G. Jovani: DUKE BISEDUAR PER ENDRRAT

G. Jovani: DUKE BISEDUAR PER ENDRRAT
Ky është libri i parë i Liljana Furxhiut, botuar më 1995. “Për një çast unë shkela ëndrrën”. Titull simbolik. Një dekadë e ca vite jete dhe vashëza kishte vënë njërën këmbë tek ëndrra. Kishte hyrë tek një botë magjike, POEZIA, madje... me një libër të botuar. Gjë që të tjerët mund ta arrijnë vonë, pas dekadash të tëra. Kjo gjë mund të jetë fat, por mund të jetë dhe mallkim. Fat se shkel ëndrrën, mallkim se mund të trembesh nga ëndrra. Dhe të trembesh në atë moshë, e mbart frikën e vargjeve me vete, gjatë rritjes. Këtë rrezik duhet të ketë ndjerë njohësi i shkëlqyer i këtyre situatave poetike, prof. Nasho Jorgaqi, tek lexoi këngët e kësaj vajze të talentuar, që nuk dinte akoma qartë nëse shkruante letra dashurie apo poezi të mirëfillta, vjersha që u ngjanin bisqeve të porsçelura të një pranvere, për të shkruar në pasthënien e këtij librëthi të vockël: “Kryekënga e këtij vëllimi është dashuria, e përjetuar në moshën e saj më të bukur. E ëmbël dhe e brishtë, e drojtur dhe e dlirë. Liljana Furrxhi përpiqet ta rikëndojë me zërin e saj. Një zë i sinqertë, herë-herë prekës, por i besueshëm, që më bën të shpresoj, që këto këngë s’do të mbeten “kënga e mjellmës” për autoren...” Më ngjajnë fjalë prej prindi, këto të profesorit të shquar të letrave, Nasho Jorgaqit, se sa një përcjellje adekuate poeteje. Një merak nxjerr kokë në këto fjalë të ngrohta. Do të fluturonte kjo mjellmë në qiejt poetikë, apo do të mbetej aty, në breg të lumit të fshatit të saj myzeqar, duke peshkuar me të jatin?
Kaluan vite, dekada të tjera dhe Liljana Furxhiu, ndonëse ia bëri hyzmetin ëndrrës që i kishte ardhur tek dera - vazhdoi dhe përfundoi studimet e larta për letërsi - fatkeqësisht, këndoi vetëm me vete. Nuk botoi më, as edhe në shtypin lokal. Gjersa u takua një ditë, livadheve të ëndrrave poetike, me një kalë artistik, “Pegasin”. Një mjelmë dhe një kalë fluturues. Doemos, do ta gjenin fjalën. Ëndrrën e kishin të përbashkët: fluturimin. Pegasi e ftoi për një fluturim, në qiejt e tij, me këngët e saj më të fundit, ato që i bënte për vete dhe i këndonte po vetë. E ftoi të këndonte edhe për të tjerët, të vazhdonte më tej ëndrrën e saj, që e kishte shkelur përpara vitesh. Kështu dhe u bë. “Pegasi” 9 e bëri pjesë të tij dhe cikli i ri poetik i Liljana Furxhiut tani nderon faqet e kësaj reviste, me një përcjellje prej kolegu të denjë, Luan Xhulit, i cili thotë: “... do të deklaroja se kjo krijuese, me aromë dhe blerim Myzeqeje, ka vlagë të vërtetë poetike dhe e kultivon bimën e fjalës me dashuri femre”. Prapë dashuria, ajo “magji” që kishte vërejtur tek kjo vajzë Nasho Jorgaqi, që vërejti pas kohësh, tek vargjet e saj, edhe Luan Xhuli. Domethënë, ekzistonte akoma... Mjellma nuk e kishte harruar fluturimin.
Po ua përcjellim miqve të poezisë ciklin e saj, tek “Pegasi” 9, që të gjykojnë edhe ata, nëse iu përmbushën dëshirat prof. N. Jorgaqit dhe nëse ka të drejtë poeti i talentuar L. Xhuli. E titullon ciklin e saj “Foleza ime: dhomë e guzhinë”, Liljana Furxhiu. Doemos, mund të këndohet edhe në këto perimetra të së përditshmes. Por një Pegas, ama, nuk mund të ngushtohet atje, brenda një dhome edhe një guzhine, shto këtu edhe dhomëzën e ëndrrave të gjumit. I duhet një qiell i tërë, libër i ri tashmë, të këndojë këngët e tanishme, të shkelë të tjera ëndrra. Është koha. Ia urojmë! Pegasin atje e ka... për çdo ëndërr.
G. JOVANI
ish- drejtor i “Pegasit”
LILIANA FURRXHIU
“Foleza ime. dhomë e guzhinë!”
Këtu jam
*********
U zgjova nga gjumi,
që kurrë s’fjeta!
Braktisa ëndrrën,
që kurrë s’pashë!
Shijova kafenë,
që kurrë s’piva!
Përqafova frikën,
që kurrë s’e munda!
Po pres,
edhe pse kurrë s’ika!
Dashuroj një yll,
që kurrë s’e fika!
Të dua!
Mijra herë ta thashë…
Puthja e parë
************
Kur të njoha,
shtrova tavolinën për dy.
Ula veten dhe fotografinë tënde.
Bëmë gëzuar! Për çudi,
kisha vënë në buzë gotën tënde.
Nuk ia vlen…
***********
Vjeshta mbytur në halle,
mbi shpatulla i varen kusure.
Nuk ia vlen as të mburret!
Jeta përditë rëndohet,
në duar i shtohen kallot.
Nuk ia vlen as të tallem!
Mendimi vjen errësohet,
tërheq prej flokësh dëshirat.
Nuk ia vlen as mëshira!
Njerzit vijnë e hutohen,
plaçurisin në pellgje zhgënjimi.
Nuk ia vlen as trishtimi!
Fati i kërkuar
*************
Përmbys do e kthej fatin,
si gur të rrokulliset…
Në ferra t’ia çjerr shtatin,
cop e çik të griset.
Nuk më dhimbset fare!
Katili luan ëndrrash.
Mëkaton të gjallët.
Koha të ndëshkohet!
Po ku është? Kërkohet…
Puthja mbi jastëk mbërdhin
*************************
Zemrën gënjej me vargje.
Vargjet me se t’i gënjej?
Mendjen ushqej me shpresë.
Shpresën me se ta ushqej?
Frikën e mbuloj me puthje.
Puthja vetëm mbërdhin.
Jetën e qendis me endrra.
Stolis jastëkun tim.
Shtëpia ime
*************
Zemrën e kam ndarë në dysh.
Ti fle në sallon,
vargu në guzhinë!
Mëngjeseve zgjohem herët.
Ju puth e dashuruar të dyve.
Ty si të preferuarin tim,
vargun si zot të shtepisë!
Jeni foleza ime:
dhomë e guzhinë!
Tetor
******
Gjethet po bien si pengje,
kapur prej flokësh nga koha.
Dielli dremit i zemëruar.
Tështija.
Vargun kërkoja…
Nën gjethe fshihej vargu,
mbulonte sytë. Trimosh:
Dielli
nuk mbulohet me shosh!
Lutje hënës
************
Hënë, moj mikja ime,
një nder po të kërkoj,
Ty,
që sheh gjithë botën,
një foto të tregoj…
Eshtë ai! Që di të puthë,
më mirë se perëndi!
Ai, që di të prekë,
më butë, se reja ty!
Ai që përqafon,
më ngrohtë se puhiza!
Ai që buzëqesh,
më mirë se “Monaliza”!
Ai që mbiell aromën,
e zotat dehur flenë!
Ai më mori zemrën,
në ylber ngriti folenë!
Ai, moj hënë e dashur,
gjumin më rrëmbeu.
Nëse e sheh... më thirrr!
Sa të tundet dheu!
Gota e ëndrrës
****************
Si gurë gëlqerorë do tres zhgënjimet,
lëngun do kulloj në sitën e shpresës.
Do e mbush gotën e ëndrrës,
deri sa të derdhet.
Do e pi për shëndetin tënd,
për jetën time.
“Mirë se më erdhe!”
Gliko me fletë trendafili
***********************
Petalet mora prehërit te nënës,
i futa në një shishe të kuqe.
Pak vesë e pak puthje pikova.
I fsheha në hijen e zemrës,
të rehatoheshin,t’më jepnin
glikonë e dashurisë.
Më kishte thënë e mira nënë,
puthi çdo mëngjes trëndafilat.
Marrin nur e rrezatojnë dashuri.
Glikoja del më e mira!
Zoti na ruajt!
************?
Pa frer mbjellim shpifjen,
plugojmë në tokë të huaj.
Zoti t'na ruaj!
Pa çelës hapim dyer,
dhunojmë, bluajmë jetë.
Zoti mëshirë të ketë!
Pa frikë zhytemi thellësive,
notojmë, trazojmë ujra.
Zoti fërkon duart!
Skalisim dhe kur s’dimë,
pikturojmë si fillestarë.
Zoti është dëshmitar!
Zgjimi
*******
Në humnerë mendimesh kur zhytem,
rrethuar nga re dyshimesh ogurzeza,
kur kope ujqërish më turren,
ma zgjat dorën,.
më zgjo nga ëndërrshkreta!
Në hapësirën e mëdyshjes kur humbem
e më tremb rrufeja e zhgënjimit.,
kur vërdallosen rreth meje kometat,
ma zgjat zgjat dorën,
bëhu për mua zgjimi!
Kur humbas fillin e llogjikës,
duart m’i afro,
t’i largohem frikës!
Sepse duhet…
**************
Do i shkoj në varrim mëdyshjes,
sepse duhet... mësime të marr!
Do i shkoj në dasëm lumturisë,
sepse duhet... shembull të jap!
Do kacafytem me dyfytyrësinë,
sepse duhet... t’i nxirr sytë dhimbjes!
Do t’i them “Gëzuar” çdo njeriu,
sepse duhet... të mbiell shpresën!
Balona e kuqe
***************
Po të nis zemrën, si balon të kuqe.
Shikoje!
Atje ka për ty një mesazh.
Ndalja vrapin me dallëndyshet.
Shpejto!
Sa era s’ta ka marrë!
Strehoji në zemër ato fjalë,
janë shkruar me lotë e merak.
Pranoj dhe lumi të më marrë.
Ti je i zemrës sime gjak!
Në Sofrën e Filozofëve
***********************
Trokas në porta filozofësh,
ndoshta dukem e marrë.
Ulem në te tyren sofër,
e paftuar, si lypsar!
Çfarë do? - më thotë Sokrati.
Pse erdhe? - pyet Platoni.
Ç’e mire të solli? - dëgjohet Kafka.
Hutohem: - Pa prisni, dëgjoni!
Shpifja më mundon, Sokrat!
Pse-ja? po me mbyt, Platon!
Enigma me helmon, z. Kafk!
Mendimet si grenxa pickojnë.
Qeshen të tre, nën buzë.
Më ftuan të pi me ta.
Përgjigje… aha!
Sa shumë më mungove
**************************
Sa shumë më mungove sot!
Sa u shqetësua dhe hëna.
Më shihte sytë mbytur në lotë,
më ledhatonte si fëmijën nëna!
Sa shumë më mungove sot!
Sa u turbulluan dhe yjet.
Vështronin buzën që dridhej,
më buzëqeshnin me dhimbje!
Sa shumë më mungove sot!
Sa perëndoi trishtuar dhe dielli!
Më shihte në sy mallëngjyer,
si babi të bijën e vetme, të vyer!
Sa shumë më mungove sot!
Më fjalë dot nuk ta them.
Qielli merr nur nga hëna e yjet.
Unë pa ty jam hënë pa qiell!
Bregu sekret
*************
Veshur këmishën e trishtimit,
në këtë botë, sa njerëz
lidhin ëndrrat.
Degdisen brigjeve të vetmisë
përqafojne netët e zhgënjimit!
Ti,
je bregu im sekret!
Atje, hëna ndrin më shumë!
Yjet vallzojnë të dehur, të lumtur.
Dallga stoliset, si nuse e bukur!
Bregun tonë,
e njeh veç nata.
Ajo bënë rojen, kur ne puthemi.
Të mos vonoj! - i thotë agimit.
Dhe ia dorëzon detyrën ditës.
Ky breg sekret,
do na sherojë!
Unë të njoh
*************
Ta lexoj dhimbjen në sy.
Ta lexoj brengën në zemër.
Ta lexoj vetminë që mbyt.
Ta lexoj në heshtje ndienjën!
Të njoh se je i thellë, si deti.
Të njoh se je dallga e trazuar.
Të njoh se je ylber i plagosur.
Të njoh., të besoj,..të dua!
Të njoh më shumë,
se sa më thua!
(Marrë nga “PEGASI” 9) 2012








Comments