top of page

Halil Rama: “MENÇURIA SHQIPTARE”...

4 hours ago
8 min read

Halil Rama: “MENÇURIA SHQIPTARE”, VEPËR DINJITOZE DYGJUHËSHE E AUTORIT TAJAR DOMI

 

Halil RAMA – Mjeshtër i Madh

 

Përmes dokumentimit të mendimit të urtë, në këtë vepër të karakterit enciklopedik shpërfaqet mënyra se si populli shqiptar ka arsyetuar përballë sfidave të kohës, luftërave dhe rreziqeve të asimilimit. Ndërsa në kuadrin e universalitetit të urtësisë lokale përçohet ideja se mençuria e një populli të vogël gjeografikisht ka vlera universale njerëzore dhe mund të qëndrojë denjësisht krahas filozofive të mëdha botërore…

    

Tetëqindetridhjetëetetë thënie të mençura, nga mençuria popullore dhe perifrazime nga shkrimtarë e filozofë famozë, vendas e të huaj, të evidentuara dhe komentuara me kujdes, të përfshira në librin me titullin sinjifikativ “MENÇURIA SHQIPTARE” (në dy gjuhë, shqip dhe anglisht), kompozuar mjeshtërisht në 11 kapituj, janë një kontribut madhor i autorit Tajar Domi.

Nëse një vit më parë, shkroi, botoi dhe promomoi në Hotel Tirana International, me praninë e më se 300 personaliteteve shqiptare akademike dhe të letrave, veprën enciklopedike “Dinastia Domi e Cerenit të Kalasë së Dodës” (ku me të drejtë u vlerësua nga Këshilli i Bashkisë Dibër dhe titullin “Qytetar Nderi i Dibrës), me librin e dytë të botuar para pak ditësh nga Shtëpia Botuese prestigjioze “M&B”, Tajar Domi renditet me elitën krijuese kombëtare.

Nëse autorë të mirënjohur si Gjon Buzuku, Pjetër Budi, Frang Bardhi dhe Pjetër Bogdani e lidhën mendësinë shqiptare me ruajtjen e gjuhës, traditës dhe identitetit shpirtëror e krishterë nën trysninë e Perandorisë Osmane, Tajar Domi e sjell mendësinë shqiptare në letërsinë shqipe, të transformuar nëpër faza historike, duke pasqyruar mentalitetin patriarkal, besën, traditën, rezistencën ndaj pushtimeve dhe përplasjen mes vlerave tradicionale dhe modernitetit. Pikërisht këtu konsiston rëndësia e studimit të kësaj vepre shumëpërmasore.

Dhe këtë autori e shpreh që në dedikimin në hyrje, kur shkruan: “Ky libër u kushtohet atyre që e mbajtën fjalën kur ishte e vështirë ta mbaje, atyre që e ruajtën gjuhën kur ishte e rrezikshme ta flisje, dhe atyre që ua lënë fjalën brezave, si pasurinë më të çmuar. U kushtohet familjeve shqiptare, mësuesve, prindërve e të rinjve, si dhe çdo shqiptari kudo që jeton e atyre që do të vijnë dhe besojnë se fjala e mençur është forcë, urë dhe identitet”.

 

DY NGA  15 THËNIE - si hyrje…

 

“Guri i rëndë peshon në vend të vet”. Kësaj thënie proverbiale autori T.Domi i jep kuptimin e vlerësimit të njeriut më shumë në vendin e vet, aty ku ka rrënjët dhe njohjen e të tjerëve. Dhe jo pa qëllim autori e vendos në hyrje të librit, sepse ky fjalëndajë mbart një kuptim të thellë filozofik dhe shoqëror, i cili lidhet kryesisht me vlerën, dinjitetin dhe peshën që ka njeriu në mjedisin e tij natyror, aty ku ka rrënjët, familjen dhe shoqërinë që e njeh.

Shqiptaro - amerikani Tajar Tomi që ka drejtuar për disa vite Shoqatën “Bijtë e Shqipes” të Filadelfias-SHBA, si kryetar i saj, ndonëse aty ndjehet më i vlerësuari nga bashkëkombasit e tij (si dhe nga autoritete amarikane), duket se jeton me mendje, sy e zemër nga vendlindja e tij – Cereni i Kalasë së Dodës, ku gëzon respektin më të madh dhe ka më shumë ndikim, aty ku ka kontribuar dhe ku njihen vlerat e tij prej vitesh. Pikërisht në këtë kontekst ai i jep peshën që meriton thënies “Guri i rëndë peshon në vend të vet” tek “15 Thënie - si hyrje…”

Dhe po këtu veçojmë thënien tjetër “Mëso gjithë jetën, jo vetëm në rini”, së cilës autori i jep kuptimin se dija nuk ka moshë; njeriu duhet të mësojë vazhdimisht për t’u zhvilluar e përmirësuar.

Si mësues në shkollën shqipe në Filadelfia, autori Tajar Domi, këtë thënie të mençur e jep në kuptimin se mësimi është një proces i vazhdueshëm që nuk ndalet me mbarimin e shkollës apo me kalimin e rinisë dhe se mendja mbetet e shëndetshme dhe aktive kur sfidohet vazhdimisht me njohuri, aftësi ose gjuhë të reja.

 

MENÇURIA SHQIPTARE NË KONTEKSTIN GJEOHAPËSINOR

 

Duke mos dashur të shuaj koreshtjen e lexuesit, po i qasem kompozimit të veprës “Mençuria shqiptare” në 11 kapituj: Mençuria e Veriut shqiptar; Mençuria e Jugut; Mençuria e Shqipërisë së Mesme; Trojet shqiptare jashtë Shqipërisë; Thënie të mençura për rininë, shkollën dhe familjen; Qytetet shqiptare dhe urtësia popullore; Luma dhe Dibra (dy krahina-një zemër shqiptare); Disa emra atdhetarësh shqiptarë të lartësuar me jetët e tyre; Kalaja e Dodës;  Zëra që formësuan Amerikën dhe “Dija, vlerat dhe e ardhja jonë” (Feja, kultura dhe bashkëjetesa si forcë e kombit).

Për ti evidentuar dhe për t’u dhënë kuptimin qindra thënieve të mençura të popullit shqiptar, sipas ndarjeve e nëndarjeve gjeohapësinore, Tajar Domit i është dashur një punë e thelluar studimore shkencore disavjeçare. Parë nga ky këndvështrim libri i tij i dytë (nga radha por jo nga rëndësia) “MENÇURIA SHQIPTARE” reflekton dukshëm punën e thelluar studimore shkencore të këtij autori si dhe kontributin e tij kryesor në zgjerimin e njohurive njerëzore në këtë fushë të caktuar.

Shkrimi i kësaj vepre ka kaluar nëpër disa faza rigoroze ku autorit i është dashur jo vetëm evidentimi i thënieve të mençura, por edhe analiza kritike për të na dhënë qartazi kuptimin e tyre, bazuar në një metodologji shkencore të saktë dhe me origjinalitet. Kësisoj ai ka merittën e pasurimit të leksikut të gjuhës shqipe nëpërmjet prurjeve të reja dhe dhe argumentimit të vlerës së tyre shkencore.

Kjo metodologji e saktë e çon atë në konkluzionin e shprehur që në hyrje se “Fjala e urtë është historia e një populli”.., është “Fjala që na mban bashkë”. Pikërisht nga ky këndvështrim është i saktë vlerësimi i tij për këtë libër, si një përpjekje për të bashkuar në një zë e trup të vetëm, fjalën e mençur shqiptare nga Veriu në Jug, dhe nga trojet shqiptare jashtë Shqipërisë e në diasporë.

“Ky libër lindi nga fjala. Jo nga fjala e madhe, por nga ajo që mbahet. Nuk janë fjalë librash. Janë fjalë jete, të thëna pak, të mbajtura shumë. Shqiptarët kanë pasur gjithmonë libra, por para librit kanë pa sur fjalën. Fjalën e dhënë, fjalën e mbajtur, fjalën që s’është shkruar, por është jetuar”, shkruan autori Tajar Domi.

Po nga kjo qasje, bazuar në hollësitë e çdo kapitulli, duke na “diktuar” rëndësinë e studimit të veprë, autori jep përkufizime të sakta se:

“Në Veri fjala peshon. Në Shqipërinë e Mesme ajo mat. Në Jug fjala qetëson. Në trojet jashtë Shqipërisë, ajo mban gjallë. Ky libër nuk u shkrua se kush jemi më shumë, por për të kujtu ar se kush jemi në thelb. Fjalët që gjenden këtu nuk janë të një kohe të vetme, as të një vendi të vetëm. Janë fjalë që kanë kaluar brez pas brezi, janë dëgjuar pranë ox hakut, në udhë të gjata, në kohë të vështira dhe në ditë gëzimi. Ky është një libër pa zhurmë, por me peshë. Pa ndarje, por me bashkim. Një libër që nuk kërkon të lexohet shpejt, por të mbahet mend. Në një kohë kur flitet shpejt dhe harrohet lehtë, ky libër është një kujtesë e thjeshtë: se fjala e mirë ndërton njeriun, familjen, kombin. Se fjala e mirë nuk vjetrohet dhe se një popull që mban fjalën, nuk humbet rrugën. Fjalët e mençura të trojeve shqiptare janë fjalë mbijetese. Ato nuk u shuan, sepse u mbajtën. Ky libër i mbledh ato jo për t’i mbyllur, por për t’i hapur si urë mes shqiptarëve, kudo që janë. Ky është një libër gjithëkombëtar, sepse fjala shqiptare, kudo që është thënë, ka pasur të njëjtin qëllim: Të mbajë njeriun drejt në jetë. Libri nuk pretendon të japë mësime, por të kujtojë. Të kujtojë se fjala e thënë me mend, ka forcë, se urtësia lind nga jeta dhe se trashëgimia shpirtërore duhet ruajtur e përcjellë te brezat që vijnë. Ky libër nuk ka autor një njeri të vetëm. Autor është populli shqiptar në të gjitha trojet”.. 

 

 

MENÇURIA E ATDHETARËVE SHQIPTARË

TË LARTËSUAR ME JETËT E TYRE

 

Në tërësinë e kësaj vepre, një rëndëi të veçantë ka kapitulli i tetë: “Disa emra atdhetarësh shqiptarë të lartësuar me jetët e tyre”. Këtu autori Tajar Domi prezantohet si njohës gjer në perfeksion i veprës së personaliteteve emërndritur në historinë e kombit shqiptar, që nga kryeheroi Gjergj Kastrioti Skënderbeu- heroi Kombëtar i shqiptarëve dhe një nga udhëheqësit më të shquar të shekullit XV; Nënë Tereza (Mother Teresa) Gonxhe Bojaxhi – që në vitin 1979 mori çmimin nobel për paqen, për veprimtarinë humanitare; Isa Boletini- një nga figurat më të shquara të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare dhe një simbol qëndresës për liri, Abdyl Frashëri- ideatori i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit; At Gjergj Fishta - një nga figurat më të mëdha të kulturës dhe të letërsisë shqiptare; Fan Noli - një nga figurat më të shquara të historisë shqiptare, klerik, politikan, shkrimtar dhe përkthyes i njohur, e deri tek Aleks Buda.

Në këtë kapitull autori evidenton thënie proverbiale të këtyre personaliteve: për historinë, për identitetin kombëtar dhe gjuhën shqipe, për Skënderbeun, për Shqipërinë, për lirinë, thënie me frymë qëndrese, referuar mendimit etik dhe shoqëror etj.

Dhe nëse referuar Skënderbeut na sjell në vëmendje thënien e mençur të tij “lirinë nuk ua solla unë, atë e gjeta në mesin tuaj”, në kuptimin se liria nuk dhurohet nga një njeri i vetëm, ajo lind nga dëshira, guximi dhe shpirti i popullit për të qenë i lirë,  dhe se “në fatkeqësi dhe në punë të veshtira, ji zemërmadh dhe trim”, duke  i dhënë kuptimin se “Vështirësitë nuk duhet ta mposhtin njeriun, pikërisht në kohe të vështira provohen guximi, qëndrueshmëria dhe madhështia e karakterit”, nga e Madhja Nënë Tereza, ndër të tjera na kujton mençurinë e saj të sintetizuar në thënien proverbiale se “Jo të gjithë mund të bëjnë gjëra të mëdha, por mund të bëjnë gjëra të vogla me dashuri të madhe” Dhe si për çdo thënie të mençur autori jep edhe kuptimin e saj se “Njeriu nuk ka nevojë të bëjë vepra madhështore për të qenë i vlefshëm; edhe veprat e vogla kanë rëndësi kur bëhen me zemër e dashuri”.

Në përfundimin krahasues të autorit të kësaj vepre, të gjitha figurat, ndonëse nga rrugë të ndryshme, ndërtojnë një bosht të përbashkët: Komb – Nder – Fe – liri – Drejtësi.  Po sipas këtij boshti T.Domi përçon tek lexuesi peshën e mendimit filozofik që mbartin thëniet e mençura, të specifikuara sipas personaliteteve me rrezatim kombëtar:

Skënderbeu: forcë, guxim, atdhedashuri, strateg lufte; Nënë Tereza: dhembshuri, sakrificë, humanizëm; Isa Buletini: trimëri, atdhedashuri, qëndresë; At Gjergj Fishta: zëri epik i ndërgjegjes kombëtare; Fan Noli: reformator, shtetar; Abdyl Frashëri: revolucionar i rilindjes kombëtare; Haxhi Vehbi Dibra: urë bashkimi e tolerance; Aleks Buda: dije, histori, mendim shkencor; Hoxhë Hafiz Ali Kraja: ndërgjegjia që nuk përkulet. 

 

“ZËRAT QË FORMËSUAN AMERIKËN”

NË FOKUSIN E TAJAR DOMIT

 

Nga një këndvështrim krejt i veçantë autori Tajar Domi ua jep vlerat edhe “Zërave që formësuan Amerikën” (kapitulli i dhjetë), që nga Abraham Lincoln që udhëhoqi përpjekjen e SHBA-së për ruajtjen e Unionit dhe, gjatë Luftës Civile (1861 – 1865), e lidhi gjithnjë e me shumë kauzën e Unionit me emancipimin dhe lirinë, me përcaktimin: “Qeverisja e popullit,  nga populli e për popullin,  nuk do të zhduket nga faqja e dheut”; George Washington - Presidenti i parë i Shteteve të Bashkuara dhe një nga etërit themelues të kombit amerikan, sipas të cilit “e vërteta, në fund do të triumfojë kur bëhen përpjekje për ta nxjerrë në dritë”, në kuptimin e autorit të këtij libri se e vërteta mund të fshihet për një kohë, por kur njerëzit punojnë e luftojnë për ta zbuluar, ajo del në pah dhe fiton, e deri tek “Kosova dhe Miqësia amerikane”, ku autori sjell në vëmendjen e lexuesit thënien e Presidentit Bill Clinton (Thënie për Kosovën dhe ndërhyrjen në Kosovë -1999): “Ne vepruam për të mbrojtur mijëra njerëz të pafajshëm në Kosovë nga një ofensivë ushtarake në rritje”, ku autori T.Domi i jep kësaj thënie kuptimin se ndërhyrja ndërkombëtare në Kosovë u bë për të mbrojtur civilët shqiptarë nga dhuna dhe sulmet ushtarake që po përshkallëzoheshin gjatë luftës së vitit 1999. Dhe po aty (fq. 132) nën okelion “Për drejtësinë dhe paqen” kur i referohet sërish Presidentit Clinton se: “Duke vepruar tani, ne po mbrojmë vlerat tona, interesat tona dhe po çojmë përpara çështjen e paqes”. Kjo thënie, sipas autorit të kësaj vepore T. Domi, thekson se të drejtat e njeriut janë universale dhe duhet të mbrohen për çdo popull e në çdo vend, pa dallim.

Nga përcaktimi me saktësi i vlerave të personaliteteve shqiptare (dhe amerikane) dhe kuptimësia e tyre, duke ju qasur pasqyrimit të Kodit Moral Kombëtar, libri i autorit Tajar Domi mbart si bosht ideor vlerat unike të etnosit shqiptar, ku përfshihen besa, mikpritja, nderi dhe urtësia popullore. Përmes dokumentimit të mendimit të urtë, në këtë vepër të karakterit enciklopedik shpërfaqet mënyra se si populli shqiptar ka arsyetuar përballë sfidave të kohës, luftërave dhe rreziqeve të asimilimit. Ndërsa në kuadrin e universalitetit të urtësisë lokale përçohet ideja se mençuria e një populli të vogël gjeografikisht ka vlera universale njerëzore dhe mund të qëndrojë denjësisht krahas filozofive të mëdha botërore.

Comments


Shkrimet e fundit

bottom of page