Gruaja në errësirë


Suzana Kuqi

Gruaja në errësirë

SUZANA KUQI

               Zbrazëtia e gjysmës së shtratit i kujtoi se i shoqi nuk ishte kthyer në shtëpi mbrëmjen e shkuar.Tashmë ishte mësuar, ishte grua artisti, të njohur madje. Të gjithë e adhuronin. Dikur e kish adhuruar edhe ajo dhe e kish dashur. Shumë. Kushedi me kë ka qenë mbrëmë, mendoi tek po lante dhëmbët. Hamendësimet shkumëzuan së bashku me pastën e dhëmbëve e pastaj së bashku me të u shpëlanë e ikën bashkë me ujin. Nuk ka rëndësi, do të kthehet prapë. Do të mundohet ta harrojë edhe atë ashtu siç ka bërë me të tjerat.                 Shtyu derën e hyri në dhomën e hotelit. E kishin lajmëruar se i shoqi e kish lënë që në mëngjes e kish paguar edhe llogarinë. Shikoi me kërshëri përreth. Dhoma ishte pastruar e rregulluar, asnjë shenjë që të mund të dëshmonte për sa kish ndodhur ato ditë të mungesës së tij në shtëpi. Shkoi tek dritarja dhe e hapi. Koha ishte e bukur dhe e kthjellët, me atë kthjelltësi pafajësie pas një nate me shi. Poshtë dritares pa bishta cigareje të lagur, të shëmtuara, si një pasion i gabuar çasti i konsumuar e i djegur shpejt. Të shkoi keq edhe këtë rradhë, një grua tjetër për t'u harruar...   sepse nuk e ke lidhur me fillin e mbiemrit tënd që ta tërheqësh nga cepi i harresës...                     E gjeti të shoqin në studio tek po punonte mbi një telë. Qëndroi tek dera dhe admiroi lëvizjen e shkathët të penelit. Abstraksion, nuk e dinte se ç'kish ndërmend të shprehte ai me të, por asaj ju duk si një varr i përmbysur. E përshëndeti duke i buzeqeshur. Mendimi se ai ishte sërish aty, dhe... çuditërisht ndjesia se fundja nuk i bëhej më vonë se ku kishte qenë, e bëri të vinte buzën në gaz përsëri. Ai kishte qenë me shërbim dhe aq. Kurrë nuk do ta pranonte se e kish tradhëtuar dhe kurrë nuk do të pranonte që ajo t'a tradhëtonte. Mendjemadh, mendoi ajo dhe i buzëqeshi për herë të tretë. Jo, ajo nuk mund ta bënte këtë, jo sepse nuk donte por... sepse nuk ja vlente... Ai e kish mbajtur me kujdes nën hijen e tij duke ja zbehur të gjitha vlerat, e vetmja gjë që i kish mbetur ishte ajo e ndershmërisë. Ajo ishte gruaja e atij artisti të madh, dhe... ishte e ndershme. Ja përse e vlerësonin, sepse ishte e ndershme, asnjë meritë tjetër e saj. Endrrat e saj për art kishin perënduar me talentin e saj të shtypur nga madhështia e talentit te tij. Shkoi herët për të fjetur e mori të lexonte një libër. Ai erdhi, si gjithnjë u zhvesh e u shtri bri saj. Në fillim larg, pastaj filloi të afrohej. Ndjeu duart e tij tek e preknin, të shkathëta si me penelin. Ajo ishte tela e tij, ai po pikturonte ...mbi të... varrin e kujtimit të gruas së fundit që kish pasur ndër duar...gruaja e tij për të harruar gratë e botës...trupi, tempulli i shpirtit të saj ku ai lutej për pak harrim të zhgënjimit të makutërisë së tij. A më ka dashur vallë ndonjëherë, mendoi tek ndjente këmishën  t'i rrëshqiste përgjatë trupit, apo kam qenë vetëm stacioni i ndërrimit nga njëra grua tek tjetra, stacioni i harrimit... ndjeu duart ta preknin e ta hapnin, kërkonin thellë sa më thellë... Sa i thellë duhet të jetë një varr ..? Nuk kundërshtoi, e fundja përse?  Një varr me shumë a një më pak ... në një varrezë dashurie, ç'punë i prishte asaj... Ajo do ta bënte të harronte, edhe emrin, edhe aromën, edhe flokët e asaj tjetrës, e kish bërë gjithnjë...Frymemarrjet u vështirësuan, ofshama, kënaqësi që rritej, rënkime, pastaj më të forta derisa...ai thirri emrin e saj. Atë tjetrën e kish harruar...                   Burrin e zuri gjumi shpejt. Ajo ngriti me kujdes telën e saj në errësirë. Mjaft me dëshira për burra pa fytyrë. Me lëvizje të lehta e delikate, një fytyrë, sa i ngjante asaj të burrit të saj.  Ishte veç pak ndryshe, ishte vetëm i saj. Një burrë që të vinte aty këtë moment, që të ishte i zoti të shkatërronte atë varrezë, për t'a shndërruar në një tempull. Tempujt ndërtohen për Zotat, mendoi, po bie në mëkat. Por a nuk kishin bërë mëkate të gjithë ata që kishin ngritur tempuj? Le ta fillojmë, deri sa mban mend historia. Ishin vetëm  mashtrim, me kohën ranë një e nga një me zotat e tyre.Tani kish arritur tek duart. Të zakonshme por delikate në prekje. Të kthehem përsëri tek fytyra. Sytë, më hyjnë në shpirt, por buzët... duhet të jenë më premtuese, prej andej del fryma, zëri, fjalët , ato dhurojnë puthjen. Po ngjyrën e syve? Të blertë janë më të bukur, por janë të pabesë. Ndoshta Zoti i ka në ngjyrën e qiellit, por nuk janë të qëndrueshëm. Më mirë në ngjyrë të tokës, është më e qëndrueshme, më e ngrohtë e më besnike. Nuk kish dëgjuar ndonjëherë se toka i braktis njerëzit, përkundrazi. Kjo duhej të ishte fytyra që duhej t'i ngjante Zotit, çuditërisht shumë e ngjashme me atë të të shoqit. Sepse e kam dashur dikur, shumë. Zoti merr tiparet e njeriut që duam. Ose të asaj pjese mashkullore të tij, pjesa femërore jam unë e së bashku do të ndërtojmë këtë tempull. Portreti ishte mbaruar, fytyra e pikturuar i buzëqeshi. Eja,- i tha ajo, zbrit nga tela. Me një vështrim çapkën burri zbriti nga tela. Ajo i bëri vend mes saj dhe të shoqit. Filloi ta prekte me gishtërinj të dridhur...         Ajo i buzëqeshi errësirës që la pas imazhi i bukur i tempullit të saj. Dëgjoi gërhimën e lehtë të të shoqit dhe u mundua të shquante tiparet e tij mbi nënkresën e bardhë. Atë natë ishte aty, e ndoshta edhe shumë netë të tjera në vazhdim, derisa instinkti i gjahut pas grave të bukura t'i zgjohej sërish. Dikur kish qenë zot i tempullit të saj, dikur, tani ishte një monument, një përmendore së cilës  i falej përpara çdo tradhëtie që i bënte. Tradhëtie? Ajo vuri buzën në gaz tek dritat e një makine të vetmuar në shkretëtirën e errët të rrugës depërtuan në dhomë e ndriçuan një çast fytyrën e tij të qetë e të vetëknaqur. I shkreti ti, mendoi, nuk e ke menduar kurrë se unë jam grua, e kam aq forcë në shpirt sa për tu hakmarrë...jo me burra hoteleve, nuk i shkon natyrës sime. Kam aq forcë e magji sa të tradhëtoj edhe me ajrin që ti thith dhe e nxjerr prej mushkërive, pa pasur nevojë të  varros as edhe një kujtim të vetëm, as edhe ty... një pëllëmbë larg meje. Je aq mendjemadh dhe egoist, sa je ti që ke harruar veten... 


#suzana #kuqi

3 views

Shkrimet e fundit