top of page

GJURMËT QË LËMË PAS ...


GJURMËT QË LËMË PAS JETA IME

ËSHTË HEDHUR NË LIBRAT E MI



Intervistoi: Ramiz LUSHAJ – gazetar, Tiranë.



Këto ditë e takuam dhe e intervistuam studjuesin e historisë dhe publicistin e njohur, Enver Memishaj– Lepenica



– Me dy fjalë: cili jeni ju z. Enver Memishaj?


– Unë kam lindur në katundin Lepenicë, 33 kilometra larg nga qyteti i Vlorës, buzë lumit Shushica, lumë që ka lënë gjurmë të pashlyera në vetëdijen dhe kujtesën time.

Kur isha i vogël,/ më zinte gjumi me një këngë,/ që nuk ia mësova dot fjalët,/ se këndonin brigjet/ se këndonin valët.

Sa bukur i ka shprehur kjo këngë mbresat që lë vendlindja veçanërisht lumi.

Nga brigjet e bukura të Shushicës, shkova në qytet, por lumi plot me këngë për jetë te mua mbeti. Në jetën time nuk mendoj se ka ndonjë gjë të pazakontë. Deri sa mbarova klasën e parë jetova nënjë fshat të Jugut në një familje të zakonshme fshati. Me vëllezër e motra, prindrit, gjysh e gjyshe dhe fisin tim Memishahaj.

Në moshën 7 vjeçare unë u vendosa në qytetin e Vlorës pranë dy deteve të bukur Adriatikut dhe Jonit, që lagin brigjet e këtij qyteti, ndërsa në vitin 1997 u çvendosa në Tiranë në lagjen Allias, pranë lumit të Tiranës, një lumë i vogël por i bukur. Kështu pra, jeta ime ka kaluar në mes lumenjve dhe detit, që besoj kanë influencuar në shpirtin dhe ndjenjat e mia.

Por bukuria e lumit Shushica mbeti bukuri mbi bukuritë e tjera, mbi Adriatikun dhe Jonin, por edhe mbi lumin e Tiranës, e pavarësisht kësaj, deti mbeti dashuria ime, “miku” im më i afërt me të cilin kam qarë e kam qeshur në brigjet e tij.

Njerëzit rrëfehen tek prifti e hoxha dhe tani së fundi te psikologu, ndërsa unë jam rrëfyer tek deti në të mirë e në të keqe! Dhe ndjehem gjithmonë i lehtësuar dyfish kur e gjej kohën e kthehem në breg të detit. Por të jetë breg Vlore.


– Jetoni në Tiranë, çfarë ka mbetur tek ju nga Vlora?


-Vlora është Meka dhe Betlehemi i Shqiptarëve, Vlora, sipas Isuf Luzajt, është “Qabeja e Shqiptarve”.

Vlora është pjesë e zemrës time, dashuria ime, ekzistenca ime.

Por nuk kam thënë se Vlora ime ishte një vend ideal. Ishte një vend ku unë kam vuajtur në fëmijëri dhe rini. Vlora ishte një trekëndësh Bermude i mallkuar i komunizmit shqiptar.

Sigurisht është tjetër të flasësh për historinë, traditën, virtytet, zgjuarsinë, me të cilën Vlora ka krijuar një identitet të veçantë, por të mos harrojmë: në kohën e komunizmit ishte një realitet persekutues. Me plot përndjekës, me fanatizmin absurd politik, në një kohë kur varfëria ishte shokuese, kushtet e jetës tepër të rënda dhe shpresat nuk dukeshin në horizont. Vlora ishte një vend me një fshatarësi të kthyer në bujkrobër dhe me feudalët e kuq lokalë.

Vlora është vend bregdetar i pasur në prodhime e burime natyrore, por në pamundësi t’i konvertonte ato në mirëqënie në kohën e komunizmit absurd shqiptar. Në atë mjerim intelektual e material një qytetar mund të mos dinte asgjë, por gjënë e parë që mësonte nga shoqëria dhe e dinte ishte qëndrimi plolitik I ambjentit ku jetonin e punonin, kështu formoheshin njerëzit në atë sistem.

Ende sot vazhdojnë të gjykojnë me këtë mënyrë.

Sot ekziston një Vlorë tjetër e shpresës, por me plagë nga varfëria dhe emigrimi.


-A deshiron të kthehesh në Vlorë?


-Dihet se qentë e rrugës kur vaksinohen i kthejnë përsëri në rrugën apo rrugicën ku i kanë kapur, sepse ata, atë ambjent njohin, kafshët jetojnë në ambjentet e tyre, ariu polar jeton në borë e në akull. Bimët lulëzojnë e blerojnë në ambjentet e tyre dhe vendet nga kanë origjinën, kafeja s’rritet dot në Norvegji, kështu edhe njeriu, por sa më shumë kalon mosha aq më shumë njeriu i kthen sytë nga e kaluara, rruga jetësore që ka ndjekur. Atje ku më lindi nëna, atje më fluturon zemra, thotë kënga popullore.


-Keni shkruar e botuar libra, cili është libri parë që keni lexuar?


- Libri i parë që kam lexuar është kaltërsia e lumit të Shushicës, bukuria e burimeve të muajve prill e maj që delnin në fund të arave të gjyshit, në brigjet e lumit, bukuria e burimeve të Matollacit e të Dafinës, bukuria e fshatit tim. Çelja e luleve te bajameve, të lofatave në pranverë dhe gjuetia për mëllënja kur binte borë në dimër, kur hanim shkumë me gjethe badhre kur gjyshi milte dhitë.

Më vonë kam lexuar “Tuk, tuk, tuk”, përralla ruse, “Aventurat e Tom Sojerit”, “Në muzgun e shekujve të lashtë” e të tjera që s’imbaj mend, që m’i blinte babai megjithëse vetë ishte autodidakt.


-A mund të na thoni parimin e jetës tuaj?

-Shumë shkurt do të thoshja se unë jam munduar të eci në udhën e jetës sipas “psllamit të jetës” të H.U. Long Fellou:

Të jemi, pra, në këmbë e në veprim,

Me guxim, për çdo lloj fati,

Gjithnjë me fitore, gjithnjë në kërkim,

Të mësojmë të punojmë e të kemi durim.

Unë gjatë jetës sime nuk kam vegjetuar, por kam qenë në luftë si intelektual, si dje në diktaturë, ashtu edhe sot në demokraci. Kam qënë në luftë të përditëshme në udhën e jetës.

Pas kaq viteve në liri kam fituar aftësinë të lexoj më shumë, të kërkoj nëpër arkiva, të shoh me gjakftohtësi të dy rrafshet e ballancës dhe të bëj gjykimin tim.

Unë pyes gjithmonë veten: Mos kam të drejtë? Mos kam gabim?

Pra, unë jam i ndërgjegjshëm që mendimi im është mendimi im dhe jo vetë drejtësia.

Dyshimi tek mendimi im nuk më lejon të jem fanatik, ashtu si shumë njerëz të zakonshëm që të thonë: këtë ta them unë!… Por këta nuk harrijnë të të pyesin veten: -Po ti kush je? Kjo është e meta jonë se duam që bota të zhvillohet sipas mëndjes tonë…

Unë mendoj se njeriu merr vlera jo nga gjendje që ka por nga ajo që kërkon të arrijnë.

Përfundimisht do të thoshja se e tërë puna ime ka qenë një dëshmi për të thënë se nuk jetova kot në këtë botë. Jeta nuk është ajo që ke jetuar, por ajo që kujtohet për ta treguar.

-Si e mendoni diktaturën komuniste?

-Ishte një sistem ku mungonte absolutisht liria. Mungonin absolutisht të drejtat elementare njerëzore. Është dënimi pa arsye i një pjese të madhe të popullsisë nga pjesa tjetër, klasa punëtore që ka pushtetin, policinë dhe ushtrinë.

Por edhe ata që sundojnë, kthehen nga qytetarë të lirë në skllevër të një sistemi ç’njerëzor nga bindja, por edhe nga frika dhe urija, buka e gojës.

Rrjedhimet e këtij qëndrimi janë pushkatimet, burgjet dhe kampet e internimit në kohë paqeje, xhveshja nga pasuria, që nuk e bënë as fashistët dhe as nazistët, sidoms në Shqipëri u morën fshatarëve edhe pulat e kotecit që dikur kishin akuzuar ballistët.

Sistemi kooperativist i fshtarësisë ishte ç’njerëzor, ai solli rënien e rendimentit të punës dhe e kthehu fshatarësinë në bujkrobër, të vuante për bukën e gojës dhe të spiunonte. Fqinji jonë Jugosllavia nuk ngriti asnjëherë kooperativa, veç disa eksperimenteve, dhe nuk ia mori asnjëherë pronën fshtarësisë, siç bënë komunistët shqiptarë.

Përfundimi solli një shoqëri të nënshtruar pa gojë, qytetarë pa dinjitet nga shtypja dhe shfrytëzimi.

Parulla me të cilën erdhën në pushtet komunistët: Bukë, Paqe, Liri, u shkel që ditën e parë, nuk pati as bukë, as paqe dhe as liri.

Komunizmi lindi nga mashtrimi dhe vegjetoi me mashtrime deri sa u përmbys.

Komunizmi ishte një eksperiment shkatërrues në gjyusmën e botës, por në Shqipëri, për shkak të prapambetjes së popullit, mjerimit intelektual e material dhe për shkak se në krye të Partisë Komuniste ishte një përbindësh që nuk u ngop me gjakun e shqiptarëve për afro 50 vjet, komunizmi ishte më i egër, më çnjerëzor, më brutal, më i pa shpirt se në vendet e tjera.


-Si jetoje ti në diktaturën komuniste?


-Në diktaturë unë s’kisha gjë në dorë, rrugën ma caktuan të tjerët, edhe pse arsimin e lartë e kreva me rezultate të larta, me mesatere note nëntë dhe mbrojta shkëlqyeshëm diplomën, dhe sipas këtyre rezultateve e rregullave të kohës duhej të isha profesor universiteti, në fakt punova punëtor, mekanik dhe mjeshtër në mekanikë. Shumë vonë m’u dha e drejta e ushtrimit tëprofesionit si ekonomist. Dëshiroj dhe ëndërroj që përvoja dhe hidhërimet e jetës sime të jenë përvoja dhe gëzimi për tre fëmijët e mi.


-Çfarë sjell liria?


-Gjithë të mirat individuale, familjare dhe shoqërore. Demokracia është sistemi i njerëzve të zotë, ndërsa në shoqërinë komuniste zotësia nuk kishte asnjë vlerë, në demokraci njeriu i zoti nuk humbet.

Shumë shkurt do të thoshja: Mua, si shumë të rinjëve të asaj kohe për shkak se babai im në moshën 23 vjeçare kishte qenë ballist me Hysni Lepenicën, m’u ndalua të shkollohesha, të shkruaja e të botoja. Unë fillova të shkruaj pas vitit 1990, në moshën 56 vjeçare dhe deri ditën e sotme në liri kam botuar 28 libra si dhe kam përgatitur për botim shoqëruar me një studim timin 5 libra të tjerë. Arritjet dhe botimet e mia janë një tregues se çfarë sjell liria.


-Nëpër shumë ndërmarje ekonomike ku punuat çfarë ka mbetur në kujtesën tuaj?


-Unë kam provuar të gjitha punët para vitit 1990, punëtor krahu, mekanik, teknolog dhe nëpunës, ekonomist. Ajo që më ka mbetur në mëndje nga punët që kam bërë është fakti se kudo e kam kryer punën shumë mirë, pa vrejtje prej eprorëve, megjithatë nuk pata kurrë asnjë vlerësim, për shkak se siç thoshte partia kisha qëndrim të keq politik!

Shërbimin e detyruar ushtarak e kreva në reparte pune, sepse partia kishte frikë, e nuk kishte besim të na jepte pushkën në dorë, por na dha për dy vjet kazmën dhe lopatën!

Kam pasur gjithashtu dënime të pa drejta dhe të pa merituara: në Fabrikën e Taninit më hoqën nga Byroja Teknologjike dhe më transferuan mekanik, në repartin e regjies së lëkurëve, në Uzinën e Sodës, më tranfseruan në guroren e malit të Shushicës, etj., dënime që vinin pas zbulimit se unë isha i biri një ballisti.

Në vitin 1977, duke qenë punëtor, kreva fakultetin e ekonomisë me mesatare note nëntë dhe mbrojta shkëlqyeshëm diplomën dhe pavarësisht kësaj nuk më emëruan në punë. Vetëm pas tre vjetëve të ankesave të mia më emruan në vitin 1980 ekonomist në Ndërmarjen e Nxjerrjes së Naftës, në Gorisht, 20 kilometra larg vendbanimit.

Drejtuesit e ndërmarjeve ku kam punuar dhe eprorët e mi ishin të gjithë me arsim të mesëm, apo shkollë partie, ndërsa unë vartës i tyre isha me universitet!

Pas vitit 1990, në liri, unë kreva detyra të larta shtetërore, si shef i Shërbimit Sekret në Vlorë, shef i kabinetit të Ministrit të Kulturës, këshilltar i Ministrit të Brendshëm, ekspert i jashtëm në Kontrollin e Lartë të Shtetit, etj.


- Çfarë ka mbetur në kujtesën tuaj nga shokët dhe miqtë para vitit 1990?


-Ata janë shumë dhe do të bëja gabim të përmendja ndonjë me emër. Ata ishin jeta ime, kënaqësia e jetës sime, sepse me ta hapja zemrën. Unë ishia gjatë gjithë jetës në anën e atyre që vuajtën padrejtësisht, pa faj e pa arsye, disa prej tyre internoheshin, disa edhe janë burgosur, sepse ishin bijë të “armiqëve të popullit”.

Ne, të gjithë vuajtëm nga ideologjia ç’njerëzore komuniste. Ata, komunistët shfaqën gjatë gjithë jetës bishën që e mbajnë brenda vetes, ose siç thotë Frojdi, ne asnjëherë nuk mund të shkëputemi plotësisht nga bota e kafshëve nga kemi ardhur.

Shokët dhe miqtë e asaj kohe dhe të kësaj kohe janë frymëzimi im, qënia ime, ata më mbushnin me shpresa gjatë bisedave kokë më kokë dhe me guxim që e shfaqa në krah të tyre në Vitet ’90 kur përmbysëm diktaturën komuniste…


- Ku u ndodhët pas Vitit 1990, kur përmbysej diktatura komuniste?


- Gjatë udhëtimit e angazhimit në vijën e parë të luftës për përmbysjen e diktaturës komuniste si anëtar i Partisë Demokratike dhe adhurues i prof. dr. Sali Berishës unë kuptova se ai sistem na kishte lënë miopë dhe mësova ligjet e vërteta të zhvillimit të shoqërisë njerëzore, humanizmin dhe diktaturën.

Isha fizikisht, moralisht dhe shpirtërisht në vijën e parë të asaj lëvizje atdhetare, për përmbysjen e tiranisë së Enver Hoxhës, pasi ajo lëvizje shprehte interesat e mia.

Kam qenë protoganist i ngjarjeve më të rëndësishme të qytetit tim të lindjes Vlorës, si nëpunës i lartë, në polici, në Shërbimin Sekret dhe në ndërmarje ekonomike në mbrojtje të idealeve demokratike dhe në luftë me kriminelët të vjetër dhe të rinj.


- Ju jeni dëshmitar i lëvizjeve demokratike në Vlorë 1990 – 1992?


-Kësaj pyetje do ti përgjigjem me librin tim: “Fillimi i Lëvizjes Demokratike në Vlorë”, (2016). Unë kam qenë në vijën e parë të luftës për përmbysjen e diktaturës komuniste dhe të themelimit të Partisë Demokratike në Vlorë. E ndjeva si detyrë të konfirmoja në një libër ato ngjarje të paharruara që futën Vlorën dhe Shqipërinë në udhën e demokracisë. E bëra këtë në gjallje të atyre personaliteteve që patën fatin të dilnin në ballë të asaj furie popullore, me qëllim që ata të bënin vrejtje e sygjerime për trajtimin e ngjarjeve dhe personave, që kështu të shkonim drejt sëvërtetës të atyre ngjarjeve historike.


-Si u strukturua SHIK –u në Vlorë ?


-Efektivi i Shërbimit Informativ Kombëtar, Dega Vlorë, shkurt SH.I.K. ishte një ekip i përbërë nga elementë që u përgatitën nga shërbimet e huaja partnere, italiane, gjermane dhe turke. Në përbërje të tij ishin oficerë dhe nënoficerë të specializuar në kurse kualifikimi me specialistë të Gjermanisë, Italisë, Turqisë etj. Efektivi ishte zgjedhur nga familje patriotike vlonjate që historikisht kishin kontribuar për lirinë e pavarësinë e atdheut, preferoheshin familjet e persekutuara nga regjimi komunist si Mezini, Kuçi, Aliaj, Deromemaj, Dulaj, Tafilaj, Malaj, Gjipali, Nelaj. Ishin nga ato familje dhe ata individë që për parti kanë Shqipërinë dhe për ideologji kanë shqiptarizmin. Pasardhës të këtyre familjeve ishin përzgjedhur për t’i shërbyer vendit në Shërbimin Informativ Kombëtar.

Një veçori tjetër e këtij efektivi ishte se oficerët dhe nënoficerët ishin përzgjedhur që të përfaqësonin të gjitha krahinat e Vlorës, përfshi edhe Çamërinë.

Krahas këtyre në SHIK shërbenin: oficerë ushtrie, rrallë oficerë të Sigurimit të Shtetit që njiheshin për ndershmërinë dhe aftësinë profesionale, oficerë të aftë, nëpunës të detyrës, qytetarë të ndershëm dhe që nuk ishin përfolur nga populli.

Po kështu kishte inxhinjerë, ekonimistë, etj, drejtues nga ndërmarrjet shtetërore profesionistë të aftë, me reputacion të padiskutueshëm.


-Çfarë ndodhi me SHIK-unnë vitin1997?


-Skenat makabre të dhunimit dhe masakrimit të efektivit të SHIK-ut në Vlorë zor se fshihen nga kujtesa dhe nuk do të harrohen asnjëherë. Nata e dhimbshme antikombëtare e 28 shkurtit të vitit 1997 kur bandat komuniste sulmuan e vranë oficerët e Shtetit Shqiptar, grabitën dokumentat dhe dogjën institucionin e SHIK-ut, është baza nga e cila burojnë edhe sot qëndrimet armiqësore të shqiptarëve ndaj njeri-tjetrit, sulmi ndaj institucioneve dhe ndaj nëpunësve të shtetit dhe të policisë.


-Kur filloi sulmi ndaj SHIK-ut ?


-Sulmi ndaj SHIK-ut kishte filluar që më 22 mars të vitit 1992, kur Partia Demokratike fitoi zgjedhjet me afro 70 % të votave. Për gjatë 5 vjetëve të qeverisjes së PD-së SHIK-u dhe veçanërisht ai i Vlorës do të ishte objekt i përhershëm i propogandës së tërbuar komuniste, sulme të shfrenuara, të papërgjegjshme dhe mashtrime. Fabrika e mashtrimeve komuniste prodhonte çdo ditë mashtrime dhe dihet se komunistët janë aq të zotë në këtë fushë sa t’i mbushin mëndjen popullit se çdo vijë e lakuar është më e shkurtër se vija e drejtë! Asgjë e vërtetë nga fabrika e mashtrimeve komuniste.

Ish komunistët dhe ish Sigurimi i Shtetit nuk mund të pajtoheshin me mendimin se tani në SHIK punojnë djemë e vajza të “armiqëve të popullit” që vinin nga familje të persekutuara. Ata shiheshin akoma si armiqë të popullit!

Në ballë të sulmeve ndaj SHIK-ut bashkohej edhe një konglomerat mafioz i çdo lloji, që në situata të tilla del në krye. Kjo gjendje u vinte në ndihmë shërbimeve të huaja. Çasti i sulmit erdhi kur ranë firmat piramidale. Këto shërbyen si shkak që të digjej Shqipëria.

Thonë që historia përsëritet. Skenat e bijëve të vitit 1997 ishin po ato skena të etërve që kishin bërë gjatë viteve 1945-1950, kur “armiqtë” dilnin në gjyqet qesharake të komunistëve, por me pasoja tragjike dhe komunistët injorantë çirreshin: “armiqtë në litar”, “plumbin ballit”, skena makabre që kishin ndodhur 2.000 vjet përpara me Jezu Krishtin….

Kështu, më 26 dhe 27 shkurt u bënë demonstrime përpara institucionit të SHIK-ut dhe me datën 28 shkurt 1997 u sulmua me armë godina, u vranë oficerë të SHIK-ut dhe u dogj institucioni.


-A qëndronin akuzat që u bëheshin?


-Unë i jam përgjegjur propagandës komuniste me këto fjalë: “Mashtrues komunistë ju asnjëherë të vetme nuk shoqëruat në polici, nuk mundët të ngrini asnjë akuzë dhe nuk gjetët absolutisht asnjë fakt kundër efektivit të SHIK-ut të Vlorë dhe kjo për arsyese ne kemi kryer detyrat funksionale brenda kufijve të ligjit dhe moralit zakonor shqiptar që ju komunistët nuk e njihni”.


– Ju jeni dëshmitar aktiv i situatave që ndodhen në Vlorë gjatë periudhës 1996 – 2000.


-Gjendja dhe mjerim i Vitit ’97 në Vlorë dhe në gjithë Shqipërinë, tregonte shembjen e moralit dhe mungesën e pjekurisë shoqërore që u shfaq me shumë arrogancë te fundrinat komuniste, të cilët u shpërndanë si plaçkitës të shfrenuar në të katër anët e Shqipërisë, si përfundim bijtë morën me grykën e pushkës pushtetin njësoj si etërit në vitin 1944.

E dyta: Edukata ose ndjenja e skllavërisë që pushteti merret me grykën e pushkës, shfaqje që i shohim edhe sot e kësaj dite nëpër demonstrimet e partive.

Viti 1997, ishte në radhë të parë gabimi i qeverisë së kohës e cila lejoi firmat piramidale, e dyta qeveria nuk harriti kurrë të kuptonte se çfarë po ndodhte në Shqipëri, e treta që u tregua fare e pa aftë të mbronte organet shtetërore, e katërta që nuk mori përsipër detyrimet që kishin këto firma ndaj qytetarëve që t’i shlyenta ajo.

Marrja përsipër e shlyerjes së detyrimeve, pra koha që do të përfitonte do të ndreqte shumë gjëra dhe nga ana tjetër dëmet që iu shkaktuan Shqipërisë, sidomos në jetë njerëzish, hakmarrje që vazhdojnë edhe sot e kësaj dite dhe pasuria e grabitur dhe e shkatërruar ishte më e madhe se sa detyrimi që firmat piramidale kishin ndaj qytetarëve.


- Çfarë bëtë në vitin 1997, kur luftohej me armë për të përmbysur Sali Berishën?


-I kisha qëndruar Sali Berishës në krah, në kulmet e karierës së tij, si president e kryeminstër dhe tani viti 1997 ishte viti i provës dhe burrërisë ç’do të bëja?

Kur shumë mburravecë që ishin krekosur rreth tij iu larguan apo heshtën sikur të mos ishin njerëz të gjallë, unë qëndrova në krah të qeverisë Meksi dhe Sali Bershës, qëndrova dhe luftova me fjalën, veprimet dhe si publicist.

Këtë e bëra me ndërgjegje për të mbrojtur shtetin dhe duke parë shumë njerëz, apo politikanë, që kur kërciste pushka u futën në brekët e grave, unë ndieva detyrën të qëndroja në mbrojtje të shtetit dhe e bëra këtë. Kisha shijuar dikur të mirat, tani s’mund të largohesha, por duhet të tregoja karakterin tim dhe e bëra këtë, sepse s’mund të përmbysja kupën.

Pavarësisht se ku më hodhën dallgët e jetës unë mbeta përsëri në rolin e parë e në vijën e parë në mbrojtje të idealeve të mia, në luftë me ideologjinë komuniste. Sot që po shkruaj mund të flas për një eksperiencë të gjatë jetësore.

Edhe kur Sali Berishën e shpallën ”Non grata”, unë e pash të arsyeshme të qëndroja në krah të tij, dhe ashtu bëra.


– A ka vend për krenari në këto vite?


- Jam krenarë se gjatë viteve 1991-1992, në detyrën e drejtorit të Ndërmarjes së Grumbullimit, mbajta Vlorën me bukë dhe nuk pati probleme, si në shumë qytete të vendit tonë.

Jam krenar se gjatë shërbimit tim në polici dhe shërbimin sekret, 1992–1997, shërbeva me devocion, ndërgjegje të lartë dhe profesionalizëm.

Në vitin 1997 vendosa të shpërngulesha nga Vlora në Tiranë.

Në vitin 1999 kam qenë drejtor i Ndërmarjes Artistike ”Migjeni”, ndërmarje e cili ishte caktuar të priste ndihmat e botës së jashtme dhe t’ua shpërndante kosovarve. Është puna për të cilën kam të drejtë të krenohem, pasi edhe unë bëra diçka në ndihmë të vëllezërve kosovarë të përzënë nga vatrat e tyre nga komunisti serb Sllobodan Millosheviçi.

Kjo është një pjesë e krenarisë së jetës sime…


-Kur jeni ndierë keq?


- Në vitin 1997, në Vlorë, kur kërcënohesha nga bandat komuniste dhe u detyrova të dal nga qyteti dhe të strehohesha në fshat me gjithë familje, kur mbeta në mes të katër udhëve në Tiranë, kur kërkoja shokët e idealit dhe ata ishin zhdukur, duke parë interesat e tyre, sikur të mos kishin pasur asnjë lidhje me shtetin!!!


-Si nëpunës i lartë dhe oficer i lartë, si mendoni a e keni kryer detyrën tuaj gjat viteve 1997-2005?


-Për këtë duhet të flasin të tjerët, por kur ka heshtje edhe e vërteta duhet përsëritur që të mos zërë vend gënjeshtra. Unë do të shprehesha shkurt se në këto situata konfuze dhe të rrezikshme pozicionin dhe detyrën e kisha shumë të qartë, isha nëpunës i lartë, isha oficer i lartë, nën betim, n/kolonel i policisë dhe i shërbimit sekret të shtetit shqiptar, për të cilin isha betuar për ta mbrojtur dhe jo për ta shkatërruar. Veprimet e dhunshme dhe me armë kundër organeve shtetërore absolutisht nuk mund t’i pranoja dhe t’i miratoja.

Përkundrazi duhet të luftoja kundër tyre dhe të mundohesha t’i ndaloja, për këtë nuk kam pasur as dilemën më të vogël dhe prandaj luftova deri në fund, veprimtari që i kam pasqyruar në shumë artikuj në shtypin e përditshëm dhe në një libër.


- Ju mbeteni një luftëtar i vijës së parë idenoncimit tëdiktaturës komuniste. Si nisi kjo betejë?


-Që në bangat e gjimnazit ishin shenjat e para që doja të shkruaja. Profesorja e letërsisë e pa harruara Ferial Vasili (nëna e deputetit Petrit Vasili) gjithmonë më vlerësonte me 4 e gjysëm në hartimet e mia, nota maksimale në atë kohë ishte pesa.

Lexoja pa pushim dhe si i ri mendoja gjithmonë se do të bëja emër në fushën e letërsisë dhe më pas në kritikën letrare, ëndërra rinie.

Më pas u bëra i kujdesshëm në histori, në data e ngjarje, por në atë sistem që mungonte absolutisht liria nuk mund të mendoje se do shkruaje…

Kur zbulova historinë patriotike të fisit, Ahmet Lepenica dhe Hysni Lepenica, Fejzo Lepenica dhe Numan Lepenica, ma mbushnin zemrën me shpresa dhe më nxitën të shkruaja për ta, por gjithmonë me frikë se mos cënoja vijën e partisë!

Pra, shkrimi, mendimi për të shkruar, ka qenë betimi im i heshtur.

Burrat, gratë dhe fëmijët e pafajshëm, që atë kohë vuanin nëpër kampe internimi në kohë paqje, më mbushnin me indinjatë dhe fillimisht nuk mundja dot të kuptoja domethënien e kësaj vuajtjeje, pasi mendoja me të vërtetë se sistemi socialist ishte sistemi më i mirë dhe i përjetshëm. Kjo ishte miopia jonë në atë burg të madh ku na kishte mbyllur Enver Hoxha dhe Kadri Hazbiu, por dalëngadalë mendimet ndryshuan dhe unë munda të shoh padrejtësinë dhe diktaturën, kjo falë edhe familjes sime.

Viti ’90 na mbushi me optimizëm dhe e kuptova se nuk kishte më kthim prapa, prandaj dola në vijën e parë të luftës për liri. Atëhere së brendshmi më lindi mendimi dhe veprimi për të ndihmuar dhe popullarizuar vuajtjet e popullit tim kështu fillova të shkruaj. Vuajtjet e kësaj shtrese nëpër burgje dhe kampe internimi, vdekja nga sëmunduja e urisë, nga mungesa e barnave, mohimi I të drejtave njerëzore e të tjera u bënë tema e artikujve të mi në shtypin e kohës.

Në shkrimet e mia pasqyrova botën e errësirës ku vuante një popull i tërë. Dëshmoja vuajtjet dhe trajtimin çnjerëzorë të shtresës së të persekutuarëve politikë, pra u vura në mbrojtje të të drejtave të njeriut.


-Ka mendime se tregoheni i prerë në shkrimet tuaja dhe përdorni një gjuhë të ashpër?


-Si përgjgije për këtë pyetje do të thoshja se gënjeshtra përsëritet vazhdimisht, prandaj e vërteta duhet të kujtohet përherë. Nga ana tjetër si do t’i përcaktonim anëtarët e Byrosë Politike të Enver Hoxhës, them të Enver Hoxhës sepse ajo Parti ishte e një njeriu të vetëm, vetëm e Enver Hoxhës, të tjerët ishin vetëm gurë shahu që ai, kryekrimineli, i levizte për të arritur qëllimet e tij e për të mbajtur i qetë fronin e tij të përgjakur me gjak vëllai.

Së fundi ju thoni tregohem i ashpër, me çfarë? Me fjalë, ndërsa banda terroriste e Enver Hoxhës ka terrorizuar popullin me zjarr dhe me hekur, me pranga, me plumba dhe me litar në grykën e një populli të tërë.


-Ke pasur polemika me komunistët, ata ju akuzojnë si i biri një ballisti etj.


- Unë kam botuar një libër “Përballë klithmave të korbave” (2008), ku kam përmbledhur polemikat që kam pasur me komunistët. Ndryshe nga botimet e komunistëve, unë në këtë libër kam botuar shkrimet që më kritikojnë ose akuzojnë me titull: Për çfarë më akuzon mua komunisti …?, dhe pas këtij shkrimi unë botoj përgjigjen time. E kam bërë këtë pasi unë kam një avokat të fortë që më mbron: të vërtetën.


-Cila është e vërteta si bir ballisti?


-Babai im në vitin 1943 ishte 23 vjeç, ishte ushtar i çetës së parë antifashiste në qarkun e Vlorës, çetës “Shqiponja” që komandohej nga Hysni Lepenica, Dëshmor i Atdheut, “Nder i Kombit”. Pas vrasjes së Hysni Lepenicës, me 14 shtator 1943, “Balli Kombëtar” në Vlorë u çorjentua dhe u muar në komandë të Enver Risilisë.

Në këto momente babai im dhe disa fshatarë të të tjerë shkuan partizanë në Brigadën e XII-të S, çka tregon fare qartë se ata, sipas traditës, kishin marrë pushkën për lirinë e Shqipërisë dhe jo për Ballin apo Partinë Komuniste.

Në vitin 1965, Refat Bajrami, ish komandant i Brigadës XII-të e kishte pyetur babanë nëse e merrte shërblimin si veteran i luftës?

-Jo, - ishte përgjegjur babai, pasi kohën që kam qenë me Ballin ma ka njohur partia, e ndërsa kohën që kam qenë partizan nuk ma kanë njohur!!! Kjo ishte logjika komuniste!

Pas Vitit 1990 babai është njohur si Veteran i Luftës Antifashiste, titull i mohuar nga komunistët.

Po e mbyll këtë kapitull, duke ju thënë komunistëve të ditëve tona, se fjalët e tyre janë si gjethet, veprat e babait tim dhe të miat janë si frutat.


-Parimet e veprave tuaja?


-Vitet 1990 dhe 1991, dhe veçanërisht 22 marsi i vitit 1992, sollën përmbysjen e diktaturës komuniste e për pasojë rilindjen e Shqipërisë Demokratike, që solli nxjerrjen e historisë nga një histori politike e folklorike në shkencë, në këtë drejtim jam munduar që edhe unë të jap kontributin tim.

Mendoj se edhe unë kam bërë detyrën time për të ndriçuar disa ngjarje historike dhe personalitete të historisë së popullit tonë, të cilat qenë falsifikuar, apo mbuluar me harresë qëllimisht, ky ka qenë qëllimi dhe parimi i veprave të mia.

Megjithëse e kam filluar këtë punë pas vitit 1990, pasi më parë nuk më lejohej të shkruaja. Frederik Shiler ka thënë se “Njeriu me veprën e tij fotografon veten”.

Në veprat e mia kam shkrirë shpirtin dhe jetën time, prandaj vepra ime do të mbetet këtu, midis të gjallëve, kur unë do të kemë ikur nga kjo botë dhe ajo do më përcjellë edhe matanë varrit tim.

Mundimi dhe sakrificat e mia për të mbajtur familjen, për të nderuar fisin dhe krahinën nuk do vejë dëm pasi është pasqyruar në veprat e mia.

Jam shumë i kënaqur që shoqërisë i lash diçka, veprën time, me dëshirën që fëmijët, nipat dhe mbesat ta çojnë më përpara.


- A janë vlerësuar veprat tuaja? Çfarë keni arritur me veprën tuaj të botuar në fushën e historisë?


- Në veprat e mia kam ndriçuar shumë ngjarje historike të falsifikuara, shumë personazhe historike, të mbuluar qëllimisht me harresë. Kam ngjitur në peidestalin e historisë Ahmet Lepenicën, Hysni Lepenicën, Fejzo Lepenicën, në saje të veprës time dhe artikujve të mi ata janë vlerësuar nga Presidenti i Republikës.

E gjithë vepra ime përshkohet fund e krye nga evidentimi krimit, dhunës dhe terrorit komunist, bazuar mbi fakte e prova dhe burime arkivore që nuk mund të kundërshtohen. Si qytetar dhe atdhetar, thellë në ndërgjegjen time kam kuptuar detyrën që shtron para shqiptarëve Rezoluta e Këshillit të Europës, 1481-2006 dhe e Kuvendit të Shqipërisë e 30 tetorit 2006, për domosdoshmërinë e dënimit ndërkombëtar të krimeve të regjimit komunist.

Në thirrjen e ndërgjegjes sime dhe në zbatim të detyrave që na vënë rezolutat e cituara unë kam shkruar e botuar veprat e mia, të cilat janë vlerësuar nga personalitete dhe autoritete të historisë, por edhe nga publiku i gjerë, për shembull:

Për veprën “Hysni Lepenica … “ janë botuar gjithsej 31 artikuj vlerësues, shquajnë artikujt e prof. dr. Hysni Myzyrit, prof. dr. Muharrem Dezhgiut, prof. dr. Eshref Ymerit, prof. dr. Beqir Metës, prof. Gëzim Zilja etj.

Për veprën “Pseudonime të përdorura gjatë Lëvizjes Antifashiste 1939-1944”, janë botur gjithsej 16 artikuj vlerësues, ndër ta shquajnë prof. dr. Beqir Meta, akademik, dr, Iliaz Gogaj, prof. Agron Gjekmarkaj, deputetë, etj.

Për librin “Nëpër greminat e përgjakura komuniste”, janë botuar 15 artikuj vlerësues dhe kritikë, ndër ta shquajnë dr. Iliaz Gogaj, publiçistët Eglantina Alliaj, Gëzim Llojdia etj.

“Me punën e tij të lavdëruar për nga zelli e ngulshmëria për të kërkuar, mbledhur, qëmtuar, seleksionuar dhe analizuar, ka dhënë një libër me vlera të çmuara… Janë shumë faqe të librit, të cilat nuk mund të lexohen pa u tronditur dhe pa u prekur thellë shpirtërisht nga veprimtari të përbindëshme.. që bënë komunistët…”, -ka thënë dr. Iliaz Gogaj.

Për librin “Përballë klithmave të korbave”, polemikë me komunistët, janë botuar 11 artikuj, ndër ta shquajnë prof. dr. Alqi Naqellari, dr. Iliaz Gogaj, shkrimtari Novruz Shehu, studjuesi Shpresim Kasaj, etj

Për librin “Kthimi i borxhit të madh” janë botuar 8 artikuj vlerësues dhe kritikë, ndër ta shquajnë dramaturgu Ferdinand Hysi dhe poeti Izet Shehu.

Për librin “Emblema e një epopeje” janë botuar 18 artikuj vlerësues dhe kritikë, ndër ta shquajnë prof. dr. Uran Asllani, prof. dr. Muharrem Dezhgiu, prof. dr. Alqi Naqellari, prof. dr. Bardhosh Gaçe, etj

Po kështu vlerësime të larta ka pasur për veprën “Major Ahmet Lepenica, Komandant i Përgjithshëm i Luftës së Vlorës, 1920”. -Me këtë vepër Enver Memishaj ka zbuluar madhështinë e këtij patrioti të shquar, pra ai i kthehen historisë sonë një personalitet të shquar, të harruar dhe të pa vlerësuar më parë, shkruajnë ndërmjet të tjerëve, prof. Gëzim Zilja, prof. Petrit Derraj etj.

Libri im i fundit është “Lepenica e Vlorës. Shënime historike”, për të cilin prof. dr. Luan Malltezi shkruan: “Libri është fryt i një pune kërkimore shkencore kryer nga autori për vite më radhë në fonde të ndryshme të Arkivit Qëndror të Shtetit dhe Bibliotekës Kombëtare… Historia e Lepenicës shkruar nga autori ka marrë karakter të gjerë enciklopedik”

Vepra ime ka hyrë në bibliografinë e “Historisë së Popullit Shqiptar”, Akademia e Shkencave, Vëllimi i IV, Tiranë, 2008.

Po kështu edhe në shumë vepra shkencore të historisë janë cituar veprat e mia, si prof. Paskal Milo “Shqiptarët në Luftën e Dytë Botërore”, (Toena, Tiranë, 2014), etj.

Portale të shumtë të internetit kanë botuar arikujt e mi historikë, po ashtu jam përmendur vazhdimisht edhe në shypin e kohës.

Shkrimtari Agim Jazaj, në një libër të tijën, “Bij të Vlorës”, botuar në vitin 2012 në Vlorë, me rastin e 100 vjetorit të Pavarësisë Kombëtare, shpall 100 personalitete të Vlorës, ndër ta ai ka renditur edhe emërin tim. Enver Memishaj.


-Po vlerësime zyrtare për punën tuaj a ka pasur?


-Si rezultat i punës sime në fushën e historisë jam vlerësuar: “Mirënjohje”, nga Bashkia Selenicë, vendi i origjinës sime, “Personalitet i shquar i Qarkut i Vlorës”, nga Këshilli i Qarkut të Vlorës, “Mjeshtër i Madh” Titull nga Presidenti i Republikës, “Misionar i Paqes” nga Misioni Ndërkombëtar Diplomatik Paqe dhe Prosperitet, Çmimi “Dom Ndoc Nikaj”- nga “Gazeta e Alpeve”, “Mirënjohje” nga Universiteti Ndërkombëtar i Strugës Maqedoni e Veriut.


-Kur ndjeni kënaqësi për veprën tuaj?


-Kënaqësinë më të madhe e ndiejë nga njerëzit e thjeshtë kur më thonë e kam lexuar veprën tënde, ose kur më falenderojnë për të vërtetat historike që kam pasqyruar në veprën time.

Unë jam i kënaqur se vepra ime do t’i shpjerë lajmin nënës dhe babait tim atje në varr, ku prehen, se e shleva borxhin e madh, kreva detyrën time, i nderova ata, nxorra në dritë Ahmet Lepenicën, Hysni Lepenicën, tërë fisin tim dhe fshatin tim e lartësova me veprat e mia.

- Porosia për fëmijët, nipat e mbesat?


- Mbahuni të gjithë tok dhe mos u përçani, duajeni njeri tjetrin shumë, ndihmoni njeri tjetrin. Vlera e vërtetë e njeriut është shpërbimi ndaj të afërmve dhe shoqërisë.

Historia duhet shikuar si një mjet që nxjerr gabimet e brezave ose bën vlerësimin e tyre dhe jo si mjet që mbron falsifikimet dhe krimet e djeshme.

Arritja më e madhe e jetës sime dhe e bashkëshortes sime janë fëmijët e mi. Të kesh fëmijë me vlerë do të thotë se e ke plotësuar detyrën e prindit dhe je i qetë dhe i kënaqur për ata që ke lënë pas.


-Si do ta portretizonit veten tuaj me dy fjalë?


-Unë nuk kam ditur të qëndroj spektator në jetën time, por përkundrazi pavarësisht pengesave e vështirësive jam munduar të dal në vijën e parë. Librat e shkruar dhe botuar prej meje janë portreti im i plotë. Kaq mjafton. E shkuara janë rrënjët, e tashmja është angazhim në jetën e shoqërisë, e ardhmja është projekti që ne vet i përgatisim vetes sonë.

Gjatë gjithë veprimtarisë sime kam pasur parasysh se gjyshi më thoshte: Na pret të gjithëve një gur varri…


-A jeni prind i gëzuar dhe gjysh i lumtur?


-Po, plotësisht, Teuta bashkëshortja më ka falur tre

fëmijë: Entela është avokate e njohur, Nertila mjeke e njohur dhe Orgesi jurist.

Kur e pyeta mikun tim të ndjerë, prof. Nexhat Mersinin se si kishte duruar dhe kishte ndenjur dy vjet te vajza në Kanada ai m’u përgjegj:

-Enver, në të ri njeriu e ka dashurinë e tij tek fëmijët, por Zoti nuk të lë pa dashuri, në pleqëri ai ka dashuri të pa kufishme për nipër dhe mbesat…

-Unë e Teuta “vdesëm”, e na merr malli për të dashurat tona, mbesat Dea dhe Elia Shehaj, qofshin të lumtura!


- Mesazhi juaj?


-Ideja e Vëllazërimit. Duhet të lexojmë e të njohin historinë tonë. Profesori im i histories, Perlat Xhiku, më thoshte: dallojmë nga kafshët se e dimë kë kemi paraardhës, pra njohim historinë tonë, derri nuk e di.

Sejcili duhet të ndiejë detyrimin të bëjë e të japë diçka për atdheun e tij pa shpërblim, veç taksave e tatimeve, të pyes veten çfarë bëra unë për atdheun tim?


-Si është organizuar një ditë e zakonshme e një pensionisti?

-Kur më pyesin: si e kalon ditën? Unë ju përgjigjem: los domino, sepse njerëzit nuk të kuptojnë po t’u thuash se çohem që në 6 të mëngjezit dhe filloj punën në kompjuter.

Jam në fund të udhës së jetës dhe çdo ditë pyes veten: A do më mjaftojë jeta të botojë gjithë veprat që i kam gati nëpër dosje? Dhe punoj më me ngulm deri në orën 11 kur bije të fle.

Kur gjej kohë të lirë shkruaj ndonjë artikull për gazetat.


-A vazhdoi na ruani mënyrën e të shkruarit të viteve 1997-2000 kur ju shkruanit dhe botonit pa pushim?


-Atëhere shkruaja me pasion dhe botoja gati çdo dy ditë, nga fakti se kishte skllevër të ideologjisë komuniste që donin të merrnin pushtetin me grykën e pushkës.

Në atë kohë të vështirë kujtoj me nderim, vlerësim dhe respekt të thellë zotnin e nderuar Fari Balliun që me Gazetën “55” u bë shembulli i atdhetarit dhe qëndrestarit në mbrojtje të idealeve demokratike, po ashtu dr. Bujar Leskaj, që më mbeshteti moralisht e materialisht dhe mikun e pa ndarë, Gëzim Zilja, me të cilin shkruanim pa pushim në Gazetën “55”.

Në atë situatë nuk mund të heshtja dhe shkruaja vazhdimisht për krimet e komunistëve gjatë diktaturës që ushtruan mbi popullin tonë për afro 50 vjet dhe ringjalljen e bijëve në vitin 1997.


-A e keni kryer detyrën tuaj në jetë?

-Kjo është pyetje e vështirë dhe nuk më takon mua të përgjigjem. Gjykatës i jetës dhe veprës sime është shoqëria, fëmijët e mi, fisi im, fshati dhe krahina ime. Ata le të flasin.

Për sa i përket gjykimit tim dua të them se unë kam vuajtur në jetë, pa përkrahje dhe i diskriminuar nga regjimi komunist, megjithatë qëndrova dhe nuk ishja në fund të shoqërisë.

Unë fillova të shkruaj në liri, zbardha shumë ngjarje historike, bëra historinë e vendlindjes sime, nxorra në dritë dhe ngrita në piedestalin e merituar Ahmet Lepenicën, Hysni Lepenicën, Fejzo Lepenicën, Hasan Lepenicën dhe gjithë të persekutuarit e vendlindjes dhe krahinës.

Në veprën time të bazuar në dokumente historike, për aq vite sa kam patur në dispozicion, kam evidentuar dhe denoncuar, krimin, dhunën dhe terrorin e regjimit komunist mbi shqiptarët.

Tani po pyes unë: A e kam kryer detyrën time në jetë? Mos kam të drejtë? Mos kam gabim?


–Fund —


18 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page