top of page

FUSHËBARDHA - DJEPI I HISTORISË LABE



(Fshatit Fushëbardhë, djepit të historisë, trimërisë, lavdisë dhe mençurisë labe)

Prof. Asoc. Dr. Zaho GOLEMI


Historiku i Fushëbardhës – legjenda dhe mite, ngjarje historike dhe bëma të të parëve

E gjithë Labëria është një kala historie, legjendash e trimërie, ku atdhetaria ka hedhur rrënjë shekujve. Sa merr kthesën tek Ura e Kardhiqit, përpara syve të shpaloset një rrugë që gjarpëron nëpër një luginë përbri lumit Belica që të deh aroma e luleve dhe e gjelbërimit mahnitës. Rruga ecën paralel me lumin e kristaltë të “Joshe” dhe në fakt rruga e re Kardhiq-Sarandë i “zgjoi” dhe i gjallëroi fshatrat përreth në krahinën e Kardhiqit dhe krahinën e Rrëzomës. Çdo gjë është si e gdhëndur me dorë. Plesati, Prongjia, Kardhiqi dhe përballë tyre Humelica, Shtëpëzi, Picari, Kolonja, Medari e më thellë përtej grykës së Rehovës Golemi, duket se janë në llogore lufte, që mbykqyrin vëmëndshëm kushdo shkel në këmbët e tyre në luginë. Ecim në këmbët e manastirit të Cepos, vendi i Zotave, një karakoll mijravjeçar i ngjarjeve heroike, me kuvende, ku “shkruhej” e ardhmja e shqiptarizmës. Për të shkuar në fshatin Fushëbardhë të qarkut Gjirokastër marrim rrugën që përshkon shpirtin e Labërisë dhe e bashkon atë me Delvinën e Sarandën përmes rrugës në Qafës të Skërficës. Më tej Lapdari i Kardhiqit, një histori 80 vjeçare, që e sjell historinë e LANÇ-it më afër, që përkujton një ndër ngjarjet madhore të krahinës, krijimin e batalionit partizan “Asim Zeneli” më 7 gushtin e 1943, që i dha atdheut 104 dëshmorë.

Shkojmë përbri Kardhiqit poshtë kalasë, këtij fshati “të harruar”, dikur me 18 lagje e 1000 shtëpi dhe me famë deri në Europë, qyteti i mbytur në gjakun e hakmarrjes së Ali Pashë Tepelenës në vitin e largët 1812. Kardhiqi i përmendur edhe nga Fransua Pukëvili (konsulli francez në Janinë), është fshati që shtrihet në brinjë të një kodre të madhe nën qetësinë e vet, që ndek me kurreshtje zhurmimin e kësaj lugine që nisi në korrik të 2022-it. Më tej Kakodhiqi dhe Taronina, por në faqen e saj një vend historik i bën hije vendit, ku janë Rrepet e Agait, vendi ku Idriz Sulli mbajti kuvendin e Prillit të 1773-it, ku vendosi shtatë sharte të reja në të drejtën zakonore labe duke shpalosur një platformë të re të jetës shoqërore labe, kuvendi i mbi 300 prijësave të Jugut të Shqipërisë, kuvendi që ridimensionoi jetën në Labëri dhe më gjerë. Era e asfaltit të ri të rrugës së Fushëbardhës duket sikur ende ka vlagë nxehtësie, sikur është i porsaasfaltuar.

Qafa e Taroninës, një panoramë krejt e re. Syri të rrok në mënyrë të kthjellët Zhulatin e historisë fshatin me 200 shtëpi, me emër të vjetër që nga antikiteti, fshat me kala, kullë me sahat që dëgjohej gjer në Janinë, me bibliotekë e mejtep, që ka pasur edhe garnizon ushtarak në kohë pushtimi, ndërkohë që Zhulati fillonte në Urë të Kardhiqit dhe përfundonte në Qafë të Breshërit thoshin të moçmit të dy krahinave, krahinës së Kardhiqit dhe krahinës së Rrëzomës që me ndarjen e re administrative takohen e ndahen në qafën e erës, që sot i thonë qafa e Skërficës. Këtë e dëshmon edhe udhëtari osman Evlia Çelebia, por edhe historiani i shquar turk Halil Inalxhik në “defteret osmane”, publikuar në vitin 1954. Nga Taronina në Fushëbardhë rruga gjarpëron këndshëm dhe përshkrohet në fare pak minuta. Sapo hyjmë në fundin e Hingës, kemi një ndjesi shpirtërore të ngrohtë. Fushëbardha e shtrirë në të dy anët e lumit me zall të bardhë, në shtatë mëhalla, Fushëbardha e njerëzve me zemër e shpirt të bardhë. Në sytë e tyre lexohet mirësi. Fshati i ngjan një shesh kalaje ku rreth saj janë kodrat e malet si bedena kalaje natyrore, që ruajnë e fshehin legjenda, histori, një botë të madhe e të gjerë të banorëve të këtij fshati, që zgjuarsinë e kanë prej natyre. Të duhen çelësa të rëndë të hapësh sirtarët dhe skedarët e historisë së këtij fshati. Sot nuk është më vrulli dhe gjallëria e tre dekadave më parë sepse jeta ka ndryshuar dhe evoluar shumë. Qendra e fshatit e sidomos Rrapi i Fushëbardhës, ky monument historik natyror, ka parë dhe mban në kujtesë legjenda, mite e histori shekullore.

Udhëtari që vjen nga larg nuk e ka të vështirë të dallojë se, Fushëbardha është një ndër fshatrat më të bukura të Labërisë. Bukuritë e natyrës mahnitëse këtu në Fushëbardhë kanë shtëpinë. Çdo vizitori që vjen në Fushëbardhë i duket se ka prekur zemrën e shqiptarisë, bukuritë natyrore dhe mirësisë njerëzore.

*Mite e legjenda historike nga Fushëbardha dhe rrethinat e saj


Zhulati i këtejmë për Fushëbardhën dhe Zhulati i tejmë për Zhulatin aktual

Në Fushëbardhë dhe fshatrat përreth nuk kanë munguar legjendat shekujve. Zhulati ështe më i hershëm se Fushëbardha, por kanë qenë vëlla e motër në përjetësi. Legjenda thotë se Zhulati është i krijuar nga zbritja e fiseve nga Dhimqurku e Llagaturi; ndërsa Fushëbardha nga zbritja e fiseve nga Lekgjonaj dhe Nikaçaj/Nikacari. Lekë Gjoni u vendos në lagjen e Goleme dhe të Zane, ndërsa Nikaçi u vendos në lagjen Veliaj, Shalaraj, Kazaj, Shkurtaj deri në rrëzë të xhamisë. Këta të dy fise vendosën e bënë kishën në rrëzë të Shënmërisë te shtëpia e Sabri Isufit (te mejtepi quhej para më shumë se një shekulli). Që kur u krijuan këto dy fshatra nga fiset e lartpërmendura dhe deri vonë fliteshin Zhulat i tejmë dhe Zhulati i këtejmë për Fushëbardhën. Kaluan shekuj, dekada e vite dhe popullata e këtyre fshatrave po shtohej, megjithëse emërtimi nuk ndryshoi: “Zhulati i tejmë për Zhulatin aktual dhe Zhulati i këtejmë për Fushëbardhën”. Pozicioni strategjik e bën “Zhulatin e ketejmë”, sikurse thirrej Fushëbardha një vendbanim që kapërcen epokat pasi vendbanimet e saj përreth lidhen me të dhëna mitike që vijnë fragmentare dhe jo plotësisht të detajuara e të dokumentuara në histori dhe në arkeologji të pazbuluara. Studimet historike dhe sidomos të dhënat arkeologjike i kanë penguar arkeologët tanë por dhe të huaj të depërtojnë kaq thellë në historinë e jetës mijravjeçare autoktone të Fushëbardhës dhe fshatrave përreth. Fakt është se dëshmitë i flasin historisë me muret që shkonë deri në dy metra trashësi, që përreth tyre jeta ka qenë herët në antikitet. Legjendat, mitet dhe të vërtetat e mëdha të shekujve shkojnë edhe më tej dhe flasin dhe me emrat e kohës që shkoi dhe që erdhën triumfalisht deri në ditët tona. Ti zbulosh deri në detaje nuk do mjaftonin gjithë institutet e kërkimeve arkeologjike e historike të marra së bashku, pse jo dhe vetë intelegjenca artificiale e vlonjates Ermira Muratit. Një element qindravjeçar i trashëgueshëm në Labëri është kënga autoktone që këndohej triumfit ndaj të huajve: “Mali malit seç i foli,/ poshtë pellgut as vështroni,/ në Finiq në ato anë,/ mizëria bën hatanë,/duke britur, duke vrarë,/ e shfarosi gjën e gjallë,/ i tha Stravoi Pylloit,/ Bëni zë atij Dragoit,/ të marrë shkëmbinjtë në dorë,/ poshtë pellgut të qëllojë,/ përmbi koka tua lëshojë,/ t’i vrasë e t’i copëtojë,/ t’i mortisë, t’i sakatojë,/ dhe dragoi kur dëgjoi,/ gurin sa mali lëshoi,/ gropë të madhe vithoi,/ nisën poshtë në ato shkrepa,/vret me harqe me shigjeta,/ me cekurë e jataganë,/ përtej detit ikën e vanë..”.

Por toponimet e vendeve në Fushëbardhë dhe aktiviteti luftarak është i gjallë në krijimtarinë popullore: “Dhimqurk e Llagaturë,/kërcet briri gur mbi gur,/për mbi gur e breg më breg,/zini shtigjet e tepetë,/se vjen i ligu përpjetë,/mizë lisi porsi bletë,/të na rrjep e të na djegë,/në lugje përtej në urë,/bam me hark e bam me gurë,/armikut s’iu përulë kurrë”. Nuk janë fantazi popullore por realitete historike që vijnë përmes këngës së popullit. Këto këngë u trashëguan shekujve aq sa të moçmit e fshatit kudo ku janë këndojnë me zemër: “Kam një breng, kam një mall, /Për ty, e mira, Fushëbardhë...”. Ndërkohë që gojëdhëna thotë se Papa Zhuli ka qenë ndër të parët që i është kënduar këngë për së gjalli sikurse thuhet në breza ka jetuar rrëzë të Gravës (Shërmërisë) pranë kroit që më vonë quhej “kroi i Sabrie”, pranë mejtepit/shkollës në osmanllisht. Ndërtimi i saj afër Shërmërisë tregonte besimin e popullatës pranë Zotit, në prehërin e Shën Mërisë. Këtu ka zanafillën gjithë lagjia “Nikaçaj”, ndërkohë që lagjia poshtë kroit të kalit quhej lagjia “Lekgjonaj”. Është një copëz e Mëmëdheut, që na do dhe e duam sikundër është për shpirtbardhësinë dhe mirësinë e përjetshme. Malet si, Mali i Lucës, (1833 metra mbi nivelin e detit, më i dëgjuari dhe, i pari në “kuvendin e këtyre maleve), Gramatia, Stavroi, Shërmëria, etj duhet të jenë dëshmitari më i moçmëm i historisë në Fushëbardhë. Vështrimit nga lartësitë e maleve janë dëshmitarët e vetëm gjithmonë të gjallë që dinë gjithëçka që kur është krijuar bashkësia njerëzore e fshatit që kanë dokumentuar lindjet, burrërimet, dasmat, këngët, ndërtimet, luftërat, të rënët, vdekjet, prishjet, djegijet, shpërnguljet, rivendosjet, zgjedhjet e sinoreve.

*

Papa Zhuli burri dhjetë shekullor në njëmijë vjet histori

Historia ka shkruar edhe për Fushëbardhën në kohën kur perandoritë përlesheshin ushtarakisht, gjakoseshin dhe gjenin zgjidhjet edhe diplomatikisht. Eqerem Bej Vlora, ne revistën “Shenjezat”, që botohej në Romë në vitin 1957 shkruan: “Ardhja e Normanëve në Shqipëri në vitin 1081 ka lidhje edhe me Zhulatin. Gojëdhëna është mitizuar në gojën e popullit:

“Para kohës së kaurit, në kohën e sundimit Bizantit, në Labëri rronte një prijës i shquar që quhej Papa Zhuli. Ishte udhëheqës i atij vendi të vet. Në kohën e tij erdhi nga deti një ushtri e madhe dhe shkarkuan në Vlorë dhe Sarandë njerëz të çuditshëm, me lesh në koke si bisht kali. I udhëhiqte një vigan veshur me hekura..., që quhej Kryelesh. Ushtarët e tij erdhën deri në Fushëbardhë, që shtrihet ndën Zhulat. I dërguan Papa Zhulit lajmëtarë se nuk kanë ardhur për të pushtuar vendin, por kanë ardhur të kërkojnë marrëveshje për rrugëkalim. Papa Zhuli u kërkoi tre ditë afat pa e prekur njeri-tjetrin. Ai mblodhi kuvendin e maleve dhe kërkoi derë më derë burra të vërtetë për t’i shoqëruar trupat që “kërkuan besën” tek Papa Zhuli, që dhe sot e kësaj ditë mendohet se Papa Zhuli ka qenë Petro Zhulati, i cili ka ngelur në këngën 900 vjeçare që “udhëtoi në shekuj” të Fitim Çaushit, si një dëshmi e këngëve të moçme labe: “Lum, o bir, Petro Zhulati,/Kal i kuq sa gjysmë shpati,/Me Bizant të zu inati,/Ç’i bëre gjithë ata trima,/Me kuaj si vetëtima,/Jataganët vringëllima”.

Shpella e Zhulit në Fushëbardhë ishte streha e kuvendeve, në grykën e Shurit përballë “Kakostamës” në të majtë rrëzë malit. Trupat besnike të Papa Zhulit shoqëruan në besë deri në Durrës ku ishte edhe kampi i nipit të Robert Guiskardit.

Shkrimtarët e periudhës si, Ana Komnena; Lapus Protopatharius; Pjeter Dhjakonono etj., flasin për Beomundin e Robert Guiskardit, se pas rënies së Butrintit ilir nga Perandori Aleks Komneni në vitin 1084, mundi të kalojë në malet e Labërisë/Kaonisë duke kërkuar besën e duke bërë marrëveshje miqësore me popullatën luftëtare të atyre viseve sepse rruga nëpër luginën e Drinopulit ishte e zënë nga trupat Bizantine. Fakt është se njerëzit e flotës së Robert Guiskardit; përshkruhen edhe tek kënga e Ronaldit/”La cancionne la Ronald”.

Nuk janë mite e legjenda, por mesazhe që përcilleshin brezave e shekujve për heroizmat, trimëritë, besën, mençurinë dhe diplomacinë labe. Burimet arkivore historike flasin për luftën që u zhvillua në truallin shqiptar më 1081 në afërsi të Durrësit dhe Vlorës midis Bizantinëve, Normanëve dhe Shqiptarëve. Këtu përmendet edhe Fushëbardha si vendi me pozicion kyç në Labëri.

Në këtë periudhë Zhulati kishte përfaqësues pranë perandorit Arkontin, dhe Petro Zhulati, sipas dëshmisë mbi 200 vjeçare nga konsulli Pukëvil, që kishte lexuar prej peshkopit të Gjirokastrës kronikën për historinë e Epirit dhe luginës së Drinopolit, kur u bë perandor Aleks Komneni (1081-1118 në pushtet), njoftoi të gjitha krahinat t’i paraqesin kristovulat (dokumenti i pajisur me vulë të artë). Kjo përdorej në Perandorinë Bizantine në despotatin e Epirit ku bënte pjesë gjithë Kaonia (sipas Z. Golemi draft-Historisë dhe Shtetit të së drejtës në Shqipëri, draftuar për studente te AS). Fushëbardha e Skërfica janë të lidhura pazgjidhshmërisht nëpër shekuj. Skërfica ka formën e një “Patkoi strategjik” dhe e “zbuluan” për herë të parë vetë fiset ilire e më tej, legjonet romake, Pirrua i Epirit, i cili tregoi muskujt në emër të forcës dhe krenarisë kaone, duke bërë që të lartësohej lavdia e forca e madhështisë ilire.

Skërfica fare pranë Fushëbardhës është shtegu i udhës së lashtësisë, si pjesë e strategjisë së mbretërve dhe epokave. Në vitin 230 para Krishtit, Qafa e Skërficës kjo fortesë natyrore ishte dhe në planet luftarake të kalimit ushtarak për të sunduar në kryeqytetin e epirotasve, Foinike. Mbreti Skerdilaid, komandant ushtarak dhe sundimtar i shtetit ilir (217-205 pK), që ishte kunati i Teutës së Durrësit, 22 shekuj më parë, i solli fitoren Mbretëreshës Teuta mbi foinikasit. Skerdilaidi manovroi trupat në qafë të Skërficës fare pranë Fushëbardhës dhe bashkë me Teutën për krijimin e një Fronti të Adriatikut kundër Romës. Skërfica e Fushëbardhës ishte porta ku vendosej fati i luftës, sepse zotërimi i Butrintit, Onhezëmës (Saranda) erdhi pas marshimit të Skerdilajdit me ushtrinë në ngushticën e lumit të Kardhiqit, në Fushëbardhë dhe në qafë të Skërficës.

Historiani grek Polibi, shkruan: “Kur kaonët morën vesh se Skerdilajdi me 5000 luftëtarë ilirë po vinte kundër tyre nëpër tokë, duke kapërcyer ngushticën e Antigonesë, dërguan një pjesë të forcave të tyre për të mbrojtur këtë qytet”. Ndërsa në vitin 198 pK., mbreti Filipi V u nis për të pushtuar “ngushticat e Antigonesë”, por në planet e luftës kishte dhe “portën” natyrore të Skërficës. Historiani romak Tit Livi, shkruan: “..ushtria romake e udhëhequr nga konsulli romak Tit Kuinkt Flamini, e ndihmuar edhe nga një bari vendas që dinte shtigjet, goditi nga pas shpine kampin maqedon në anë të lumit Aos (Vjosë). Historia e kësaj treve jo gjithmonë është dokumentuar pasi në shekuj Fushëbardha e Skërfica ishin dhe mbetën çelësi magjik në shtegun e parë të Labërisë. Këtu ishte pikë takimi i aleatëve dhe pikëndarja me gjakatarët e pushtuesit. Skërfica dhe Shpella e Papa Zhulit në Fushëbardhë u bë spiranca e bisedimeve në “marrëveshjen e Papa Zhulit me Boemundin”, ndërkohë që u shndrua në shteg i pakalueshëm për gjithë të pabesët e Shqipërisë. Ndoshta është marrëveshja më e vjetër dhjetëshekullore e Labërisë. Skërfica dhe Fushëbardha mbetën binjake të historisë në mbretërinë e Zotave. Shkalla e Bregu i Erëzës bashkë me qafën e Pesë Priftëre janë mbushur me legjenda e mite që i pështjell Lëmëthi me mistere historike. Vetëm qafa e Priftërve ka tre-katër versione, ndonjëherë kaq të larmishme në këta dhjetë shekujt e fundit, nga versioni i mospranimit të besimit e deri tek varjantet që ka shpikur e transmetuar shekujve mendja njerëzore. Ndërkohë që në këtë qafë erdhën priftërinjtë me mjekër ta tjetërsonin besimin, por vëndasit ju prenë mjekrat dhe në vend që ta ndërronin besimin vendasit e ndërruan priftërinjtë, thotë një gojëdhënë, më shkurt i thonë “erdhën me lesh dhe ikën të qethur”. Versioni i shekullit të XV-të lidhet më pushtimin osman, ku në këtë qafë që është një kilometër në lindje të Fushëbardhës, kosharet osmane mblodhën pesë priftërinjtë e zonës dhe në qafën e priftërve në Fushëbardhë bënë ekzekutimin, duke dashur të shfarronin krishtërimin, por në një farë mënyrë i shtuan Fushëbardhës një vend shenjtorësh: “Qafën e Priftërve”/(qafa e Prifte). Legjendat, mitet, historitë, gojëdhënat në këtë vend nuk kanë të sosur, ndonjëherë edhe pjellë e mendjeve dhe fantazive njerëzore. Këto vende kanë mbetur dëshmitare nga kaluan romakë, bizantinë, venecianë, anzhuinë, bullgarë, osmanë, grekë, italianë, gjermanë etj. Vëndasit u ndeshën me perandori e sulltanate në Gjashtë, Lëkurës, Sarandë, Delvinë, Rrëzomë në të gjithë Kaoninë. Liria, dinjiteti, krenaria kanë shoqëruar në shekuj luftëtarët e Fushëbardhas dhe jo vetëm në barikadën e shekujve, në barikadën ndaj çdo pushtuesi. Nuk harrohet “përqafimi” bajonetë më bajonetë e thikë më thikë më pushtuesit në çdo truall arbëror, përfshi edhe Fushëbardhën dhe zonat përreth saj.

Mitet, legjendat e gojëdhënat për katundin e Zhulat, Fushëbardhë e më gjerë në Kurvelesh flasin “..Për kohën e Kaurit, (me këtë emër quhet periudha e sundimit 1001 vjeçar bizantin, që për Shqipërinë ishte vetëm 800 vjeçar, sepse dy shekuj u përzu bizanti nga tokat shqiptare) kohë kur në Labëri ligjin e bënte Papa Zhuli, plak me thinja, por nga mendja e nga krahu ishte si djalë i ri. Ai e dinte se ç’është “frika e Zotit dhe turpja e botës”, ruante zakonet e vjetra dhe i nënshtroheshin në gjithë punët që bënte, vendimet që merrte në kuvende, ishte udhëheqësi, ati dhe sunduesi i vendit, ligjvënës jo vetëm në Zhulat e Fushëbardhë por në mbarë Labërinë.

Fushëbardha nëpër shekuj nuk ka pasur kala madhështore, por kala kanë qenë malet e saj, si bedena kalash, gjelbërim mahnitës e dehës, i ofruar pa kursim nga natyra. Në qindravjeçarë, edhe kur dielli “fshihet” pas kodrave e maleve në perëndim shpirtrat njerëzorë janë gjithmonë të ndriçuar në oxhakët plot gjallëri e dritë, bile edhe kur malet “veshin qeleshen e pelerinat” e bardhësisë, shpirtrat e banorëve të Fushëbardhës trupëzohen me bardhësinë dhe bukurinë natyrore dhe dinë ta mbrojnë dhe ta shijojnë jetën në të gjitha stinët, pse jo dinë të nderojnë dhe respektojnë mikun dhe traditën e të parëve.

*

Histori luftrash dhe përballjesh me armikun shekujve

Nëpër monopatet e historisë, në rrugëtimin për mbrojtjen e truallit të të parëve gjen me shumicë trima të çartur të kombit, që për bëmat dhe trimëritë, populli i fshatit dhe krahinës i ka përjetësuar në këngë: “Fushëbardhë dritë e hënë,/..”. Në Labëri dhe në gjithë hapësirën shqiptare është ndjerë zemërbardhësia e bijëve të Fushëbardhës, dashuria për vendlindjen zë një vend parësor. Në Fushëbardhë gjen burra të shtruar dhe të kuvendeve, të mençur që nuk nguten kur flasin, që e peshojnë fjalën pasi e njohin rëndësinë e saj, sepse “gjuha kocka s’ka, por kocka thyen”. Në qetësinë e mendimit shprehin rëndësinë e fjalës së dhënë, mendimin e thellë, veprimin praktik, që besojnë më shumë në djersë e sakrifica, që dinë ta ndërtojnë jetën. Jetën e marrin bindshëm seriozisht dhe brezat i përgatisin për jetën.

Në Fushëbardhën historike e lapidare të memorialeve, simbolikën e qëndresës dhe mbijetesës, gjen një burrë që kapërcen shekujt dhe që i thonë burri i mençurisë gati dhjetë shekullor, Papa Zhuli. Ai është burri më i moçëm i trevës, përtejkrahinor. Ai është pasuar në vlera nga ati i madh i Labërisë Idriz Sulli i kuvendeve. Ai i ka treguar vlerat në dy kuvende të famshme, në Kuvendin e Senicës më 1770 dhe në Kuvendin e Rrepeve të Agait në Taroninë më 1773. Në Taroninë një lapidar kujton të shkuarën luftarake, të formacioneve partizane të Brigadave e batalioneve që u ndeshën në çdo pëllëmbë të tokës shqiptare përgjatë Luftës së Dytë Botërore.

Në Taroninë mushkëritë zgjerohen nga ajri si parfum mali që të gudulis fytyrën. Poshtë gryka e Çullunarit, fundi i Hingës, emër i zhargonit popullor. Në Fushëbardhë, vendas dhe miq ndihen ndryshe, edhe gjaku lëviz me natyrshmëri e gjallëri. Në sfond duket se të shoqërojnë këngët e trimërisë, mençurisë, punës e lavdisë për të cilën këngëtari virtuoz i Fushëbardhës Murat Nelo Cama i cili këndon: “Fushëbardhë nuk ka më lartë,/Këtu zoti derdhi mjaltë,/Të dha bukuri e dije,/Mbretëreshe labërie..”..“Trimëri guxim i labit,/Për kët’ popull fisnik/ Fushëbardha lapidare,/ Por dhe Qafa në Skërficë..”. Në fshatin Fushëbardhë, në këtë “Mbretëreshë Labërie” me rrënjë vijnë dhe prekin historinë, betejat, kulturën, traditën, mençurinë, materializohen në memorialin “Fushëbardha 2014”, dhe lapidarin e 15 dëshmorëve të LANÇ-it, prandaj edhe lënga vazhdon: Fushëbardhë s’të harrojmë kurrë,/Na merr malli dhe për gurë,/Këtu fëmija lind burrë,/Bedenat kanë një flamur”.

*

Idriz Sulli i dy kuvendeve të 25 Marsit 1770 dhe 4 Prill 1773, legjislatori popullor që i dha emër e dritë mbarë trevës së Labërisë. Kuvende që u gdhëndën në këngë

Zanafilla e kundërshtimit dhe rrebelimit të fhstrave të Labërisë përfshi dhe Fushëbardhën ishte pushtimi dhe represioni osman mbi trojet shqiptare. Me ardhjen e furisë barbare osmane në truallin shqiptar u shoqërua me vrasje, dhunë, djegie ku dogjën dhe kishën e fshatit, dhe tendenca ishte për të rrënjosur një fe tjetër myslimanizmin, fenë shpirtërore të osmanëve. Në periudhën kur u mbajtën dy kuvende tej e këtej Fushëbardhës, Sipas Profesor Pëllumb Xhufit, Idriz Agë Sulli ishte ndër personalitetet më të mençur, më të shquar dhe më të dëgjuar në trevat jugore, pasi gjithë letërkëmbimet e bejlerëve dhe agallarëve në Delvinë, Kardhiq, Gjirokastër, Mbarë Labërinë e deri në Çamëri e thërrisnin me fjalët “Ati im”. Kjo i dha edhe autoritetin për të mbledhur dy herë kuvende të gdhendur në këngë, me rëndësi krahinore dhe më gjerë, që morën formën e ligjeve popullore si e drejtë zakonore e aplikueshme për kohën.

Kuvendi i parë i Senicës u mblodh në 25 mars 1770 (ditën e diel) dhe u quajt “kuvendi i Senicës” ose “kuvendi i palcimit/pajtimit”, me pjesëmarrje të kapedanëve të të gjitha trevave nga Labëria dhe Çamëria. Kuvendi që udhëhiqte burri i mençur Idriz Sulli (nga soji i Prodajve), kundërshtonte ligjet e egra osmane për nizam, gjykatat, taksa të rënda, që objekti, vendi dhe roli i këtij kuvendi vjen deri në ditët tona në vargje: “Dëgjuar e parë kini,/Në Senicë u bë pajtimi,/Fshatra e kaza u mblodhë,/pleqësia e anës tonë,/Të krishterë e muslimanë,/Ca me mushka e ca me kalë,/Te përrallet në lëndinë,/Flet Idrizi me të mirë:/Mbani vesh o kapedanë,/ Të madhe ju bëj rixhanë (lutjen),/ Të mençur e pleq me radhë,/Të lidhemi besë e fjalë,/Se të gjithë trimat u vranë,/Mbetën shkretë këto anë,/Vritet shoqi me vëllanë,/Bëhet qejfi hasmit tanë,/S’jemi turq as venecianë,/Jemi thjesht shqipëtarë,/Jemi një gjak e një farë...”. Kjo këngë kaloi brez pas brezi, këndohet e ndonjëherë edhe përsoset në vargje, por ruan anonimatin popullor për këtë organizim të pazakonshëm kuvendor. Pjesëmarrësit e kuvendit të parë nuk kishin sekretari, por kishin rapsodin vigjilent që rregjistroi pjesëmarrësit përmes këngës: Kristo Koka nga Vunoi,/Jani Milo nga Himara,/Spiro Gjika nga Qeparoi,/Miho Gjini nga Piqerrasi,/Qesko Hila nga Lukova,/Hajdin Shehu nga Kalasa,/Stefan Prifti nga Shënvasia,/Kolë Mili dhe Jano Kumiu nga Nivicë Bubari,/ Dajkua i Lëkurësit,/Bedo Hodo nga Borshi,/Demir Dosti agai i Kardhiqit,/Kostë Prifti nga Senica, Toto Rusha Progonati,/Idriz Sulli nga Zhulat Fushëbardha,/Osman Sina nga Tatzati,/Sheh Sejkati nga Filati,/ Dalani nga Konispoli,/Kallapodhi i Delvinës,/Zoto Mahmuti Smokthina,/Igumeni i Katerinës nga Çamëria,/Allajbeu i Navarricës, si dhe mjaft të tjerë, që kënga si përmend emrat e tyre, por që është e njohur që ishin prijësat e kapedanët e çdo fshati. Vendimet e Kuvendit të Sencicës në thelb ishin: “a).Ruajtja e tërësisë së trojeve e sinorëve prej sulmeve të armiqve; b).Ndërtimi i jetës shoqërore dhe veprimtarisë së përditshme të punës jashtë ligjeve të sulltanatit osman; c).Rregullimi i marrëdhënieve ndërfisnore mbi bazën e pleqësive e mençurive të lashta labe(normave zakonore labe), d).Kapedanët e krerët vendosën mbi të gjitha palcimi (pajtimi) ndërnjerëzor, jashtë zakoneve e ndasive fetare, por dhe rregulla të tjera të karakterit shoqëror”.

Kuvendi i dytë më 4 prill 1773 (ditën e diel), nën drejtimin e Idriz Sullit, në fakt ishte vendosur që në kuvendin e parë edhe vendi asnjëanës në besimi sikurse u zgjodh tek rrepet e Agait, tek uji i ftohtë në Taroninë ku morën pjesë krerët patriotë të Labërisë, Vlorës, Bregdetit, Gjirokastrës, Muzinë, Delvinës e deri në Çamëri. Bashkimi i popullit në kryengritje të armatosur kundër masave shtypëse të pushtuesve osmanë. Në këtë kuvend Idriz Sulli shpalosi platormën e tij të sharteve me shumë vlerë për banorët, zakone që kanë vlerë njerëzore: “Kur një fis me fisin tjetër binin në hasmëri fisi fajtor ikën dhe shkon me banim të përhershëm në një fshat ose krahinë tjetër, lidhur me martesat kur një djalë ndante gruan e tij babai i vajzës së ndarë e vriste djalin. Këtë zakon e ndaloi Idriz Sulli dhe duke bërë shembull vajzën e tij dhe ndarja e gruas mbeti e lirë”. Jehona e Kuvendit të dytë të Idriz Sullit ishte edhe më e madhe ndaj ka ngelur në vargjet e popullit:

“Gjëmon vendi nga oshëtima,/Tunden malet, tunden brinjat,/Vijnë trimat nga Smokthina,/ Nga Himara e Çamëria,/ Nga Delvina e Muzina,/u feks palla e vetëtima,/I mblidh lumi e Taronina,/ Kapedanë e pleq të tjerë,/ Idriz Sulli i madh në krerë,/ Foli e tha shumë fjalë,/ Për bashkim e gjaksi,/ Dhe disa punë të tjera,/Për betim e për krushqi,/Burrë e grua të punojnë,/Vjedhja ka kanosi,/Foli dhe Idrizi vetë,/Për bashkim e për fuqi,/Të mos jemi të përndarë,/Të na hajë i huaji,/Fjalët që thamë këtunë,/të mos vënë në sheri” (të mos nëpërkëmbë njeri).

Kuvendi pati rëndësi të veçantë historike për të drejtën zakonore të Labërisë. Pjsëmarrësit e Kuvendit të dytë të drejtuar nga Idriz Sulli: “Sheh Sejkati i Filat, Kallapodhi i Delvinës; Tahir agai nga Kopaçeza, Ali Dajkua nga Lëkurësi, Hajredin beu i Kalasës, Kumi trimi i Nivicës, Stefan Prifti nga Shënvasili, Qesko Hila i Lukovës, Milo Gjini nga Piqerasi, Hodo beu nga Borshi, Jano Milo nga Himara, Kiço Koka nga Vunoi, Spiro Gjika nga Qeparoi, Zoto Mahmuti nga Ramica e Smokthinës, Beu i Igumenicës, nga Arta, Libohova e Mallakastra etj.

Burri i shquar i Labërisë Idriz Sulli (1710-1790), që në strukturat etike shoqërore, si besa, nderi, miku, gjaku, buka, hakmarrja, divorci, trashëgimia, ndarja e pasurisë në kushtet e një shoqërie pa autoritet shtetëror, “Shartet e Idriz Sullit” përbënin një rregullator të jetës labe, pasi prijësi lab i shekullit të XVIII-të e shtriu ndikimin edhe në marrëdhëniet fqinjësore ndërkrahinore duke parashikuar dinamikën e zhvillimit ndërkrahinor në unitet bashkëpunues. Shartet aq shumë të përmendura në Kuvendin e dytë ishin sa vijon: 1.Bashkim e vëllazërim pa dallim krahine e feje; 2.Ndalim i gjakësive dhe hasmërive; 3.Ndëshkimin e ashpër të agjentëve e të spiunëve; 4.Ndëshkim me karakter ekonomik të hajdutëve; 5.vendosi të drejtën për armëmbajtje; 6.vendosi detyrime për të mbrojtur objektet e kultit kishat e xhamitë; 7.vendosi rregulla të reja për jeten familjare dhe shoqërore, ku burri ka të drejtë të ndajë gruan, por me detyrime pas ndarjes duke i dhënë gruas një tagar ose 40 (dyzetë) okë drith për tre muaj duke parashikuar edhe kur ajo ishte shtatzënë dhe detyrimi që gruaja të punonte përkrah burrit..”. Këto rregullsi ligjvënëse me karakter masiv, ishin nenet kushtetuese popullore të “Sharteve të Idriz Sullit”, që në ndryshim nga kanunet e zakonikët me rreptësi mizore dallohej për maturi, urtësi e humanizëm, si rregullatorë i vërtetë i jetës.

Shartet (që nga osmanllishtja do të thotë kushte, ligje, rregulla) të shkruar në memorien e popullit si “Kanunet e Idriz Sullit” sipas Profesor Ismet Elezi, që mblodhi parinë në një vend asnjëanës dhe e quajti “shartet” e reja “Zakoniku i Rrepeve të Agait”, u mbështetën dhe nga teqeja e Zhulatit që mbështeti me ushqim gjithë pjesëmarrësit në këtë kuvend të rëndësishëm me vlerë legjislative popullore. Të dy kuvendet u zhvilluan përtej Fushëbardhës në Senicë dhe poshtë Taroninës tek Rrepet e Agait (pranë të cilit kalon aktualisht rruga e asfaltuar për në Fushëbardhë). Ishin në fakt ngjarje madhore jo vetëm për fshatin por mbarë krahinore, sepse prijësat e gjithë Jugut të Shqipërisë u bënë bashkë për të hartuar ligje mbi bazën e të drejtës zakonore shqiptare. Kjo sepse ligjet që hartoheshin në “kuzhinën” e Top Kapë Sarajë të sulltanatit osman, kishin të drejta vetëm për administratën ushtarake dhe civile osmane dhe vasalët e tyre në Fushëbardhë, Labëri dhe në të katër vilajetet shqiptare. Ndërsa fjala e legjislatorit popullor Idriz Sulli ishte kushtetuta e parlamentit lab, me rëndësi përtej ligjeve të sheriatit dhe të divanit osman.

*

Luftrat e bijëve të Fushëbardhës më 1847, 1854, 1878, 1897.

Në rregjistrimin e vitit 1431-1432 të “Defterit Osman”, të historianit të njohur Halil Inalxhik Fushëbardha dhe fshatrat përreth njiheshin me emërtimin e fshatit-kala Zhulat dhe që kishte një shtrirje sa një rreth, deri në Qafë të Breshërit të Delvinës aktuale funksiononin si pjesë e Zhulatit. Megjithëse emërtimin “Fushëbardhë” ja kishte vënë vet vendi që ishte ashtu sikurse është edhe sot si një fushë e bardhë, që e çan lumi mes për mes dhe formon shtatë lagje. Formësuar në shekuj por që mori formën e fshatit në më shumë se 350 vjet më parë. Copëzat e fushës përbri lumit të Fushëbardhës në të dy anët e tij i joshën banorët të ndërtonin shtëpitë dhe të bënin një komunitet solid e të qëndrueshëm dhe i dhanë jetë tokës dhe vlerë edhe më të fortë jetës. Por këtë gjatë shekujve sa herë binte briri i luftës dhe ngrihej alarmi i përballjes me armikun, cilidoqoftë ai bijtë e Fushëbardhë skanë qenë gjithmonë të gatshëm për t’u përballur me të keqen. Edhe të ardhurit në Fushëbardhë nga të gjitha vëndet e tjera nga ngrohtësia dhe mikpritja e vendasve e ndjenin shpejt vetën njësoj si në shtëpinë e tyre dhe merrnin pjesë në aktivitetin jetësor përfshi edhe luftrat e betejat për mbrojtjen e fshatit, në një perimetër mjaft të gjerë.

Fushëbardha historikisht ka qenë streha e bijëve të Labërisë që rrebeloheshin me pushtuesin dhe kundërshtonin energjikisht masat e dhunshme. Kështu përmendim kryengritjet e gjata të Labërisë, për dy dekada në kohën pas Skënderbejane, sikurse ishte rrebelimi lab antiosman dhe lufta 20 vjeçare që zgjati nga 1472 deri më 1492, kohë kur Labëria fitoi të drejtën e Venomeve (Himara bashkë me fshatrat e Labërisë). Kjo ishte një autonomi lokale vetëm për shumë pak treva në hapësirën shqiptare dhe Fushëbardha e gëzonte këtë të drejtë. Bijtë e Labërisë, Ali Pashë Tepelena e qindra bij e bija shqiptare mbështetën rrevolucionin grek dhe në fakt Greqia shpalli Pavarësinë, por kjo shpejt do të bëhej kërcënuese për shqiptarët që ishin “heronj të revolucionit”.

Revolucioni kishte edhe heronj të Labërisë të zgjedhur me dorë, por nuk ditën ti vilnin frytet e këtij rrevolucioni, ndoshta edhe koha nuk punoi për ta. Historia nuk harron brez pas brezi sepse historia e trimërisë labe do rrojë aq sa rron guri, sa çeta e Birbilenjve, sa djepi i trimave, që i binin kryq e tërthorë Labërisë dhe herë-herë zbrisnin edhe në Fushëbardhë, megjithëse çerdhja e saj ishte kudo në çdo fshat të Labërisë, ku kishte folenë shqiponja. Në gjithë luftrat e shekujve Fushëbardha ka qenë në ballë të trimave, sepse ka qenë dhe ka ngelur pjesë e ndërgjegjës kombëtare gjithmonë zgjuar. Në malet e Fushëbardhës është djepi i trimave të pushkës e jataganit, bilbilave të këngës, njerëzve të mençur të penës, të punës së ndershme, vizionarëve të së ardhmes. Drita që ndriçoi djemtë e Fushëbardhës ishte ndërgjegjia kombëtare, atdhetaria dhe trojet-amanet të brezave. Është kjo arsyeja që i gjejmë djemtë e Fushëbardhës në betejat e Mecovës, Artës, Pesë Puset, Bezhan, Grebene, Qafë të Gjashtës, Sarandë, Bradhomë, Palavli, Delvinë, Vlorë, kudo ku zëri i atdheut i thirri. Ata ishin në vijë të parë, prandaj dhe të rënët nga ky fshat martir, të shpallur dëshmorë ose në proces të shpalljes së tyre dëshmorë janë nga më të shumtët në Republikë. Gjaku i Fushëbardhës strehuar në prehër të maleve, është nder e krenari në themelet e kombit, që betejat kanë qenë gjithmonë një faqe e ndritur e kombit. Burrat dhe djemtë e Fushëbardhës kanë shpërfillur fermanët e perandorive, kanë vënë Fushëbardhën në plan të parë dhe ja kanë dalë të jenë të lirë dhe të pavarur nga thundra e pushtimeve. Për këtë arsye kënga labe ka qenë “arma” e shenjtëruar e shekujve” si dallgë deti e mrekulli labërie, që këndohet dhe pa pirë, ndërkohë që është e vërtetë maksima e popullit se, “labi gatuan diell për vendlindjen”. Fushëbardha i ka kënduar trimërisë, besës dhe shpresës, kuvendeve dhe traditave të zemrës, i ka kënduar përgjunjjes së mbretëriv, pasi nuk ka pyetur për “burra shteti” të Romës, Bizantit, Osmanëve, dhe pushtues të tjerë e lakmiqarë “modernë” të shekullit XX, që erdhën të paftuar dhe ikën leshlëshuar. Burrëria e trevës matej me forcën e jataganit dhe të dyfeqeve, barutin e thatë dhe mençurinë e mbrojtjes së trojeve nga gjalmëzestë e Labërisë, nga ata që ishin të sojshëm e të fisëm rrënjëthellë në trojet amtare, si lisat, degët e të cilit përballuan suferinat e kohës.. Dhe pas betejave e luftrave populli me këngën labçe-vëndçe përjetësonte historinë. E tillë është Fushëbardha jonë e Labërisë.

*

Lufta e 1854 - epope e shkruar me gjak

Bijtë e Fushëbardhës u përbashkuan me taboret e Labërisë në mbrojtje të truallit shqiptar, të vilajetit të Janinës, që ka hyrë në histori si “Beteja e parë për mbrojtjen e Janinës”. Fakt është se pjesa jugore e vilajetit kërcënohej nga trupat ushtarake greke dhe andarte e bandat e tyre. Arta e kërcënuar u rrethua nga rreth 5000 trupa ushtarake e vullnetare dhe artileria e rëndë. Më 15 Mars 1854 grekët me rreth 6000 trupa kishin pushtuar disa fshatra, burgosnin banorët, vidhnin pronat dhe stolitë e grave, pasurinë e shqiptarëve dhe i nisnin drejt Greqisë. Sulmonin dhe plaçkisnin, kryenin masakra çnjerëzore në Mecovë me Grivën në krye. Koha thirri në skenë Labërinë të përbashkuar Mahmut Bej Vlorën, Çelo Picarin e kapedanë të tjerë. Nga Fushëbardha ka pasur një çetë me rreth 30 luftëtarë. Kënga e popullit thotë: “Ngreu Çelo, bën zananë,/ngjesh pisqoll’e jataganë,/të bëç dufek me Junanë!/Kapetan Griva ka dalë,/mbushi vëndin me andarë,/Del, ore Çelo Mehmeti (Picari),/se këtu u bë gazepi,/dolli Junani nga deti,..”. Kënga transmeton historinë: “Mahmut bej me tremijë,/Duall mileti i prinë,/nuk e mbanin dot gëzimë,/kur muzikat po i bijnë. Redifët e vullnetarët e Labërisë në kujtesën osmane veçojnë betejën e datës 25 deri 27 Mars 1854, luftime të shqiptarëve 48 orëshe. Triumfatore dolën forcat shqiptare të Mahmud bej Vlorës, (i ati i Ismail Qemalit): “Erdhi kartë nga Mecova,/bën dufek Mahmut bej Vlora,/Në male pa tretur bora,/e mblodhi Grivën sa dora..”. Një ndër betejat më të përmendura të luftës së Marsit 1854 është beteja e 13.4.1854, ku 6000 trupa osmane dhe sidomos vullnetare të mbështetura nga artileria në Peta, në lindje të Artës, ku pas një beteje të ashpër e të përgjakshme pas humbjesh të mëdha, detyroi Kiço Xhavella me bandën e tij të tërhiqej në jug, në kufijtë shtetit grek. Redifë vullnetarë të tjerë shkuan më në veri për të asgjësuar çdo lëvizje përreth qytetit të Janinës. Nga ana tjetër lufta zhvillohej dhe në Thesali, me Abaz Lalioti në krye. Bandat andarte greke në tokën jugore shqiptare kryen sulme të rrezikshme dhe krime monstruoze të përgjakshme. Kjo i detyroi osmanët, redifët, vullnetarët që në xhephanen e luftës në Mecovë në front të ishin Mahmud bej Vlora, Selim pashë Vlora, Halit bej Frashëri, Çelo Picari, Kalem Hadëri nga Picari, çetat ku bënin pjesë Bajo Kazo e Habil Xhuvani nga Fushëbardha, Ibrahim Sino nga Gjirokastra, Ahmet Çapari nga Luarat i Margëlliçit, Selam Hasani nga Velça e Vlorës, Hasan Çako nga Kaparjeli, Shako Xhaka nga Tërbaçi i Vlorës, etj. Kundërpërgjigjja ndaj grekërve që më 3.3.1854 nga vullnetarët shqiptarë, me tre batalione, që u hodhën në Çamëri, në Peta, Artë, Prevezë, Mecovë, Salahorë ishte energjike. Luftonin luftëtarë profesionistë mjeshtra të veprimit luftarak. Organizatori i djemve të Fushëbardhës kapedani i vjetër Osman Kuci i parë, burrë i fjalës së rëndë e me peshë në kuvendeve i qau djemtë e vatanit, trima të Fushëbardhës, Bajo Kazo dhe Habil Xhuvani, që u varrosën “ku i zinte balta”, në Mecovë përjetësisht në memorie të kombit si “dëshmorë të rënë për truallin arbërorë”. Kënga dhe vetëm kënga nuk i la në harresë: “Mecovë e bukur në pllajë,/Mos mbaj zi për kordhëtarë,/Për djemtë e Labërisë,/Korjuxhu(koruyucu) të sinorisë,/Tepelenas e Vlonjatë,/Që rrojnë me bukë thatë,/..Kënga flet për trima të “zgjedhur me dorë”: Bajo Kazo, Habil Xhuvani dhe luftëtarë të tjerë nga fiset: Yzeiri, Bineri, Çarçani, Golemi, Veliu, Onjea, Shalari, Shkurti, Kazo, Xhuvani, Poçi, Shehu, etj., tridhjetë luftëtarë, trima që “luftën ua hante syri”. Bajo Kazo dhe Habil Xhuvani ngelën si dy memorialë lirie, dy lapidarë kushtrim brezash, që kanë ngelur përjetësisht në vargjet popullore: “Mecova larë me gjak,/Luftojnë bijtë nën një bajrak,/Kashaisën Rumelinë,/Dy tabor të djalërisë,/...U vranë ca trima të rrallë,/Labëri ç’i bëre lotë,/I derdha për ca luanë,/ Që dhe hakun nuk ua dhanë,/Do llafos me Sulltanë,/Për Bajon dhe për Xhuvanë”, dhe më tej: “Në Fushëbardhë dy nishanë,/ Bënë harb me junanë,/Xhanin dhanë për vatanë,/Habili me Bajo Kazë”. Këngët u ngritën nga rapsodët pjesëmarrës në këto beteja duke i bërë një shërbim të çmuar shqiptarizmës duke folur edhe për trupat e asgjësuara, për të cilat historia flet: “..gremisi 4 taborë”. Vargëzimi i ardhur jo i plotë në mbi një shekull e gjysmë: “Në Mecovë ranë shumë dëshmorë/ Trima të zgjedhur me dorë/ Shokëve amanet u dhanë/ O ju shokë pa dëgjoni/ Amanetet mos harroni/ Kur t’iu bjerë udha të shkoni/ Varret tona i shikoni/ “Rahmet paçi” të na thoni,/ Jetën e dhamë për Atdhe,/ Për vatan, për Mëmëdhe..”. Fakt është se rreth datës 15.6.1854 e gjithë Çamëria dhe krejt vilajeti i Janinës ishte tërësisht e çliruar, që në fakt ishte Rusia në prapavijat greke, që mbështeste sulmun ndaj Osmanëve në vitet 1853-1856. Por bilanci i luftimeve doli me gjakun lumë betejave, ku ishin edhe dy dëshmorë të Fushëbardhës, që ngelën në fushëbetejë në moshën 30 vjeçare tashmë emërndritur në historinë labe, emërndritur në historikun e Fushëbardhës. Prandaj përkujtohen edhe pas 169 vjetësh, që në bazë të ligjit 109/2018, datë 20.12.2018, “Për statusin e Dëshmorit të Atdheut”, neni 5 “Kriteret për shpalljen e statusit “Dëshmor i Atdheut”, meritojnë të shpallet “Dëshmor i Atdheut”. Brezat në Fushëbardhë, në Krahinën e Kardhiqit, në Rrëzomë, në Labëri i bashkon gjaku, gjuha, kultura, flamuri, tradita që nuk harrojnë të rënët për këtë truall. Për trimat e kryengritjeve popullore, për burrat e besës dhe qëndresës, për gjakun e derdhur për tokën arbërore kanë shkruar e dokumentuar shumë autorë shqiptarë, por dhe shumë të huaj, krijimet e të cilëve janë sot në bibliotekat më prestigjioze të botës, përfshi dhe materiale të tjera dokumentare që gjenden në arkivame siguri do të vijojë, sikurse vijnë të dhëna mesjetare nga Profesor Pëllumb Xhufi në librin “Arbërit e Jonit”.

*

Lufta për jetë a vdekje më 1878 në Lëkurës, në Betejën e Bradhomës në Palavli

Betejat e bijëve të Fushëbardhës në luftën e tretë për Janinën më 1897-tën

Prijësat dhe luftëtarët e Fushëbardhës sikurse gjithë Labërisë, në ato vite nën pushtim, pritën me armë edhe pushtues të rinj, që kërkonin sinoret arbërore. Këtej nuk kishte as shkolla ushtarake dhe as akademi, as gjeneralë e trupa të organizuara me grada, por kishin idealet e dashurisë për Atdheun e kombin, prandaj dhe ditën të përballen dhe të sfidojnë pushtuesit. Në kujtimet e të huajve për shqiptarët kanë shkruar: “Këta banorë i sheh gjithmonë me armë në dorë, në mbrojtje të tokës së tyre..”. Banorët e këtyre anëve janë vrarë e sakatuar shekujve, por nuk janë tundur. Gazeta “Drita” e 1 shkurtit 1906 shkruante lajme drithëruese jo vetëm për djemtë e Labërisë por për gjithë nizamët e Shqipërisë se: “Kush vete në Jemen le të marrë një qefin që ta ketë për në xhenet”. Ndërkohë që xheneti mund të ishte edhe këtu në truallin amëtar, në luftë me anartë dhe jo vetëm luftohej tradicionalisht. Në betejat luftarake të kohës u dalluan burrat e fshatit Fushëbardhë të komanduar nga Osman Kuci, por edhe prijësa e luftëtarë si Sadik Memushi i ngelur në këngë: “Kush u hodh proto i pari,/Sadik Memush bajraktari,/topçitë me top ia dhanë,/flaka i mori fustanë..”. Në betejën në Bradhomë të Rrëzomës më 1878, krahas Sadik Memushit, u vranë edhe Skëndo Xhuvani, Myrteza Sulli e Musa Robi. Në këngë ngeli edhe Hito Kongoci-Fushëbardha për betejën me mjeshtëri në përdorimin për panik të topit të gorictë. Kënga e ka përjetësuar: “Kush e njeh Hito Fushëbardhë (Kongoci),/ Ngrehu topin e kalanë,/ Në kuti ia hodhi zjarrë,/ E dogji s’u dha i gjallë,/ Në kala, në Koqinovë,/ Hito Kongoci me kordhë,/ Bën dyfek ruan sinorë,/ Me venedik e arhonë..”. Ndër epopetë ku Fushëbardha shkruan histori trimërie është Lufta e Lëkurësit e 12 shkurt 1878, ku bijtë e saj, bashkë me kryengritës të ardhur nga gjithë anët e Kurveleshit dhe Delvinës bënë një luftë të paparë dhe korrën fitore mbi ushtrinë greke. Kryengritësit komandoheshin nga Idriz Alidhima. Ka qenë një betejë e përgjakshme ku vetëm nga Fushëbardha u vranë 10 burra si: Hair Idriz Sitefani, Idriz Ymer Alidhima, Mato Hasan Asllani, Sali Sabri Isufi, Kasëm Xhafer Gjoni, Osman Jaho Deçka, Shahin Muhamet Veliu, Abedin Balil Muho, Seit Selman Dobro, Shahin Shaban Memo. Ja vargjet e këngës që buronte nga populli në luftën e Lëkurësit për të zhdukur nga trojet e veta ushtrinë greke: Gjithë armiqtë le ta dinë,/të shikojnë historinë,/vet koha e ka treguar,/se kushdo që na ka pushtuar,/me lëkurë e ka paguar, flet Mehmeti me Rakipnë,/ që në Livadh e Delvinë,/ nga Fushëbardha u grinë, jetën dhanë për Arbërinë”. Lakmia greke u mposht përballë luftëtarëve të Labërisë. Lufta e Lëkurësit tregoi lakminë për ti shtrirë kufijtë në trevat shqiptare. Ato ditë shkurti në ishullin e Korfuzit një trupë ekspedite u vu në gadishmëri dhe përgatitej për një mision të veçantë, të ngarkuar nga ish kryeministri Harrilla Trikupi. Misioni ishte “sekret” por ajo që po ndodhte në Korfuz nuk ishte diçka e zakonshme. Fakt është se greku i kërkonte Pushtetit osman që të dërgonte një ushtri me 2000 vetë për të prishur organizimet e shqiptarëve për të ngritur organe qeveritare qoftë edhe autonomiste, që ishte me interes për të dy palët. Njeri nga konsujt në Korfuz vihet në gjurmë, zbulon misionin e trupekspeditës greke dhe përcjell në brigjet shqiptare një letër që dha sinjalin dhe ngjarja zuri vend në këngë: “Në Korfuz një konsullatë,/Shkruan e dërgon një kartë,/Kush është djalë në këmbë,/Të dalë e të zërë vend,/ Se del greku në Sarandë..”. Bijtë e Fushëbardhës dhe gjithë Labërisë nën drejtimin e Idiz Alidhimës, burrë trim me autoritet i nderuar e i respektuar nga bashkatdhetarët e tij ishte gati më 12 shkurt 1878, që urdhërin e kryetarit të qeverisë greke Haridha Trikupi, për të zbarkuar një rregjiment me 800 ushtarë të komanduar nga oficeri Tritaqis ta bënte “nul” dhe ti thoshte “ndal!” pushtuesve të rinj. Tre anije lufte kaluan ngushticën e Korfuzit, dhe u drejtuan brigjeve shqiptare për zbarkim në Lëkurës. Populli ngjarjen e përjetësoi në vargje: “Një vapor me tre gjemi,/Përdridhet si gjarpëri,/Nëpër det si mal i zi,/Vështon vendin me dylbi,/Ku bie Lëkurësi,/Do ta djeg, do ta bëj hi..”. Historia flet se goditjeve me artileri të anijeve ju përgjigj me martinën e tij çobani Elmaz Haxhi. “Çobanëria” rrëmbyen armët. Fushëbardha, Labëria, Konispoli, Çamëria, Delvina u organizuan në çeta. Më 12 shkurt pushtuesit grekë zbarkuan te gjiri në jug të Sarandës, afër Çukës. Më 13 shkurt forcat pushtuese të mbështetura nga artileria detare e tokësore dhanë dy goditje drejt Çukës dhe në drejtim të Sarandës duke zënë rob edhe punonjësit e doganës. Çetat e Fushëbardhës, Zhulatit luftuan trimërisht në Qafën e Gjashtës, pranë Sarandës. Më 17 shkurt 1878, forcat greke sulmuan përsëri, luftime që zgjatën deri më 23 shkurt, për 11 ditë rresht, ku dridhej vendi nga shpërthimet e topave dhe krismat e pandërprerë të dyfeqeve. Greku me topa dhe shqiptarët me pushkë. Në këto luftime u shquan shume luftëtarë, ne veçanti komandanti i 7 çetave të Fushëbardhës dhe Zhulatit, Idriz Alidhima. Komandanti e flamurtari i çetës së Delvinës, Rakip Demo Delvina. Poeti më 1878 shkroi direkt nga llogoret për “Në gjashtë u vranë Zhuletë”, sikurse rregjistroi edhe 10 dëshmorë nga Fushëbardha: “Idriz Ymer Alidhima, Hair Idriz Stefani, Sali Sabri Isufi, Kasëm Xhafer Gjoni, Osman Jaho Deçka, Shahin Muhamet Veliu, Abedin Balil Muho, Seit Selman Dobro, Shahin Shaban Memo, Mato Hasan Asllani”. Në axhendën e shtetit shqiptar është detyrim brezash për të nderuar e respektuar të rënët, pse jo edhe t’i rregjistrojë ata, edhe kur pluhuri i harresës mbulon dosjet, sepse gjaku është vetë themel i shtetit shqiptar në të gjitha epokat.

*

Mbrojtja e trojeve shqiptare dhe përballja më 1912-1914 me andartët grekë

Lufta popullore e bijëve të Fushëbardhës në Skërficë lidhej para së gjithash me rrethanat historike të mbrojtjes së trojeve jugore shqiptare. Diplomacia e mbrapshtë e Fuqive të Mëdha si dhe protokollet famëkeqe të para një shekulli në Korfuz “ushqyen” ballafaqimin ushtarak të përgjakshëm në Skërficë në “Katedralen e Betejave” të Labërisë dhe në të gjithë Shqipërinë e Jugut. Fushëbardha sikurse treva labe dhe gjithë shqiptarët janë vënë përballë veprimit diplomatik të Fuqive të Mëdha të mbushura me padrejtësi, interesa, dhunë, luftra e gjakderdhje. Por fqinjët lakmiqarë harronin se Fushëbardha, Labëria dhe lebrit në të gjitha periudhat historike, lirinë e nënshkruanin me gjak në beteja. “Shqipëria londineze” e dalë nga konferenca gjashtëmujore e ambasadorëve në Londër dhe e finalizuar më 29 korrik 1913 me postulatin: “Shqipëria të bëhej, “shtet i pavarur, asnjëanës dhe të vihet nën kontrollin e Fuqive të Mëdha”. Fushëbardha nuk i harroi kurrë të rënët në beteja, përfshi dhe betejën e shkruar me shkronja të arta në historinë e qëndresës siç është ajo e Skërficës, më 1914-tën. Depërtojmë në gojëdhënën popullore, në arkivën e përjetshme të shqiptarit, por dhe në fondet dokumentare gjejmë ende krismën e betejave popullore të 120 burrave në Fushëbardhë, 60 burrave në Zhulat, 170 luftëtarëve të Golemit, 100 burrave të Lekëdushit, 80 burrave të Gusmarit, 46 burrave të Rexhinit, 110 burrave të Nivicës, 121 burrave të Kallaratit dhe çdo fshati tjetër të Labërisë. Çdo betejë në Labëri është një epope lavdie. Kështu është edhe beteja e Fushëbardhës në Qafë të Skërficës për një javë rresht, një qëndresë e pathyeshme e trimave të çetës së Fushëbardhës që e kishin zanat të trashëguar dyfekun. Gjithë treva jugore përjetoi valët e pushtimit andart ku u vranë më shumë se 3000 shqiptarë, 9 prej të cilëve vetëm në Fushëbardhë; u dogjën 6000 shtëpi dhe vetëm në Fushëbardhë u dogjën 180 shtëpi, shkrumbuan 400 fshatra dhe një prej tyre ishte dhe Fushëbardha; një masakër çnjerëzore i mëse 40 mijë ushtarëve dhe andartëve grekë. Dëshmitë dhe platforma shfarrosëse e fqinjëve është një ndër faqet më të zeza të historisë, ku sulmeve andarte të vitit 1914 u paraprinë “Masakra e Paramithisë” më 27 mars 1913, ku u vranë 72 udhëheqës të Çamërisë; masakra e Panaritit në janarit 1914, 415 vetëve u prenë kokat burra, gra, fëmijë e pleq, më 25 shkurt 1914 në Pacomit e Kuqan dy fshatra në Kosinë të Përmetit 75 fëmijë që kishin mbetur në fshat u therën; në Hormovë vranë 217 vetë, në mars 1914 etj. Dëmet materiale shqiptare përllogariten në mbi 200 milionë franga ari.

Në 1914 mori flakë dyfeku i trimave të Fushëbardhës, nën udhëheqjen e kryeplakut dhe kryetarit të çetës Halil Sullo kundër andartëve grekë që ishin të etur për tokë e gjak. Fushëbardha dhe fshatrat e Labërisë në shekuj kishin qenë gjerdanë e supbashkuar në kuvende e në beteja, sikurse thotë kënga polifonike: “lidhur si fishekë gjerdani,/ kush na prek i humbet nishani..”. Kështu ishin mbledhur dhe para më shumë se një shekulli, më 10 prill 1914 paria e kuvendi i kapedanëve dhe prijësave në Shtëpëzin historik, që shkruan epope qëndrese. Fushëbardha është komshiu i parë më i afërt i Zhulatit qindravjeçar, Zhulatit me kala “majë kodrine”, pa mure e gurë, por vetëm me ca radhë guri, kala që u grabit shekujve, por më shumë nga andartët. Andartët më 1914 i rrëmbyen kambanën e sahatin për të shuar historinë labe “me ujë bore”. Por aq sa vritet e vërteta, vritet dhe historia. Atë e mbajnë gjallë historia dhe historianët që janë “Roje të Atdheut”. Dikur Zhulati quhej Julius/Zhul.. dhe heraldika botërore e njeh si kaproll në arkivat e Venedikut. Evlia Çelebi para tre shekujsh shkruante: “Zhulati ndodhet në një zonë të thellë malore, me 200 shtëpi... Kalaja e Zhulatit madhështore si kalaja e Kordusit ose Benefshes në Peloponez, u ngrit nga mbreti i Spanjës dhe ka ndërruar “pronarë”, me Dukën e Venedikut, në shekullin e Bajazitit me Qedik Ahmet Pasha; në shekullin e XVII u sundua nga “Çarçanajt”, një titull osman i fisit “Gjika” të Qeparoit, Senicës, Fushëbardhës, Labërisë. “Çarçanajt” dikur kishin mbiemrin Gjika. Historia flet se ishin ata që komanduan në kohën e lulëzimit edhe kalanë e Zhulatit. Dilemat e fqinjësisë e lashtësisë i ka përcaktuar kënga “Zhulat e Fushëbardha bijë”, por të dy fshatrat kanë shkruar histori të brezave të burrave të stërralltë, të besës, nderit, trimërisë e gjakut të derdhur për liri, për truallin arbëror.

*

Burrat si male në burrëri, besë e mbijetesë

Memoriali “Fushëbardha-2014” është me përmasa të pabesueshme në qendër të Fushëbardhës, i veçantë në llojin e vet, që mbart historinë e një shekulli më parë, mbart emocion, mendim të thellë, vërtetësi e vlerë artistike. Këtu përjetësohet beteja në Qafë të Skërficës, në këtë kala natyrorore, ku çeta e Fushëbardhës bëri qëndresë heroike në qershorin e 1914-ës. Memoriali është “i gjallë”, që flet për qëndresë, bashkim, burrëri dhe mbijetesë. Skërfica ishte një xhephane e vërtetë lufte, ku përgjakja nga të dy palët ishte e konsiderueshme. Misioni i çetës luftëtare të Fushëbardhës ishte i shenjtëruar: “ruajtja e tokës arbërore dhe sigurimi i tërheqjes së organizuar të të gjithë banorëve të fshatrave të Labërisë drejt Vlorës”. Lufta zgjati nga dita e shtunë, më 20 qershor deri ditën e premte, më 26 qershor 1914. Çeta e Fushëbardhës kishte edhe djem nga Zhulati, Golemi, Gjirokastra, Delvina, Rrëzoma që në total shkonin mbi 120 luftëtarë. 450 andartë dhe ushtarë, të drejtuara nga shtabi madhor i vendosur në Jorgucat e Delvinë, drejtoheshin nga majori grek Korjaskonis, që e mbylli me turp karrierën në qafë të Skërficës. Trupi i vrarë i majorit Korjaskonis dhe trupat e tjerë u tërhoqën dhe u dërguan fshehtas në Greqi që planet e pushtimit të vijonin ndaj tokës shqiptare. Planet e shtabmadhorëve akademikë grekë dështuan në “akademinë” e betejave popullore shqiptare, në përballje me çetën që komandohej nga Halil Sullo në shtegun e parë të Labërisë, në Skërficë. Luanët flisnin me grykën e maliherit ndaj më shumë se pesëqind andartësh e ushtarësh. Nga 20 deri më 26 qershor 1914 Skërfica, Vraholli, Kameniku e qafa e Trullave ishin mbushur me luftëtarë, vullnetarë që çeta e Fushëbardhës që komandohej nga kryeplaku i Fushëbardhës Halil Sullo përballej me një batalion grek. 11 trima të Çetës së Fushëbardhës ishin detashment zbulimi i përparuar në Gurët e Bashe, tek Shpella e Dhespinës, Shkëmbi i Kaze, Nomeja e Qershisë, Përroi i Shametit, Qafa e Trullave, Gropa e Dërrasës poshtë Gramatisë, Vrahull e deri në Qafë të Skërficës. Gryka e Skërficës si një patkua strategjik gozhdoi në të dy anët e malit në darën e malit të Gramatisë dhe Pylloit një batalion të tërë. Këtu burrat u trupëzuan me historinë, u çimentuan me lirinë, ndaj ngelën në memorial të kujtesës së brezave: Halil Sullo, Dalip Kondi, Halil Nora, Rizal Muho, Sejdi Baho, Surja Tefa, Cenko Onjea, Mete Jonuzi; memorial që nuk harron edhe 60 të plagosur që që shkruan faqe heroizmi që u gdhend në panteonin e kombit. Dëshmorët e Qafës së Skërficës kanë rënë: Halil Sullo komandanti i çetës u vra në hyrje të Shkëmbit të Skamanos; Dalip Kondi u plagos rëndë tek “Përroi i Shametit” dhe vdiq poshtë “Varrit të Plakës” tek piksaret, eshtrat e të cilit janë gjetur pas tre vjetësh në sipërfaqe bashkë me pjesën metalike të pushkës me të cilën luftoi dëshmori Dalip Kondi; Mete Jonuzi ra heroikisht tek Kroi i Resule, pranë Gurëve të Bashe; Sejdi Baho u plagos rëndë në “Gropën e Gjeshtrës” dhe ndërroi jetë në spital në Tepelenë, pasi kishte humbur shumë gjak rrugës; Cenko Onjea u vra dhe u masakrua në Qafëdardhë, me pushkë me dylbi nga andartët; Rizal Muho u vra tek Nomeja e Panjës mbi Kamenik; Halil Nora u vra në Qafë të Skërficës sipër krojeve; Surja Tefa i plagosur rëndë luftoi trimërisht në Qafën e Trullave me mauxer dhe nagant, pa u dorëzuar dhe kur jeleku ishte mbuluar me gjak lufton deri në vdekje dhe nuk dorëzohej edhe nga torturat çnjerëzore të andartëve, luftoi një me dymbëdhjetë. Skërfica u kthye në istikam qëndrese të përgjakshme, që garantoi tërheqjen e banorëve të fshatrave nëpër Labëri në drejtim të Vlorës. Fushëbardha ka bijtë e vet të shpallur me titullin e lartë të nderit “dëshmor”, që janë dokumentuar në vendimin Nr. 162 datë 30.11.1979, botuar në librin “Dëshmorët e Atdheut”, me rastin e 100 vjetorit të shtetit shqiptar në vitin 2012. Memoriali plot histori, luftë, qëndresë e mbijetesë, ka të trupëzuara motivet, etapat, mendimin, këngën që lindi në kujtim të sakrificave sublime: “Fushat me lule, malet me dëborë,/ Qaj moj Shqipëri, ulëri e gjorë,/ Gratë e Kurveleshit nisen për në Vlorë..”. Në Fushëbardhë e Skërficë ishte edhe dëshmitari okular, gjirokastriti Ramiz Harxhi, që të vërtetën për “Betejën e Skërficës” e shkroi në Amerikë më 1917: “Në luftën e rreptë, q’u bë në Skërficë,/ Ku, kundër një tufe, luftoi një pakicë,/ Grykën e Skërficës, shtegn’e Labërisë,/ Ç’e kishin rrethuar shtazët e Greqisë…./ Trimërisht luftuan me rrëmbym sa s’thuhet,/ Sa q’ajo betejë as mund të përshkruhet, / Të pavdekur janë gjith’ata luanë,/ Që për nder të kombit u grin’e u vranë”. “Kali i Trojës”, nuk mundi të mposhtë “Patkoin strategjik” të Skërficës që mbroheshin në bedenat natyrore, deri në largimin e gjithë banorëve drejt Vlorës. Në gjoksin e grykës së Skërficës u “gozhdua” kujtesa e luftës si ngjarje lapidare e madhore e fillimshekullit të XX, u shkrua në histori për të mos u harruar kurrë dhe u derdh në lapidar, që ngjarjet tragjike për kombin të mos përsëriten.

Rilindasi ynë i madh Sami Frashëri thoshte: “Njerëzit i bëjnë të përjetshëm veprat”, prandaj dhe memoriali i Luftës së Skërficës është memoriali i luftës, qëndresës e mbijetesës për të jetuar të lirë, edhe në shekujt që do pasojnë do përcjellë mesazhe lirie. Memoriali është një format flamuri si simbol i shpresës dhe i së ardhmes së një kombi të përbashkuar, simbolikë i shpresës, vitalitetit, qëndresës, të ardhmes dinjitoze, ku shprehet krenaria shqiptare në shekuj. Me betejën e vitit 1914, Fushëbardha u vendos në hartën e betejave shekullore të shqiptarëve, pasi në Skërficë në “Patkoin strategjik” kishin kaluar “mysafirë” të shekujve me legjone romakë, normandë, venecianë, bizantinë, osmanë e grekë, në Skërficë kaloi Pirrua i Epirit duke i shtuar krenarinë kaone e madhështinë ilire, kaluan djemtë e “regjimentit shqiptar” të Napoleon Bonopartit francez, por nuk mundën të kalonin andartët dhe pabesia, që të ngelur përjetësisht e lirë Fushëbardha dhe Labëria.

*

Nga periudha e shpalles së Pavarësisë deri në luftën partizane

Bijtë e bijat e Fushëbardhës nuk ju gëzuan dot plotësisht pavarësisë, sepse erdhi lufta me grekun. Edhe kur u përzunë nga vatrat “me urën e zjarrit në dorë” nga grekët andartë, nuk u ligështuan, nuk u mposhtën. Përsëri pas kthimit nga Vlora i dolën për zot trojeve, ndërtuan shtëpi të reja, rifilluan të prodhonin bukën, ta mbanin magjen plotë për vete dhe për miqtë, si dhe krijuan kushtet elementare për të jetuar, për të shikuar nga e ardhmja. Pas përfundimit të Luftës së Parë Botërore, më 1920 Shqipëria me përfaqësues idealistë e atdhetarë organizoi Kongresin e Lushnjës, ku nga Fushëbardha ishin Feim Çarçani, Lufto Kondi dhe Manxhar Shalari, ku patën edhe role në ruajtë të kongresit. Nuk vonoi dhe në Fushëbardhë vjen lajmi i mbledhjes së Barçallasë në malin e Dukatit dhe më tej edhe mbledhja në Beun (Beu jam unë) të fshatit Vajzë. Fushëbardha sërish nxorri çetën e saj që e bashkoi me çetën e Selam Musait, që ishte mik i shumë familjeve të Fushëbardhës. Rreshtimi i çetës së Fushëbardhës dhe të Zhulatit u bë në fushën e Luzatit në Tepelenë nga ku morën edhe detyrat luftarake nga komiteti organizator i luftës.

Në Luftën e Vlorës (5 qershor 1920 – 3 shtator 1920) nga Fushëbardha morën pjesë këta burra: Novruz Bello, Kasëm Golemi, Dervish Kërpaçi, Haxhi Nora, Manxhar Muho, Nebi Muho, Neshat Çarçani, Avdul Çarçani, Xhelo Baho, Manxhar Shalari, Zenel Onjea, Belul Onjea, Rrapo Veliu, Myftar Veliu, Medi Uzeiri, Duro Zani, Murat Camo, Shaban Mema, Laze Caca, Jupe Proda, Lufti Kondi, Ismail Nora dhe shumë të tjerë, ku historia njeh si prijësa Novruz Bellon dhe Ismail Norrën.

Bijtë e Fushëbardhës përkrahën fuqishëm forcat progresiste në vend, një pjesë e tyre mbështetën pa rezerva progresistin Fan Noli më 1924 në gjashtë muajt e qeverrisjes së tij. Por pati dhe antizogistë që i dolën hapur dhe burrërisht me trimëri të rrallë në periudhën e sundimit me dorë të hekurt të vendit, por dhe të eleminimit të një pjesë të rëndësishme patriotësh shqiptarë, duke i gjurmuar edhe jashtë atdheut. Në rregjimin e Republikës së parë (1925-1928) dhe kohën e mbretërisë (1928-1939), nga Fushëbardha kanë qenë nëpunës: Feim Çarçani, Daut Çarçani, Njazi Çarçani, Tefik Mullai, Bejet Proda, Bajo Kazo, Medi Shalari, Mahmut Nora, Gazi Kondi, Kamber Proda, Fuat Muho etj. Fushëbardha në këtë periudhë sikundër në çdo epokë historike të mëparshme nuk priste shumë nga shteti, sepse banorët e saj punonin duke shfrytëzuar atë pak tokë që kishte dhe si destinacion themelor tradicional që kishin blektorinë. Mbrojtja e trojeve dhe e flamurit kombëtar shihej gjithmonë si mision dhe mbi të gjitha nuk duronin pushtimet. Lirinë e kishin të shenjtë, pasi që nga koha e Venomeve të Labërisë më 1492, kishin jetuar të lirë me ferman të sulltanatit osman. Pushtimi i 7 prillit 1939, ishte sinjali i parë që Shqipëria nuk do kishte qetësi deri në rifitimin e lirisë. Kështu ndodhi në fakt kur zjarri i ndezuar në zemrat e gjithë Labërisë dhe Shqipërisë bëri që të mos vononte një nga periudhat më vitale të shqiptarëve ajo e kundërshtimit me armë të pushtuesit, ku dallon ngritja e njësiteve, çetave e batalioneve partizane.

*

Prushi që ndezi luftën antifashiste në Fushëbardhë

(Çeta-batalione-brigada partizane shqiptare që u bënë pjesë e luftës çlirimtare të popujve)

Zjarrin e lëvizjes antifashiste në Fushëbardhë e ndezën çeta partizane “Çerçiz Topulli”, që u krijua më 12.12.1942 në Fushëbardhë me komandant Dilaver Poçi, komisar Gani Haloçi, dhe itendent Mitat Kondi, një çetë e mbuluar me lavdi në rrugën e saj luftarake. Më 31 korrik 1943 u formua batalioni terriorial i krahinës së Kardhiqit, ishte mençuria e largpamësia e Shefqet Peçit që në krye të këtij batalioni përzgjodhi luftëtarin legjendë birin e krahinës dhe të fshatit Fushëbardhë Karafil Bello, i cili për një periudhë kohe ishtë në krye të çetës partizane “Çerçiz Topulli”. Më 7 gusht 1943 u formua batalioni “Asim Zeneli”, te rrepet e Kardhiq-Prongisë, me katër Çeta partizane. Më 26 dhjetor 1943 në Fushëbardhë që ndodhej batalioni “Asim Zeneli”, që kishte një numër prej 500 partizanësh, ku u vendos që të ndahej e të krijohej një batalion tjetër me emrin e luftëtarit “Abaz Shehu”. Më 3 shkurt 1944 formohet “Batalioni i Rinisë” në Fushëbardhë dhe djemtë e vajzat e këtij batalioni të ri në moshë shpallën formimin e batalionit të rinisë së krahinës së Kardhiqit me komandant Karafil Bellon. Lufta e madhe Nacionalçlirimtare solli shumë mysafirë në Fushëbardhë si Hysni Kapo, Bedri Spahiu, Haki Toska, Shefqet Peçi, Muzafer Asqeriu, Tahir Kadareja, Adil Çarçani, Bexhet Mema, Miho Xhani, Mustafa Matohiti, Memo Meto e shumë figura të tjera të luftës çlirimtare të shqiptarëve.

Historia e viteve 1939-1944 në Fushëbardhë sikurse në gjithë Shqipërinë u shkruajt me gjak dhe me barot. Rrugëtimi historik i çetave, batalionev e brigadave partizane partizane shqiptare filloi në Labëri dhe përfunfoi në Vishegrad. Për të parë gjeografinë e shtrirjes së luftimeve analizojmë 54 dëshmorët dhe të rënët e Fushëbardhës në dy shekujt e fundit, ndër të cilët 15 ranë gjatë LANÇ-it si mëposhtë: Karafil Bello e Sami Golemi në Senicë të Rrëzomës; Tahir Xhuvani dhe Alem Shehu rënë në Borsh, Bregdet, Latife Nora në Suhagorë të Bosnjës, Cirok Cama rënë në zonën e Piqerasit në Bregdet, Xhezo Proda në Labinot të Elbasanit; Baxhul Nora rënë në Malin e Bardhë në Burrel, Kutbi Gjeçi rënë në Dukaj në Tepelenë; Zijadin Shemsho Çarçani rënë në Zhej/Zagori, Gazi Kondi rënë në Gjorm të Vlorës, Mato Serjan Mato me 3 plagë u shua menjëherë pas luftës, Tajar Proda plagosur në Prizren në dhjetor 1944 dhe vdekur në spitalin partizan të Geghysenit në janar 1945, Nishat Kondi rënë në kufi në Maliq të Korçës, Destan Nora rënë në Piks pranë Fushëbardhës.

Por në luftë nuk shkuan vetëm burrat por edhe gratë dhe vajzat e Fushëbardhës. Midis “Yjeve tё Pashuar” nё “Qiellin e Lirisё” ndrijnё edhe 251 gra e vajza shqiptare, qё bashkuan gjakun me vёllezёrit e tyre partizanë, por njera është nga Fushëbardha: 16 vjeçarja Latife Nora që ra më 17 shkurt 1945 në Suhagorë të Bosnjës pasi kishte marrshuar në beteja për lirinë 3500 km.

Nga Fushëbardha në luftë kundër fashistëve u rreshtuan: Dife Maçi, Rabie Caca, Republika Çarçani, Kano Çarçani, Nevro Çarçani, Këze Kazo, Trëndelina Memushi, Shega Onjea etj., që merituan të thirreshin: “luftëtare të lirisë”, kundër pushtuesve nazi-fashistë. Zanati i luftëtareve për liri në luftë me armikun nuk ishte më “vetëm për burra”, por krah për krah baballarëve dhe vëllezërve ishte e trashëguar në breza. Nga gati tetë dekada kënga në Fushëbardhë u këndohet trimave: “Fushëbardha rreth me male,/ 15 maja si bedena, (15 janë dëshmorë të LANÇ-it),/Gryka, qafa, shtigje, gërxhe,/ Te rrapi me shumë dega,/ Fushëbardhë, vend i bekuar,/ Rreth të rrinë malet kurorë,../”. Djem të tjerë të Fushëbardhë kanë ngelur përjetësisht në kujtimet e gjithë fshatit dhe krahinës si: Haseni Sulo Kusho, Sali Xhevair Shehu, Maringlen Azem Onjea. Buzët “lëpijnë” vargjet e këngës 80–vjeçare: “Ngrihi dëshmorë një çikë,/Bijtë e nënave lule…”/. Është më se e vërtetë: le të ndryshojnë kohët, qeveritë, sistemet dhe ajo që populli artikulon është taksative, sepse “Dëshmor i atdheut”, janë të pavdekshëm edhe 1000 kohë të vijnë.

*

Në betejën dhe mbretërinë e dijes të etur për dritë diturie

Shkolla e parë shqipe në Fushëbardhë u çel për herë të parë më 1907, pesë vjet para Pavarësisë shqiptare nga mësuesi fisnik Nexhip Çarçani i cili solli abetaret e para nga Stambolli.

Mejtep ose shkollë osmanllisht ka pasur që në shekullin e 17-të pranë kishës, rrëzë Shërmërisë ngjitur me shtëpinë e Sabri Isufit (mejtep/shkollë osmanllisht), por gjuha shqipe veç transetohej si gjuhë e mëmës dhe ka qenë e ndaluar mësimi i saj. Me sjelljen nga Stambolli të abetares së parë shqipe nga Nexhip Çarçani-Efendiu, u krijuan kushtet e ngritjes së shkollës së parë. Burrat e fshatit të mbledhur në kuvend te rrepet e Zhërmës vendosën të themelonin shkollën e parë shqipe dhe të zhduknin errësirën e shekujve në Fushëbardhën e etur për dituri. Nexhipi i Fushëbardhës udhëtoi qindra kilometra, nga Stambolli i largët në Fushëbardhë. Nexhip-“Necip”, vjen nga osmanllishtja që do të thotë “i fisëm, fisnik“, dhe shkroi epopenë e diturisë, këtë “mbretëri“ e “kështjellë“ diturie. Ato ishin pasuria më e madhe dhe katandia e një gëçmeni/ mërgimtari ose kurbetari mëmëdhetar. Pas shkollës pranë shtëpisë së Sabri Isufit, shkolla e parë u hap në shtëpitë e Maçe, në Norraj dhe në shtëpinë e Medi Shalarit, në Çarçanaj. Në kohën e mbretësrisë në vitin 1936 u hap shkolla e re shqipe në fshat dhe mësimi zhvillohej në shtëpinë e Xhelo Bahos dhe në shtëpinë e Piran Çaçit. Më tej shkolla e re u ndërtua nga ustallarët Braho Dobi, Ferhat Kërri, Llambi Gozhelli, Riza Rama e Ramadan Graçi. Pas çlirimit kurset kundër analfebitizmit u zhvilluan si mëposhtë: Mero Maçi e zhvillonte në Hon, në kasolle e haure të Honit, Çaush Kondi e Qamil Muho në bregun e Shalare dhe bregun e Konde, Nekip Lagji në bregun e Lagje, Mehmet Proda në bregun e Mullare etj. Në vitin 1945 si viti i parë i çlirimit Fushëbardha kishte rreth 60% të banorëve analfabetë. Më tej shkolla u ngrit në në Zhërmë në shkollën që u zvëndësua në vitet 70-të, me shkollën e re rrëzë Shërmërisë. Shkolla ishte në formën bashkëkohore për kohën dhe përfshinte tre cikle filloren, tetëvjeçaren dhe të mesmen. Në Fushëbardhë nisi “vallja e gërmave“ e shkollës dhe mësimit të shqipes. Nexhip Çarçani kishte 12 nxënësit e parë, që nisnin rrugën e madhe të dritës së diturisë në fillimvjeshtë të vitit 1907. Fushëbardhasit gdhendën në kujtesën historike të brezave emrat e nxënësve të parë: Lulo Nora, Dulla Kondi, Fejzo Meçe, Neki Golemi, Zilfo Kondi, Hete Kondi, Zeqo Cama, Lufto Kondi, Kasëm Golemi, Bajo Kazo, Haki Çarçani, Zenel Çarçani. (në mungesë të dokumentacioni, emrat janë nga gojëdhëna popullore e transmetuar në breza).

Në shkollën e sapokrijuar pasuan edhe nxënës si: Nesimi Yzeiri, Nazif Veliu, Musa Sabriu, Boro Zani, Bejet Proda, Myftar Çarçani, Cenko Kondi, Daut Çarçani, Feim Çarçani, Zenel Çarçani, Felek Golemi, Novruz Bello, Rrapo Bineri, Tafil Lagji, Ferik Shalari, Rrapo Veliu, Xhelo Çarçani, Kalem Golemi etj. Shekulli i XX do të shkundëte pluhurat e myket e shekujve të marrë së bashku. Nxënësit e tij të parë pas pesë vitesh do të përjetonin vitin e madh të flamurit, pavarsinë e vitit 1912, vit që u shkruajt e ardhmja shqiptare. Nexhipi me shokët e tjerë kudo në Labëri e Shqipëri ishin xixëllonjat e para të zgjimit të madh kombëtar të diturisë. Fushëbardha e begatë e rrethuar me kështjella malesh e pritën me krahëhapur arsimimin që në më shumë se një shekull u bë ideali i etjes për arsim e dituri. Shkolla në Fushëbardhë funksionoi edhe në kohë pushtimi dhe mësimdhënia ka vijuar që prej 116 vitesh.

Nexhip Çarçani do të ngelet meteor i diturisë fushëbardhase, një monument i gjallë i përjetësuar në shpirtrat e njerëzve i trupëzuar bashkë me diturinë. Mësuesa në 116 vjet janë të shumtë: Nexhip Çarçani, Zini Sako, Njazi Fico në vitet 1939-1945 nga Palortoja, Pandeli Badihavaja nga Suha në vitet 1944-1945, Foto Biçuni nga Bularati në vitet 1944 -1946, Hysni Ceka nga Elbasani në vitet 50-të; dhe nëpër vite: Tamaz Kondi, Faik Kërpaçi, Abedin Nikolla, Petrit Beqiri, Bardhok Bello, Lutfi Mullai, Flutura Memushi/Mullai, Donika Kërpaçi, Irma Beqiri/Dadaj, Ilir Babaramo, Kiçua nga Zheji, Kristofor Papingji, Thanas Budali, Klara Kore, Aristotel Diamanti, Dhimitër Harito, Aktive Shehu, Frosina Piperi (Kondi), Ervisa Kusho, Matilda Zani etj. Janë mbi 130 mësues që Fushëbardha i respekton, sepse respektojnë shkollën e tyre, vatrën e tyre të diturisë që në dhjetravjeçarë në konkurime e olimpiada në rreth por edhe kombëtare nga shkollat fqinje të qytetit dhe fshatit thoshin: “Kujdes, po vjen shkolla “Karafil Bello“ e Fushëbardhës“!. Ato ishin vite të nderit e lavdisë së shkollës në Fushëbardhë. Nderin dhe lavdinë shkollës ja dhanë mësues e nxënës të apasionuar të zgjuar prej natyre dhe studjoz që ishin më shumë se një refren diturie. Nxënës që mësuan në Fushëbardhë janë me qindra në 116 vite, por dallojnë: Adil Çarçani, Dilaver Poçi, Resul Bedo, Arif Kazo, Zeqo Cama, Pajtim Bello, Faik Kërpaçi, Agim Golemi, Zenel Shalari, Shamet Lagji, Ilirjan Shalari, Zaho Golemi, Trifon Golemi, Boço Muho, Nexhip Onjea, Muço Muho, Taro Mullai, Islam Poçi, Bashkim Nora, Çano Nora, Flamur Golemi, Adriatik Cama, Mikel Onjea, Banush Nora, Lili Miho, e shumë të tjerë, të cilët kanë bërë emër dhe lartësuar emrin e Fushëbardhës dhe Labërisë. Ndërsa sot vetëm nga Fushëbardha ose me origjinë nga ky fshat janë më shumë se 900 vetë me arsim të lartë universitar, që kanë studjuar jo vetëm brenda vendit, por edhe në universitetet më prestigjioze të botës dhe që shërbejnë denjësisht në Shqipëri, por edhe në të pestë kontinentet e planetit. Vatrat e fshatit Fushëbardhë janë mbushur plot e përplot me shkronja me dituri dhe mençuri, duke ecur në rrugën e mbarë të arsimimit, që flet për të ardhme të sigurtë dhe të begatë. Fushëbardha është rrënja dhe pika e referencës së “trastës me shkronja”, që bijtë dhe bijat e këtij vendi madem floriri meritojnë një të ardhme të ndritur. Fushëbardha është krenare për bijtë e bijat e saj që kanë shkëlqyer në të gjitha shkollat dhe kanë ngelur pikë referenca për stafet pedagogjike në gjithë Universitetet e vendit. Kurrë nuk ka ndodhur që një djalë apo vajzë e Fushëbardhës të rrëzohet në provimet e shkollave të mesme e të larta dhe “të kthehet me valixhe në fshat”. Përkundrazi, janë përzgjedhur si studentë elitë në të gjitha llojet e universiteteve, përfshi edhe Akademitë Ushtarake e Policore të vendit, ku në një shekull kanë qenë një trupë elitare prej shumë se 360 ushtarakë të të gjitha niveleve. Mësuesat e Fushëbardhës ishin dhe ngelen etalon i fisnikërisë në mbretërinë e dijes, pjesë e vyer e traditës pedagogjike shqiptare, që me punën dhe frymë përparimtare, ndriçuan mendjen e bijëve e bijave të Fushëbardhës, prandaj edhe nderimi dhe respekt është i pakufijshëm për të gjithë ata që u falën nxënësve të fshatit tonë dritë diturie.

*

Bijtë e bijat e Fushëbardhës – faqebardhë në histori

Bijtë e bijat e Fushëbardhës ja kanë dalë të jenë të sukseshëm në studime dhe në jetën e përditshme brenda e jashtë vendit. Figura të shquara të fshatit kanë qenë udhërrëfyes brezash si Adil çarçani e Gjeneral Dilaver Poçi. Kështu poeti Zeqir Cama në nëntor të vitit 1971 boton një poemë në gazetën më të madhe të asaj kohe “Zëri i Popullit”, gazetë, që botonte shumë rrallë poema, që u kushtohej komisarëve. Poema “Komisarët..” bëri kurreshtar dhe zv/kryeministrin e kohës burrin e urtë të Fushëbardhës Adil Çarçani, që kishte qenë edhe vet komisar. Biri i Fushëbardhës brenda kuadrit e limiteve të kohës u çeli rrugën vijimin e studimeve por edhe punëve e detyrave nga më të larmishmet që sollën përparim e prosperitet për Fushëbardhën Krahinën e Kardhiqit dhe mbarë Labërinë. Kontributet e bijëve të Fushëbardhës nëpër dekada janë multidimensionale, në ushtri, polici, drejtësi, mjekësi, mësuesi, inxhinieri, shkencë e teknikë. Edhe sot vërtetohet plotësisht kur ka dhjetra biznesmenë të sukseshëm, drejtues e organizatorë të talentuar në drejtimin e strukturave shtetërore, në drejtimin e oerganizmave të tjera të jetës shoqërore si dhe që i bëjnë nder vendit me larmitetin e shërbimin dinjitoz, me intuitën e inisiativat e mençura të tyre.

Kur duam të shohim Labërinë dalim majave, shkojmë pllajave, brigjeve e ahishteve, qafave, përrenjve e stogonëve, atje ku janë rrënojat e jetës së djeshme dhe ku shpaloset madhështia. Me të drejtë fjala profestike popullore se “pa të shkuar nuk ka të ardhme”, nuk lindi në Fushëbardhë por u materializua në vëmëndjen e bijëve e bijave të saj për ta sjellë detin më pranë, përmes rrugës së re Kardhiq-Delvinë vetëm 34 kilometra, rrugë që gjarpëroi edhe shtegut të Taroninës dhe erdhi në zemër të Fushëbardhës për t’u thënë brezave: “Tani jemi jo vetëm fshat kodrinor e malor por edhe bregdetar sepse për 20 minuta kapet bregu i detit”. Rruga rindezi shpresat e turizmit malor në Fushëbardhën e bukurive dhe peizazheve mahnitëse. Maksima më e re e trevës është se, “Vetëm me rrugë turizmi malor do gjejë shtëpinë e vet”. Ishte obligimi madhor i Shoqatës Kulturore Atdhetare “Fushëbardha”, që në ditët e para të krijimit, shoqatë që mblodhi rreth vetes bijtë e bijat më të përkushtuara më 4 Prill 2004, bijtë e bijat që e duan me zemër vendlindjen, por hedhin vështrimin edhe tek përjetësimi monumental i së shkuarës, gjakut të trimave, dëshmorëve dhe perspektivat ekonomike të zhvillimit të fshatit Fushëbardhë me emër të mirë në Labëri. Shoqata “Fushëbardha kudo ku u krijua dhe veproi ishte “”një copëz Fushëbardhe” në Tiranë, Durrës, Vlorë, Gjirokastër, Delvinë, Sarandë...; një copëz Fushëbardhë edhe jashtë kufijve administrativë të Shqipërisë si në Greqi, Itali, SHBA e Kanada. Në më shumë se njëqind vite, që prej Pavarësisë Fushëbardha ka pasur zhvillime të vrullshme në ekonomi e kulturë, në këngë dhe pasuri kulturore e trashëgimi. Bijtë e saj kanë shërbyer denjësisht në shërbim të ngritjes forcimit e përparimit të shtetit. Biri i Fushëbardhës Adil Çarçani ka qenë Kryeministër i Shqipërisë për një dekadë dhe më shumë se dy dekada zvëndëskryeministër; Dilaver Poçi ish komandant i çetës së parë krahinore të Kardhiqit “Çerçiz Topulli” ka qenë deputet dhe Gjeneral, Spartak Poçi ministër e deputet; Resul Bedo e Zeqir Cama shkrimtar, Flamur Golemi deputet dhe kryetar bashkie, Pajtim Bello e Veip Proda Zvendësministra, Besmir Veliu kryetar bashkie e qindra të tjerë kanë qenë partizanë, oficerë madhorë, mësuesa, profesorë, drejtora, e kontribues me vlerë për Labërinë, Gjirokastrën dhe Shqipërinë. Nuk është e rastit që Këshilli i Qarkut ka nderuar pesë bij të Fushëbardhës me titullin e lartë “Nderi i Qarkut të Gjirokastrës” si: Dilaver Poçi, Resul Bedo, Ferhat Golemi, Çufe Mullai e Halil Bello, ndërkohë që Shoqata Kulturore Atdhetare “Labëria” “Nderi i Kombit” me propozim të SHKA “Fushëbardha” ka nderuar me titujt “Personalitet i shquar i Labërisë” dhe “Mirënjohje e Labërisë” Resul Bedo, Pajtim Bello, Zaho Golemi, Trifon Golemi, Nexhip Onjea, Angjelo Kazo, Petrit Beqiri, Skënder Veliu, Frosina Kondi, Çano Nora, Mersin Peçi, Zeqir Cama, Ilirjan Shalari, Beqir Skreli, Murat Kërraj, Hyso Xhaferaj, Irfan Birbilaj, Mitat Bellaj e shumë të tjerë, por ka në proces edhe personalitete me shumë vlerë që i bëjnë nder Fushëbardhës dhe gjithë Labërisë e më gjerë. Janë të shumtë bijtë e Fushëbardhës të përjetësuar e trupëzuar bashkë me betejat, mbi të gjitha janë dëshmorët që janë lavdia e vendit për të djeshmen, të sotmen dhe të nesërmen e shqiptarizmës. Ata janë gjallë në tregime, vjersha, këngë, poezi e deri në romane historike. Dëshmorët kanë qenë dhe kanë ngelur rruga e shndritshne e brezave, që Fushëbardha i ka me bollëk, si fosforite në shndritshme të së ardhmes shqiptare.

Fushëbardha njeh shumë personalitete dhe drejtues në të gjitha epokat, por kryepleqtë e këtij fshati kanë qenë nga viti 1912-të: Jaho Deçka, Halil Sullo, Bektash Kondi, Sabri Isufi, Çenko Kondi, Bajo Kazo, Isuf Çarçani, Heshtem Muho, Murat Cama, Fejzo Meçe, Nishat Çarçani, Zenel Bello, Dino Meçani, Sabedin Bineri, Laze Nora, Selfo Xhuvani, Besnik Bineri, Bashkim Nora, Migjen Muho, Maksi Veliu, Perlat Shehu, Hosho Onjea, Sheqer Onjea, Shkëlqim Onjea, Boshek Golemi, Hektor Mullai; ndërsa në Fushëvëri kryepleqtë Hazif Kongoci, Shuquri Këndezi, Sherif Proda, Nekip Lagji, Vero Xhuvani, Abas Nora, Kujtim Proda, Muho Cama, Shkëlqim Zani; kryetar komune në Vergo, Trifon Proda etj, (të cilët do të plotësohen e specifikohen plotësisht në të ardhmen). Por emra, fise dhe bëma të këtij fshati me emër janë të shumtë dhe që i kanë dhënë nder, lavdi e krenari fshatit, çka jo gjithçka është shkruar e dokumentuar.

*

Rruga Ura e Kardhiqit – Sarandë dhe asfaltimi i rrugës së Fushëbardhës dy kryepunë njëherazi. Shoqata “Fushëbardha” – një copëz Fushbardhe në Tiranë

Çdo zemerek të veprimtarisë së fshatit e dirigjon, dhe e vendos në lëvizje Shoqata Kulturore Atdhetare “Fushëbardha”, e krijuar me Vendim (të Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë) nr. 1026 daë 14.05.2004. Në pak muaj me përkushtim e seriozitet arriti që brenda harkut kohor prej një viti të sigurojë Vendimin e Qeverisë Nr.272 datë 28.4.2005 (rekord që do t’ia kishin zili edhe administratat moderne!). Ky vendim ngriti siparin e projektit madhështor që e përshkruam më sipër, që shërbeu si “Udhëtim në kujtesë”: Rruga automobilistike në Fushëbardhë është ndërtuar për herë të parë në vitin 1948 dhe u desh 75 vjet që rruga të bëhej me asfalt. Edhe sikur vetëm për këtë të ishte krijuar Shoqata Kulturore Atdhetare “Fushëbardha”përsëri ja vlente. Rruga Kardhiq-Delvinë është Portë dhe Urë, pra Portë hyrëse edhe Urë lidhëse e Labërisë me trevat e Vurgut, Bregut dhe Çamërisë. Pa dyshim që për fshatrat Fushëbardhë dhe Fushëvërri, më shumë se gjithçka, është përi kirurgjikal që qepi një shpirt, i cili prej shumë vitesh ishte ndarë më dysh. Në atë periudhë në krye të punëve ishte Pajtim Bello, Zaho Golemi e Angjelo Kazo që vendosën kontaktet me Dragush Logli ish-Kryetar i Komunës Cepo dhe Myzafer Cama ish-Kryetar i Komunës Rrëzomë, ku u diskutua mbi hartimin e studimit të visibilitetit për rrugën automobilistike me detaje. Vendimi i Qeverisë shqiptare nr.272, datë 28.4.2005, i ish-kryeministrit Fatos Nanos duket se hapi dritën jeshile, vendim që u draftua nga Ministri i komunikacionit dhe rrugëve të asaj kohe Spartak Dilaver Poçi. Me këtë vendim u ligjërua kalimi i segmentit Ura e Kardhiqit-Fushëbardhë-Delvinë, me gjatësi 34 km, në rjetin Rrugor Kombëtar. Kontribut pati edhe Adi Poçi e Genc Ruli, që mbështetën fillimisht këtë projekt, por bijtë e fshatit Pajtim Bello, Flamur Golemi, Ardi Veliu, intesifikuan lobimin ligjor e njerëzor deri në finalizim. Shoqata të parën punë që bëri ishte ngritja e gazetës “Fushëbardha”, që objektivat e synimet e këtij organizimi të ishin të lexueshme në sytë e një komuniteti prej 5400 vetësh të Fushëbardhës. Kryeredaktor ishte poeti Zeqir Cama, ndërsa redaksia përbëhej nga Zaho Golemi, Angjelo Kazo, Melsi Bineri, Agim Hila, Enver Bineri në Gjirokastër, Luan Mullai në Durrës, Besnik Këndezi në Vlorë, Besim Peçi në Fushëbardhë, Isa Bello në Bajkaj, Arben Veliu në Delvinë, Arif Kazo dhe Tamaz Kondi në Athinë, ndërsa fotografitë për gazetën nga Evjen Cama në Gjirokastër. Ishin dhe mbetën gjurmë të një epoke, që të ikurit e kësaj bote janë në parajsën e kaltërsive të Fushëbardhës, në kujtimin e brezave, për mirësinë që shkruan në këtë jetë.

Në 20 numra të gazetës erdhën shkrime dhe dokumentuan një copëz të historisë së Fushëbardhës, për historinë, luftrat, shkollën dhe nxënësit elitë në rreth, për filmin e librin, për dritën elektrike që kish ardhur më 1968 bashkë me gjeologjinë, për minierën e fosforiteve, për buqësinë e blektorinë, për këpucarin, fotografin, berberin, furrën e bukës, për këshillin, bursat, korierën e autobuzin, për jetën e fshatit për njerëzit e saj punëtorë e të mençur, për dimensionin. Më 4.4.2004 (në të njëjtën datë e muaj të ditëlindjes së NATO-s), u krijua Shoqata Kulturore Atdhetare “Fushëbardha”, që në fakt ishte një copëz Fushëbardhe në Tiranë, ku intelektualët Pajtim Bello, Resul Bedo, Arben Shalari, Astrit Miho, Zeqir Cama, Zaho Golemi, Veip Proda, Zenel Shalari, Veip Bello, Zote Shalari, Banush Norra, Gëzim Veliu, Alush Muho, Drini Bello, Osman Shalari, etj., vendosën këtë organizim shoqëror të përbashkuar vëllazërisht për të qenë produktive për Fushëbardhën, krahinën e Kardhiqit dhe të Rrëzomës. Misioni themelor i Shoqatës në një prej objektivave themelore të saj po plotësohej me gjallërimin e jetës së fshatit, me asfaltimin e rrugës, ujësjellës i vijueshëm, sistemim i lumit, varrezave, gjallërimin e jetës artistike, krijimin e grupit polifonik “bilbilat e Fushëbardhës”, organizimin e takimit të brezave në të shtunën e tretë të gushtit si dhe mbrëmjen e vitit të ri në Tiranë, shkrimi i historisë dhe enciklopedisë, përgatitja e enciklopedisë dhe emisioneve televizivë, ngritjen e turizmit si dhe publikimet mbi fshatin, gazetën “Fushëbardha” dhe krijimin e kushteve që fshati të renditet ndër elitarët në krahinë, në Labëri, në Gjirokastër dhe në Shqipëri. Në shtator 2022 asfaltimi i rrugës së Fushëbardhës dhe bashkimi i saj me rrugën kombëtare u bë realitet. Skeptikët u zhgënjyen. Optimistët u bën njësh me realistët dhe realitetin e prekshëm, të mirëpritur nga gjithë bijtë e bijat e Fushëbardhës. Një dritë e re optimizmi dhe një shkrepëtimë ylli për ngritjen e turizmit është një rrugë për t’u ndjekur. Rruga u bë pjesë e historisë, që do flitet sot e nesër për të. Sikurse thotë Dritëro Agolli: “Një popull pa histori është si lisi pa rrënjë”. Por rrënjët Fushëbardhës, e këtij fshati kaonik janë përtej fushëpamjes së historianëve, në thellësitë dhe “stogonët” e historisë shqiptare.

*

Zemrat janë lënë “peng” në Fushëbardhë!

Dëshmorët e të gjitha epokave të fshatit Fushëbardhë dhe jo vetëm, luftëtarët që u trupëzuan me lirinë dhe derdhën gjakun në beteja të shumta të imponuara duke mos bërë pakt me dredhinë, sepse nuk u zihet besë të pabesëve. Dëshmorët u trupëzuan me kalanë natyrore në çdo betejë, në Janinë, Palavli, Gjashtë, Skërficës, në portën e parë të Labërisë. Ata ngelën në panteonin e kombit e memorien popullore të Labërisë dhe mbarë kombit shqiptar. Fushëbardha ky djep i trimërisë, mençurisë dhe lavdisë, është një copëz Labërie e truallit të Kaonisë, që ja ka vënë vetë emrin vetes dhe e mban këtë emër, që kur ajo është krijuar sepse është e shtruar me zall të bardhë me një shesh në qendër të saj që me të drejtë emërtohet pa ndonjë vendim si “sheshi i dëshmorëve”, me dy monumente dëshmorësh në qendër. Identiteti është i lashtë dhe këtë lashtësi e kanë mbrojtur me gjak shekujve, me njerëzit e saj shpirtbardhë, të besës, qëndresës, mbijetesës, trimërisë që kanë shkruar histori përmes luftrash për mbijetesë. Gjakun nuk e kursyen kurrë për lirinë dhe unitetin krahinor. Në ngjarjet më të mëdha të historisë Fushëbardha ka pasur kudo përfaqësuesit e vet, djemtë e kuvendeve, të luftës, punës, mençurisë. Fushëbardha ka nënshkruar me emrin e saj, si një pjesëz e Labërisë, ka dëshmuar si vlerë e njerëzve të çmuar. Krenaria dhe dinjiteti, përjetësia dhe lavdia e së shkuarës, shëmbëlltira e mençurisë, vizioni i së ardhmes, kënga e popullit që përjetësoi bijtë që ranë për Shqipërinë, dhe që ngelën madhërishëm përjetësisht në këngë ja ka shtuar krenarinë vendit. Luftrave u paraprinin kuvendet sikurse ndodhën në Shpellën e Zhulit, Senicë, poshtë Taroninës tek Rrepet e Agait, në Picar, në Shtëpëz, në Cepo etj., dhe kudo Fushëbardha ka pasur përfaqësuesit e vet. Zemrat janë lënë “peng” në Fushëbardhë për 1001 arsye, për traditën e bukur, për jetën e fshatit, për këngën dhe historinë, për trimërinë dhe shkuarës së ndritur, për krenarinë që na lanë të parët. Qindra vargje nga poetë që janë përpjekur t’i ngjiten “malit” të poezisë kanë pirë ujë në muzën e Fushëbardhës, kanë krijuar vargje emblemë si Halil Zenel Bello: “Malli më ka marrë,/ për ty moj Fushëbardhë,/ për Ferrëz, për Zhërmë,/ të gjezdis në këmbë,/ udhës për nën Gravë,/ tutje në Qafëdardhë,/ të bëj poshtë nga Honi, dhe nga Bidërgjoni.../ Për t’u mbledhur fshatçe,/për tia shtruar labçe,/që të gjithë tek rrapi,/Sa lezet ka fshati!..”. Ndërsa Zeqir Sadik Cama, e gjurmon jetën e fshatit me vargjet që kanë “ngrirë” në gazetën “Fushëbardha”: “Borërat një mbi një kanë ngrirë në emrin tënd,/Jelekbardha jetëgjatë, eshtërzëna argjend./Zalli mes përmes, prehet pa andralla,/si një shall i leshtë,/feks në shtatë mëhalla..”, por dhe vargjet baritore si: “Me një krrabë të dredhur mirë,/Me një krrabë piksi të dredhur thane,/Nisesh pas dhenëve pa gdhirë,/Festebardhi me llabane,/ Shkove kohë e theve vite,/ Nëpër gërxhe, nëpër pllaja,/Nga stani në stan u ngjite,/Me llaja çoban me llaja,/ Ndërrove mal, e ndërrove bar,/Ndërrove vendet e nomeve,/Por prapë me feste të bardhë,/ Mbete çoban i kopeve,/Kapedan që s’plakesh kurrë,/Zdreng-zdreng dhenëve mbrapa,/Pas tyre u bëre burrë,/Me poture të shajakta”(kushtuar Neki Golemit); ndërsa vargjet e këngës nga Trifon Mersin Golemi: “Ç’të themi për Fushëbardhën,/ Fshati ynë në Labëri,/ Në mes lumi sipër malet,/ Fshatit si kurorë i rrinë,/ Uji te burime zalli,/ Shërohet kushdo që pi.../”. Nexhip Resul Onjea shkruan: “Mbete mall Fushëbardha ime,/Mbete mall nëpër gëzime, Mall me lotë dhe hidhërime, Mall në ëndërra, mall në zgjime../ Malet unazë floriri, këngët diamant i rrallë,/Madem me gurë xhevairi./ Fushëbardhë moj Fushëbardhë!”. Megjithëse vargjet për vendlindjen përsëri janë pak: “Çdo pëllëmbë lavdimbuluar,/ balt' e gurë, gdhëndur mall,/ shpirt e zemër përvëluar,/ Fushëbardhë!/ Portat hapur, sofrat shtruar, nga një mëmë në çdo shkallë,/plot me dashuri rrethuar,/ Fushëbardhë!. Kënga dhe vargëzimi poetik është në kufirin e madhështisë pa limite. Nga ana tjetër në këto tre dekadat e fundit largimi ka qenë masiv nga fshati, por jo braktisja, sepse zemrat që janë lënë “peng” në vendlindje. Zemrat që rrahin vetëm për vendlindjen janë të shumta, pavarësisht sa janë shpërndarë në të gjithë kontinentet me një gjeografi shtrirjeje të përbotshme. Në fakt është një fenomen i përbotshëm. Fushëbardhën është në çdo stinë magjike në diell dhe në ngjyrat e ylberit, mëngjeseve dhe në muzg, kur hëna nxjerr synë mbi majën e Lucës, Gramati, Stravua, Mesare, Gjinaz, Kofole, Kaçullat, kur feks drita e mëngjeseve, kur dielli shkëlqen në çatitë e shtëpive, në Xhami e Mogilë, kur dielli pështjell lapidarët e dëshmorëve, kur sheshi i fshatit gumëzhin, kur erërat fishkëllijnë, kur kënga polifonike labe ndez atmosferën dhe shton emocionet, kur vargjet poetike mbijnë si manushaqe, në çdo oxhak e vatër të Fushëbardhës, si një dhuratë që natyra jua ka falur, kur rrapi madhështor evidenton bëmat e shekujve, kur kënga e këndezit, zilet e mushkave, çokanet e cjepëve dhe deshve përçorë, blegërimat e qingjave zgjojnë dëshirën për jetën e fshatit. Qetësia e një fshati plot dritë në shpirtrat e bardhë të njerëzve.

Në shpirtbardhët e Fushëbardhës janë padyshim edhe dervishën bektashinj të Fushëbardhës. Ata kanë qenë dhe janë mendjeartë të veshur me “vellon” e bardhësisë së dëbortë të bekimit. Janë të shumtë ata që jetën ja kushtuan bektashizmit, rrugës së Bektash Veliut, sikurse janë Dervish Memet Golemi, i cili shkoi në Mekë zbathur, Dervish Taro Golemi dhe më tej Lufto Kondi që dinte përmendësh Shpatën e Labërisë të Merko Koronit (ribot. edhe më 1998) dhe këngën e Sadedin Zhulatit. Traditën e vijon Dervish Mikel Maksi Onjea që bëri emër në Kryegjyshatë dhe që ngriti nga hiri Teqenë e Bektashinjve në Turan të Tepelenës, por që po planifikon edhe ti shenjtërojë bektashizmin në Fushëbardhë. Tradita e bukur vazhdon. Fushëbardha, si në mbarë Labëria ofrojnë qetësi e përkëdheli me mikpritjen e tyre tradicionale, me turizmin që po vjen, ndërkohë që bujtinat kanë filluar të lulëzojnë që të joshin turizmin malor të së sotmes dhe të së nesërmes në rrugën e prosperitetit. Qetësinë e prishin vetëm çezmat e reja të fshatit të ribëra nga e para, që “thërmojnë” ujin me gurgullimë. Këtu në Fushëbardhë edhe yjet e hëna kuvendojnë gëzueshëm, vallzojnë e shtegtojnë larg të shohin e t’i çojnë lajm çdo biri e bije të Fushëbardhës që jeton larg, por vendlindjen e ka në zemër.

Në vend të mbylljes. Fushëbardha ky djep i historisë labe është në lulëzim, është si një pemë me shumë degë, ku edhe pse degët e kësaj peme janë shpërndarë aktualisht në gjithë planetin, rrënjët i kanë këtu ku u shkrua historia, në vendlindjen e ëndërrave. Fushëbardha arsimoi gjenerata të tëra brezash që i dhanë dimension të ri jetës, që vlerat e saj rrezatojnë brenda dhe jashtë kufijve të shqiptarisë. Rrjetet sociale janë ngarkuar me komunikime. Fushëbardha ka ardhur edhe më afër. Kënga labe gjithashtu. Kodrat e malet e Fushëbardhës duket sikur mbajnë ison e këngëtarëve brilantë marrës të labërishtes si Trifon Golemi, Halil Bello, Teuta Kapo, Parim Nora, Hosho Onjea, Sefer Muho, ku midis qindra këngëve të tjera mbisundon edhe kënga: “Ku është Labëria, Labëri e parë?/ Vendi i jataganit, vendi i pallës larë./ Çobua i Goleme, div i vëndit tënë,/ Hodua i Nivicës, burrë i larë në hënë./ Ku është Gjoleka, kryetrim i Kuçe,/ Ku janë fustanellat, përmbi gju hajduçe?./ Çelua i Picarit, Çelua i opingës,/ Krisma e rrufeve, gjëm e vetëtimës./ Ku është Idriz Sulli, Idriz i kuvendit,/ Burri i zakonit, që i dil zot vendit./ Kjo është Labëria, Labëria e parë,/ Vendi i jataganit, vend i pallës larë”. Kënga labe ka pasur dhjetra e qindra mjeshtra si, Habip Maçi, Dite Golemi, Guro Resuli/Golemi, Natasha Kapo, Diftir Nora, Floreta Lazo, Hajrulla Veliu, Merdan Nora, Maksi Onjea, etj, sigurisht do ketë edhe në të ardhmen. Do të rikthehemi përsëri në Fushëbardhën e bukur për ndryshimet e një epoke të rilindur. Fushëbardha ky djep mençurie do të jetë ndryshe!.

Burimet e studimit për Fushëbardhën: Libri “Nga Fushëbardha në ushtrinë popullore” të Fero Golemi (2015), Historiku, Materialet e muzeumit të Fushëbardhës, Publikimet në 20 numra të gazetës “Fushëbardha”, shkrimet në gazetat “Telegraf”, “Panorama”, “Ushtria”, “Mbrojtja”.. Portalet shqiptare dhe të huaja si “Albspirit”, “Balkanëeb”, “fjalaelirë”, “Illyria”, “Dielli”, “factor.al”, nga arkivi i Shoqatës Kulturore Atdhetare “Fushëbardha”; Libri Zhulati në sytë e një Lunxhioti”, të Kleanthi Dedi, (2022) Libri i Petrit Puli nga Zhulati; shkrime nga Zaho Golemit, shkrimi “Kënga lapidar i shekujve” nga Zaho Golemi botuar ngë gazetën Fushëbardha në 2006; Akti i themelimit të SHKA “Fushëbardha”, publikuar në gazetën Fushëbardha më 2005; shkrimi “Shkolla 110 vjeçare e Fushëbardhës”; “110 vjet dritë diturie në Fushëbardhë”; “Fushëbardhë mall e këngë”, “Të vegjël dhe të rritur për Fushëbardhën”, Gjaku i dëshmorëve në themele të kombit arbëror (kushtuar dëshmorëve të Atdheut Bajo Kazo (1820-1854) dhe Habil Xhuvani (1824-1854), bijëve të fshatit Fushëbardhë që gjakun e derdhën në themele të kombit arbëror në betejën e Mecovës në pranverë të 1854-ës); shkrimi “Udhëtim në kujtesë: Rruga Krdhiq-Delvinë Portë dhe Urë” e kryesisë së SHKA “Fushëbardha”; Polifonia labe-kënga e perendive, “Duke medituar për këngën labe midis legjendës dhe së vërtetës”, publikuar në tetor 2005; ”Lufta antiandarte e vitit 1914 në Kallarat dhe dëshmorët e saj” botuar tek Labëria më 2023; shkrimi: “Mësuesi, profesori, nderi dhe krenari e zhulatit historik”, kushtuar Petrit Arsim Puli, profesorit që ja rriti krenarinë Zhulatit historik dhe krahinës së Kardhiqit”; Bashkëbisedime për Fushëbardhën me Nexhip Alpan/Pula, Resul Bedo, Neki Golemi, Belul Golemi, Kasëm Golemi, Felek Golemi, Fero Golemi, Abedin Golemi, Timoshenko (Boshek) Golemi, Mersin Golemi, Trifon Golemi, Xhivit Golemi, Agim Golemi, Flamur Golemi, Arif Kazo, Gjençi Kazo, Fetva Kazo, Angjelo Kazo, Faik Kërpaçi, Bedo Resuli, Valter Memishaj, Ilirjan Shalari, Qamil Muho, Bernard Zotaj, Lefter Çipa, Haxhi Bello, Halil Bello, Pajtim Bello, Habil Bello, Kadri Onjea, Harun Muho, Myftar Çarçani, Islam Poçi, Taro Mullai, Nexhip Onjea, Irfan Birbilaj, Sheqer Onjea, Hosha Onjea, Zeqir Cama, Dervish Mikel Onjea, Perlat Shehu, Tafil Lagji, Tamaz Kondi, Hader Muho, Shane Kondi, Xhebro Shalari, Zenun Shalari, Sali Shalari, e shumë të tjerë;. Shkrimet në portale dhe jo vetëm si: Prof. Asoc. Dr. Zaho Golemi: Beteja e Lëkurësit; 24.02.2022; Kufitari i përjetshëm në shërbim të Atdheut; 28.12.2021; Bajo Kazo kapedani lab që mbrojti me jetë truallin arbëror; 1.7.2021; Habil Xhuvani, labi që gjakun e derdhi për shqiptarizmën, 12.04.2021; Kontributi i Fushëbardhës në Luftën e Vlorës më 1920; 16.08.2020; Shkëmb labërie në mbrojtje të truallit arbëror; 2 gusht 2020; Labin nuk e mposhtën plagët e luftës; 30.1.2018; Sadik Memushi, emër i gdhendur përjetësisht në kujtesën e kombit arbëror; 20.02.2023; Çeta emërndritur partizane “Çerçiz Topulli”; 16.12.2022; Idriz Sulli – Prijës dhe ligjvënës popullor i Labërisë, 7.1.2022; Zeqir Cama krijues original, aristocrat i fjalës për Labërinë dhe më gjerë, 14.09.2021; Lufta e Mecovës në mbrojtje të amanetit të trojeve; 21.04.2021; Dëshmori i Fushëbardhës Baxhul Nora që ra në Malin e Bardhë; 6.10.2021; Mësues nderi dhe krenari e Zhulatit historik; 06.08.2020; Luftëtari i shekujve Resul Resuli, shkëmb labërie që ra për mbrojtjen e Janinës; 14.11.2019; Gjaku i dëshmorëve të Fushëbardhës në rrënjët arbërore; 25.9.2019. -&-

150 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page