuptimplotë, i ngre kult, si të thuash, me shumë të drejtë vlerës së pazëvendësueshme të librit (Shën librit, për ne, krijuesit-adhurues) që na ushqen mendjen e zemrën; siç definon bukur autori Reuf Mukaj, duke merituar me patjetër respekt të shtuar nga çdo lexues/e.
Së fundi, pikënisur nga kryesentenca se: dashuria është kudo, kam kënaqësi të theksoj: libri i thjeshtë, madje interesant i autorit tonë, është si një manual e doracak teoriko-praktik për Dashurinë në tërësi dhe ate, të penguarën, të brishtë e fatalen në veçanti (kur përjetohet dhimbshëm).
Gjithashtu, ky libër tërheqës është si një testament për çdo pikë loti e malli dashuror (ashtu si lotoret e princeshave ilire), i cili, letrarisht, ka çarë malet me tunele; ka bashkuar çifte e brigje me ura e unaza besnikërie, ka ylberuar horizonte drite paqësore, duke triumfuar veçse me Parajsën përrallore tokësore, ujore e qiellore që ka e duhet të ketë emrin Dashuri!
Me dashamirësinë më të madhe që më karakterizon, duke të rifalenderuar për këtë prurje librore poetike gati tjetërlloj; thurur me pasion të thekur prej jush, z. Reuf (bashkëmoshatari ynë i nderuar i moshës sonë të tretë - padyshim edhe të vërtetë; nëse ia bëjmë sadopak qejfin vetes); më lejoni, ju lutem, të theksoj të vetmen vërejtje: duhej treguar kujdes maksimal në metrikën e vargëzimit, sepse stonon e çalon në mjaft poezi. Nga ana tjetër, puna redaktoriale e sidomos korrektonjëse gjuhësoro-letrare le për të dëshiruar. E them këtë sinqerisht, disi me ndrojtje e rezervë, sepse ky libër performant e luksoz nga ana dizenjuese, meritonte një përkujdesje cilësore.
Megjithatë, poema juaj librore vlerashumë, pasuron e rifreskon meditimet e shijet tona leximoro- subjektive.
Ju uroj përzemërsisht, z. Reuf
Mukaj: jetëgjatësi moshore po edhe krijuese!...
Ju faleminderit për vëmendjen!








Comments