top of page

Kujtim Mateli: Pellazgët nuk janë një popull mitologjik

  • 2 hours ago
  • 6 min read

Pellazgët nuk janë një popull mitologjik, por me territor, histori dhe qytetërim përgjatë gjithë antikitetit.

Nga Kujtim Mateli

 

Libri më i fundit i studiuesit të përkushtuar dhe mitologut Kol Marku “Bijtë e Pellazgut” ka disa ditë që ndodhet në libraritë e qytetit të Tiranës dhe në bibliotekat e atyre që e dinë rëndësinë që ka mitologjia në njohjen e shoqërisë njerëzore në fillesat e saj.

1-Pellazgët në burimet mitologjike

Tregimet mitologjike janë ndër format më të hershme të mendimit njerëzor. Përpara se të lindte historia si disiplinë shkencore, njeriu përpiqej të kuptonte botën përmes miteve: duke shpjeguar prejardhjen e natyrës, të njeriut, të rendit shoqëror dhe të së shenjtës. Në këtë kuptim, mitologjia nuk është thjesht fantazi, por një pasqyrë e mënyrës se si shoqëritë e para e konceptonin ekzistencën. Në shoqërinë shqiptare të sotme, njohja e mitologjisë pellazge mbetet e kufizuar. Ajo nuk është pjesë e një tradite të mirë strukturuar studimore në shkollë apo në akademi dhe për këtë arsye nuk trajtohet si objekt kërkimi shkencor.

Miti për Pellazgun paraqitet në forma të ndryshme në traditat e lashta. Në rrëfimet e antikitetit, Pellazgu konsiderohet si një nga njerëzit e parë, një figurë autoktone që lind nga toka (pra, një “i lindur nga dheu”). Pasardhësit e tij, sipas miteve, përhapen në territore të gjera dhe lidhen me krijimin e rendit të parë shoqëror, të bujqësisë dhe të organizimit fisnor. Këto tregime kanë një karakter simbolik: ato përpiqen të shpjegojnë origjinën e njeriut dhe të bashkësisë në një kohë kur historia e shkruar nuk ekzistonte. Libri më i ri “Bijtë e Pellazgut” që ka për autor kërkuesin shkencor Kol Marku,  për shoqërinë shqiptare, sfida mbetet që këto tema të trajtohen jo vetëm  me ndjenjë identitare, por edhe me qasje shkencore, në mënyrë që e kaluara të kuptohet më mirë dhe të mos shndërrohet në mit të ri.

Një nga pikat ku lidhet shpesh mitologjia pellazge është Dodona, një nga orakujt më të vjetër të botës së lashtë. Sipas burimeve antike, Dodona i kushtohej hyjnisë së qiellit dhe lidhej me kultin e lisit të shenjtë. Autorë të ndryshëm e përmendin atë si një qendër shumë të hershme fetare, e cila lidhet me popullsitë pellazge. Në mungesë të burimeve të drejtpërdrejta dhe të qarta, ka studiues që e diskutojnë ende origjinën e saj duke e vënë në dyshim origjinën pellazge të Dodonës, siç janë disa studiues grekë të ditëve të sotme. Megjithatë, është e rëndësishme të kuptohet se mitologjia dhe realiteti historik nuk përputhen gjithmonë në mënyrë të drejtpërdrejtë; shpesh ato ndërthuren dhe transformohen me kalimin e kohës.

Mirëpo autorët e antikitetit nuk e kanë anashkaluar mitologjinë. Ata i trajtonin si tregime të ruajtura nga të parët e tyre dhe të trashëguara brez pas brezi, në kohën kur mungonte shkrimi. Para përdorimit të gjerë të emrit “Epir”, ku ndodhet Dodona, autorët antikë e lidhin atë zonë me emrin e Pellazgjisë, me fiset e quajtura pellazge, kurse më vonë me emrat e fiseve: kaonë, molosë, thesprotë, që përsëri konsideroheshin fise pellazge. Autorët e antikitetit i përdorën mitologjitë për të shkuar në origjinë të fiseve të tyre, sepse ata i konsideronin ato tregime të moçme si të vërteta që ua kishin treguar të parët e banorëve në atë truall që së pari është njohur me emrin Pellazgji. Studiuesi dhe mitologu Kol Marku, pasi i ka dhënë territoret mbi të cilin sundonin bijtë e Pellazgut, jep dhe të ardhurin e parë, në Argos që ishte Danau, i shoqëruar nga 50 bijat e tij. Këtu shfaqet një nga tiparet më njerëzore të Pellazgut, i cili e priti të porsaardhurin duke i dhënë bukë, strehë dhe territor për të jetuar.

2-Pellazgët në territorin e Helladës përgjatë antikitetit dhe vazhdimësia e tyre historike në Epir

Figura e Pellazgut zë një vend të rëndësishëm në traditën e lashtë ballkanike dhe egjeane. Sipas autorëve antikë, emri i tij lidhej me një territor shumë të gjerë, që shtrihej nga Kreta deri në kufijtë e Thrakisë dhe Ilirisë. Në traditën mitologjike ai paraqitet si ati i pellazgëve, popullsisë së hershme të Ballkanit jugor dhe të botës egjeane. Por rëndësia e pellazgëve nuk mbetet vetëm në tregimet mitologjike. Autorët e antikitetit dëshmojnë se pellazgët jetonin edhe në kohët historike dhe se vazhdonin të ruheshin si bashkësi me identitet të dallueshëm.

Studiuesi dhe mitologu Kol Marku në librin e tij “Bijtë e Pellazgut” sjell disa nga autorët e Antikitetit, ku bën pjesë një nga dëshmitarët më të rëndësishëm të asaj kohe siç ishte Herodoti. Ai nuk flet për pellazgët si për një popull të zhdukur, por për bashkësi pellazge ende të gjalla në kohën e tij. Herodoti i vendos pellazgët në qytetin  Kreston, si edhe në Plakia dhe Skylake. Këto të dhëna tregojnë se pellazgët vazhdonin të banonin në hapësira të ndryshme të botës egjeane edhe gjatë shekullit V-të para erës sonë. Po kështu, Herodoti dëshmon praninë e pellazgëve në ishullin e Lemnos, ku më vonë është zbuluar edhe mbishkrimi i famshëm i Lemnosit. Ky mbishkrim ka marrë rëndësi të veçantë, sepse gjuha e tij nuk është interpretuar përmes greqishtes së lashtë, gjë që ka nxitur diskutime të shumta mbi karakterin johelen të popullsisë pellazge.

Edhe Straboni jep dëshmi të rëndësishme për shtrirjen e pellazgëve. Ai tregon se pellazgët jetonin në ishullin e Lesbos, ndërsa Plini Plaku dëshmon se emri më i hershëm i Lesbosit kishte qenë Issa. Këto dëshmi tregojnë ekzistencën e pellazgëve në kohën e tyre, por që edhe shumë territore të tjera të Egjeut ruanin kujtesë të lashtë parahelenike, e lidhur me pellazgët dhe me popullsitë e hershme të rajonit. Një tjetër qendër me rëndësi të madhe ishte Samothraka. Straboni shkruan se në këtë ishull ruheshin rite të lashta fetare, ndërsa Herodoti pohon se samothrakasit i kishin marrë këto rite nga pellazgët. Kjo dëshmi ka rëndësi të veçantë, sepse tregon vazhdimësinë e traditave fetare pellazge në botën egjeane dhe ndikimin e tyre mbi kultet e mëvonshme. Kulti dhe misteret samothrakase konsideroheshin ndër më të vjetrat e botës antike dhe lidhja e tyre me pellazgët dëshmon lashtësinë e kësaj popullsie.

Edhe Homeri përmend pellazgët në veprat e tij sidomos në territorin e  Thesalisë. Në përshkrimin që i bën Kretës, ai thotë se në ishull ndodheshin nëntëdhjetë qytete dhe se aty jetonin katër fise, ndër të cilët edhe “pellazgët hyjnorë”. Ky epitet tregon respektin dhe lashtësinë që u atribuohej pellazgëve në traditën homerike. Gjurmë të tyre përmenden gjithashtu në Ikaria dhe Samos, çka dëshmon se prania pellazge shtrihej në shumë ishuj të Egjeut. Të gjitha këto territore të përmendura nga Herodoti, Straboni, Homeri dhe Plini Plaku ndodheshin në hapësirën që në kohën klasike quhej Hellada. Kjo tregon se pellazgët nuk përmendeshin si një popullsi e zhdukur e së kaluarës së largët, por si bashkësi që jetonin ende në troje konkrete brenda territorit të Helladës. Në këtë kuptim, autorët antikë japin të kuptohet se bota helene nuk ishte etnikisht homogjene, por përfshinte edhe popullsi më të vjetra, ndër të cilat pellazgët zinin një vend të rëndësishëm.

Në këtë tablo historike një vend të veçantë zë Epiri. Autorët antikë e lidhin Epirin me pellazgët dhe me Dodonën, faltoren e famshme pellazge të Zeusit. Dodona konsiderohej nga shumë autorë si një nga qendrat më të lashta fetare të Ballkanit jugor. Prania e saj në zemër të Epirit dhe lidhja me traditën pellazge e forcojnë idenë se pellazgët nuk ishin vetëm një kujtim mitologjik, por një popullsi që kishte vazhdimësi historike dhe territoriale, sidomos në Epir, ku Dodona pellazge mbijetoi deri në shekullin e katërt pas Krishtit, kur perandori romak Teodosi I e shkatërroi tempullin e Dodonës duke e kthyer në kishë, kurse faltoren në qendër peshkopale të Epirit të Vjetër. Dëshmitë e autorëve antikë tregojnë se pellazgët nuk mund të trajtohen thjesht si një popull legjendar i zhdukur në mjegullën e miteve. Ata shfaqen në ishuj, qytete dhe rajone konkrete të botës egjeane dhe epirote, duke ruajtur gjurmë të identitetit, gjuhës dhe riteve të tyre. Kjo e bën çështjen pellazge një nga temat më të rëndësishme dhe më të debatueshme të historisë së lashtë të Ballkanit dhe veçanërisht për historinë e shqiptarëve.

Duke e lexuar këtë libër të autorit Kol Marku “Bijtë e Pellazgut” do të shohim që figurat kryesore që kanë hyrë në Histori duke filluar me Akilin dhe Odisean dhe dhjetëra e qindra të tjera rrjedhin nga fisi më i vjetër i gadishullit tonë, nga pellazgët që ndriçuan me mendjen e tyre shoqërinë njerëzore dhe krijuan qytetërimin e parë në këto brigje të Mesdheut që njihet me emrin: qytetërimi pellazgjik. Sfida e një argumentimi shkencor, i pranimit të etnisë pellazge si paraardhësit e shqiptarëve, mbetet një nga sfidat më të vështira dhe nga më të bukurat për studiuesit shqiptarë.

Comments


Shkrimet e fundit

bottom of page