top of page

Gëzuar Ditëlindjen, i dashuri im, Fitim!


Vilhelme e Fitim Haxhiraj pas një viti martese, prill 1966.

Vilhelme Vranari Haxhiraj


U rritëm dhe u plakëm bashkë, me halle, me zënka,por me dashuri.

I dashur Fite, Gëzuar ditëlindjen!

Të rrosh me këmbë, me dorë dhe me gjykim! Të uroj me gjithë shpirt, të rrosh që t’i gëzosh fëmijët me bashkëshortët, me nipat dhe mbesën! Duhet të jemi të lumtur sepse ne të dy, me halle të shumta,në një luftë të gjithanshme, lindëm rritëm, edukuam, shkolluam dhe martuam dy fëmijë të mrekullueshëm. Krijuam një familje të bukur me vajzë dhe djalë.

Për askënd jeta nuk është fushë me lule. Veçse ata që thonë se jeta u ka shkuar vaj dhe vetëm lumturi, shprehin hipokriz dhe gënjeshtra pafund. Jeta dhuron të mirat dhe të këqijat e saj. Por rezultati i dashurisë së një çifti janë kur fëmijët bëhen të mirë. Ne jemi të lumtur në këtë drejtim.

Ermelinda,shkëlqeu në Institutin e Arteve dhe është violonçeliste e talentuar. Kemi një djalë të formuar si individualitet, Vladimirin i kompletuar me arsim të lartë dhe me gjuhë të huaja. Nga ne të dy sot janë formuar tri familje. Ladi me Rezartën dhe djalin e tyre, Rainhardin, me të cilët ne bashkëjetojmë. Linda (vajza) me bashkëshortin, Lek Spathari, (trompis, kompozior dhe aranxhues) shumë i talentuar, të cilët na kanë dhuruar dy fëmijë, Ivon dhe Biankën. Ata kanë 25 vite që jetojnë në Itali dhe ushtrojnë me sukses profesionin e tyre. Ivo është duke ndërtuar familjen e tij me Arsionën, të cilët punojnë dhe studiojnë. Kurse Bianka vazhdon vitin e IV të liceut në Pavia.

Të tri familjet e fëmijëve tanë janë të lumtur, pasi punojnë me djersë për të realizuar ëndrrat dhe veten e tyre.

Mos harro se prindi mohon veten, sakrifikon ëndrrat vetëm për të nxjerrë në jetë pasardhësit e vet! Ne të dy i kemi arritur synimet dhe kemi realizuar detyrat tona si prindër! Ç’duam më tepër nga jeta? Ne e kemi realizuar veten me fëmijët tanë të dhembshur e të mbarë.

Nuk ka dhuratë më të bukur se fëmijët. Ata të tetë janë pasuria dhe arritja jonë në 55 vite martesë. Ndaj shijo çdo çast! Gëzoju lumturisë së tyre!

Të uroj gjithë lumturinë e botës!

Shoqja jote e jetës në të mirë dhe në të keq!

Me shumë dashuri!

Vili (gjyshja e Ivos, Biankës dhe Rainhardit)

Vlorë, 6 maj,2020


Ëndrrat e vrara të një artisti të koreografisë, të skenës dhe artit

Kushtuar bashkëshortit tim, Fitim Teki Haxhiraj, në 83 vjetorin e lindjes!

Meditim...


Fite, Prano si dhuratë modstel lulen “Iris”e kohës ilire

“Eh, jetë, jetë...!

Sot kam ditën e lindjes. Pavarësisht se linda në kohën e regjimit të Zogut, përjetova diktaturën komuniste, ndërsa sot po përjetoj gati tridhjetë vite tranzicion. Kam përjetuar tri sisteme shoqërore. Cila nga këto periudha vallë më realizoi ëndrrat? Ç’bëra vallë gjatë gjithë jetës sime?” – me këto pyetje, e gjithë jeta mu fashit si në ekran.

Çudi, vitet kaluan njëri pas tjetrit si pa kuptuar, sepse jeta rrjedh si uji, i cili gjatë rrugës së vetë has pengesa. Kur është i rrëmbyeshëm, merr me vete gjithçka që gjen përpara. Nëse has në terrene të forta është i detyruar të ndërrojë rrjedhën deri sa gjen shtratin e vet. Ashtu si uji, edhe njeriu në udhëtimin e tij të gjatë që e ka emrin “jetë” përballet me shumë vështirësi. I duhet të kalojë të përpjeta dhe të tatëpjeta. Nëse nuk zgjedh rrugën apo mënyrën për t’i kapërcyer këto pengesa me plot të papritura qafëthyese, atëherë është i detyruar të humbasë në rrjedhat e kohës. Pa e kuptuar një jetë shuhet si vesa para diellit.

Veçse ka një ndryshim mes ujit, rrugën e të cilit ia dikton terreni dhe kushtet atmosferike, kurse njeriu ka një busull orientimi që është logjika. Po qe se logjika vë në punë arsyen, nuk kërkon rrugën e lehtë, por gjen mjetin dhe mënyrën se si të kapërcejë çdo pengesë, ky njeri është i fituar.

Pasi arrin në moshën e tretë, si çdo njeri që ka qenë me këmbë në tokë, por vjen një ditë dhe unë kthej sytë pas në kohë... E tashmja është ura lidhëse që bashkon të djeshmen me të ardhmen. Atëherë i zhytur në mendime nis e mendoj duke udhëtuar përmes labirinteve të kohës, që shpesh herë kanë qenë të errëta, të zymta dhe të ujta pa dritën e mjaftueshme. Me hamendje, duke dihatur me vështirësi, kërkoj diku një rreze drite jeshile që të ringjallet shpresa brenda qenies sime.

Për fat, ajo që më erdhi në ndihmë ishte ndërgjegjja, ndryshe do ta quaja magazina që ruan kujtesën njerëzore të gjallë. Pikërisht mbindërgjegja, më kapi për dore dhe nisi të më barisë nëpër kopshtet e jetës. E ndiqja pas si ai Rainhardi, nipi im më i vogli, i cili pret me gëzim një dhuratë nga prindërit apo nga ne gjyshat që ta nxjerrim një shëtitje nga deti, apo në parkun e lojërave. Ai e di që do të luajë një orë apo një ditë dhe me kureshtjen e tij fëmijënore për të zbuluar të panjohurën, do ta shkatërrojë lodrën e tij. Veçse është i lumtur sepse iu realizua një dëshirë.

Si i vogli i gjyshit edhe unë, e kam të qartë se kujtimet janë përjetime fluturake, por ama më çuan në atë kohë të pakthyeshme dhe të pafajshme të fëmijërisë.

Ja, parasysh më del fshati im i lindjes, Armeni, i cili ka një pozicion gjeografik të mahnitshëm. Shtëpitë e gurta të vendosura në faqet e kodrave gjithë gjelbërim, që zbresin për t’u takuar në rrugën e gjerë dikur me kalldrëm, ku dikur shkonin karvanët, kurse tani kalojnë makinat. Ndërtim i shtëpive të fshatit tim, të lë përshtypjen e gurëve që rrokullisen në të tatëpjetë. Por jo, çuditërisht ato qëndrojnë atje stoike, që të përshëndeten nga agimet dhe perëndimet e diellit që kanë si pikë takimi pellgun ujor, ku lumi Shushicës bashkohet me Vjosën. Dikur Armeni kishte pesë çezma, pesë dyqane ku tregtoheshin mallra të ndryshme ushqimore dhe industriale.

Papritur e gjej veten te Rrapi shekullor i çezmës. Qëndroj disi mënjanë, po çfarë të shoh?! Nën hijen e tij apo në sheshin e xhamisë vijnë njëri pas tjetrit të gjithë burrat e fshatit. Një zakon i tillë i përditësisë ishte në traditën e Qytezës së lashtë të Armenit. Këto ishin dy pikat e referimit të tyre, ku burrat takoheshin pas pune, çdo mbrëmje për të kuvenduar me njëri-tjetrin për ekonominë, për situatat e rënda që kalonte vendi. Tek kthenin nga një gotë raki apo rrufisnin kafenë me gllënjka të vogla, aroma e së cilës zilepste kalimtarët, bisedonin për shumë probleme të kohës, pse jo dhe ndonjë lidhje krushqie. Kjo ishte tradita e bukur e fshatit tim.

Tej në të kuqrremtën e perëndimit mbi pellgun e Vjosës, në horizont u duk tek vinte rëndë, rëndë Gjyshi im, Mahmut Mersin Qataj, ai burrë kazaje që i dëgjohej fjala, i cili kishte marrë pjesë në Luftën e Pesë Puseve, në Luftën e Vlorës ( komandant i prapavijës në vreshtat e Mëdha në Qishbardhë i vendosur në Çifligun e vëllezërve Xhevit e Mahmut Vrana Kaninës). Gjyshi bashkë me djemtë morën pjesë si familje në Lufën e Vlorës.

Më kujtohet si tani. Isha 4-5 vjeç dhe si një trumcak i trembur, qëndroja pranë rrapit shekullor, kur papritur e palajmëruar erdhi xhaxhai im Axhemi, i cili, atë kohë ishte me studime në Itali. Ishte në vitin e fundit të fakultetit ekeonomi agrare, në Universitetin e Bolonjës. Nuk e kishte gjetur të atin në shtëpi dhe erdhi në vendtakimin e përhershëm. Aty gjeti vëllezërit dhe shumë të tjerë.

Po Ti , more bir, nga mbive? A nuk duhet të ishe në shkollë?-pyeti Gjyshi dhe ngriti zëin siç e kishte zakon.

- Ti për pak fillon provimet e Diplomës dhe i le përgjysmë studimet? – iu drejtua babai im, Tekiu, i cili ishte bërë shkak që xhaxhai të shkonte me studime . Ishte i pari djalë i fshatit që shkoi për të studiuar jashtë shtetit.

-Nuk më uruat mirëseardhjen , por më pritët me këmbët e para. Shkollat u mbyllën dhe unë kam ardhur të luftojë për çlirimin e vendit tim.

Si i arsimuar që ishte, në shkurt u formua Çeta Plakë dhe ai ishte njëri nga 39 anëtarët e grupit themelues të çetës, Më pas e caktuan intendent(ekonomat) të Brigadës së Pestë. Më kujtohet babai im, Teki Qataj, që ishte komandant i njësitit luftarak të fshatit, i cili luftoi me armë në dorë dhe mori pjesë në shumë aksione si ai i Selenicës etj. Kurse xhaxhi i vogël, Aqifi ishte anëtar i Qarkorit Rinisë Antifashiste, Vlorë -Gjirokastër. Vetëm xhaxhai i dytë, Safeti ishte me A.Zogun. Gjithë familja , ku përfshiheshin edhe gratë, ndihmonin luftën. Mblidhnin ushqime, veshje për partizanët. Për shkak të pjesmarrjes në luftë si familje, dy herë na u dogjën shtëpitë, një herë nga fashizmi dhe herën e dytë, më kujtohet mirë, kur dikush më nxori jashtë dhe më vendosi mbi një gur të madh që kishim te porta. Pastaj morën bidonat me vajguri që i ruanin për luftën çlirimtare dhe me fshesën e kallamit spërkatën gjithë shtëpinë. Ata që i vunë flakën, ishin bandat e Halit Alisë. Na rrëmbyen kope me bagëti që e kalonin 850 kokë. Unë fëmija i kujtoj dhe sot me nostalgji dhe më shfaqen flakët si lubi që përpinë duke e bërë shkrumb e hi gjithçka. Lamë truallin tonë dhe u shpërngulëm në Xhafajt e Karbunarit .

Pas largimit të të huajëve familja Qataj-Haxhiraj rifilloi jetën nga zero. Veç kësaj, për ne nisi një epokë e re, jo ajo që ëndërruan e luftuan shqiptarët, si dhe familja ime, por një jetë plot vuajtje dhe skamje. Në 1945, burgosën xhaxhanë , Axhemin, si kriminel lufte, gjyshin e mbajtën në hetuesi, kurse xhaxha Safetin e mbajtën 9 muaj në burg si zogist. Familja ime që e shkriu pusurinë për luftën që kishte pritur dhe përciellë krerët e P.Komuniste Shqiptare pësoi tragjedi. Reforma na konfiskoi gjithë pasurinë, gjithë Mesaraku i Armenit që laget nga të dy lumenjtë, Vjosa dhe Shushica që bashkohen në Bisht të Malit. Na shpallën kulak, nuk morëm asnjë të drejtë studimi, por u trajtuam si armiq të pushtetit. Përse?

E vetmja gjë e bukur ishin lojërat dhe koha që kaloja me bashkëmoshatarët e mi dhe me vëllazërit. Ne na kishte vdekur një vëlla, i cili u bë shkak i sëmundjes së babait dhe vdekjes së tij të hershme, në moshë të re. Ne ishim gjashtë fëmijë dy vajza dhe katër, që u rritëm nën kujdesine nënës. Sa mbarova shkollën fillore, u shkëputa nga fshati dhe shkova në Vlorë. Për këtë këmbënguli nëna ime e mirë. Të gjitha nënat janë të mira, por si gjyshja ime Hanëmja dhe nëna ime, Shania, nuk gjen në botë.

Meqë isha djali i parë ndër katër vëllezërit, pra djali i parë i familjes Haxhiraj, ato më shikonin në dritë të syrit. Kur shkoja për t’u shmallur në fshat, më mbushnin me dhurata. Për të gjitha këto kam mall.

Jeta në qytet ishte ndryshe, por për mua ishte plot peripeci, pasi lufta e klasave më ndoqi pas , madje edhe tani vazhdon të më ndjek si hije. Edhe pse pa praninë e prindërve u mundova të formoja një shoqëri të mirë. Kryeva politeknikumin në Durrës, ku mora një profesion. Talentin për të kënduar dhe kërcyr e kisha në gene, nga gjyshi dhe babai. Pasi u angazhova si amator me estradën e qytetit, me shtëpinë e kulturës, më dhanë të drejtën të vazhdoja mësimet për koreografi në Tiranë.

Por dashuria dhe martesa ime me Vilhelme Vranarin, bija e një armiku të Popullit, e thelloi luftën klasore ndaj meje. Më 1964, më ndoqën në fshat pët t’i dhënë vlerat në bazë. Nuk di se ç’duhej atë kohë një teknik me kategorinë e shtatë aty ku punohej ende me parmend? Meqë isha i kualifikur më kthyen në qytet dhe në vendin e punës. Pikërisht këtë vit më nisën për koreografi dhe një vit më vonë u martova. Kam dhënë rininë, jetën, shpirtin për artin qysh nga viti 1948 me Shtëpinë Pionierit, në gjithë skenat e qytetve, në gjithë fshatrat e Vlorës e deri në Palllatin e Operas dhe baletit. Kam punuar me trupat e Ndërmarrjeve , të shkollave që janë lauruar me çmime republike. Erdhi një ditë dhe më zbritën nga skena, kurse gruan time, Vilhelmes i ndaluan të diplomohej në Universitet vetëm për tri lëndë, ndërkohë i mohuan të drejtën e mësimdhënies duke e flakur në rrugën e madhe. Nga ajo ditë jeta jonë bëhej gjithmonë dhe më e vështirë. Gjithsesi ne të dy , pa i nderuar dorën askujt, me mundin tonë ia dolëm...

Për sot do të mjaftohem me kaq. Më vonë do të vazhdojë...”

I dashur, këto janë të pathënat e jetës...Duke kujtuar sa kemi kaluar, gëzoje këtë ditë të bukur.

Vili

Vlorë më 6.5.2020

85 views2 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page