top of page

Gjykimet filozofike


AGIM SHEHU

"UDHA PËR TE VDEKJA"


Provoni në mëndjen dhe shpirtin tuaj kënaqësinë që afron mjeshtëria e artit të fjalës, fuqia e mendimit, filozofia e jetës, përvojat e hidhura dramatike në diktaturë të krijuesit...Këto i gjeta te vepra më e fundit e Agim Shehut. Ato i gjen nga fillimi në fund të veprës, por unë zgjodha pak mes tyre, ‘një gotë verë sa për provë’. Duke i lexuar vetë, të tjerët le të shijojnë sa të duan. Gjykimet filozofike të tij janë të gërshetuara në harmoni me ngjarjet, lëvizin sipër e rrotull tyre si retë rrotull maleve.

AGIM SHEHU


(Fragmente të shkurtëra)


"...Bota ka prodhuar shumë idera po komunizmi është i vetmi që ka lindur brënda arkivolit të tij!..”Në emër të popullit je i arrestuar” i thanë kolegut tim piktor në Metalurgji. “Po ku është populli”? thirri ai i hutuar duke u zgjatur duart prangave. Populli shkonte të votonte 99% për diktatorin (pylli pritet nga sopata të cilës ai vetë i ka dhënë drurin për bishtin)… Jetës sot mund t’i mungojë gjithëçka, vetëm armiqtë s’duhet t’i mungojnë! Nëse mbaruan së linduri nga gjiri i popullit duhet të lindin nga gjiri i udhëheqjes. Diktatori nis e vret shokët që krimit t’i zvogëlojë vëllimin. Brënda tij zë e lind Makbethi me fytyrën e shokëve të vrarë… Vrasja e njerëzve të afërm nga frika se të marrin pushtetin vjen që nga perënditë në mitologji. (Megjithatë, midis tyre dalin kundërshtarë të diktatorit që mbrojnë viktimat). Perëndia e Qiellit, Urani fëmijët e vet i mbylli diku humbur në Tokë nga urrejtja se do ta shfronësonin. Por mëma e tyre dhe gruaja e Oqeanit, Toka (Gea-Dheu) thirri fëmijët Titanë të sulmonin të atin. Hroni, i vogli arriti ta përmbysë e i mori pushtetin. Nga gjaku i Uranit mbinë Gjigandit. Hroni nga ana e tij u trëmb si i ati, se dhe atij do ia mirrnin pushtetin fëmijët, ndaj sa lindnin i gëlltiste. E shoqja e tij, Reja arriti të shpëtonte të voglin, Zeusin i cili pasi u rrit, e rrëzoi të atin tiran dhe i mori fronin...(të kujtojnë vajzën e Stalinit, Svjetllanën që plot dinjitet human iu kundërvu të atit tiran e u arratis). Thonë, sunduesi ynë u nxjerr gjuhën si komik e u bën paçet rojeve! Tragjedia zë e liron skenën për komedinë kurse shqiptari ka psikologji mbretërore, të trashëguar. “Rrofsh e mbretërofsh” thotë një urim dhe për jetën e zakontë, dmth punët dhe në një kasolle t’i rregullosh si në mbretëri!..

…Qielli i shqiptarëve ka formën e kurorës mbretërore nisur që nga mbretëritë ilire...Me sa duket, shqiptarët jeta i ka zvogëluar për përmasat e asaj kurore. Im atë i dënuar nga Mbreti Zog, në fund tha se Mbretëria mund ta ringjallë Shqipërinë!...

…Thuhet saktë se Zoti fal gjithmonë, njeriu fal nganjëherë; natyra-asnjëherë. Natyra nuk bën kapërcime. Në zhvillimet e saj ajo i hedh hapat me saktësi evolucioni. Çdo kapërcim jashtë kësaj rregulle prodhon krijesa të shfytyruara gjer të frikëshme. Mbaj mënd nga gjimnazi teorinë prej shkencëtari muzhik të Miçurinit fryrë me mëndjen e Stalinit: «Ne nuk mund të presim lëmoshë nga natyra. T’ia rrëmbejmë vetë ato asaj, kjo është detyra jonë»! Me teori të tilla kundër harmonisë së Krijuesit shihet se ku po përfundon atdheu bazë i Komunizmit…

Pindari thotë se njeriu brënda vetes ka dy demonë, një të mirë e një të keq. Ata luftojnë me njeri tjetrin, e njeriu ndjen tronditje. E kemi ndjerë te vetja kur themi: „Po hahem me veten time...kam inat me veten sa ta shqyej...Më vjen t’i bie murit me kokë!“…

…Njeriu e do dyzimin dhe ndjehet mirë në të: këngën e këndon ëmbël në dy zëra; ..vallen e bën apo e thyen shpesh në dy reshta; fyellin në dy gryka; çiftelinë në dy tela; udhën e nuses në të kthyer e bënte të kundërt nga erdhi; veshjen e hijeshon kur të bardhës i shton të kundërtën e saj, të zezën. Shqiponjën e bëri me dy kokë siç i përshtatej filozofisë së tij për emblemë flamuri. Edhe psikologjinë e shpirtit për një ndjenjë e dyzon: “S’ia dal dot me të qarë, po me të kënduar.” Ky dyzim i gjatë s’e duron ndarjen e prerë. Kur Zeusi njeriun e bëri dy anë të veçuara, pjesët e ndara, siç thamë kërkonin me etje ulërime njera tjetrën e kur takoheshin nuk shkëputeshin së përqafuari. Njeriut i mbetej një mënyrë që natyrën e tij ta bënte të pavdekshëm, të lindëte fëmijët. Kjo detyrë kalon përmes dashurisë. Njeriu është i papëfunduar e dashuria lind nga nevoja e përsosmërisë së tij…. "



Zgjodhi : #Mihal #Gjergji

20 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page