top of page

Halil RAMA: ARIF VLADI KËNGËTARI I LIRISË SË KOSOVËS

  • 2 hours ago
  • 11 min read

 

 

Këngët “Marshi i UÇK” dhe “Jam Kosova e shqiptarisë”, dy krijime që kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në gjithë shqiptarinë

 

ARIF VLADI KËNGËTARI I LIRISË SË KOSOVËS

 

 

Halil RAMA – Mjeshtër i Madh

 

 

Si e vlerësojnë Arif Vladin, kompozitori i mirënjohur Edmond Zhulali, tenori famoz Kastriot Tusha,  poeti, muzikologu e koreografi Avni Ndreu dhe Mjeshtri i Madh Muharrem Gjoka, President i Ansamblit Artistik “Hazis Ndreu”- “Nderi i Kombit”…

 

Strukturat përkatëse shtetërore në Tiranë, Dibër e Prishtinë, në kuadrin e 70-vjetorit të ditëlindjes së tij (3 shtator 1956 - 3 shtator 2026) duhet ta vlerësojnë këtë personalitet emërndritur të kulturës sonë kombëtare, qoftë dhe duke mbështetur financiarisht projekte për koncerte recitale të tij…

 

       

 

Në 50 vitet e fundit, Artisti i Merituar dhe Mjeshtri i Madh, Arif Vladi është ndër emrat më të njohur për interpretimin mjeshtëror të këngës epiko-lirike shqiptare. Jo më kot, kompozitori i mirënjohur Edmond Zhulali, vlerëson se Arifi është një ndër këngëtarët më të  spikatur të muzikës shqiptare, me një karierë të gjatë e të suksesshme, duke qenë gjithonë pranë publikut shqiptar me vokalin e tij tejet të veçantë.

 “Moj Kosovë o djep lirie/ Çdo kulm shpie një bajrak/ UÇK të paska hije/ Për atdhe po derdhet gjak…”, një performancë shumë e veçantë kjo, e një artisti me dhunti e talent të rrallë, për një publik po krejt të veçantë në interpretimin e “Marshit të UÇK-së”.

Gjithkush që dëgjon zërin brilant të Arif Vladit në këtë refren kushtrimor e identifikon atë si artistin famoz në repertorin e të cilit cilit Kosova zë një vend qendror, duke reflektuar historinë e lavdishme dhe heroike të UÇK-së. Zëri i tij unik e ka bërë që gjithmonë të pëlqehet dhe të jetë ndër këngëtarët më të kërkuar kur bëhet fjalë për këngët kushtuar atdheut.

Kënga e tij e parë për Kosoven është “O prite Azem Galicën”, për të vijuar ndër vite e dekada, në skenat madhështore të Prishtinës, Prizrenit e Gjakovës, Tiranës e ngado në hapësirën mbarëshqiptare në botë, me interpretimin e veçantë të këngëve "Sef Kosharja”, “⁠Shote Galica”, “⁠Jakup Ferri” e “⁠Jam Kosova e Shqiptarisë”.

Padyshim që interpretimi mjeshtëror ndër vite e dekada i këtyre këngëve epike me zërin e tij kushtrimor, do ta rendisnin Arif Vladin me zërat e lavdisë shekullore. Sepse Ai si askush tjetër ka kënduar për historinë tonë të lavdishme. Kësisoj me performacën e shkëlqyer artistike dhe zërin brilat krejt të veçantë, me këngët e tij për Kosovën e pavarësinë e saj, është mishëruesi dhe përçuesi më i mirë të gjitha vyrtyteve të popullit shqiptar, psikologjisë e shpirtit luftarak e liridashës.

 

 

EDHE SOT “MARSHI I UÇK” MBETET NJË NDËR KËNGËT

MË FRYMËZUESE PËR POPULLIN E KOSOVËS

                                 

Kompozitori i mirënjohur Edmond Zhulali - “Kalorës i Urdhërit të Skënderbeut”, i cili ka patur  një bashkëpunim të madh me Arifin, si në kohë ashtu edhe në punët e shumta që kanë realizuar së bashku, veçon këngët “Marshi i UÇK” dhe “Jam Kosova e shqiptarisë” si dy krijime që kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në gjithë shqiptarinë, duke evidentuar edhe bashkëpunëtorët e tij të paharruar Agim Doçi e Gjoke Beci, si poetë të këngës.

“Punët e para datojnë kur unë isha Drejtues Muzikor në Estradën Profesioniste të qytetit të Peshkopisë duke realizuar shumë këngë të reja koncerte recitale e mjaft rregjistrime në RTSH, që edhe sot mbeten ikona të papërseritshme të këngës shqiptare”, shprehet kompozitori Zhulali, duke e vlerësuar Arifin si një artist që kryesisht ka lëvruar këngën epike shqiptare dhe i ka dhënë asaj një dimesion të rrallë e profesional, si nga ngjyra e vokalit ashtu edhe nga karakteri i veçantë që ka ajo rrymë muzikore. Kjo për faktin se në karieren e tij ka interpretime  që kanë lënë gjurmë të mëdha e sidomos në kohë  të vështira që ka kaluar kombi shqiptar, duke mbajtur lart ndërgjegjen kombëtare si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë.

Pasi evidenton bashkëpunimin për një kohë të gjatë e deri në ditët e sotme, kompozitori Zhulali shprehet se “Arifi ka realizuar një interpretim brilant të tyre duke i bërë ato ndoshta këngët më të dashura në luftën e Kosovës 1998-99 e duke patur një ndikim të jashtëzakonshëm në ditët e vështira për mbarë kombin shqiptar dhe duke mobilizuar e frymëzuar mbarë popullin e Kosovës në luftën e tij për liri. Nuk përshkruhen me fjalë  emocionet që krijonte me zërin e tij, me këto këngë në me së 80 koncerte humanitare në 16 shtete të Europës, ku i kemi përcjellë së bashku këto momente të jashtezakonshme”. Sipas kompozitorit famoz E. Zhulali, edhe sot “Marshi i UÇK” mbetet një ndër këngët më frymëzuese për popullin e Kosovës.

Arif Vladi ka interpretuar shumë krijime si me Estradën Profesioniste të Peshkopisë ku spikasin këngë të kompozuara nga kompozitorët Perparim Tomçini, Edmond Zhulali, me Ansamblin e Këngëve e Valleve Popullore dhe në koncerte të ndryshme në diasporë, por gjithmonë, sipas E.Zhulalit, do mbetet si këngetari që i kendoi aq shumë Kosovës e çeshtjes sonë kombëtare, e duke qenë gjithmonë i vlerësuar e mirëpritur nga mbarë  publiku shqiptar kudo që ndodhet.

 

KOLONA ZANORE E UÇK QË UDHËHOQI LUFTËTARËT

NDËR BETEJA TË PËRGJAKSHME

                                     

Në të njetën linjë me kompozitorin Zhulali, edhe tenori i famshëm Kastriot Tusha që ka treguar aftësi të këndimit brenda e jashtë vendit në shumë zhanre dhe turne, e quan për nder, të flasë për artistin e madh Arif Vladi që i ka kënduar Epopesë së lavdishme të UÇK. Ai vlerëson zërin e bukur me një timbër të pastër tenori të Arif Vladit,  si dhe  një repertor të gjerë të tij, nga këngët epike dhe ato lirike… “Me zërin e tij, me këngën e tij, luftëtarët e lirisë janë futur në beteja dhe mbi të gjitha Arifi karakterizohet për patriotizmin dhe profesionalizmin e tij… Kam pas nderin ta kem në krah si koleg dhe si mik të mirë …Ështe shembulli më i mirë për brezin e ri të artistëve”, vlerëson tenori Kastriot Tusha. 

Ndërsa muzikologu Avni Ndreu, themelues dhe drejtues i Ansamblit Artistik “Hazis Ndreu”- “Nderi i Kombit”, vlerëson se jo më kot Arif Vladi është quajtur kolona zanore e UÇK-së që udhëhoqi në beteja të përgjakshme luftëtarët e saj dhe ku disa prej tyre dhanë dhe jetën me këngët e tij në gojë.

Arif Vladi është zëri brilant i Kombit, që shpalos vlerat vokale autentike në nivelin më të lartë artistik. Zëri i Arif Vladit përfaqëson shpirtin e një kombi, që e bën të dallueshëm nga kombet e tjera. Sa herë dëgjojmë këngët e tij përjetojmë emocione të veçanta, emocione që të ngjethin e herë herë të flakërojnë shpirtin”, shprehet Avni Ndreu. Ai e vlerëson Arif Vladin si ndër të rrallët lirik (këngëtar) që artin e tij e ka vënë në themel të patriotizmit e atdhedashurisë, si lirikun që i ka falur me dhjetra këngë e lirika, perla të papërsëritshme spektatorit.

“Në gjurmët e artistëve më në zë të Dardhës, Muharrem Xhediku e Hazis Ndreu, si askush tjetër Arifi, me talent të rrallë arriti të përvetësoje dhe interpretojë mjeshtërisht folklorin dibran e atë mbarëkombëtar, mbështetur në rrënjët popullore e kombëtare. Madje, përvetësimi dhe interpretimi me ndjenjë i këngës epike dibrane do të ishte faktori bazë i formimit të tij artistik”, pohon Mjeshtri i Madh Muharrem Gjoka, President i Ansamblit Artistik “Hazis Ndreu”-“Nderi ï Kombit, udhëheqës artistik i të cilit është Arif Vladi.

 

SI JA NDËRPRENË KARIERËN ARTISTIKE AUTORITETET VENDORE

TË DIBRËS PAS DIPLOMIMIT NË DEGËN E KANTOS….

                             

 Arif Vladi ka lindur dhe është rritur në Lurë, në një mjedis ku muzika popullore dhe kënga epike ishin pjesë e përditshmërisë. Që në moshë fëmijërore ai tregoi prirje të veçantë për këndimin, duke u ushqyer artistikisht nga folklori shqiptar, baladat dhe këngët që përcillnin histori trimërie, sakrifice dhe dashurie për atdheun.

Ka lindur në Lurë në familjen Vladi, një familje e shtrirë në katër fshatra të Lurës, ku të gjitha kanë dalë nga një oxhak.

Është lindur nga dy prindërit Demir Vladi dhe Shkurte (Simoni) Vladi) në 3 shtator 1956. 

Që kur ishte 10 vjeç ka kënduar në grupin artistik të shkollës dhe ka përfaqësuar shkollën e Lurës në festivalin që organizoj në rang rrethi të Dibrës në qytetin e Peshkopisë. 

Në moshën 12 vjeç ka përfaqësuar Dibrën në festivalin kombëtar në Tiranë.

Shkollën 8- vjeçare e ka kryer në vendlindje, ndërsa ka studjuar dhe është diplomuar në Shkollën e Mesme të Kulturës në Tiranë, dega muzikë. Më pas ka punuar për një vit si mësues muzike në Lurë. Por kurrësesi nuk do të mjaftohej vetëm me këtë nivel shkollimi, por do të fitonte konkursin në Akademinë e Arteve në Tiranë, ku do të diplomohej shkëlqyeshëm në degën e  kantos. Për talentin e tij të rrallë të shpalosur në disa koncerte, Arif Vladi, pas diplomimit në Akademinë e Arteve do të punonte për dy vite radhazi në Ansamblin Shtetëror të këngëve dhe Valleve në Tiranë, karrierë të cilën do t’ja ndërprisnin autoritet vendore të Dibrës, duke insistuar deri në qverinë e asaj kohe për ta tërhequr në Estradën Profesioniste të Pëshkopisë. I dha asaj emër me talentin e performancën e shkëlqyër për disa vite derisa në vitin 1990 u larguar jashtë Shqipërisë si i pavarur.

Duke marrë stafetën e një historie të shkëlqyer muzikore nga legjenda Hazis Ndreu, interpretimi i këngës epike nga Arif Vladi mbushte me krenari çdo shqiptar, edhe në një kohë të vështirë kur kënga epike nuk shihej me sy të mirë nga diktatura, sepse i bënte hije përpjekjes shpirtvogël për ta zëvendësuar trashëgiminë muzikore të vendit me këngët për kultin e diktatorit.

 

KËNGËT E ARIF VLADIT, KËNGË TË QËNDRESËS

E MBIJETESËS


 

Këngët e Arif Vladit janë këngë të qëndresës, këngë të mbijetesës, prandaj edhe kumbonin e kumbojnë kudo, si hymne që bartin krenarinë dhe vetëdijen se folklori e historia jonë do të triumfonte mbi përpjekjet e diktaturës për zvetënimin e “njeriut të ri”, shqiptarit të kthyer në skllav.


Repertori i tij është i larmishëm, që nga këngët për fëmijë e deri të ato profesionale të krijuara nga kompozitorë të njohur profesionistë, si dhe me tekste të poetëve të mirënjohur të këngës Gjok Beci e Naim Plaku. Ndaj dhe ka të drejtë të krenohet sepse këngët e tij janë në veshin e dëgjuesit që nga rinia e deri sot, si dëshmi e pasionit, përkushtimit dhe talentit të rrallë që ka treguar ndër vite në ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë sonë kombëtare..  

Kulmin famës e arriti në vitet e fundit të shekullit XX. Përhapja e famës së Arif Vladit në Shqipëri, Kosovë, Maqedoninë e Veriut dhe Diasporë, u bë me punimin e këngëve “O prite Azem Galicën”, “Hajredin Pasha ku e le ushtrinë”, “Jakup Ferri me bajrak”, “Sefë Kosharja i pari i fisit”, “Jam Kosova e shqiptarisë”, “Marshi i UÇK-së”, etj. Si talent i rrallë i këngës shqipe, ka marrë pjesë në shumë turne ndërkombëtare, si në Francë (1980), Zvicër (1981), Gjermani Perëndimore (1983), Algjeri, Tunizi (1984), Itali, Austri (1985), Egjipt (1989), etj. Këngët e Arif Vladit ishin “ajka” e repertorit të Ansamblit të Këngëve dhe Valleve. Albumet muzikore të tij janë: “Arif Vladi këndon”, “Kënga ime për shqiptarët”, “Unë dhe këngët e mia, “” Jam Kosova e shqiptarisë”, “Marshi i UÇK-së”, etj.

Sot ai bashkë me familjen jeton e vepron në Belgjikë, por kohë pas kohe vjen në Shqipëri e Kosovë, ku me bashkëpunëtorët e tij, tekstshkruesin Agim Doçi, kompozitorët Edmond Zhulali e Përparim Tomçini, me këngëtarin që kanë realizuar disa hite kushtuar heronjve dhe kombit shqiptar Ilir Shaqiri, punon projekte të reja. Për personalitetin dhe veprimtarinë e tij artistike është realizuar një film dokumentar nga kolegu i tij Ilir Shaqiri, regjisori Blerdi Malushi, e gazetari Besart Galica, i titulluar “Arif Vladi – Zëri i këngëve lapidare”, i cili u shfaq në Muzeun Historik në Tiranë dhe në Qendrën për Kulturë “Haki Stërmilli” në Peshkopi. Emri i Arif Vladit do të përmendet gjithmonë si këngëtar i përkushtuar dhe profesional.

 

HARMONIZIMI I KËNGËVE ME STILET E DIALEKTEVE PËRKATËSE

 

Në repertorin e Arif Vladit harmonizohen një sërë këngësh, me stilet dhe dialektet përkatëse, të karakterit epiko-heroik dhe epiko-lirik. Për vite të tëra (para e pas ‘’’90-tës) përmes këngëve ka bërë dedikime për shqiptarët që dhanë jetën për atdhe,  si për Jakup Ferrin, Sef Kosharen, “Shote Galicën, Elez Isufin, Isuf Murren etj.

Dy vitet e fundit kam ndjekur nga afër koncertet festive në Dibër të Madhe e Vilë të Kukësit, ku Arifi kishte udhëtuar nga Brukseli si një zë bilbili, rrënjët e të cilit janë të bukura, si burimet e liqeneve të Lurës nga është vendlindja e tij. Me shumë dekorata, tituj e grada artistike mbi supe, i madhi Arif Vladi, vinte si një zë surprizë e grupeve organizatore, për t’u bërë njësh me publikun e për të sjellë para tij këngët himn “Jakup Ferri, mor ku je”, e më pas “Jam ushtar i UÇK-së”, refreni i së cilës “Se këtu jam denbabaden/ për Kosovë jap shpirtin tem”, jehoi fuqishëm.

Edhe në këto koncerte, një performancë krejt e veçantë e një artisti me dhunti e talent të rrallë, për një publik po krejt të veçantë në interpretimin e disa këngëve epiko-lirike. Në çdo rast ai ngre peshë zemrat e çdo shqiptari… ngre peshë zemrat e mijëra pjesëmarrësve teksa përcjell me zërin e tij kushtrimor jehonën e vargjeve: “Pa bashkim nuk ka fuqi/pa Kosovë nuk ka Shqipëri…”. Krejt e veçantë edhe stilistika e këngëtarit me shpërthim vullkanik përballë publikut, duke i përcjellë atij një fond të pasur këngësh, të krijuara e të ruajtura brez pas brezi si lapidar kujtimi, si epika historike popullore shqiptare, që padyshim është një pasuri e madhe kombëtare.

 

ARIF VLADI KA NDRIÇUAR SHPIRTIN DHE KULTURËN SHQIPTARE,

DUKE NA BËRË TË NDJEHEMI KRENARË KUDO NË BOTË

 

Përmes këngëve, dhe interpretimit të mrekullueshëm, Arif Vladi ka ndriçuar shpirtin dhe kulturën shqiptare, duke na bërë të ndjehemi krenarë kudo në botë, duke mbajtur gjallë traditat tona dhe duke na dhuruar art të jashtëzakonshëm, brez pas brezi. Arif Vladi i këndoi jo vetëm trimërisë së dibranëve e kosovarëve përballë okupatorëve, ai i këndoi jo vetëm namit të mirë të kësaj trimërie, por ai i ngriti himn mbijetesës së kombit tonë. Me “Marshin e UÇK –së”, “Jam Kosova e shqiptarisë”;  “Në Serbi lëshoj termet”, Ndal Serbi se k’tu i thonë Lumë”, “Bien tupanat”,  si me refrenin e fuqishëm: “O prite Azem Galicën/ Bashkë me nuse/ Shqipja ban valë/ Në fushë të kuqe” (me tekst të Naim Plakut e muzikë të Perparim Tomçinit), në dy kohë, Arif  Vladi dha modelin se si artisti nuk plaket, nuk del jashtë kohe, kur i mbetet besnik muzikës së vërtetë të popullit. Dibranët, kosovarët dhe mbarë shqiptaria frymëzohen sot nga kjo ikonë virtuoze e këngëve të qëndresës, nga vepra artistike e Arif Vladit që kumbon përjetë si trashëgimi brez pas brezash dhe si frymëzim i përditshëm për secilin prej nesh. 

Ai dallohet për origjinalitetin e këngës së tij që është tej mase i veçantë, qoftë me zërin brilant, të lindur apo të trashëguar (por edhe të kultivuar), qoftë me përzgjedhjen e këngëve, qoftë me forcën e brendshme shpirtërore, mobilizuese, që iu ka dhënë këngëve.

Udhëtimi drejt këngës i këngëtarit të mirënjohur Arif Vladi është një udhëtim drejt një magjie, surprizimi dhe mrekullimi, që sa më shumë të shtyhesh në morinë e tingujve dhe trajtave të saj, aq më shumë ndihesh i pushtuar nga magjia e një arti muzikor elitar.

Me emrin e tij është e lidhur kënga epiko-lirike e njërës nga trevat më të pasura artistike të kulturës popullore dhe folkut shqiptar. Fuqia e mesazhit të tij, tonaliteti i spikatur liriko-epik, ëmbëlsia dhe finesa e një zëri unik, magjia e një interpretimi të thjeshtë dhe komunikues gjer në detajet më të imëta, e bëjnë atë një këngëtar të preferuar në gjithë Shqipërinë, në Kosovë, Maqedoninë e Veriut, në Mal të Zi, në gjithë hapësirat etnike shqiptare, si dhe në diasporën e vjetër dhe të re. 

 

MBAJTI GJALLË SHPIRTIN E PAMPOSHTUR TË DIBRANËVE PËR LIRI

 

Këngët e Arif Vladit përcjellin në tërësi, moralin e lartë njerëzor që është gjithëherë i gatshëm të vihet në ballë të atdheut e të bjerë theror për truallin e tij.

Nga repertori i tij i pasur, brezat e sotëm e të ardhshëm do të mësojmë për luftërat e popullit shqiptar, që gjithmonë patën karakter çlirimtar e mbrojtës; fitimin e lirisë dhe ruajtjen e saj. Këngët e tij na kujtojnë moralin e lartë luftarak, luftërat e drejta për çlirim kombëtar. Sepse këngët epike të Arif Vladit kanë lënë gjurmë të pashlyera dhe frymëzim për brezat.  Arif Vladi ishte dhe është një zë burrëror që vinte e vjen si një jehonë drithëruese duke shkundur e mbajtur gjallë shpirtin e pamposhtur me piskamën e fortë të maleve të Dibrës për liri.

Repertori i tij ka motivuar studiuesit e folklorit dhe gazetarët e kulturës të gazetave e televizioneve të ndryshme, për ta pagëzuar Arif Vladin si këngëtarin e lirisë së Kosovës. Në ekranet e televizioneve kryesore të Tiranës e Prishtinës dhe jo vetëm, por edhe dhjetra e dhjetra koncerte, në skena moderne e të improvizuara në viset ku luftoi heroikisht UÇK-ja ai ka transmetuar dhe transmeton ndër breza shqiptarësh, këtej e matanë kufirit eposin epiko-heroik shqiptar.

Ndaj jo si privilegj, por me meritë është vlerësuar nga instancat shtetërore të kohës me titullin “Artist i Merituar” (nga Presidiumi i Kuvendit Popullor më 1989) dhe “Mjeshtër i Madh” (Nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë më 2012).

Ndaj dhe strukturat përkatëse shtetërore në Tiranë, Dibër e Prishtinë, në kuadrin e 70-vjetorit të ditëlindjes së tij (3 shtator 1956 - 3 shtator 2026) duhet ta vlerësojnë këtë personalitet emërndritur të kulturës sonë kombëtare, qoftë dhe duke mbështetur financiarisht projekte për koncerte recitale të tij.

 

 

Comments


Shkrimet e fundit

bottom of page