top of page

Hamdi Hysuka: Lamtumirë, shoku im, Servet Hysa!

  • Aug 4
  • 1 min read

Ka lajme që bien mbi shpirt si muzgu i një dite të zymtë. I tillë ishte lajmi për ndarjen nga jeta të shokut dhe kolegut tim, Servet Hysa, i cili mbylli sytë përgjithmonë në moshën 75-vjeçare, në dhè të huaj, në Itali, larg vendlindjes, larg maleve që e rritën dhe njerëzve që e deshën.

Fëmijërinë e ndamë bashkë. Bashkë hodhëm hapat e parë në shkollën e vendlindjes, bashkë përfunduam arsimin fillor e 7-vjeçar, e më pas morëm rrugën drejt Shkollës së Mesme Pedagogjike në Elbasan, me ëndrra të përbashkëta për t'u bërë mësues.


Lamtumirë, Servet Hysa!
Lamtumirë, Servet Hysa!

Jeta na besoi të njëjtin mision: t'u ndriçonim udhën brezave. Shërbyem në arsim, drejtuam shkolla, mbollëm dije e dashuri për njeriun. Por rrugët tona u ndanë; fillimisht nga koha e vështirë e politikës, më pas nga emigrimi. Megjithatë, vitet nuk mundën të zbehin kujtimet e një miqësie të lindur në bankat e shkollës.

Sot një zë i brezit tonë është shuar. Një faqe e kujtesës sonë është mbyllur. Por njerëzit nuk ikin përfundimisht sa kohë jetojnë në kujtimet e atyre që i kanë njohur dhe i kanë dashur.

Lamtumirë, Servet! U prefsh në paqe! Qoftë i lehtë dheu që do të të mbulojë dhe drita e kujtimit tënd mos të shuhet kurrë në zemrat tona.

Ngushëllimet më të thella familjes, të afërmve, miqve dhe të gjithë atyre që patën fatin ta njohin.

Pastë lënë jetë! Kujtimi yt qoftë i përjetshëm!

Comments


Shkrimet e fundit

bottom of page