top of page

Gjuha Shqipe


Gjuha Shqipe

Fatmir Terziu


Zgjohem me fjalët e tua

ëndrrat mendojnë se jam në gjumë,

shpërngulen me mijëra vite rishtas

si një Perëndi që shfaqet më shumë

nga një mit i përcjellur enkas.

Por nuk jam në betejën e syve të lodhur,

me tavanin që shkruan bejtet e hijeve të klonuara,

gjuhërat si sallata e mbetur në tryezën e ngrënies,

është ende në pjatat e emaluara,

për të mos lodhur mendjen e huaj.

Edhe unë nuhas thartinën,

nuk lexoj më menu në një qiell të pastër,

e gjithë kjo është një lodhje për shijet,

edhe në librin e gatimit,

ku trazohen mes tyre të trishtuar yjet.

Thjesht po shijoj fjalët

si kënaqet shpirti me këtë libër

të shkruar nga dora e shqisave

të mbingarkuar nga pesha dhe vitet

në rrudhat e strukura mes plisave

me erën e petave që shkruan mitet

me duart e nënave.

Dhe ky mit mbetet një libër i hapur

në hapësirën ku ndjehem si pupël

e goja hapet pa fre

me gjuhën e bukur shqipe

duke kënduar për disa atdhe ...

Dhe mendja e dëgjon dhe e di

se kjo nuk është thjesht si një magji

nga shekujt po rizgjohet një e vërtetë

kur gjuhët u ushqyen në Iliri.

Në këtë orë vetëm ti e dashur,

betohesh në ëndrrën tonë të përbashkët,

dhe gjuha është një zgjim në muzg

ku njeriu i shtrin krenarisht krahët.

Në anën tjetër të gjërave

ti shuan kuptimin me pëshpëritje:

- Dëshiron zgjim tjetër zemra ime?

Asgjë tjetër ...nuk e them me habi,

Faleminderit në gjuhën e bukur shqipe

ndryshe çfarë është një gjuhë pa dashuri?

Zgjohem me fjalët e tua

ëndrrat mendojnë se jam në gjumë,

asgjë tashmë s'është e huaj

dua të të shqiptoj deri në fund.

61 views9 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page