top of page

Halil RAMA: Rrënjët dibrane në rrugëtimin e dijes...

1 hour ago
8 min read

 

LORETA KODRA - Rrënjët dibrane në rrugëtimin e dijes, punës dhe përkushtimit

 

Halil RAMA – Mjeshtër i Madh

 

·      Vlerësimi dhe besimi i fituar përmes punës dhe angazhimit shumëvjeçar i kanë dhënë mundësinë dhe përgjegjësinë për të përfaqësuar sindikatën e administratës publike dhe shërbimit civil. Kështu ajo ka pasur nderin të përfaqësoj Shqipërinë dhe gratë shqiptare në takime dhe forume ndërkombëtare, ndër të tjera në Banja Luka, Bosnje Hercegovinë,  dhe Sarajevë, në veprimtaritë me pjesëmarrjen e organizatave dhe strukturave ndërkombëtare të punës dhe lëvizjes sindikale



Ka lindur më 21 korrik 1973 në Tiranë, bijë e Servet dhe Nexhmije Ramës. Origjina e saj është nga Shumbati i Dibrës, ndërsa nga nëna është mbesë në Viçisht.

Ajo nuk e fsheh krenarinë që vjen nga dy familje dibrane, Rama dhe Cami, prej të cilave ka trashëguar vlera që e kanë shoqëruar gjatë gjithë jetës.

Dhe ka të drejtë. Mjafton të hulumtosh për origjinën dhe s’e ke të vështirë të konstatosh se Lori i përket familjes së ndershme dhe punëtore të fisit Rama të Shumbatit, si dhe familjes Cami që mbart një histori atdhetare, me dëshmorë në trungun e tij.

Janë dy rrënjë familjare që kanë ndikuar fort në formimin e saj dhe në lidhjen me Dibrën.

Edhe pse kam lindur dhe jam rritur në Tiranë, Dibra ka qenë gjithmonë e pranishme në jetën time. Dashuria për origjinën më është përcjellë nga familja, si një trashëgimi vlerash që duhen respektuar dhe përcjellë”, shprehet Lori me modesti.


Familja – shkolla e parë


Babai i Lorit, Servet Rama, ishte oficer, ndërsa nëna e saj, Nexhmije Rama, ekonomiste. Ishin dy njerëz të respektuar në Tiranë, të njohur për ndershmërinë, thjeshtësinë dhe mikpritjen e tyre.

Shtëpinë ajo e kujton gjithmonë me derën e hapur. Çdo dibran që trokiste, në të mirë apo në hall, gjente tek prindërit e saj gatishmërinë për ta pritur, dëgjuar dhe ndihmuar me aq sa kishin mundësi.

Ky ishte ndoshta një nga mësimet më të rëndësishme që mori prej tyre: respekti për njeriun dhe gatishmëria për të ndihmuar nuk mësohen vetëm me fjalë; ato dëshmohen me mënyrën si jeton.

Ne ishim tri motra dhe u rritëm në një familje ku dashuria, edukimi, kultura dhe lidhja me njëra-tjetrën ishin shumë të rëndësishme”, vijon rrëfimin Lori.

Motra e saj e dytë, Albana Rama, ishte një balerinë e talentuar, e cila mori pjesë në shumë spektakle televizive dhe kishte ëndrra të bukura për të ardhmen e saj artistike. Fatkeqësisht, një aksident tragjik ia ndërpreu jetën dhe ëndrrat në një moshë shumë të re.


Fëmijëria mes Tiranës dhe Dibrës


Fëmijërinë e ka kaluar në “Pazarin e Ri”, një nga lagjet karakteristike të Tiranës. Aty u rrit, shkoi në shkollë dhe hodhi hapat e parë edhe në një pasion të fëmijërisë:  letërsisë dhe bibliotekës. Kontakti me poezinë, letërsinë, skenën dhe emocionin e komunikimit me publikun janë nga kujtimet e bukura që ruan nga ato vite.

Por, nëse Tirana ishte vendi ku rritesha dhe shkollohesha, Dibra ishte vendi ku mësoja rrënjët e mia. Pushimet e verës çdo vit i kaloja në fshat. Aty njoha nga afër jetën, njerëzit, punën, mikpritjen, respektin për të moshuarit dhe lidhjen e fortë që dibranët ruajnë me familjen dhe vendin e tyre”…Më tej ajo pohon njëzëshëm se nga njerëzit që kanë ndikuar më shumë në formimin e saj kanë qenë gjyshet Razija dhe Rabija,  gojëmbla, plot dashuri, ngrohtesi dhe të mençura. Dhe nuk le pas gjysh  Xhabirin. Edhe pse pak e ka njohur e vlerëson një zotëri  punëtor dhe me shpirt sakrifice. Ndërsa modeli i autoritetit dhe zgjuarsisë, për të ishte gjyshi nga mami, Uke Cami. Ajo edhe sot e ka idhull luftëtarin e lirisë e të dinjitetit njerëzor, i cili  kishte kaq shumë kujtime dhe mbajtur shënime e ditarë nga çdo  periudhe jete.

Përtej rrëfimeve të gjyshit fillova ta njoh historinë jo vetëm nga librat, por nga zëri i një njeriu që e kishte përjetuar atë. Prej tij mësova shumë herët kuptimin e atdhedashurisë, sakrificës, lirisë dhe përgjegjësisë ndaj vendit. Ditarët e gjyshit tim ruhen ende sot në familjen tonë, si një trashëgimi e çmuar familjare dhe një dëshmi që lidhet edhe me historinë patriotike të Dibrës. Për mua ato janë shumë më tepër se disa fletore të vjetra. Janë kujtesa e shkruar e një brezi dhe një urë mes së kaluarës sonë dhe brezave që vijnë”, pohon Lori, Dhe ndërsa  shpreh këtë dashuri të pamatë për vendorigjinën, kuptojmë se  Loreta Kodra (Rama) është produkti më fisnik i bashkimit të dy vlerave kombëtare. Edukata e saj e jashtëzakonshme është një trashëgimi e çmuar nga prindërit—një sintezë mes dashurisë dhe kulturës së nënës nga Viçishti dhe integritetit e karakterit të babait nga Shumbati. Kjo e ka pajisur me atë që kolegët e quajnë "sjellja e një zonje me fisnikëri e inteligjencë të rrallë", një qëndrim dinjitoz, i palëkundur, por gjithmonë i mbështjellë me një mirësi njerëzore që rrallëherë gjendet në institucionet e sotme.



Dija dhe rrugëtimi profesional



Pas përfundimit të arsimit parauniversitar në Tiranë, ndoqi studimet e larta në Fakultetin Ekonomik.

Prej afro tri dekadash ka ndërtuar rrugëtimin profesional në administratën publike shqiptare, në  fillim në Drejtorine e Përgjithshme të Transporteve e më pas dhe në vazhdim në Institutin e Sigurimeve Shoqërore,  duke fituar përvojë në fusha  të ndryshme të administrimit dhe, nivele të menaxhimit të  burimeve njerëzore.

Qoftë edhe nga ky rrugëtim kupton se Lori është sinteza e elegancës intelektuale dhe e arkitekturës së shpirtit.

Ka personalitete që nuk mjafton t’i përshkruash vetëm përmes titujve akademikë apo suksesit profesional; ata duhen ndjerë përmes impaktit në punë e shoqëri. Loreta  Kodra është pikërisht një nga ato figura të rralla ku bashkohet finesa e Tiranës me qëndresën e inteligjencën e Dibrës, duke krijuar një profilin e një gruaje që rrezaton autoritet, dije dhe një edukatë shembullore.

Ndaj dhe pohon me plot gojën se një nga kënaqësitë karrierës së saj ka qenë mundësia për të punuar me breza të ndryshëm profesionistësh, për të ndarë përvojën dhe për të kontribuar në zhvillimin e tyre profesional.

Vlerësimi dhe besimi i fituar përmes punës dhe angazhimit shumëvjeçar i kanë dhënë mundësinë dhe përgjegjësinë për të përfaqësuar sindikatën e administratës publike dhe shërbimit civil. Kështu ajo ka pasur nderin të përfaqësojë Shqipërinë dhe gratë shqiptare në takime dhe forume ndërkombëtare, ndër të tjera në Banja Luka, Bosnje Hercegovinë  dhe Sarajevë, në veprimtari me pjesëmarrjen e organizatave dhe strukturave ndërkombëtare të punës dhe lëvizjes sindikale.


Familja e Lorit sot – vazhdimësia e vlerave


Familja e Lorit sot përbëhet nga bashkëshorti dhe tre fëmijët e tyre, dy vajza dhe një djalë.

Familja vazhdon të jetë pika e saj më e rëndësishme e referimit. Atë që ka marrë dikur nga prindërit dhe gjyshërit e saj është përpjekur t'ua përcjell edhe fëmijëve. Sepse beson se trashëgimia më e çmuar që mund t'u lëmë brezave nuk është vetëm ajo materiale. Janë edukimi, ndershmëria, respekti për familjen, dashuria për dijen dhe punën, solidariteti, respekti për njerëzit dhe krenaria për rrënjët.

Vlerat me të cilat u rrita në shtëpinë e Servet dhe Nexhmije Ramës, kujtimet e gjyshërve dhe  fëmijërisë në Dibër, përpiqem t'i mbaj të gjalla edhe në familjen time. Sepse besoj se familja është ura përmes së cilës vlerat kalojnë nga një brez te tjetri”, -thotë Lori.

Kësisoj kuptojmë se Loreta është ajo prehje e dëlirë femërore, është ajo bukuri e skalitur me një delikatesë dhe përkushtim që tejkalon natyrën.

Përtej profesionalizmit të spikatur, Lori është një nënë e mrekullueshme dhe një bashkëshorte që ruan me fanatizëm ekuilibrin mes karrierës dhe familjes. Ajo përfaqëson gjeneratën grave që dëshmojnë se mundi shpërblehet gjithmonë, se edukata është aksesori më i shtrenjtë dhe se integriteti profesional nuk bën kompromis.

Loreta Kodra është më shumë se zonjë fisnike e me inteligjëncë të rrallë; ajo është një arkitekte e vlerave. Ajo është një motivim i pashuar për çdo të re dhe të ri që beson se me punë, përkushtim dhe një zemër të madhe, mund të pushtohen majat e suksesit pa humbur kurrë thjeshtësinë dhe njerëzoren.


Për Lorin, Dibra nuk është thjeshtë vendorigjina

 

Gjithkush do të impresionohej tek dëgjon Loreta Kodrën të pohojë se për të, Dibra nuk është thjesht vendi nga vjen familja e saj.

Është kujtesë. Është identitet. Është respekti për historinë; nga shkolla  ka fituar dijen; ndërsa nga jeta profesionale ka mësuar se çdo përgjegjësi dhe arritje merr vlerë kur shoqërohet me kontribut për të tjerët.

“Të jem bijë e një familjeje dibrane është për mua më shumë se një përkatësi gjeografike. Është trashëgimi, krenari dhe përgjegjësi për të qenë e denjë për vlerat që kam marrë.

Ndaj, të jem pjesë e faqeve të ‘Dibra dhe dibranët në panteonin e vlerave’ e konsideroj jo vetëm një vlerësim personal, por edhe një kthim simbolik te rrënjët e mia dhe një nderim për prindërit, gjyshërit dhe njerëzit që më formuan.

Në fund të këtij rrugëtimi, një bindje më shoqëron fort: Rrënjët na tregojnë prej nga vijmë, dija dhe puna ndërtojnë rrugën tonë, ndërsa vlerat që përcjellim dhe ajo që u japim të tjerëve përcaktojnë gjurmën që lëmë pas”.

Qoftë edhe nga ky rrëfim i çiltër, gjithkush do të vlerësonte se forca e personalitetit të Loreta Kodrës qëndron te dija, te qetësia me të cilën i përballon gjërat, edhe ato më të vështirat. Ajo beson te forca e gruas për të ndryshuar shoqërinë dhe se shoqëria nuk mund të zhvillohet pa dije.

Përtej profilit të një zonje me inteligjencë e fisnikëri të rrallë, Loreta  është një nënë e mrekullueshme dhe një bashkëshorte që ruan me fanatizëm ekuilibrin mes karrierës dhe familjes. Ajo përfaqëson gjeneratën e grave që dëshmojnë se mundi shpërblehet gjithmonë…, se edukata është aksesori më i shtrenjtë dhe se integriteti profesional nuk bën kompromis. Si e tillë, Loreta  Kodra (Rama) është një arkitekte e vlerave. Ajo është motivim i pashuar për çdo të re dhe të ri që beson se me punë, përkushtim dhe një zemër të madhe, mund të pushtohen majat e suksesit pa humbur kurrë thjeshtësinë dhe njerëzoren.

 

Loreta Kodra (Rama) zotëron aftësitë e forta njerëzore e intelektuale

 

Lori ka një kulturë të gjerë edhe pse është modeste. Forca e personalitetit të saj qëndron te dija, te qetësia me të cilën i përballonte gjërat, edhe ato më të vështirat. Ajo shfaqet me një ndjenjë misioni që shkon përtej karrierës  profesionale,  është një zë i fortë i shpirtit dhe mirësisë njerëzore.

Pinjolle e racës së mirë shqiptare, Loreta Kodra (Rama) zotëron aftësitë e forta njerëzore e intelektuale. Ajo mishëron dhe përçonl vlera njerzore dhe intelektuale, si model frymëzues dhe inkurajues, duke lartësuar figurën e gruas në ditët e sotme po edhe të njeriut të sotëm, në shpalosjen e mundësive krijuese si intelektuale.

Është një grua e rrallë, që i përket atij brezi njerëzish, të cilët nuk bëjnë zhurmë për të treguar vlerat, por i lënë ato të flasin vetë nëpërmjet punës, karakterit dhe qytetarisë.

Në portretin e saj njerëzor, ka diçka shumë të bukur, qetësinë. Ajo qetësi e grave të mençura, që nuk lodhen duke treguar sa vlejnë, sepse vlera e tyre ndihet sapo i takon. Është nga ato zonja, që sjellin mirësi në bisedë, siguri në bashkëpunim dhe respekt në çdo mjedis ku ndodhen.

Një grua me inteligjencë dhe fisnikëri të rrallë përfaqëson një kombinim të fuqishëm të mendjes së ndritur dhe elegancës shpirtërore. Ajo nuk shquhet vetëm për atë që di, por mbi të gjitha për mënyrën se si vepron dhe si ndikon te njerëzit që e rrethojnë. Profili i saj është ai i gruas fisnike, me fytyrë, sjellje fisnike, punë (detyrë) e qëllime (ndjenja) fisnike.....

Një grua gjeneroze, me kulturë, plot vitalitet, e veçantë në çdo aspekt të jetës së vet.

Jeta ka sfida dhe sakrifica, por Loreta Kodra është gjithnjë motivuese dhe pretenduese në karrierën e saj. Në përditshmërinë e saj ajo është shembulli më i mirë për shoqërinë, si modele frymëzuese e mbresëlënëse që lë gjurmë të pashlyeshme tek çdokush. Shembuj të shumtë pozitiv e frymëzues e kanë shoqëruar përgjatë gjithë trajektores së jetës, duke ndjerë jo vetëm admirim, por edhe vlerësim e respekt të thellë nga shoqëria e saj e shumtë, kudo në Tiranë, Dibër e në çdo skaj të Shqipërisë.

Comments


Shkrimet e fundit

bottom of page