top of page

HAPAT E PARA


Kristo Zharkalliu

(PËR ALEKSANDRIN E VOGËL QË MË DËRGON VIDEO NGA VJENA)

NGA KRISTO ZHARKALLIU

(Në mes të natës telefoni celular më lajmëron me tingëllimin e tij se më kishte ardhur një mesazh. E hapa. Ishte nga Vjena ku dukej se nipi im njëvjeçar po bënte hapat e para. Deri para disa orëve hiqej zvarrë-ecte me të katra,kur papritur vendosi të çohet dhe të ecë si “njeri”. Bëri disa hapa duke tundur duart e duke u gëzuar për “mrekullinë” njerëzore, pastaj u ul në tokë dhe pastaj,pa përtim u ngrit prapë duke bërë përpjekje dhe duke qeshur nga gëzimi se ja kishte arritur. Në atë orë të natës-videoja ishte marrë vetëm dy minuta më pare- sytë m’u mbushën me lot nga gëzimi, mallëngjimi dhe krenaria e së qënit Njeri. Por kisha dhe një arsye tjetër: Nipi im Aleksandri po hidhte hapat e para në Vjenë, në qytetin e ëndrrave të mia…)

Vjena për mua ka qënë një nga ëndrrat e para të jetës sime. Në vitin 1948,pasi ishim shpëngulur nga lufta nga Voskopoja (shtëpia jonë ishte rrafshuar nga bombardimet gjermane) kishim shkuar me familje në kullotat tona ndërmjet fshatit Çiflik dhe Konispolit. Akoma kishim pothuajse të gjithë pasurinë,me përjashtim të arava në fushë,të cilat na i kishin marrë me reformën agrare dhe u a kishin dhënë fshatarëve të Çiflikut ku dhe u krijua kooperativa e pare bujqësore të asaj kohe. Unë dhe dy kushërinjt e mi shkonim në shkollën fillore të Çiflikut,ku kishim një mësues të shkëlqyer që quhej Jahja Veseli (akoma dhe sot më kujtohet nënëshkrimi i tij, madje shumë here e shkarravit në letrat e mia!) Ndiqnim klasën e dytë- (dhe e fundit për mua në shkollën fillore,por kjo është një histori tjetër si do të thoshte dhe Kiplingu!) Mësuesi kishte një problem me mua: isha shumë përpara në mësime për klasën e dytë. Lexoja çdo gjë të shkruar që gjeja dhe aso kohe nuk gjeje lehtë gjëra të tilla. Një ditë,papritur, erdhi Babai në shkollë! Të gjithë u ngritën në këmbë kur në klasë hyri “çelniku” i madh, “Xhevahiri i Konispolit” si e kishte cilësuar Rexhep Plaku. Mësuesi,Jahja Veseli, e priti me respekt duke i u përgjigjur pyetjeve të tij për kushtet e shkollës. Dikur babai pyeti se si shkonin me mësimet dy kushërinjt e mi. Ai gjithnjë interesohej për ta në mënyrë të veçantë se ishin që të dy jetimë-njëri nga Nëna dhe tjetri nga i ati (të cilinn ja kishin vrarë gjermanët). Unë qëndroja i strukur në fund të klasës pa pasur shpresë se mund të pyeste dhe për mua- e dinte se isha nxënës i mire. Por ja, në fund pyeti.Mua m’u mbushën sytë nga mallëngjimi dhe prisja përgjigjen e mësuesit i cili tha :”A, ai është shumë i mire…vetëm një problem kam me të se ecën përpara dhe sikur nuk bën të jetë në klasën e dytë.” Babai buzëqeshi dhe unë dëgjova nga goja e tij atë që do të më ndiqte gjatë gjithë jetës:

“Kështu duhet. Të mësojë se unë dua ta dërgoj në Vjenë ta bëj doktor!”

Në atë kohë preferohej shumë Vjena nga njerëzit e pasur të Shqipërisë. Veçse babai im nuk do të arrinte të realizonte ëndrrën dhe premtimin e tij: po atë pranverë u bë shtetëzimi i mallit dhe familjen tone e lane pa asgjë, në mes të rrugës në Qafën e Navaricës… Pas tre vjet ai do të vdiste në burgun e Vlorës për mëkatën dhe fajin e madh se kishte qënë i pasur…megjithse ai kurrë nuk i ishte kundërvënë regjimit të egër që e kishte shkatërruar pa arsye. Për mua jo vetëm Vjena mbeti një ëndërr e pakapëshëm, por u detyrova të ndërpres shkollën dhe vetëm kur na çuan në internim në Shtyllas të Levanit (më parë na kishin çuar në Tepelenë!) me ndihmën e Beshir Nikollës u regjIstrova në një shkollë nate për…marështimin e blektorisë… dhe për ndërzimin artificial,por që nuk do të më linin të ushtroja “profesionin” se kishin frikë se unë, “armiku i popullit” mund t’u sabotoja “ndërzimin artificial” dhe më dëbuan nga Guri i Topit i Lenies dhe më çuan të mblidhja pambuk në fushën e Levanit…atje nuk mund t’i sabotoja se më vëzhgonin kaq sy të partisë…

E kisha harruar Vjenën. Kisha harruar të bëja ëndrra. Kudo që shkoja do të gjeja dike të më përmendte se isha njeri me…damkë. Jo,nuk kërkoja gjëra të mëdha. Një punë. Një punë si të gjithë të tjerët. Patjetër nuk isha si të gjithë, madje as në kooperativën e urisë së Voskopojës nuk më pranuan-(na lejuan të ktheheshim në fshatin tone në vitin 1957)-(tashmë qyteti i Voskopojës nuk ekzistonte më falë një “patriotit të madh” Sali Butkës i cili i kishte vënë zjarrin dhe e kishte rrafshuar qytetin e lavdishëm historik! Me një meritë të tillë si të mos shpallej hero kur kishte ndëshkuar vllehët e qytetit mesjetar që ngulte këmbë të ishte djepi i kulturës ballkanike? Për këtë nuk mburren dhe butkallinjtë e sotëm?!!) Shakaja më e bukur: edhe kur më dhanë punën e lopataxhiut në minierën e Mborje- Drenovës një butkalli,nip i Saliut ma merr mëndja,kishim si kryeinxhinier dhe le të llapin disa pasardhës të Safetit ose të Muharremit se na paskan qënë të përndjekur… Por sikur u larguam nga tema dhe domosdo nga Vjena. Por jo. Se Voskopoja ime ishte e dëgjuar dhe në Vjenën e largët të asaj kohe. Vllehët e Voskopojës ishin tregëtarë të dëgjuar, me karavanet e tyre i binin kryq e tërthor kontinentit dhe ishin bërë të njohur që nga Stambolli deri në Moskë kurse Vjenën e kishin si të tyre. Nuk ishte rastësi që Babai im donte të më çonte të bëhesha “doktor” në Vjenë pra.

“Doktor” nuk u bëra por vajta në Vjenë të më vizitonte sytë një “doktor” tjetër. Kjo u bë e mundur në vitin 1980 (plot 32 vjet më vonë nga premtimi i Babait dhe 19 vjet si isha larguar (arratisur) nga Shqipëria!) Kur shkela në Vjenë m’u duk sikur po plotësoja premtimin e tim eti që kishte dhënë, atje në prani të Jahja Veselit. Që atëhere Vjena u bë qytei i dytë,pas Athinës të cilën e vizitoja pothuajse çdo vit. Për çudi atje gjeta dhe bëra miq shqiptarë,kryesisht kosovarë. Sa here shkoja dike do të takoja, madje rastësisht u gjenda dhe në një dasmë kosovare në një lokal atje afër Belvederës. Ndruhesha t’u thosha të vërtetën për jetën time, ata kujtonin se vetëm ata kishin halle e telashe me “pushtuesit sërbomëdhenj” kurse për ne të Shqipërisë çdo gjë ishte e rregullt, gjithçka shkonte vaj. Si t’u thoshe atyre njerëzve se edhe unë isha i…”dëbuar”?Ata nuk donin të dëgjonin për të “arratisurit” shqiptarë,urrenin ballistët dhe zogistët dhe admironin Fan Nolin. Nuk dua të flas këtu për dashurinë e tyre për Bacë Enver se kohët e fundit sikur e kanë dredhur.. dhe kujtojnë me nostalgji Kryetarin Tito kurse Enveri shahet më tepër se sa shahet, me të drejtë, në Shqipëri… Por mjaft me me politikë. Për një të moshuar e kaluara ngahera kujtohet me nostalgji, madje shumë here habitet se si brengosej dikur për gjëra që nuk kishin ndonjë rendesi të madhe. Po të kishte mëndjen dhe urtësinë e sotme…Por kur vijnë mëntë s’e hanë as qëntë…

Do të kalonte edhe një periudhë njizetvjeçare që të lidhesha përsëri me Vjenën time. Për here të fundit kisha vajtur në vitin 1991 dhe kur u ktheva në Athinë gjeta të më prisnin rreth dhjetë të afërmit e mi që sapo kishin ardhur nga Shqipëria,me “eksodin e pare”, me shpresë se unë mund t’i ndihmoja.. Me zhvillimin e ngjarjeve asqë më shkonte më mendja të udhëtoja në Vjenë a kudo gjetkë në Europë si bëja dikur. Tani mund të udhëtoja vetëm në vendlindjen time Kësisoj mirrja autobuzin (ose dhe aeroplanin) dhe shkoja në ish Atdheun tim me mall,nostalgji dhe hidhërim. Ecja në rrugicat e Tiranës,Lushnjës, Fierit,Vlorës dhe Sarandës…admiroja bukuritë e rralla të bregdetit që nga Vlora deri në Sarandë duke pirë kafe, raki ose një gotë dhallë në Llogara, Himarë dhe andej nga Qafa e Gjashtës. Sigurisht nuk mbeteshin jashtë udhëtimeve të mia Çiofliku (atje ku kisha mësuar shkronjat e para) dhe Koispoli duke kaluar e soditur kullotat tona të dikurëshme dhe më dukej sikur dëgjoja zërin e Babait të më pyeste:

”Shkove në Vjenë si të kisha thënë?”

dhe unë doja t’i përgjigjesha: “Po, e mbajta fjalën dhe shkova!” dhe pastaj t’i thosha të gjitha vuajtjet dhe udhëtimet e mia kudo në Europë. Por kryesisht për Vjenën. Vitet e fundit vajta dy tre here në Vjenë dhe më dukej sikur shkelja në qytetin tim, çova mbesën time të vogël, Stefaninë, në ato lokale ku kisha ngrënë ose pirë kafe njizet vite më parë dhe ajo entusiazej, duke shprehur admirimin e saj se si gjyshi i saj njihte kaq mire Vjenën. Madje i kemi premtuar njeri tjetrit se do të shkojmë dhe njëherë bashkë… dhe me Kristinën e cila sot kaloi shkëlqyeshëm provimet për inxhinieri dhe u bë studente e Politeknikumit të famëshëm të Athinës…

Të gjitha këto m’u kujtuan duke pare Aleksandrin e vogël të bëjë hapat e para atje në Vjenë thua se jeta ime është lidhur ngushtë me kryeqytetin austriak, atje ku ruhen shpata dhe përkrenorja e Heroit tone Kombëtar. Gjergj Kastriotit -Skënderbeut. Atje ku u bë i famëshëm Aleksandër Moisiu,(një Aleksandër tjetër!) atje ku një vit më pare në koncertin e Vitit të Ri, në rrugët dhe Operën e Vjenës, tingëlloi kaq bukur muzika shqiptare nga një muzikant i famëshëm shqiptar. Vjena është tepër e lidhur me mua por dhe me Shqipërinë…

(Dokument) #KRISTO #ZHARKALLI. Athinë 18 qershor 2016.

19 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page