top of page

Hamdi Hysuka: Panairi i parë i librit, ngjarje dhe dimension i ri kulturor

  • 2 hours ago
  • 5 min read

                                    Nga Hamdi Hysuka*

Më 1 maj 2026 në Burrel u përkujtua 104-vjetori i shpalljes së qytetit si qendër administrative e Nënprefekturës së Matit. Ishte festë e madhe qytetare dhe kulturore. Mes atmosferës festive, tingujve të bandës frymore të Ministrisë së Mbrojtjes dhe pjesëmarrjes së përfaqësuesve të institucioneve, trupit diplomatik, personaliteteve të kulturës e qytetarëve të shumtë, u çel dhe Panairi i Parë i Librit në Mat.

Në sheshin “Kastriotët”, libri u kthye në qendër të vëmendjes. Për herë të parë, mbi 20 shtëpi botuese sollën autorë, tituj dhe botime të ndryshme për lexuesit matjanë, duke krijuar një hapësirë të gjallë komunikimi mes krijuesve dhe publikut. Ky panair nuk ishte thjesht ekspozim librash, por një dëshmi se kultura dhe leximi vazhdojnë të mbeten ura më e fortë që lidh kujtesën, identitetin dhe të ardhmen.

Në fjalën e mirëseardhjes, kryetari i Bashkisë, Altin Bojni, shfletoi historikun e Matit si Qendër Administrative e Nënprefekturës Mat deri në ditët e sotme. Ndërsa të tjera ai tha:

-Nga viti 1922-1928, Burreli si qendër administrative, ishte një nga 5 njësitë e Nënprefekturës së Matit. Pas vitit 1930 funksionoi si bashki. Gjatë periudhës së monarkisë 1928-1939 pësoi ndryshime në sherbimin institucional dhe infrastrukturorë. Në vitin 1927 funksionoi Internati “Mati”, ku arsimoheshin nxënës nga krahinat veriore të Shqipërisë, si dhe u hapën kurse për edukimin e grave. Në këtë periudhë u ndërtuan institucione të rëndësishme: godina e bashkisë në vitin 1929, shkolla mbretërore e xhandarmërisë, gjimnazi i nënprefekturës në vitin 1937 dhe burgu i Burrelit në vitin 1938. Po në këtë peridhë u ndërtua parku i qytetit me emrin Geraldinë, i cili, falë kontributit të mbretëreshës, mori vlerë të veçantë, me bimë e dru të rrallë, ardhur nga vendet të ndryshme të botës. Zhvillimi i qytetit në vazhdim u pasua me ngritjen e maternitetit, ujësjellësit, kinemasë, shkollës së mesme profesionale dhe institucione të tjera. Gjatë viteve ’70 - ‘80 Burreli njohu transformim të rëndësishëm urban, me ndërtimin e pallatit të kulturës, spitalit, muzeut historik, stadiumit të futbollit dhe shumë objekte të tjera publike. Ndërsa pas viteve ’90 u zgjerua drejt periferive me ndërtime të reja private.

-E konsideroj detyrë personale, -përfundoi kryetari, -që Burreli sot mos të mbetet vetëm pjesë e historisë, por shemull zhvillimi dhe mundësie për çdo banor..

Duke falenderuar botuesit, autorët dhe lexuesit e pranishëm, që u bënë bashkë në këtë udhëtim, studiuesi dhe shkrimtari Behar Gjoka tha se ky panair është hapje e kalendarit të udhëtimit të lexuesit për te libri. Sipas tij, përveç se i kuvendeve, i besës dhe mikpritjes, Mati është djepi i fjalës dhe i poezisë shqipe. 

-E meriton këtë veprimtari Mati i Pjetër Budit, lexuesit me kulturë, autorët e shumtë matjanë, -tha shkrimtari i mirënjohur Namik Dokle, -sepse prezantimi në këtë panair i veprave të shumë autorëve: studiues, poetë e prozatorë, historianë dhe publicistë, të njohur në mbarë vendin, të cilët, prej kohësh, i kanë kapërcyer kufijtë e Matit dhe u kanë ofruar matjanëve të drejtën legjitime të krenohen me emrat e tyre.

Mes të tjerash, deputeti i Qarkut Dibër, Agron Malaj, tha se në kohën e sotme të zhvillimit elektronik e të intelegjencës artificiale, lexuesi ka shkëputje me librin, ndaj t’i kthehemi librit, ta përqafojmë atë dhe ta lexojmë. 

Sipas znj. Arta Marku, drejtore e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit, të rinjtë e sotën janë të joshur pas teknologjisë, e cila është rivalizuese, por libri është loja më e bukur që njerëzimi ka shpikur.

Në emër të Ambasadës së Republikës së Kosovës në Tiranë përshëndeti ambasadori Skënder Durmishi.

-Përveç pozitës gjeografike, -tha ai, -Mati ka histori me të kaluar të pasur dhe krenari të ligjshme për kontributin që ka dhënë në historinë e shqiptarëve.


                             *

Momentet më të bukura të ditës në  panair ishin promovimet e librave të rinj dhe takimet me autorët, ku lexuesit patën mundësi të bisedonin nga afër me krijuesit:

•Takim me poeten laureante Rita Petro, •Promovimi i librit me poezi "Zërat e ndjenjave" të poetit Basir Bushkashi,

•Primovim i triologjisë "Atje ku dielli lind dy herë" e shkrimtarit Namik Dokle,

•Paraqtitje e librit "Mati" e autorit Adi Darsi,

•Promovim i librit "Muza poetike budiane", me poezi të zgjedhura, nga H. Hysuka,

•Paraqitje e librit "Lojra popullore, Mati" i autorit Esat Ruka,

•Takim me poetin, publicistin, eseistin Aleksandër Çipa,

•Rrugëtimi i Shtëpisë Botuese "Emathia" dhe krijimtaria e Fatmir Gjestilës,

•Paraqitje e librit "Strehë shpirti" e autores Elona Basha,

•Paraqitje e librit "Më zgjoni prej ëndrre" e autores Vilma Nika,

•Promovim i romanit "Kërkonte një hero" i shkrimtarit Viktor Canosinaj,

•Paraqitja e librit "Kultura iliro-arbërore në luginën e Matit”, studime të Dilaver Kurtit, nga Artan Kurti,

•Promovim i librit "Historia e gënjeshtrës sociale" vëllimi III, i autorit Isuf Çipi,

•Paraqitje e librit  me poezi "Thirrje gjaku", e autores Rubjana Nika,

•Promivim i librit "Kur koha flet me emra" i autorit Hasan Pasha.

Faktikisht nuk u promovuan thjesht libra. Aty u takuan zëra, kujtime, ndjenja dhe përvoja njerëzore që vinin nga horizonte të ndryshme të letërsisë shqiptare. Secili autor solli një copëz drite shpirtërore, duke e kthyer sheshin “Kastriotët” në tribunë të fjalës së bukur dhe të mendimit krijues.

Poetja Rita Petro erdhi me ndjeshmërinë dhe elegancën e vargut modern, ku gruaja, dashuria dhe liria marrin frymë me një gjuhë poetike të çiltër e të thellë.

Shkrimtari Namik Dokle solli në Mat përmasën epike të rrëfimit dhe kujtesës kombëtare. Trilogjia “Atje ku dielli lind dy herë” mbart frymën e historisë, dramës njerëzore dhe të dashurisë për vendin, duke dëshmuar pjekurinë e një autori që di të ndërthurë realen me dimensionin artistik.

Studiuesi Behar Gjoka i dha panairit frymën e mendimit kritik dhe seriozitetin akademik, duke rikujtuar se libri nuk është vetëm emocion, por dhe vetëdije kulturore e identitare.

Poeti Basir Bushkashi me “Zërat e ndjenjave” solli poezi të ndjerë, ku fjala buron nga përjetimi dhe ku emocionet marrin trajtën e dialogut të sinqertë me jetën.

Libri me poezi të zgjedhura, “Muza poetike budiane”, i përgatitur nga Hamdi Hysuka, erdhi si vlerë e Klubit letrar "Pjetër Budi" për traditën poetike dhe shpirtin e trevës së Matit. Në këto poezi ndihet lidhja me vendlindjen, me historinë, me mallin dhe njeriun e thjeshtë shqiptar, duke sjellë një zë të ngrohtë e njerëzor.

Aleksandër Çipa solli përvojën e publicistit dhe të mendimtarit, ku fjala publike takohet me reflektimin letrar dhe shqetësimet e kohës moderne shqiptare.

Shkrimtari Viktor Canosinaj me romanin “Kërkonte një hero” riktheu te lexuesi dimensionin moral të letërsisë, kërkimin e figurës njerëzore dhe sfidat e shoqërisë bashkëkohore.

Autorët e tjerë: Adi Darsi, Esat Ruka, Fatmir Gjestila, Elona Basha, Vilma Nika, Artan Kurti, Isuf Çipi, Rubjana Nika dhe Hasan Pasha, sollën secili botën e tyre krijuese, duke dëshmuar se letërsia shqiptare vazhdon të jetojë në shumë zëra, stile dhe përjetime.

Ky panair i parë dëshmoi se Matit nuk i mungon dashuria për librin. Përkundrazi, aty u pa qartë se fjala artistike ende mbetet një nga mënyrat më të bukura për të bashkuar njerëzit, për të ruajtur kujtesën dhe për të ushqyer shpirtin. 

U realizuan gjithsej 16 veprimtari promovuese dhe takime me poetë e prozatorë, shoqëruar me çmime letrare. Çmimi "Budi" për poezi iu dha vëllimit "Zërat e ndjenjave" i poetit Basir Bushkashi. Për prozë këtë çmim e meritoi romani "Atje ku dielli lind dy herë", i shkrimtarit Namik Dokle. Çmimi "Budi" In memoriam (Në kujtum), ishte për Shkëlzen Zallin (pas vdekjes), poet dhe shkrimtar i shquar për fëmijë. 

Në atë shesh libri nuk ishte thjesht objekt leximi, por dhe urë mes brezave, mes autorit e lexuesit, mes kujtesës dhe së ardhmes. Aty Burreli u shfaq si qytet që di të nderojë librin, autorin dhe traditën, duke krijuar një atmosferë ku kultura bëhet festë kolektive. 

             *kryetar i Klubit letrar "Pjetër Budi"

Comments


Shkrimet e fundit

bottom of page