top of page

Halil RAMA: Dr. ASTRIT GJUNKSHI PËRFAQËSOI DENJËSISHT SHQIPËRINË NË NATO

ree

HOMAZH


Ishte Drejtor i Kabinetit Pedagogjik të rrethit Dibër, detyrë të cilën e kreu me profesionalizëm të lartë

 

Halil RAMA – Mjeshtër i Madh


·      Në harkun kohor të tri dekadave (1995-2025), Dr. Astrit Gjunkshi ka krijuar, botuar dhe promovuar disa vëllime me poezi, prozë dhe esse&refleksione. Kësisoj, ky autor, me korpusin e tij letrar, që përfshin 23 tituj librash, zë vend të veçantë në historinë e letërsisë shqipe…

 

Për të gjithë ata që e kanë njohur nga afër, familjarë, të afërm, miq e shokë apo që kanë bashkëpunuar me të, lajmi i ndarjes nga jeta të Prof. Astrit Gjunkshit, krejt papritur më 17 dhjetor 2025, qe vërtetë i trishtë.

Astrit Gjunkshi ishte dhe mbetet një nga përfaqësuesit dinjitozë të elitës dibrane në metropolin shqiptar, mishërues dhe përçues i vlerave më të mira njerëzore, intelektkuale, profesionale dhe krijuese.

 

PAK NGA KARRIERA PROFESIONALE

 

ree

Ai  ka lindur në qytetin e Peshkopisë më 25 Qershor 1951. Fëmijërinë e kaloi në lagjen “Treg”. Kreu shkollën fillore në Ushtrimoren pranë Pedagogjikes ndërsa 7 - vjeçaren e mbaroi në shkollën “Demir Gashi” dhe shkollën e Mesme në gjimnazin e qytetit.

Bashkënxënësit, (ndër të cilët Dr. Ilir Pitarka), e kujtojnë si nxënës të shkëlqyer dhe shumë të shoqërueshëm me moshatarët e tij. Gjimnazin e mbaroi me rezultate të shkëlqyera në vitin 1969.

Studimet universitare dhe pasuniversitare për matematikë i kreu me rezultae të mira në Universitetin e Tiranës. Po ashtu kreu kualifikime për psikologji, didaktikë e pedagogji.

Ky formim profesional i nivelit të lartë do t’i shërbente  në kryerjen e detyrave të rëndësishme funksionale. Si Drejtor i Shkollës së Mesme të Përgjithshme Kastriot për afro një dekadë, u dallua për organizimin mirëfilltazi të punës mësimore edukative dhe edukimin e brezit te ri.

Si drejtues me vizion e talent e bëri këtë shkollë ndër më konkurrueset në shkallë rrethi.

Edhe si mësues i matematikës ishte shumë i përkushtuar që të jepte më të mirën në lëndën e tij.

Më pas kaloi në shkollat e qytetit të Peshkopisë si drejtues dhe mësues matematike.

Për aftësitë e tij organizative dhe përkushtimin në punë u emërua drejtor i Kabinetit Pedagogjik të rrethit Dibër,  detyrë të cilën e kreu me profesionalizëm të lartë.


DR. ASTRIT GJUNKSHI, PERSONALITET ME RREZATIM MBARËKOMBËTAR

 

Dr.Shk.Astrit Gjunkshi, i priti me kënaqësi dhe u bë pjesë e  zhvillimeve të vrullshme demokratike të pas ’90-tës duke ndikuar drejpërdrejtë në ndryshimet epokale të asaj periudhe. Kështu, në vitin 1994 emërohet Drejtor i Mardhënieve me Jashtë në Ministrinë e Mbrojtjes, detyra të tjera në Ministrinë e Jashtme, si diplomat në Bruksel, në NATO etj.

Karrierës së tij i bashkëngjiten edhe kualifikimet dhe trajnimet në universitetet prestigjioze në Britaninë e Madhe, SHBA, Gjermani, Itali, për çështje të Sigurisë, mjedisit, diplomacisë, globalizmit etj, të cilat i kanë shërbyer në punën e tij në diplomaci.

U doktorua për Siguri Globale pas marrjes së gradës Master i Shkencave në Universitetin e Cranfield, në Britaninë e Madhe dhe përfundimit të Kolegjit të Mbrojtjes të NATO-s në Romë.

Ai ka shërbyer edhe si Ministër  këshilltar në Delegacionin e Përhershëm të Shqipërisë në NATO, Bruksel, pasi kishte kryer kualifikime për  diplomacinë e Mbrojtjes në SHBA, Zvicër, Gjermani, Itali, Belgjikë; studime në Kolegjine  Mbrojtjes së NATO-s në Romë; Master i Shkencave për Siguri Globale në Universitetin e Cranfield, në Britaninë e Madhe etj.

Para disa vitesh. Dr. Astrit Gjunkshi u vlerësua nga Akademia Shqiptaro-Amerikane e Shkencave dhe Arteve Nju Jork, nga e cila ju akordua titulli: “Akademik”, si Dr.shkencave për Sigurinë dhe si Shkrimtar.

 

VEPRA KRIJUESE E ASTRIT GJUNKSHIT

 

Në harkun kohor të tri dekadave (1995-2023), Dr. Astrit Gjunkshi ka krijuar, botuar dhe promovuar disa vëllime me poezi, prozë dhe esse&refleksione. Kësisoj, ky autor, me korpusin e tij letrar, që përfshin 23 tituj librash, zë vend të veçantë në historinë e letërsisë shqipe.

Nga një vështrim i përgjithshëm, krijimtaria e tij mund të analizohet në tri dimensione: si poet, prozator dhe esseist.

Nëse librin e tij “Koha e dashurive të munguara” do ta vlerësoja, jo vetëm për titullin intrigues, por për lëndën që të tërheq që në fillim dhe të mbërthen në leximin e të gjitha poezive, për vetë formën e veçantë kompozicionale me katër kapitujt e tij, tek libri i tij “Trokitje të fjalës së bardhë” (2023, dallojmë lehtësisht tri dimensionet e mësipërme. Në këtë libër të këtij autori ka dhe poezi, përmbajtja e të cilave rrok hapësira të gjera dhe përfshin gjithçka që ka të bëjë me jetën.

ree

Në librin me 200 faqe “Trokitje të fjalës së bardhë”, autori ka përfshirë edhe kapitullin “ESSE & REFLEKSIONE”, ku në 56 faqe, atë e shohim edhe si politologun e vëmendshëm që trajton me kompetencë e profesionalizëm tema që lidhen me dukuri e fenomene të ndryshme jetësore. Dhe jo vetëm kaq, por duke përdorur argumentin bindës A.Gjunkshi përçon koncepte të reja filozofike (të krijuara nga vetë ai). Më evidente këto tek “INSTITUCIONI I SFIDUAR I PATRIOTIZMIT”, ku ndërsa shprehet se “Shumica e shqiptarëve ndjehen krenar për atdheun, sepse ai përfaqëson themelin e identitetit të tyre”, shpjegon edhe konkluzionin se “nuk mjafton atdhedashuria për t’u konsideruar patriot i vërtetë”. Dhe duke bërë një paralelizëm me spektrin e dritës, ai argumenton se “Në një farë mënyre, krenaria kombëtare përbën vetëm pjesën e fillimit të spekrit të patriotizmit”. Kjo sipas tij për faktin se “kombi shqiptar, ka aq shumë probleme, dhe jeta e shqiptarit ka aq shumë vështirësi, për të cilat nuk duhet të jemi krenar”. E në këtë aspskt ai rendit “emisione televizive, të cilat paraqesin shqetësimet e mëdha dhe vuajtjet e personave, familjeve, apo komuniteteve të ndryshme në Shqipëri, dhe në trojet shqiptare përgjithësisht. Shikon përditë kronika krimesh nga më të ndryshmet, që nga trafiku i drogës e deri te krimet brenda familjes. Kafenetë janë të mbushura plot nga të papunët dhe popullsia e atdheut pëson përditë hemoragji nga emigrimi i rinisë. Ndonëse varfëria nuk është e re për shqiptarin, shikon familje, afër dhe larg kryeqytetit, ku ajo është aq e skajshme sepse nuk ka asnjë burim të ardhurash për nevojat bazë, si ushqimi dhe ilaçet. Shikon fermerë të rrënuar, të cilët vuajnë jo nga dembelizmi, por sepse u kalbet prodhimi, për shkak të mungesës së pikave të grumbullimit...”.

Nga kritika letrare është vlerësuar edhe krijimtaria e Astrit Gjunkshit në prozë. Nëse në këtë gjini letrare ka bërë emër me romanin “Hirushja Pellazge” (2019) dhe me vëllimin me tregime e novela “Ishujt e vetevetes – Vallëzimi i katërt i dashurisë” (2021), sërish në këtë triptik ai sjell dy tregime ku shpaloset madhështia e fjalës së tij artistike.

Si përfundim do të evidentoja faktin se ai iku për në botën e përtejme duke na lënë një trashëgimi të pasur të  krijimtarisë së tij letrare:  me mbi 20 libra artistik: (katër në prozë -romane, novela e tregime, autobiografi, fjalë të urta, esse artistike) dhe disa tjerë  në poezi (vjersha, poema, drama poetike e fabula). Padyshim që dr.Astrit Gjunkshi radhitet ndër shkrimtarët më produktive, dhe pse jo edhe më cilësorë të 30 viteve të fundit. Kësisoj vepra e tij letrare hyn me dinjitet në fondin e artë të letërsisë shqipe.

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page