top of page

Halil Rama: Sot do të festonte 85-vjetorin e ditëlindjes

  • 21 hours ago
  • 12 min read

Me një karrierë krijuese prej më shumë se gjysmë shekulli, Shefki Karadaku është emri që jeton përjetësisht përmes veprave të tij jashtëzakonshme

 

85-vjetori i lindjes: Shefki Karadaku, shkrimtari që bëri epokë

Halil Rama – Mjeshtër i Madh

Kryetari i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë Dr. Mujë Buçpapaj, duke evidentuar individualitetin krijues dhe njerëzor të shkrimtarit Shefki Karadaku nënvizon faktin se “Ai ishte një individualitet i fortë njerëzor dhe poetik, ishte një lirik i çiltër, mjeshtër i vargut dhe i teknikës poetike dhe këto i mjaftonin për të qëndruar larg poezisë së angazhuar dhe brohoritëse që siguronte shpesh privilegje, karrierë dhe shpërblime zyrtare…

 

                                  

 

Këtë 9 qershor Shefki Karadaku, i cilësuar nga kritika letrare si “Khajami i ditëve tona”, do të festonte 85-vjetorin e ditëlindjes.

Teksa sjell në vëmendje veprën e tij, vetëtimthi të kujtohet krijimtaria letrare mjaft cilësore e këtij poeti dhe prozatori që shkroi për pesë dekada, si romanet e novelat: “Sagë Mbretërore”, “Puthja e ngrirë”, “Njëmijë vjet dashuri”, “Argonautët”, “Vila e magjepsur”, “Salamandrat”, “Gjergj Elez Alia”, “ Filantropi”, “Apokalipsi I gjetheve”, “garderoba e ofiqarit gri” si dhe vëllimet me poezi  dhe poema: “Toraks”, “Kënga e korrave të drithit”, “Melodi të Shkumbinit”, “Ylberi”,  “Lumi me njëqind zemra” e “Feniks”, etj.

 

KORPUSI LETRAR

                                        

Koorpusi letrar i Sh.Karadakut përbën një thesar të çmuar që rrezaton dritën e artë. Gjetjet metaforike, forca krijuese, gjuha e pasur e shpesh poetike, përdorimi mjeshtëror i fakteve, kronikat, përshkrimi i heronjve, legjendat dhe episodet e bëjnë të këndshme prozën e këtij shkrimtari. Rrallë gjen në historinë e letërsisë shqipe një autor si Shefki Karadaku, të vlerësuar nga pena të spikatura si: Agim Cerga, Perikli Jorgoni, Milianov Kallupi, Riza Lahi, Jusuf Shahini, Leonard Veizi, Faruk Myrtaj, Mujë Buçpapaj, Ramazan Vozga, Namik Selmani, Sazan Goliku, Sakip Cami, Neritan Dragoti, Ahmet Banushi, Ermir Hoxha, Tomor Jolldashi, Mihal Disho etj.. Ndaj, shkrimtarë të tillë si Ai, që kanë sjellë risi në letërsinë tonë, meritojnë vëmendje nga kritika letrare dhe, në mungesë të Lidhjes së Shkrimtarëve, nga Ministria e Kulturës e nga Presidenti i Republikës. Personalitete si Ai, meritojnë vëmendje, sepse janë truri i kombit.

Një vit më parë, miku i tij Hysen Kosovrasti (publicist dhe shkrimtar i njohur në zonat shqipfolëse të Republikës së Maqedonisë së Veriut) më dërgoi një foto të para dhjetë viteve. Një foto sa mijëra fjalë, për aktivitetin publik të shkrimtarit Sh. Karadaku, të adhuruar nga lexues të shumtë në hapësirën mbarëshqiptare në botë, fokusuar pas një takimi me personalitete të letrave në qytetin historik të Dibrës së Madhe, ku mes të tjerëve është edhe poeti i ndjerë Halit Basha.

Në emër të Art Klub “Dibra”, Dibër e Madhe, z. Hysen Kosovrasti, ndër të tjera shprehet: “Shefki Karadaku erdhi disa herë, si i ftuar special në qytetin e Dibrës së Madhe. U njoh me shumë poetë nga të gjitha trojet shqiptare, Tirana, Burreli, Peshkopia, Dibra, Kosova…, sidomos me kryetarin e klubit, Nebi Samarxhiu. Ata, disa që i njihte, e respektuan pa masë, sepse Shefki Karadaku është ndër intelektualët e rrallë që mori mbi supe përgjegjësi të rënda, në veçanti ai punoi me shumë dinjitet në fushën e krijimit letrar si në prozë ashtu edhe në poezi”.

Jo pa qëllim evidentova këtë fakt si fillesë e këtij shkrimi, sepse ky autor me një korpus aq të pasur letrar i lënë në harresë nga institucionet shqiptare, është ndër më të pëlqyerit nga lexuesi shqiptar, jo vetëm i Tiranës, Elbasanit, Durrësit, Shkodrës e Dibrës, por edhe në Prishtinë, Shkup, Tetovë, Dibër të Madhe, Ulqin etj…

Nuk është rastësi që poeti e prozatori Shefki Karadaku mirëpritej e botohej kudo në trevat shqipfolëse, si në Prishtinë, Dibër të Madhe, Ulqin, Strugë etj. Madje në vitet ‘73-74 gazeta prestigjioze “Rilindja” e Prishtinës botoi në 6 muaj radhazi novelën e tij “Kur kërcasin boçet e pishave”.

 

“KHAJAMI” I DITËVE TONA

                                   

Dr. Lutfi Turkeshi, gazetar & studiues nga Republika e Maqedonisë së Veriut, jo më kot, e vlerëson Shefki Karadakun si “Khajamin e ditëve tona”. Në këtë konkluzion ai arrin pasi ka lexuar romanet “Puthja e ngrirë”, “Njëmijë vjet dashuri”, “Vila e magjepsur”, “Salamandrat”, “Filantropi”, “Panagjerikus” e të tjerë, dhe vëllimet poetike “Kënga e korrave të drithit”, “Melodi të Shkumbinit”, “Ylberi”. “Lumi me njëqind zemra” e “Feniks” të poetit e shkrimtarit Shefki Karadaku, i cili asnjëherë nuk do t’i nënshtrohej jetës edhe pse e vuante atë…

“Si feniks, shkëlqen me ide kuarci duke ndërtuar “udhë betoni”… I tillë është poeti Shefki Karadaku. Tërë vargjet e poemës ‘Feniks’ janë të harmonizuara estetikisht në të gjitha nivelet e të shprehurit emocional, individual, stilit origjinal dhe figuracionit. Këto poezi janë shprehje e një personaliteti poetik jo të zakonshëm… Ka poeti edhe idilin e vet të vendlindjes që është “… me çuka, rrape-qiparisa dhe subtropiku mund t’i flasë qershisë, por jo ajsbergë…”. Por, ka poeti edhe dashurinë e shprehur si Naimi e Çajupi: ‘Të këndoj ty bukuroshe si alku, unë s’jam poet i vjetër melik, po zemra po aq e lashtë sa dheu, përpara teje rreh si det antik…’, që pastaj të vijojë: ‘Po zemra e kërkon nudon e bukur, le të jetë ajo si mbretëreshë, që nëpër gjoksin e saj malli i shkurtër si tajfun Floride të përqeshë…’. Si të përfundojmë?! Shkurt, poezi e veçantë, e jashtëzakonshme, e bukur… Është e tillë poezia e poetit Shefki Karadaku… Është shumë refleksive, sa më shpesh ta lexosh dhe rilexosh, gjithnjë do të nxjerrësh ndonjë ndriçim nga qielli me plot yje lirike të poetit të madh. Pra, kjo lirikë është identiteti poetik si katarzë”, -shkruan Dr. Lutfi Turkeshi-Gazetar, studiues (“Identiteti si katarzë” – Gazeta “Fakti”, 8 mars 2001, Shkup).

Krijimtaria e Shefki Karadakut është botuar edhe në gjuhë të tjera europiane. Revista letrare gjermane “Literatura Nr. 11, ndërmjet 20 autorëve nga Gjermania dhe vendet e tjera të Europës dhe Ballkanit boton edhe fragmente nga krijimtaria e shkrimtarit shqiptar Shefki Karadaku. Revista është botuar nga shoqëria letrare “Marburg” e Universitetit të Marburgut. Kopjet e saj ruhen në bibliotekën gjermane sipas ISSN. Botuesja gjermane Erika Beeerman, në letrën e falënderimit për shkrimtarin Karadaku, ndër të tjera shprehet se kjo revistë boton autorë të famshëm. Dy vjet më parë, me kontributin e familjes u botua në anglisht romani i Shefki Karadakut “Puthja e ngrirë”, nga një kopje e të cilit ju dhurua selive të huaja diplomatike në Tiranë. Dhe menjëherë erdhi vlerësimi i ambasadorit gjerman Peter Zingraf për këtë roman tejet të arrirë që me të drejtë është mirëpritur e vlerësuar në botën letrare të kryeqytetit.

 

INDIVIDUALITETI NJERËZOR

Kryetari i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë Dr. Mujë Buçpapaj, duke evidentuar individualitetin krijues dhe njerëzor të shkrimtarit Shefki Karadaku nënvizon faktin se “Ai ishte një individualitet i fortë njerëzor dhe poetik, ishte një lirik i çiltër, mjeshtër i vargut dhe i teknikës poetike dhe këto i mjaftonin për të qëndruar larg poezisë së angazhuar dhe brohoritëse që siguronte shpesh privilegje, karrierë dhe shpërblime zyrtare”. Buçpapaj, ndër poetët dhe analistët shqiptarë më të vlerësuar nga media e institucione europiane e botërore, vlerëson se Shefkiu si poet nuk ishte i rehatshëm për kritikën. Ai ishte një zë i pagabueshëm poetik dhe lirika e tij mistike nuk kishte parasysh këtë kritikë, gjithmonë të njëanshme, por një liri individuale universale si një vepër me ndikim të gjatë, si një eksplorim gjuhësor dhe përvojë e rrallë njerëzore që i drejtohet sa bashkëkohësve aq edhe së ardhmes. Shkrimtari dhe publicisti i mirënjohur Xhevat Mustafa, pasi evidenton faktin që krijimtaria e Shefki Karadakut është botuar edhe në gjuhë të tjera evropiane, si gjermanisht, anglisht….shpreh keqardhje sepse: “…fatkeqësisht, edhe pse ishte një nga shkrimtarët me më shumë tituj veprash të botuara, më të shquar e më të lexuar, sidomos pas vitit 1990, kritika letrare, Bashkia e Elbasanit dhe e Tiranës, Ministria e Kulturës, Ministria e Arsimit, Presidenca, nuk i kushtuan vëmendjen dhe nuk i dhanë vlerësimin që meritonte. Në gjykimin e Xhevat Mustafës, proza në tri përmasat, pra në tregime, novela dhe romane e Shefki Karadakut, shquhet apo dallohet: – për origjinalitet, për spektrin e gjerë të subjekteve, nga lashtësia deri në ditët e sotme; – për narracionin apo rrëfimin e zhdërvjelltë e të natyrshëm; – për strukturimin intrigues dhe mbërthyes nëpërmjet emocioneve të shumta e të forta nga faqja e parë deri tek e fundit…

KRIJIMI I ARTIT

Sakip Cami – shkrimtar, poet dhe publicist i njohur, e konsideron Shefki Karadakun një shkrimtar të spikatur si në poezi edhe në prozë, në novelat dhe romanet e tij me subjekte dhe personazhe që të mbeten në kujtesë. Sipas tij, e veçanta e prozës së Karadakut është poezia e shkrirë brenda saj me figura letrare dhe artistike që të mrekullojnë. “Karadaku ka shkruar e botuar 10 libra me novela e 12 romane ku do të veçoja romanin “Puthja e ngrirë” , një roman i shkruar në vitet 1990 – 1991 që trajton egërsinë e diktaturës komuniste që po jepte shpirt duke vrarë e plagosur dhe kjo e dhënë nëpërmjet një çifti të rinjsh, Rrok Delisë dhe Zibelit, të cilëve falangat komuniste ua ngrinë puthjen dhe ua mohuan dashurinë duke i vrarë në kufi”,- vlerëson ndër të tjera S.Cami, duke vijuar se Shefki Karadaku lindi për të krijuar artin e tij dhe si i tillë jo më kot është vlerësuar nga të mëdhenjtë e letrave shqipe si Llazar Siliqi, Petro Marko, Adriatik Kallulli, por dhe personalitete të njohura të letrave shqipe, si: Moikom Zeqo, Roland Gjoza, Riza Lahi, Petraq Risto, Agim Cerga, Milianov Kallupi, Dr.Lutfi Turkeshi, Faruk Myrtaj, Sazan Goliku, Halil Rama e Sakip Cami, të cilët vlerësojnë maksimalisht veprën letrare të Shefki Karadakut ndër vite

Prozatori Andon Andoni, vlerëson se romani “Puthja e ngrirës” ka një natyrë moderne për sa i përket portretizimit të personazheve. Shkrimtari, dramaturgu dhe publicisti Arben Iliazi e vlerëson Shefki Karadakun një zë emblematik të lirikës shqiptare.

Për poetin dhe analistin e mirëfilltë të veprës letrare Agim Pipa, apostulli i poezisë, i tregimit, romanit dhe letrave shqipe Shefki Karadaku, përbën sot një rast unikal jo vetëm në dukjen, në formën dhe elementë të tjerë të veprës së tij të madhe, por mbi të gjitha, me përmbajtjen që priret të shkojë fjalë pas fjale, tingull pas tingulli, fonemë pas foneme, ligjëratë pas ligjërate, morfologji dhe sintaksë gjuhësore bashkë, me përmbajtjen që priret të shkojë pra drejt thellësisë së shpirtit të njeriut.

 

FRYMËZUESE E KRIJIMTARISË SË BASHKSHORTIT

Nadire Karadaku është ndoshta nga zonjat e rralla, jo vetëm si frymëzuese e krijimtarisë së bashkëshortit të saj të ndjerë, shkrimtarit të mirënjohur e shumë të sukseshëm, Shefki Karadaku, por edhe mbështetësja e financuesja e botimit të 20 librave të tij. E sapodiplomuar për gjuhë-letërsi (dhe më pas edhe juriste e funksionare në Ministrinë e Drejtësisë), që në rininë e saj ka shkruar dhe botuar poezi, skica e tregime të arrira artistikisht dhe të vlerësuara nga lexuesi i asaj kohe, ditën e që mori titullin “Ambasadore e Paqes” nga FPU, u prezantua jo vetëm si njohëse perfekte e letërsisë botërore e asaj shqiptare, por edhe si një kritike e mirëfilltë letrare. Atë mund ta veçojmë si një ndër të paktat gra shkrimtarësh që u janë përkushtuar bashkëshortëve të tyre, duke i krijuar Sh.Karadakut një mjedis të qetë familjar, mbështetur dhe inkurajuar atë për shkruar dhe botuar librat, por edhe duke e këshilluar edhe me mëndime kritike. Sepse e  adhuron letërsinë. Që në adoloshencën e herëshme ka lexuar klasikët e botës të përkthyer mjeshtërisht tek ne, si Tolstoin, Shekspirin, Dostojevskin, Pushkinin, Gogolin, Çehovin, Hemingujejin, Re Markun, Drajzërin, Hygoin, Balzakun, Mopasanin, Gollsuorthin, Arçibald Kronin e  shumë e shumë të tjerë. Në këtë këndvështrim, ajo pohon se ishte me fat që bashkëshorti i saj, ishte poet dhe prozator me shumë talent.

 

RRËFIMI PËR “PAKTIN” ME BASHKSHORTIN SHKRIMTAR

 

 

Krahas kujtimeve të bukura, Nadirja kujton edhe realitete të trishta që përjetoi me bashkshortin e saj. “Gjatë periudhës së diktaturës, Shefkiu botoi 9 libra, sigurisht duke u munduar të ishin brenda kornizave të kohës. Krahas këtyre botimeve, duke filluar nga vitit 1972 deri në vitin 1985 shkroi gradualisht vëllimin me poezi ‘FENIKS’ dhe në vitin 1976-77 novelat ‘Arkadia e largët’. Mbaj mend se rreth viteve 1976- 1977 kishte shkruar dhe përgatitur për shtyp një roman. E çoi në Shtëpinë Botuese ‘Naim Frashëri’ dhe nga reçensionistët u dhanë vlerësime pozitive, ndaj dhe libri hyri në shtyp për botim. Por kur prisnim të dilte romani, u njoftua se ky roman ishte kthyer në karton. Shefkiu ishte tepër i ndjeshëm dhe erdhi në shtëpi i dërmuar moralisht. Pasi mësova se pse ishte dëshpëruar aq shumë, i thashë: Ti e kupton se në ç’kohë jetojmë! A bëjmë një pakt bashkë?! Ti vazhdo të shkruash dhe shkrimet e tua do t’i lexoj vetëm unë, nuk do t’i çosh për botim… Dhe natyrisht, poezitë e “FENIKS”-it apo novelat e “Arkadia e Largët”, nuk mund t’i dërgonte për botim, pasi kur doli në dritë botimi i tyre (viti 1993) ne do ishim harruar”, - rrëfen mjeshtërisht Nadirja. Më tej ajo pohon se si i ka ruajtur me fanatizëm  dorëshkrimet e “Feniks”-it dhe “Arkadisë së largët”, si dhe romanin “Puthja  ngrirë”.

Poezitë e ‘Feniks-it Shefki Karadaku i daktilografoi vetë në redaksionë e revistës  ‘Ylli’, ku punoi për 20 vjet rresht. I përfundoi së daktilografuari rreth viteve 1986-1987. Nadirja pohon se i ka lexuar mbasi i daktilografoi dhe i  ka thënë së nëse do vijë një ditë që të botohet, të mos ia japë askujt për redaktim, pasi këto poezi nuk kanë nevojë për t’u hequr dhe as për t’u shtuar asnjë pikë dhe asnjë presje. Dhe në të vërtetë nuk ishte gabuar.

 “FENIKS”-i u prit mjaftë mirë dhe u vlerësua me nota maksimale nga kritikë, specialistë të fushës dhe dashamirës të letërsisë. Madje Erika Beermann, albanologe dhe studjuese e vendeve të Europës Juglindore e quan Shefkli karadakun një nga autorët e famshëm të vendeve Juglindore dhe e boton me shkrimtarët më të mëdhenj të kohës, në një antalogji me karakter studimor në vitin 1995 në Gjermani. Po ashtu shefi i katedrës së albanologjisë të Universitetit të Sorbonës, Kristian Guut i shkruan se e vlerëson shumë lart krijimtarinë e tij.

Ndjeshmërinë e Shefkiut bashkshortja e tij e ilustron edhe me një shembull tjetër. “Ne kemi një shtëpi në një fshat të Tiranës. Shkonim në çdo fundjavë. E adhuronte atë shtëpi pasi natyra atje është e virgjër. Kur niseshim për në fshat nuk harronte të merrte me vehte ushqim për zogjtë apo për ndonjë kafshë shtëpiake që mund të kishte mbetur pa ngrënë (ne nuk mbajmë kafshë në shtëpi). Kënaqej kur ndihmonte financiarisht banorët e fshatit. Ishte njeri me zemër të madhe. Ndjente kënaqësi të paparë kur redaktonte librat që i jepnin shokët apo miqtë…dhe gjithshka e bënte falas dhe me shumë kënaqësi”,-shprehet Nadirja. Duke pohuar shpirtin e artistit dhe jo të tregtarit që kishte bashkshorti, Nadirja thotë se të gjithë librat e Shefkiut, (26 botime pas viteve ‘’90) janë botuar nga vetë familja pa asnjë subvencion. Si  adhuruese e letërsisë edhe krijimtarinë e Shefkiut ajo çmon si brilante, prandaj thotë se ka patur kënaqësi të shpenzoj për botimin e librave të tij, i cili i la kulturës shqiptare 35 botime me vlera të mëdha artistike, por edhe për mesazhet që ato përcjellin.

  

QË TË MOS KETË MË “PUTHJE TË NGRIRË”



Mes 35 veprave letrare (13 vëllime me poezi dhe 12 romane e 10 libra me tregime e novela) që përbëjnë trashëgiminë letrare që na la Shefki Karadaku, vlerësuar kjo nga të mëdhenjtë e letrave shqipe: Llazar Siliqi, Petro Marko, Moikom Zeqo, etj., romani “Puthja e ngrirë” vlerësohet si më i miri nga lexuesi. Treguesi më i qartë është ribotimi për herë të tretë i këtij romani, (në shqip dhe anglisht) nga bashkshortja e tij Nadirja, me kërkesën e lexuesve.  Kjo për faktin se që në paradigmë të titullit të romanit “Puthja e ngrirë” futemi përkitazi, në një botë simbolike, përmes reales dhe ireales, jetës dhe vdekjes, dashurish mes puthjesh dhe lektisjesh plot pasion në ngjizje të ardhmërisë dhe ngrirjes. Përshkruhen mjeshtërish artistikisht nga një penë e artë, si Sh. Karadaku: e ngrira, e acarta, e ftohta prej akulli, në imagjinatën e një bote që mbetet pas në kohë dhe hapësirë dhe që është e destinuar të humbasë dhe shkrihet si akulli, sintetizuar kjo te personazhi kryesor, Rroku që ngrihet mbi sistemin që ka mbajtur në këmbë të atin dhe familjen e saj. Kësisoj “Puthja e ngrirë” ka një natyrë moderne për sa i përket portretizimit të personazheve, si natyra njerëzore, që në dukje kanë tipare të veçanta, fytyrë, veshje, shtat, etj., që ngjajnë dhe janë krejt të kundërt me njeri-tjetrin sa i përket karaktereve, çuditërisht, që nga Pigali, Meku, Zurba Sina, dhe deri te Basriu, Rroku, Zibeli, Kanadi të ndarë në dy kategori: tri të parët, edhe pse përmenden rëndom në roman, nuk kanë identikit, janë pa fytyrë, pa shëmbëllim, vetëm emra simbol, e megjithëkëtë janë kaq të qartë dhe prezent në sytë e lexuesit. Të tjerët, madje edhe dy shoqëruesit-vëzhgues, njëri me fytyrë të kuqe si spec dhe tjetri plot prenjka, janë të karakterizuar nga idetë që mbartin, mënyra e të jetuarit plot vitalitet, përmes sakrificës dhe jo rutinës. Por ajo që është padyshim linja me e bukur e romanit, është dashuria e Rrokut me Zibelin. A thua se nuk i pengon aspak përkatësia shoqërore, rendi klasor dhe ekonomik? Në realitetin e kohës kur dy botë përplasen me antagonizma për jetë a vdekje, nuk ndodhte, porse në letërsi frikshëm, e justifikuar dhe e përligjur kjo dashuri. Sikundër dhe antitezat e Kadillakëve dhe vilave plot shkëlqim, të familjes Sina, me kasollet e braktisura, bodrumin e Basriut dhe Rrokut, me krevate hekuri dhe kamionët që hiqen zvarre nëpër baltë, në roman janë të justifikuara.

Kësisoj, falë kontributit modest të bashkshortes, Puthja e ngrirë” e Shefki Karadakut, botuar në fillim të viteve 90, vjen sërish me këtë ribotim me tjetër frymë, me qetësinë e asaj çka mbetur në të shkuarën; me gëzimin e së sotmes që e përmend atë si një ëndërr të keqe si lajtmotiv për një jetë më të mirë të shqiptarëve, pas një burgu të hapur në sytë e botës. Dhe e shkuara është dhe përbën histori…

Ndoshta si askush, Nadire Karadaku është angazhuar në përjetësimin e vepës së bashkshortit shkrimtar edhe pesë vjet pas ndarjes së tij nga jeta, (më 16 mars 2021 në moshën 80 vjeç), qoftë si bashkrealizuese e dokumentarit “AND-ja e pandryshuar e Shefki Karadakut”, dhe në organizimin e pëkujtimit të ditëlindjeve të tij me praninë e divës së skenës dhe ekranit Margarita Xhepa – Nderi i Kombit, që i kishte për zemër dhe i interpretonte mjeshtërisht poezitë e këtij kolosi të letrave shqipe , si dhe dhjetra miqve e bashkpunëtorëve të tij.

Njerëzit si Shefki Karadaku nuk vdesin kurrë, ndaj nuk mund të përkujtohej dita e vdekjes, por veç e ditëlindjes. 

Me një karrierë krijuese prej më shumë se gjysmë shekulli, Shefki Karadaku është emri që jeton përjetësisht përmes veprave të tij jashtëzakonshme.

 

 

Comments


Shkrimet e fundit

bottom of page