Halil RAMA: ING. IKBALE KURTI – PROFILI I DREJTUESES,BASHKËSHORTES E NËNËS SHEMBULLORE
- 23 hours ago
- 8 min read

ING.IKBALE KURTI – PROFILI I DREJTUESES,
BASHKËSHORTES E NËNËS SHEMBULLORE
Halil RAMA – Mjeshtër i Madh
· Profili i Ing. Ikbale Kurti është jo vetëm ai i drejtueses së talentuar, por edhe i gruas e zonjës me inteligjencë e fisnikëri të rrallë. Me shpirt krijues, talent e përkushtim maksimal ajo la gjurmë të thella në vepra monumentale të Matit, ashtu si edhe këto vite në metropolin shqiptar….
Në librin e tij “Një jetë në shërbim të njerëzve”, Prof.dr. akademik Sali Kurti (libër të cilin Kritika letrare e ka konsideruar si modelin e shkrimit të një monografie), një kapitull më vehte përbën “Krijimi i strehëzës së re familjare”.
Këtu gjen mishërim të plotë sentenca se “pas një burri të suksesshëm qëndron një grua e fortë”. Autori i kësaj vepre dinjitoze, ndër të tjera e quan fat njohjen dhe krijimin e familjes me Ikbalen, bijë e familjes së njohur korçare Alizoti, që ndryshe nga bashkëmoshataret e saj, që në vitin e largët 1966 do të niste studimet në degën e vështirë “Inxhinieri Ndërtimi e Përgjithshme për Ndërtime Qytetare – Industriale” (Universiteti Shtetëror i Tiranës), nga ku do të diplomohej më 1970, për të kryer sërish pas një viti kurs specializimi pasuniversitar për urat dhe rrugët.
Ikbalja, një grua gjeneroze, me kulturë, plot vitalitet, e veçantë në çdo aspekt të jetës së vet, ishte po ashtu ndër të rrallat moshatare të asaj kohe, që do të linte qytetin e Lushnjës (ku babai i saj Fehmiu punonte si bahçevan në Institutin e kërkimeve Bujqësore) për t’u martuar më 1973 me doktorin stomatolog Sali Kurti nga fshati Karicë e Matit. Nisi kështu për të një jetë sa e bukur bashkëshortore e dashuruar me doKtor Saliun, aq dhe e vështirë për atë kohë.
Inxhinierja e re e sapomartuar do të ecte çdo ditë të nga dy orë më këmbë për mëse një vit nga Karica në qytetin e Burrelit, për të drejtuar për katër vjet (1973-1977), me kompetencë e profesionalizëm si Përgjegjëse e Zyrës së Urbanistikës dhe projektimit në ish-Komitetin Ekzekutiv të KP të rrethit të Matit.
Në fillim të karrierës së saj ajo do të ishte inciuese dhe drejtuese e veprave të rëndësishme infrastrukturore, jo vetëm në qytetin e Burrelit, por në gjithë rrethin e Matit, deri në skajet më të largëta.
Bashkëkohësit e mbajnë mend se si gjatë kësaj periudhe, sëbashku me ekipin e saj drejtues, arkitektët Valentin Voshtina, Shpresa Kote, Ramiz Pepa e Fitore Selmani hartuan planet rregulluese të qendrave të banuara Klos, Krastë e Ulëz, si dhe të fshatrave të rrethit. Me talent të spikatur e shpirt të rrallë krijues Ikbalja drejtoi gjithashtu projektimin dhe drejtimin e objekteve të rëndësishme, si Polikinikën dhe bllokun e banesave në qendër të qytetit të Burrelit, të lidhura këto me bllokun e dyqaneve. Dhe jo vetëm këto, por në harkun kohor të atyre viteve, firmën e saj mbajnë edhe disa banesa pesë katëshe me strehim poshtë, çerdhe, kopshte, hangar-ofiçinë për ish SMT etj.
Pikërisht për këto arritje ajo do të dekorohej nga Presidiumi i Kuvendit Popullor me Medaljen “Për shërbime të shquara Shtetërore e Shoqërore” me motivacionin: “Për rezultate të mira të arritura në plotësimin e detyrës së ngarkuar dhe në zgjidhjen e detyrës të dektorit” (Dekret nr.5472, datë 29.10.1976).
DREJTUESE E TALENTUAR, ZONJË ME INTELIGJENCË
E FISNIKËRI TË RRALLË
Profili i Ing. Ikbale Kurti është jo vetëm ai i drejtueses së talentuar, por edhe i gruas e zonjës me inteligjencë e fisnikëri të rrallë. Me shpirt krijues, talent e përkushtim maksimal ajo la gjurmë të thella në vepra monumentale të Matit, ashtu si edhe këto vite në metropolin shqiptar. Dukshëm kjo në harkun kohor të katër viteve, 1977-1980, kur si kryeinxhiniere e Ndërmarrjes së Ndërtimit Mat spikati në drejtimin e punimeve për ndërtimin e Uzinës së Ferrokromit Komsi; Ujësjellësin për qytetin e Burrelit dhe uzinën e ferrokromit (pra linjën Vinjoll-Burrel-Uzinë e Ferrokromit, rreth 15 km e gjatë me prurje rreth 100 l/sek.
Është koha kur Ing.Ikbale Kurti merrej si referencë vlerash dhe përkushtimi në punë e drejtim, konkretizuar kjo në vetëm punë pa orar, mbledhje, konsultime, kontrolle, zgjidhje problemesh dhe angazhime të tjera suplementare. E kësisoj ajo do të drejtonte edhe ndërtimin e ujësjellësit Shutre - Uzina e Ferrokromit rreth 17 km me kapacitet 70 l/sek me gjithë veprat tjera përkatëse si puse shuarje, depo e ujit 1000 dhe 4000 m3 etj.
Brenda këtij bilanci mjaftë pozitiv janë dhe ndërtimi i Parkut Automobilistik të Mallrave Burrel dhe ofiçina e këtij parku, disa objekte të minierës së kromit Krastë si dhe një sërë objektesh të tjera si banesa 5 katëshe, çerdhe, kopshte etj.
Gjatë kohës si kryeinxhinere e ndërmarrjes së ndërtimin Mat Ikbalja drejtoi gjithashtu ndërtimin e rrjetit të rrugëve të brendshme të Uzinës së Ferrokromit rreth 5 km; disa rrugë të shfrytëzimit pyjor në Mbas Dejë, Xirë e Llapush.
KOHA KUR DREJTONTE NJË PREJ SEKSIONEVE MË TË RËNDËSISHME
TË KOMITETIT EKZEKUTIV MAT

Kontributi i Ing. Ikbale Kurti në transformimin rrënjësor të infrastrukturës së rrethit Mat ka qenë i jashtëzakonshëm. Ajo ishte dhe mbetet personifikimi më i shkëlqyer i gruas drejtuese të asaj kohe, kur vështirësitë ishin të panumërta.
Veçanërisht për dekadën e fundit të sistemit monist (1980-1990) Ikbalja mbahet mend për drejtimin me kompetencë e profesionalizëm të spikatur si Shefe e Seksionit Ndërtim -Komunale - Tregti të ish - Komitetit Ekzekutiv të KP Mat dhe Drejtoreshë e Ndërmarrjes Komunale Banesa e këtij rrethi. Është koha që ajo mbahet mend nga bashkëqytetarët e Burrelit dhe pothuajse në çdo krahinë të Matit për shembullin se si punohet dhe si drejtohet, edhe në rrethana tepër të vështira të një izolimi total të vendit.
Seksioni i Ndërtim – Komunale - Tregti ishte seksioni më me pëshë, me ndikim të drejpërdrejtë në sektorët më jetikë. Por falë profesionalizmit dhe përkushtimit qytetar ajo ja doli të përballojë me dinjitet problemet e plotësimit të nevojave të popullit me shërbimet tregtare e komunale, si furnizimim e popullatës në të gjithë rrrethin, duke ndërtuar disa ujësjellsa, si ujësjellësin e fshatit Val të krahinës Martanesh, ndër fshatrat më të largët të rrethit Mat, ku ekzistonte vetëm një pus që e administronte njëri nga banorët e fshatit. U ndërtuan gjithashtu ujësjellasat: German, Karicë, Madhesh, Shopet, Urakë, shlli-Shqefën-Urxallë-Derjan, Krastë, Stavec, Cërujë, Patin, duke përfshirë edhe katër qytetet: Burrel, Ulëz, Klos e Krastë. Megjithë vështirësitë e tejskajshme të asaj kohe nën drejtimin e saj u punua me aksion për ndërtimin e ujësjellësave të Martaneshit, Shkopetit etj.
Si e vetmja shefe seksioni, njëherësh edhe anëtare e ish-Komitetit Ekzekutiv të KP të rrethit Mat, Ikbalja do të dallohej për mendimin e saj kualitativ në këtë organ vendimmarrës.
Me të njejtin përkushtim Ing.Ikbale Kurti punon edhe në vitet 1991-1997 si inxhiniere në Drejtorinë Arsimore të rrethit të Matit, ku dha shembullin e saj si profesioniste e talentuar në projektimin, ndërtimin dhe rikonstruksionin e shkollave të këtij rrethi me fondet e Komunitetit Europian, fondet buxhetore e ndihma të tjera.
ME VIZION BASHKËKOHOR EDHE NË KËTO VITE
TË TRANZICIONIT TË TEJZGJATUR
Ing. Ikbale Kurti, përgatjen profesionale, talentin dhe përkushtimin ndaj punës do ti dëshmonte më së miri edhe në këto më se tri dekada të këtij tranzicioni të tejzgjatur. Me vizion bashkëkohor ajo do t’i përshtatej demokratizimit të sistemit që fatmirësisht ka ndikuar pozitivisht edhe në demokratizimin e familjes e shoqërisë. Është për t’u vlerësuar përkushtimi i saj edhe gjatë këtyre 30 viteve kur si kryeinxhiniere e Shoqërisë “SIGERS” Sh.p.k ka drejtuar punimet në dhjetra objekte të rëndësishme të metropolit shqiptar, si ndërtim tregjesh: tregu elektro – shtëpiak; tregun e gjësë së gjallë, tregun fruta-perime në rrugën “Mine Peza”; tregun ushqimor te Qyteti i Nxënësve etj. Po ashtu ka drrejtuar punimet në ndërtimin e disa objekteve socialkulturore, si shkolla, ambjente zyrash (Si Qendra e Vizitorëve në Malin e Dajtit), qendra shëndetësore, antena televizive, ndërtim ujësjellësa, ndërtim e asfaltim rrugësh, stacione pompimi për mbrojtjen lumore, ndërtimin e rrjetit shpërndarës 20 kv kabllor, të TM TU kabllor dhe ajror dhe kabinat përkatëse, etj, etj.
Mbas vitit 2005 Shoqëria "SIGERS" SH.P.K me Administrator Z. Muharem Plloçi, realizoi ndërtime pallatesh me investimet e veta. Nga kjo shqoqëri u ndërtuan pallate 5 - 6 - 7 katëshe me papafingo + një kat parkim dhe konkretisht, pallati 2 seksionesh ne Selitë, pranë liqenit Artificial të Tiranës, blloku i pallateve poshtë Teleferikut, blloku i pallateve pranë Thesarit të shtetit Dajt, Rruga “M.Deliu” si dhe dy hidrocentrale me kontratë kocensionare të fituar me tender, si Heci i Lenes Martanesh dhe Heci I Germanit.
NË PROFILIN E INTELEKTUALES BASHKËKOHORE
IKBALE KURTI SPIKASIN VLERAT NJERËZORE
Jeta ka sfida dhe sakrifica, por Ing. Ikbale Kurti është gjithnjë motivuese dhe pretenduese në karrierën e saj. Në përditshmëtrinë e saj ajo është shembulli më i mirë për shoqërinë, si modele frymëzuese e mbresëlënëse që lë gjurmë të pashlyeshme tek çdokush. Shembuj të shumtë pozitiv e frymëzues e kanë shoqëruar përgjatë gjithë trajektores së jetës, duke ndjerë jo vetëm admirim, por edhe vlerësim e respekt të thellë nga shoqëria e saj e shumtë, kudo në Lushnjë, Mat e Tiranë. Kësisoj Ing. Ikbale Kurti është më shumë se një fenomen njerëzor. Imazhi i mrekullueshëm i kësaj gruaje me shtat të vogël e të brishtë, me fytyrën paqësore e të dhembshur, gjithmonë më ka magjepsur e frymëzuar. Portreti i saj amësor, i butë e i ëmbël, i shoqëruar me gjeste të përkushtimit dhe përulësisë njerëzore ka inspiruar shoqërinë e saj kudo ajo ka punuar e drejtuar, duke ndikuar ndjeshëm në formëzimin e karakterit dhe të personalitetit njerëzor si qenie humane. Ajo mbetet padyshim etalon i gruas së përveçme, e destinuar për të qenë një misionare e patjetërsueshme e krijesës njerëzore. Së pari, bashkëshorte e nënë shembullore e dy fëmijëve të mrekulleshëm, vajzës Greta e djalit Elti.
Ikbalja, inxhiniere, drejtore e shefe seksioni në Komitetin Ekzekutiv, kushedi sa herë iu ka munguar kur ata ishin të vegjël për t’i ushqyer e vënë në gjumë, për t’i përcjelll në shkollë e pritur përsëri. Por ndonëse, ajo dhe bashkëshorti ideal dr. Saliu, sakrifikuan gjithçka për punën dhe detyrat, edhe Greta e Elti u bënë të mirë, të shkolluar, të ditur, të aftë dhe të njohur, të përkushtuar në detyrat që mbajnë, modele të shkëlqyer i dy prindërve të vet, duke ju dhuruar nipër e mbesa që ua shtojnë gëzimin, harenë e lumturinë.
Veç të tjerash, në profilin e Ing. Ikbale Kurtit spikasin vlerat njerëzore. Personaliteti dhe karakteri i saj në asnjë rast nuk devijoi, por u shpalos me dinjitet për më shumë se tri dekada në funksion të realizimit të programit zhvillimor të rrethit të Matit. Ishte nga të parat që i fali shpirtin dhe zemrën ëndrrës së dëshiruar në vite. Në këtë përditshmëri, ajo mbetet një nga figurat më interesante si përfaqësuese e elitës intelektuale shqiptare.
Dhe jo vetëm kaq, si intelektuale bashkëkohore, demokracinë e konsideronte dhe e konsideron sfidë ndaj sistemit që u shemb; sfidë në dinjitet, në vlerë, në përpjekje, në arritje. Thelbi i mendimit dhe veprimit të saj ishte dhe është vetëm konkurrenca në vlera. Ajo besoi dhe dëshmoi se njeriun në jetë e mban vetëm dija. Një miqësi me dijen nuk ka moshë, por mbetet e përjetshme.
E qetë, e pjekur, shumë e kulturuar, nuk pajtohej dhe nuk pajtohet me asnjë devijim nga parimet e virtytshme dhe njerëzore. Shpërthyese dhe autoritare në ndëshkimin e saj individual, sepse përherë qëndronte dhe qëndron në vendin e nderit, sinqeritetit dhe dinjitetit. Kuptohet, ajo ishte dhe është individ dhe jo institucion, por idetë dhe praktika e saj mund t’i shërbenin dhe i shërbejnë shumë një institucioni, një misioni. Këto cilësi i manifestoi dhe po i manifeston dukshëm edhe tani në sistemin e ekonomisë së tregut.








Comments