Vullnet Mato
Ai zgjodhi një fustan princeshe,
të zbukuronte gruan, në shokë e miq.
Ndonëse për vete, tepër pëlqente,
kur trupin e saj, sodiste, lakuriq.
Por fustani i hollë, si lëkurë gjarpri,
tepër shtrenjtë do t’i kushtonte,
nuk i shkoi mendja, atij të varfëri,
se gjarpri, zemrën do ia pickonte...
Sapo ajo, fustanin princeshe veshi,
u bë më e bukur, nga ç’kish trupin.
Tërhoqi një tjetër, me fuqi magneti,
ai mbeti vetmuar, të përtypte turpin.
Kur bëheshin gati, në divorc të shkonin,
të dorëzonin kurorën e çiftimit të parë,
një engjëll i padukshëm, në vesh u foli:
“Për një fustan u çmendët, o të marrë!”
Ai i tha asaj: Lezetin pate me të vjetrin,
kur dukeshe e bukur, vetëm për mua;
nuk të bëra princeshë, për atë tjetrin,
të më poshtëroje, se vetëm ty të dua!...
Gruaja e penduar thellë, nga marrëzia,
foli së fundi, me një ëmbëlsi të paparë:
E keqja ne grave, na vjen nga bukuria!
Dhe fustanin e princeshës, hodhi në zjarr.
Burri tha: S’kish faj, fustani që veshe,
duhet të dije, se gratë e botës mbarë,
nuk zbukurohen, me pamje princeshe,
për t’u bërë gjah, i princave gjahtarë;
Po për të kënaqur veten e syrin familjar,
me bukurinë e gruas, si lulen në degë.
Burri të shohë, vezullimin margaritar,
të hënës veshur, me fustanin nga retë.
Comments