Gjaku shqiptar në Europë, i pastër e fisnik - le ta dëgjojë Makroni!


Fotaq Andrea

E trishtë, shumë e trishtë


Gjaku shqiptar në Europë, i pastër e fisnik - le ta dëgjojë Makroni!


Nga Fotaq Andrea


Në prill 1946, revista e përjavshme franceze e gruas « Elle » botonte një episod të shkurtër titulluar “E trishtë, shumë e trishtë” që po e japim të plotë :

“Në një fshat të vogël shqiptar, një toger i këmbësorisë koloniale rri e ndjek me vështrim të ngulët, mbi një ndenjëse të gurtë pranë rrapit qendror të fshatit, një të moçëm shqiptar që prej disa çastesh ia ka marrë këngës së vajit duke i shkuar lotët çurg.

- Po pse këto lot, ç’të mundon? – e pyet.

- Më bën kënga të përlotem, – ia kthen plaku.

- E ç’thotë kjo kënga tënde?

- Po ja, flet për historinë e një korbi që qëndroi gjatë, shumë gjatë, në degën më të lartë të lisit dhe që pastaj, iku e fluturoi.

- Po ç’ka këtu për t’u trishtuar kaq shumë, o njeri i mirë? – i thotë togeri.

- Mbase në frëngjisht, - gjegjet plaku, duke qarë tashmë me dënesë -, nuk është dhe aq e trishtë që korbi lë vendin e fluturon... Po në shqip, ah! ta dinit, more zotëri, sa e trishtë është, shumë e trishtë, tragjike!”

Nga sa mund të vihet re, episodi i mësipërm duhet të jetë real, nga kujtimet e një nënoficeri francez në Shqipëri gjatë luftës së parë botërore, të cilit i bëjnë përshtypje të thellë lotët çurg nga shpirti i plakut për të birin e vetëm, që me siguri e quan në këngën e vajtit “Korbi (qyqi) ti, o bir!”, dhe që ka marrë rrugët e mërgimit për në dhe të huaj, duke e lënë plakun fill të vetëm.

Por, le të kthehemi një hop në çerekun e fundit të shekullit XIX, kur Viktor Hygo përshkruan imtësisht në veprën e tij “Choses vues” (“Ndodhi të përjetuara”) skenën e largimit për në mërgim të dy familjeve alzasiane pranë brigjeve të Rhinit. Dy pajtone mbushur plot me baule; fëmijë çapkënë që lozin e lodrojnë duke ndjekur të gëzuar pajtonin; zonja e zonjusha të veshura hijshëm me fustane të bardha derdhur gjer në tokë dhe me kapat plot lule, tek këndojnë të lumtura; burra që ndërsejnë qentë me zë të fuqishëm plot autoritet për ta shtyrë karvanin përpara. Një atmosferë plot gaz e lumturi e këtyre dy familjeve imigrante alzasiane që largohen nga atdheu i tyre me këngë në gojë për në Kebek të Kanadasë.

Kontrasti në këto dy skena historike të mësipërme është më se i dukshëm: nga njëra anë, “qyqari” mërgimtar shqiptar simbolizuar nga korbi, që dhembjen e shpirtit për largim nga atdheu e ka sintetizuar në këngën plot vaj “Moj e bukura Moré”, dhe nga ana tjetër, “mërgimtari” frëng i shekullit XIX që do themelonte e ushqente plot ëndrra të bukura e shpresë, koloninë franceze të Kebekut.

Historikisht, është e njohur se lëvizja e shqiptarëve drejt Europës daton tepër herët, që nga koha e Bizantit të lashtë, kur ndodhin pikëtakime historike midis “Këngës së Rolandit” dhe Epidamnëve albanë dhe kur miti i besës e ngre Kostandinin nga varri për të risjellë në atdhe Doruntinën abërore martuar me princ fisnik europian. Në vijimësi historike, shohim stradiotët shqiptarë që para kohës së Skënderbeut t’u shërbejnë republikave e shteteve të kontinentit të lashtë, nga republikat e Napolit, Gjenovës, Venecies, Raguzës, etj. deri te vende të tilla si Spanja, Franca, Korsika, madje edhe më tej, në Alzasë, në Vendet e Ulta e fiset gjermanike. Dhe do të jenë pikërisht stratiopitë e famshme arbrore ato që do të themelonin në More të Greqisë dhe në Jugun e gadishullit Apenin kolonitë e hershme arvanitase e arbëreshe, do të jenë stradiotët e famshëm arbër nga ish garda skënderbejane që do të përbënin mbi të gjitha vetë bërthamën e Kalorësisë së Lehtë Europiane si dhe Gardën jeniçeriane të superfuqisë së kohës që ishte Perandoria osmane.


Është e vërtetë se shqiptari arbër në këtë rast shfaqet si luftëtar i fuqishëm në Mesjetë, që për zanat ka luftën, tek mbush radhët e gardave mbretërore. Kronikat mesjetare janë kështu plot me dëshmi për bëma stradiotësh shqiptarë në luftëra me përmasa të gjera në rrafsh europian përgjatë shekujve XIII-XVII. Domosdo, me syrin e sotëm, zanat i luftës i stradiotit arbër do të thotë thjesht “mish për top” në emër të mbijetesës, për ta paguar jetën me çmimin e shtrenjtë të gjakut, me çmimin e vdekjes heroike dhe krenare, por duke mbajtur thellë në vetvete, në shpirt e zemër, peshën e përjetshme të hallit, peshën e lotit, vajtimit, një peshë njëmijë herë më e rëndë nga vetë Guri i Sizifit. Dhe prapë, ka pse krenohet ky stradiot shqiptar, perderisa kapelen e tij të lartë “albanoi”, për të cilën flet nga të parët Fransua Rable, e mbajtën në kokë dy mbretër të Francës, Henri II dhe Henri IV dhe perderisa gjeneralissimi dhe fisniku shqiptar Gjergj Basta i dha bazën strategjike ushtarake Kalorësisë së Lehtë Europiane. E të mos harrojmë se kur Europa mbarë ishte përfshirë në luftëra të errta civile e fetare mesjetare, kur principatat e vogla e të mëdha të saj luftonin me njëra-tjetrën për mbifuqi e madhështi, “Atleti i Krishtit” dhe “Mbrojtësi i Europës”, Skënderbeu ynë, që mishëronte vlerat më të larta ideale, do të bëhej, në krye të shtetit të Arbrit, për një çerek shekulli me radhë, mburojë dhe kala e fuqishme për t’i ndalur hovin superfuqisë së kohës që ishte Perandoria osmane. Dhe mbi të gjitha, në mbrojtje të Europës. Kur dihet që ajo perand