Gerda Bandilli: Letërsia e së hënës...

Ishte e premte dhe ajo u vonua dy minuta. I shoqi u tërbua nga inati. Ajo e poshtra guxonte të vonohej. Ku i harxhoi ato dy minuta. Ajo nuk vonohej kurrë. Kurrë. Ishte kaq e fiksuar pas orës fiks. Kushedi cili burrë do ta kishte përcjellë në shtëpi. E sigurt që do e kishte puthur. Ai do ta zbulonte menjëherë, sapo ta shihte në fytyrë. Ajo nuk gënjente dhe kur orvatej ta bënte skuqej e gjitha.
Por ajo ishte dy minuta me vonesë. Shitësi mishit që e shihte çdo ditë kur kalonte para dyqanit të tij, filloi të mendonte vonesën e saj. Me siguri do t'i kishte ndodhur diçka. Kishte ndërruar dyqan. E sigurt! Dy minuta! "Po Ajo pse nuk po kalon, - mendoi shitësja e bukës. Kishte një xhelozi që i vinte nga korrektesa e saj. Fiks në të njëjtën orë. Me atë buzëqeshjen e sjellshme. Ka thyer qafën e sigurt dhe do kishte bërë mirë, nuk e duroj dot"-, mendoi dhe një buzëqeshje iu përvijua në buzë. Ajo u vonua dy minuta. Dy minuta të tmerrshme për njerëzit që e shihnin në të njëjtën orë të kthimit të saj. Ja, Ajo, e bukura, ajo, e përkëdhelura, me ato rrobat elegante, me mirësjelljen e buzëqeshur, ajo u vonua dhe plot dy minuta. Ajo me siguri ka bërë një gabim. Një gabim i duhej gjendur në ato dy minuta. Dikush e kishte vonuar, kjo nuk kishte më dyshim. U shqetësuan të gjithë, u trembën, hamendësuan kaq shumë. Dy minuta fatale..dhe ja në rrugë ajo, me fustanin pas formave të trupit, me buzëqeshjen e përshëndetjes, e përtërirë në gjithçka të sajën.
- U vonove?- e pyeti i shoqi me një zë që nuk doli si i tiji.
- Binte shi, ishte kaq i imët, i ngrohtë dhe i dashuruar....
Javë të mbarë!








Comments