top of page

Halil RAMA: Elita gjirokastrite në librin e prof. dr.  Hajri Shehut



 

Halil RAMA – Mjeshtër i Madh

 

·      Si askush tjetër, profesor Hajri Shehu evidenton veçori specifike edhe në profilin krijues të Kadaresë, për të cilin, ndër të tjera shkruan: “Të jesh gjeni i gjuhës, do të thotë ta zgjedhësh e ta përzgjedhësh shumë fjalën për kontekstin tënd (p.sh: sinonimet), të zgjedhësh e të përzgjedhësh bashkëlidhjet reale, tipike të fjalëve, fjalëformimet mbi bazën popullore të gjuhës dhe sepcifikisht për shqipen, të vjelësh fjalën popullore, duke zbatuar standardin. Ai ka mbi 60 vjet që e bën këtë. Dhe gjeniu respektohet. Respektohet duke i zgjedhur thëniet tona sipas modelit të gjeniut. Dhe duke i pasqyruar në vepra gjuhësore kodifikuese (fjalorë). Në fjalorin e gjuhës shqipe, fjalët arkëmort, dehashpirt, e shumë të tjera  janë formime të Ismail Kadaresë”.

 

 

 

Mirënjohja, si shprehja më e bukur e karakterit të njeriut, gjen mishërim të plotë në librin e prof. dr. Hajri Shehut “Për Gjirokastrën dhe nxënësit e Gjirokastrës”.  Gjuhëtari dhe leksikografi i njohur, i vlerësuar si “një personalitet i heshtur i gjuhësisë shqiptare”, 35 vjet punonjës shkencor në Institutin e Gjuhësisë dhe të Letërsisë të Akademisë së Shkencave (1971-1993 dhe 1997-2010),  kurrsesi nuk mund t’ia linte “harresës” tri vitet kur shërbeu si mësues i gjuhës angleze në Gjirokastër (1966-1968) në  shkollën 12-vjeçare “Koto Hoxhi” dhe në gjimnazin “Asim Zeneli”. Kjo edhe për faktin se këtu njohu dhe studioi më nga afër veprat krijuese të elites gjirokastrite. Dhe kështu, pas një pune përkushtimore disavjeçare, prof. Shehu botoi librin me kujtime “Për Gjirokastrën dhe nxënësit e Gjirokastrës”.  Dhe jo rastësisht, por sepse siç shkruan autori në këtë vepër (fq.58), “Gjirokastra ka pasur e ka shtetarë, ministra dhe zëvendësministra. Veprimtarë. Profesorë. Pedagogë. Pionierë të arsimit kombëtar. Intelektualë të përmasave të mëdha. Emrin ta bën vepra, nuk ta bën rangu. Këta janë ata që emrin ua ka bërë vepra dhe puna…”.

Dhe jo rastësisht, prof. Shehu evidenton, jo një e dy, por 58 nga dijetarët e Gjirokastrës (veprimtarë të Rilindjes Kombëtare, Heronj të Popullit, akademikë, historianë, gjeografë, gjuhëtarë, përkthyes, poetë, mjekë, ushtarakë etj), me të cilët ka pasur të bëjë ose që ua njeh veprën. Radhitja është sipas rendit alfabetik.

Duke i hyrë në “hak”, po veçoj disa prej tyre, që edhe unë i kam njohur ose I kam studiuar.

Eqrem Çabej, Profesor, Akademik, Etimolog e historian i gjuhës, Mësues i Popullit, Nderi i Kombit; Ismail Kadare, Shkrimtar i Madh, Akademik; Musine Kokalari, Prozatore; Aleksandër Meksi, Profesor, Historian i Artit, Agim Shehu, Poet, Kritik letrar, Studiues; Fatos Tarifa, profesor, Ambasador; Katjusha Pogaçi, Poete, Kulturologe, Veprimtare për emancipimin e gruas…

Por, më së miri, me këta emra të elitës gjirokastrite na njeh prof. Hajri Shehu, bashkautor në veprën madhore “Fjalor i Gjuhës së sotme shqipe” (1980), nderuar me  Çmimin e Republikës.

Në shkrimin me titull “Një fjalë e dytë për breza e brezatarë dijetarësh”, ai ka ditur të përveçojë  anë të panjohura të këtyre personaliteteve. Kështu, për akademikun Eqrem Çabej “Nderi i Kombit”, ndër të tjera ai shkruan: “I madhi Çabej. I madhi etimolog dhe historian i gjuhës shqipe. Ishte shkencëtar i përmasave europiane. Por një njeri aq i thjeshtë. Kur i përshëndeste në mëngjes vajzat e Institutit – punonjëse tekniko-shkencore a skedariste, hiqte kapelën. Zbriste vetë në bibliotekë dhjetëra herë në ditë për t’u konsultuar me fjalorë, kur ato mund t’ia sillte në zyrë një nga punonjëset tekniko-shkencore të sektorit…”.(fq.63).

Profesor Hajri Shehu evidenton veçori specifike edhe në profilin krijues të Kadaresë, për të cilin, ndër të tjera shkruan: “Të jesh gjeni i gjuhës, do të thotë ta zgjedhësh e ta përzgjedhësh shumë fjalën për kontekstin tënd (p.sh, sinonimet), të zgjedhësh e të përzgjedhësh bashkëlidhjet reale, tipike të fjalëve, fjalëformimet mbi bazën popullore të gjuhës dhe sepcifikisht për shqipen, të vjelësh fjalën popullore, duke zbatuar standardin. Ai ka mbi 60 vjet që e bën këtë. Dhe gjeniu respektohet. Respektohet duke i zgjedhur thëniet tona sipas modelit të gjeniut. Dhe duke i pasqyruar në vepra gjuhësore kodifikuese (fjalorë). Në fjalorin e gjuhës shqipe, fjalët arkëmort, dehashpirt, e shumë të tjera janë formime të Ismail Kadaresë”.

Nga një këndvështrim real dhe objektiv e përshkruan profesor Shehu edhe Alizot Emirin, librar. Si një burrë mjaft komunikues e mjaft miqësor, që e bënte mjaft mirë propagandën për librin në librarinë, kur ngjiteshe për te Qafa e Pazarit. Dhe nuk ngurron të shprehë kënaqësinë të thotë që bagazhi i tij më i rëndë, kur është transferuar nga Gjirokastra, ka qenë ai i librave. I librave ku shiste Alizoti…Kësisoj, qoftë dhe me këtë portretizim të Alizot Emirit, profesor Shehu – autor i mbi 100 artikujve shkencorë në disa revista shkencore dhe katër monografive, (në kohën e sotme kur pranohet se është zbehur interesimi për librin) ju vjen në ndihmë librarëve të sotëm për të përsosur metodën e punës së tyre për propagandimin e librit.

Profesor Hajri Shehu ka vlerësim të veçantë për gjuhën. Si gjuhëtar, në shkrimin, “Pak për mësimin e gjuhës së huaj”, referuar Rusoit, ndër të tjera, shkruan: “Mendja ka formën e saj të veçantë në çdo gjuhë. Mendimi i njerëzve formohet nga mënyra si flasin. Mendimet e tyre ngjyrosen nga gjuha e tyre…Nëse flet gjuhën standarde, do të thotë se je bashkaatar me bashkësinë (që e flet atë)”.

Në librin e tij “Për Gjirokastrën dhe nxënësit e Gjirokastrës”, autori shkruan edhe për Ylli Asllanin, fëmija i tretë i familjes së pedagogut të njohur Muzafer Asllani dhe edukatores Nejme Asllani. Për këtë personalitet të njohur gjirokastrit, prof. Hajri Shehu, ndër të tjera shkruan:  “Në aktivitetin e tij publik, si president i Agjencisë së Mbështetjes së Infrastrukturës Vendore (AMIV), ka realizuar mbi 40 projekte në lëmin e demokratizimit të shoqërisë civile, përmirësimit të cilësisë së jetesës, infrastrukturës dhe zhvillimit rajonal, duke qenë partner me një varg programesh të Bankës Botërore, USAID-it, Europian Aid, Crossborder, IOM, UNHCR, OSBE, Fondacionit “Soros”, Interreg 2-3, Komisioni për Demokraci (U.S. Embassy), REC, Partners of Albania”etj.

Dhe po në këtë faqe (253) jep disa detaje simbolike për karakterin e Haxhiart Asllanit, që qe shumë i talentuar dhe ndër inxhinierët mekanikë  më të aftë në vend.

Dhe kështu, lexuesi mund të mësojë në këtë libër për dhjetëra personalitete të elitës gjirokastrite me kontribute kombëtare e ndërkombëtare. Ashtu siç mund të njihet me vlerësime për “Bukuritë ndërtimore të Gjirokastrës”. Lexuesi mund të befasohet me fjalën artistike të autorit në shkrimet: “Nga Peshkopia në Gjirokastër”, “Në shkollën “Koto Hoxhi”, “Dheu i Gjirokastrës”, “Lagje, shtëpi dhe emra”, “Kultura gjirokastrite”, “Gjirokastra – qytet i muzeve dhe bibliotekave”, “Gjirokatra e dijetarëve”, “Katër kompozitorët”, “Arkeologë për Gjirokastrën”, “Për gjashtë pushtetarë dhe partiakë”, “Kolegë e kolege të shkollave ‘Koto Hoxhi’e ‘Asim Zeneli”. Për këta të fundit mjafton qoftë dhe perifrazimi në hyrje të librit: “Me kënaqësi të veçantë shpreh mirënjohjen time të përzemërt për kolegët – Dashamir Gega e Mineko Labi dhe për ata ish-nxënës e ato ish – nxënëse – Dhimitër Doko, Harallamb (Lame) Qirko, Katjusha Latifi (Pogaçi), Niko Rogo, Odhise Çerkezi,  Pirro Millona, Tatjana Elmazi (Kora), Tatjana Karagjozi (Çene), Ylli Asllani, Ylli Xhakollari, që sollën fjalën e tyre në këtë libër”.  

Për vetë vlerat ideoartistike e shkencore që bart, ky libër pa asnjë mëdyshje kjo vepër mund të konsiderohet si një përmendore për elitën gjirokastrite. Qoftë vetëm me këtë lexim, jam i një mendjeje me prof. dr. Eshref Ymerin për vlerësimin e profesor Hajri Shehut si një intelektual-shkencëtar me një botë mjaft të pasur shpirtërore, i thjeshtë si e vërteta, të cilin ke kënaqësi ta dëgjosh kur bisedon shtruar, pa folur kurrë për vetveten.

 



 

Pak radhë për prof. dr. Hajri Shehun

 Ka lindur më 10  qershor 1942 në fshatin Vleshë të qarkut të Dibrës. Ka mbaruar shkollën e mesme pedagogjike në qytetin e Peshkopisë. Gjatë vitit 1961 ka qenë student i Istitutit të Gjuhëve Lindore në Moskë. Pasi Hrushovi i ndërpreu të gjitha marrëdhëniet me vendin tonë, ai u kthye në atdhe dhe në vitin 1965 i përfundoi studimet e larta në degën e gjuhës angleze të Fakultetit të Historisë dhe të Filologjisë të Universitetit të Tiranës. Në periudhën mes viteve 1965-1966 dhe 1968-1970, ushtroi detyrën e mësuesit të gjuhës angleze në qytetet e Peshkopisë dhe të Gjirokastrës. Meqenëse gjatë kësaj periudhe kishte shfaqur interesim të veçantë në lëmin e studimeve gjuhësore, drejtori i Institutit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë, prof. Androkli Kostallari, u interesua në strukturat përkatëse shtetërore për ta tërhequr në Institutin në fjalë. Kjo u bë e mundur në vitin 1971, kur ai filloi punën në Sektorin e leksikologjisë të Institutit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë të Akademisë së Shkencave. Në këtë Institut ai punoi vite të tëra (1971-1993, 1997-2010), derisa doli në pension.

Prof. dr. Hajri Shehu ka veprimtari të pasur shkencore, si filolog, si përkthyes e si hartues tekstesh mësimore për gjuhën angleze. Ai është bashkautor dhe autor i 22 fjalorëve të gjuhës shqipe dhe të fjalorëve anglisht-shqip, shumica të botuar dhe ca në dorëshkrim, por që po përgatiten për në shtyp. Është autor i disa monografive dhe i më shumë se 100 artikujve shkencorë dhe katër monografive, kushtuar problemeve të gjuhës së sotme letrare shqipe, të leksikologjisë, të leksikografisë dhe të fjalëformimit. Është anëtar i Euraleksit (Shoqata Europiane e Leksikografëve). Është në librin Ndërkombëtar të Biografive, Kembrixh.

17 views1 comment

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page