Gabeli me mustaqet dy pëllëmbë e ca,
me barkun të rrumbullt, si fuçi birrash,
ka pranë dy dashnore me sisë të mëdha,
ka xhepa të ënjtur, me para vjetërsirash.
Gabeli bllokon klubin e këndon tallava,
vë përpara qengjin të pjekur në tavë,
kamerierit i hedh bakshish në tabaka,
aq sa pronari i paguan punën një javë.
Kur më pikasi mua, që më ka komshi,
u gajas së qeshuri, me zërin e çjerrë:
“Çoi nga unë një birrë, atij robit aty!”
urdhëroi kamerierin me ton të prerë;
Dhe tha: ”Kam gjynah për atë rob zoti,
se mban dritën çelur, deri në saba,
bën libra në vapë, e kur të than i ftohti,
dhe e paguajnë të hajë supë, si kalama!”
U ndjeva aq keq, sa desha ta lë klubin,
Por dashnorja e dehur, më zërin zuzar:
tha: Pije birrën, o Aga, se ta heq turpin,
ta shtyp kokën mes sisëve, si kokërr arrë!
Pashë sisët e saj, sa dy qypa prej mishi,
teksa gati shpërthenin grykën e fustanit,
dhe më zuri frika, sikur dy gjyle të ishin,
do ma shpërthenin kokën në mes lokalit.
Të mbetesha i mëshiruar në atë mënyrë,
s’e desha më veten, në ato çaste kritike.
Shkruaja për të gëzuar dinjitet të dëlirë,
si të bija aq poshtë, me punen time fisnike?
Më ngeci në fyt, birra e gabelit milioner
dhe u betova, për të shtrenjtët e shtëpisë,
në klubin e lagjes, nuk hy më tjetër herë,
shpëtoj dhe kokën pa shtypur, nga ato sisë!...
Comments