top of page

Grija në mes quhet ditë


Grija në mes quhet ditë

Tregim nga Fatmir Terziu

 

Të jesh britanik do të thotë katër gjëra – lagështi, sjellje, përpikmëri dhe rutinë. Në fakt katërshja thuhet se është ashtu si stinët që rrotullohen në një cikël logjik ditor. Fundja gjithkush e di se qëllon të kesh jo pak herë të katër stinët në një ditë(?!). ndoshta kjo përforcohet edhe me shëtitjet pranë lumit Tamiz (Thames), katër herë në vit, në shiritat me luspa të ujërave të tij, duke u pakësuar e rrjedhur në pafundësi. Sepse nuk ka asnjë vend tjetër si Anglia, ku gjithçka ndodh sipas planit, madje edhe miqësitë, përderisa ato janë vendosur në kohë në kalendaret e vjetër.

Me kalimin e viteve mësova të kuptoj se nuk ka fenomene të tilla si po martohen ciganët“, „verë cigane“, „dimër pranveror“, „pranverë vjeshte“;  „diell që të kafshon“; „Shkurt që të gënjen“; „prill që të rrjep“, apo sido që rregullohen mega-elementet e imagjinatës kontinentale, ajo që shkon e s'vjen, është ajo që ndodh e s'ndodh. Se ngjyrat janë devijime anormale nga e bardha dhe e zeza. Ngjyrat janë krijimet e mërzitshme të agimit dhe muzgut. Kjo ndodh sepse grija në mes quhet ditë.

Më tej është sepse koha e kaluar në një ishull është një dimension i shkurtër për shpirtin e përulur në shërbim të sensit të shëndoshë. Dhe të lë të kuptohet gjithmonë se me afrimin e fundjavës, mrekullitë në të cilat besoj me një naivitet të admirueshëm bëhen gjithnjë e më të pamundura, sepse lagështia, sjellja, përpikmëria dhe rutina nuk të pëlqen të jenë shqetësime as në ditë të tilla që shpenzohen me familjen. Në ditë pushimi, ku flihet më gjatë në mëngjes, ose janë ditët e vetme që të bësh një gjumë të plotë, ditët kur nxitimi i shpirtrave të harruar pas trenave, autobuzëve dhe nëntokës me tunele, ku hapat e tërbuar presin me padurim reduktimet e radhës në blerjen e lumturisë. Më në fund këpucët, vetë ato si qënie të pashkëputshme nga këmbët presin të pushojnë.

Të gjitha këto përpiqem t'ia përcjell shqiptarit të urtë e të mirë, që ka ardhur të vizitoj fëmijët e tij, por që si qenie njerëzore ndodhet për disa ditë në spital. Ndërsa i përkthej atij dhe ekipit të doktorëve që mundohen t'i shpjegojnë se gripi ka kaluar në një të ftohtë të theksuar bronkale, ai zverdhet, nuk dëshiron ta dëgjoj këtë. Dhe më pas ndalet një nga pjesëtaret e stafit mjekësor dhe më pyet nëse ka ndonjë problem. Unë i përgjigjem se problemi është gjetkë. Ndoshta dhe ajo nuk mund ta kuptoj. Klima shqiptare është ndryshe… këtu sundon lagështia. E lëmë me kaq, më saktë me një tundje të kokës në drejtim të kundërt me kuptimin shqiptar. Pastaj më duhet të dal. Dal dhe me një frymë ndryshe, ndryshe se ai ambient quhet spital.

Dal dhe përshëndetem me një mik të vjetër, i tillë se ka njëzetë vite në Londër. Ai më flet dhe i ndjek hapat e mi me bindje të durueshme përgjatë shëtitores buzë lumit drejt Barit Thames, ku unë dhe një kolegu im kemi lënë një takim pas disa ditësh të ngarkuara për kafe. Ia shpjegoj shqiptarit që ka mbi njëzetë vite në Londër dhe ai mundohet të më tregoj se ka dhe ai kartë bankare, ka kartën e udhëtimit mujor, madje tashmë e merr prej disa vitesh falas, se i ka kaluar të gjashtëdhjetat, por nuk i ka thënë kush „punë e mbarë!' në këtë vend. Nuk ka mënyrë tjetër për të folur me të veç formës telepatike, por e di se në cilëndo gjuhë që ta kthej rrymën e mendimit tim, ai do të më kuptojë. Sepse ai është një finok atipik që i ka njohur të gjithë kohërat në atdheun tim, komunizmin, pluralizmin, tranzicionin, demokracinë e ditëve të sotme.... Me një sy në filxhanin me kafe tipike angleze dhe me një tjetër në blunë e kashtisur të passhiut në Thames. Dhe ai preferon dëgjon termat tona akademike që janë në bisedën me kolegun tim anglez.

Kështu biseda kalon më pas në përditshmëri. Lamë pas festat e fundvitit dhe po afron Shën Valentini.

- Dhe meqenëse nuk munda të gjeja kuponin e dhuruar nga fëmijët e mi që të blej diçka me gjysëm çmimi në John Lewis, thjesht nuk jam në humor sot. Kolegu im anglez, sigurisht që po hesht për këtë. Turmat më bëjnë nervoz dhe llambadari i kristaltë për dhomën e ndenjes thashë me vete mund të presë.

Shqiptari me njëzetë vite qëndrim në Londër më shikon me një shpresë të parëndësishme dhembshurie. Një dhëmb ari i shkëlqen, pasi i ka rregulluar dhëmbët e tij në Shqipëri, dhe shkëlqimi i dhëmbit aspak nuk ndikon në shprehjen e pakënaqur për kuponin tim. Fundja ti punon dy-tre punë, - më thotë, - fundja çfarë është për ty një kupon?! Ia kthej sytë një manekini circuist të lyer me pudër gri. Dhe dua ta humbas mendimin që kisha në kokë.  Një dërrmues i vazhdueshëm i stoicizmit mashkullor, me të cilin mund të përtypni kokëfortësinë e të harruarit, që të mbyll si në një kafaz në temën e blerjeve të domosdoshme me çmime të ulura. Dhe kështu po afron buzëmbrëmja.

Mbi lumin e dragoit dembel, hëna anemike argjend grinë. Dimër. E thënë më saktë në anglisht pa frikë është një dimër tipologjik. Tautologjia është një shenjë e rutinës. Dhe kjo më mban në zonën e sigurt të britanikizmit. Më duket se ecim tashmë të tre si në një film noir dhe që dëshirojmë të paktën një ngjyrë në kuadrin e fundit. I shkel këmbët padashje një kalimtari në rrëmujën pa formë të mjegullës përballë nesh. “Ju kërkoj ndjesë”, pëshpëris me vete, “le të më qetësojë kjo sjellje e ligjshme”. Po në rrugë mjegulla nuk i shurdhon zërrat. Zërrat shkojnë si plumba të padukshëm.

- Nuk do të kthehem tek ti - errësira bërtet në zërin e një vajze të tmerruar - më lër, djall! Nuk të dua më! Unë thjesht nuk të dua!

Një grumbullim i shpejtë fjalësh që shkrepen si rrufe trondisin saktësinë e sjelljes sime të mësuar me qetësi ligjësie dhe traditë ndryshe. Balancat e botës të rregullt dhe të përshtatur po lëkunden në valë të akullta, dhe ikin me gojërrat mjegullore që konsumojnë. Është sikur lumi të mbyt papritmas shpirtin, i cili ka zënë vend në trupin e një të huaji vetëvrasës:

- Ndihmë - bërtet Dikush, - gruaja ime po mbytet! Nuk ka kush t'i japë dorën?!

Një turmë kureshtare buzëqeshi para pllakave të pastruara në mënyrë perfekte të bulevardit. Zërat e tyre harmonizohen si në korin e një tragjedie të lashtë. Në qendër qëndron një solist i mjerë, vokal, histerik, dhe i lagësht. Pranë tij, i kapur për mëngën e saj, shtrihej një trup qeni.

I mbyturi nuk ka shpëtuar dot.

- Zot - qahet në korr - a nuk e kuptove se shpëtimi nuk është në fakt një lodër që mund t'ia kthesh jetës…

Kori i lashtë zbehet në akorde lavdëruese që e rrethojnë rënien e lehtë në ujë me një admirim disi hënor. Bota e të gjallëve e mbulon kotësinë e saj me një errësirë ​​që tregon shpërngulje nga realiteti i jetës. Linja paralajmëruese të verdha si gjithmonë. Të gjithë e shpërngulin jetën!  Të gjithë shpërngulen dhe qëndrojnë në buzë të saj. Dhe nuk ka as përpara, as prapa. Vetëm ekzistenca, që gjerb kafe të përditshme, e që të hamendëson një lodër të vogël gome që shikon në hapësirën e ujtë, në jo pak raste si shkak shpëtimi për shpërnguljen e jetëve me gomone. Jetë që të shohin ​​me dy sy të ndryshëm. Një ngjyrë kafe dhe një blu. Llum nën qiell. Dhe pak lotë. Pikërisht mes tyre. Si një mrekulli që duket e pamundur. Por gjithësesi ndodh..., ndodh edhe sot.

25 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page