Halil RAMA: Ulërima e rrugëve mjerane” në poezinë e Bajram Torbës
- Prof Dr Fatmir Terziu
- 4 hours ago
- 5 min read

Mesazhi përcillet qartë e bukur në poezitë e këtij libri, ku çdo fjalë e çdo varg i poetit kthehet në ulërimë
“Ulërima e rrugëve mjerane” në poezinë e Bajram Torbës
Halil RAMA – Mjeshtër i Madh
· Vëllimi poetik me titullin intrigues “ULËRIMA” ka në përmbajtjen e tij poezi të një sentence me të cilën poeti shtjellon gjithë shtratin e tij poetik, me mjedise estetike elitare, me një gjuhë të zgjedhur dhe leksik mjaftë të pasur. Në këtë libër bie në sy hopi cilësor që e karakterizon, si në aspektin e rritjes së mjeshtërisë artistike, ashtu edhe të zgjerimit të gamës e konceptimit në koherencë me realitetin e sotëm shqiptar…
Më shumë se sa për titullin intrigues “ULËRIMA”, vëllimi poetik i poetit Bajram Torba të tërheq që në fillim dhe të mbërthen në leximin e të gjitha poezive, për vetë formën e veçantë kompozicionale. Që në fillim më mjaftoi vetëm strofa e dhjetë e poezisë nga ka marrë titullin ky libër, për të konkluduar se kemi të bëjmë me poezinë e një poeti me mendim të thellë dhe mjeshtri artistike befasuese:
“Ulërij!...Për ditët tona, të pista e të vrerëta,
Për epshndjellësit e vdekjes, që emrat e luleve kanë harruar,
Ulërij për maskat, që mbulojnë fytyrat e tmerrëta…
Ndërsa shtërngoj kyçet e lodhura, ende jam duke harbuar…”.

Mesazhi këtu përcillet qartë e bukur në vargjet e kësaj poezie, ku “çdo fjalë e çdo varg i poetit kthehet në ulërimë”. Madje ulërima e tij është çjerrëse dhe kumbon deri në kupë të qiellit. Sepse ulërin poeti “Për bukuritë, që u kollofitën si me gojë kanibali… për lëpirjet e prapanicave të botës nga këta sharlatanë.”.
Këtë mesazh poeti Bajram Torba duket se e përcell që në poezinë e parë të librit të tij me titullin thumbues “THONË” (Në vend të parathënies): “Thonë, se veç rrëmoj tokën, /Me k’ta thonj, e me ç’të mundem,/ Thonë, se të çmendur e kam kokën, / Kur ndaj miellin nga krundet/ …/Nuk hesht dot, ndaj dhe shkruaj,/ Kur më shpojnë zërat e çjerrë, / Kur ikën djemtë në vend të huaj,/ Kur trojet e tyre kanë lënë djerrë…”.
Kuptohet qartë kësisoj shpirti rrebel poetik, madhështia e fjalës e të vargut në poezinë e Bajram Torbës. Po këtë madhështi dhe magji të fjalës artistike të këtij poeti e dallojmë edhe tek vjersha në vijim “MË PRISHËT VARGUN”:
“Më prishët vargun!
Ju, që lumturinë e keni tek paraja,
Ju, që si gjarpërinj shtrini krahët;
Ju, që shpirtin nuk e di nëse e keni gjallë,
Ju, që bashkë me fjalët ju dalin jargët…”.
Duke vijuar me leximin dhe komentimin e strofave tjerë të kësaj poezie konstatojmë se B.Torba është poeti që përjeton skajshmërisht ndjenjën çastësore dhe e përçon atë nëpërmjet vargjeve mbresëlënëse.
Kështu, tek poezia “AROMA E FLAMURIT” evidentohen qartazi variacionet poetike në formë mozaiku që shkrihen në kodet nëntekstuale nëpërmjet të cilave autori i librit “ULËRIMA” i ngre një kult botës shqiptare, nderit, dinjitetit, virtytit, arketipit social, etik dhe filozofik të përbaltur, që motivohet nga zgjuarsia dhe maturia e autorit. Qartazi kjo e shprehur në vargjet: “Nëse të parët tanë vdiqën me flamur mbi krye,/ Ju armëprishësit, keni veç flamujt plot gënjeshtra,/ Nëpër sheshe i ngreni, kacavirreni, zhgërryheni rreth tyre,/ Ju jargavitës, që prisni radhën të sundoni me heshta”.
Dhe po nga ky sfond mund ta shikojmë dhe analizojmë edhe poezinë me titull “LIGJËRIM”, në strofën e fundit të së cilës poeti rendit vargjet: “Gjithçka e ngritur mbi gënjeshtrën,/ Mbretëritë kriminale rrëzojnë djersën/ Rrëzojnë mundin paqësor, (Vetëm mbretëri nuk mund të quhen)/ Vini një emër tjetër!/ Teksa brenga shpirtin bren,/ Nuk dëfrejmë dot, / Në këtë shekull, katran me bojë”.
Këto e të tjera detaje të realitetit të trishtë (të këtij tranzicioni të tejzgjatur) që përjetonë shqiptarët, dominojnë lëndën e pasur e të larmishme të librit të poetit B.Torba, që gjithësesi din ta ledhatojë dhe pastaj ta përkëdhelë fjalën artistike, me mjeshtri të rrallë.
Më të dukshme këto tipare në poezitë e titulluara “Kalorësi i zi”, “Zëri i çjerrë”, “Monologu i një të papuni”, “Errësirë”, “Të lumtur nga varfëria”, “Hajdeni të ikim”, “Ç’po presim më”, etj.
Duke ju rikthyer poezizë “LIGJËRIM” që është e një niveli mjaftë të arrirë artistik, këtu mund të dallojmë: “Zërin e poetit tek ja marrin erërat e qindra vjetëve/ Erërat që gulçojnë e thërrasin pastaj”…Sepse “Lëngon kjo tokë nga barra e derteve/ Kjo tokë gjakmpiksur skaj më skaj..”.
Në vetvete këto vargje përbëjnë një sentencë me të cilën poeti shtjellon gjithë shtratin e tij poetik, me mjedise estetike elitare, me një gjuhë të zgjedhur dhe leksik mjaftë të pasur. Në këtë libër bie në sy hopi cilësor që e karakterizon, si në aspektin e rritjes së mjeshtërisë artistike, ashtu edhe të zgjerimit të gamës e konceptimit të realitetit.
Në 55 poezitë e këtij vëllimi (të konturuara me mjeshtri artistike në 105 faqe) gjejmë strofa e vargje të shkruara me plotë finesë. Përgjithësisht autori operon me një strukturë figuracionesh të ngjeshura, origjinale, që të befasojnë me të papriturën që krijon situatë poetike. Në këtë këndvështrim, autori shprehet me kumtin e tij, për “Mbledhësit e sendeve”, “Shpërfilljen e zisë”, “Çaste mërzie”, “Venitjen e vargut”, “Kolltukofagët”, “Njerëzit makina” etj, etj.

Poezia filozofike e Bajram Torbës të ndihmon të kuptosh universin e këtij realiteti të trishtë që përjetojnë shqiptarët, për të cilin, ndër të tjera ai thumbon edhe me këto vargje:
“Ndërsa ndjej mërmëritjet që i mbulon nata,
Ulërimat e fshehura, për fronet ku ulen kalbësirat,
Ulërijnë rrugët mjerane, që rrethohen nga fasadat,
Ulërijnë nga pallja e mamuthëve, për zhgarravinat”
(Poezia “ULËRIMA” – faqe 96).
Parë nga një këndvështrim i përgjithshëm, ky libër (Botim i Fast Print 2020) bart vlera shumëdimensionale, jo vetëm për lëndën tejet të pasur e të larmishme, por parasëgjithash për stilistikën e veçantë të këtij autori, gjuhën e pasur dhe mjetet shprehëse domethënëse.
Duke shprehur bindjen, se qoftë edhe me këtë vëllim poetik, Bajram Torba hyn me dinjitet në fondin e artë të letrave shqipe, e uroj atë përzemërsisht për krijimtari edhe më të suksesshme në të ardhmen. Sepse libri i tij “ULËRIMA” ka brenda 105 faqeve poezi me mendim të thellë dhe mjeshtri artistike befasuese. Ashtu si dhe libri i tij me poezi “Më prishët vargun” me 112 faqe botuar në vitin 2016 nga "Muzgu".
Po ashtu ai është dhe autor i romanit voluminoz “Thirrmëni në emër”, i kërkuar dhe preferuar nga lexuesi sepse trajton artistikisht plagët sociale të shoqërisë së sotme shqiptare.
Bajram Torba është dhe një regjisor i talentuar, ku përveç performancës së lartë artistike në interpretimin e disa roleve në trupa të njohura, ka bërë emër edhe si themelues e drejtues i trupës amatore teatrore “Rikthimi”, me grupmosha të ndryshme, të rinj e të reja, duke shërbyer për mëtej të nxisë fjalën artistike, e cila nga dita në ditë po sfumohet.









Comments