
GJENERALI I GJYSHIT
-Nipit, që sot mbushi dy muaj-
nga Albert Habazaj
Mares u bë burrë ..., mbushi dy muajsh,
"Dy vjeç (me të vogla)" e këndon nëna,
Mrekulli e Zotit është pak t'i thuash,
Ku mbushet me dritë dielli dhe hëna.
Ku mbushet me frymë shpirti dhe zemra,
Ku dashuria rrok të tjera hapësira,
Ku pranverë me lule vishet kënga,
Se nga qumësht' i bletës ka më ëmbëlsira.
Principata e djepit të Princit Mares
Nga kopsht i Edenit është më e bukur,
Galaktika e gëzimit tonë hedh valle
Dhe këndon himnin gjenetik kaq lumtur.
Mares kur qan ruan veten e rritet,
I thotë diellit:- Dil, apo të dal?!
Sypishë më hedh çiltër vështrimet
Dhe gjyshi e ka graduar "Gjeneral"...
Vlorë, e martë, 3 Dhjetor 2019
Comments