top of page

FSHATI THJATRO




Nga rrëfimet e moshatarëve kam dëgjuar se Gusmari i Kurveleshit kishte tri mëhallë; Dukgjin, Reçpalaj dhe Pargjin, ose thënë ndryshe, Duka i Gjinit, Reçi i Palit dhe Parua i Gjinit. Nuk dihet saktësisht lidhja e tyre me Gusmon, ndoshta ka qënë gjyshi i tyre. Po nga kishin ardhur këta njerëz dhe pse ishin vendosur pikërisht këtu? Një historian nga Kroacia, profesor në universitetin e Zagrebit, me të cilin kishim të njëjtin mbiemër, mëtonte të më bindëte dhe bënte be e rrufe që i përkisnim të njëjtës principatë, e cila në periudhën e Bizantit hyri në një konflikt të përgjakshëm me një tjetër principatë të fuqishme në veriun e Dalmacisë, mandej u detyrua të largohej nga teritoret që zotëronte dhe të shpërndahej në Ballkan dhe disa vende evropiane. Ka shumë të ngjarë që banorët e hershëm të Gusmarit të kenë ardhur nga veriu i Arbërisë, fillimisht për tu strehuar. Dikur kam pyetur një gjuhëtar për një toponim të çuditshëm, Rroçkullare (jo Rrotullare, apo rrotull arës). Është një strehë shkëmbi në fundin e malit të Kanatait. Dhe përgjigja që mora më befasoi. -Tregon fuqinë mashkullore më tha bashkëbiseduesi. -Të kujt?- e ngava bisedën më tej. -Të kreut të fisit, të kryeplakut të mëhallës, të prijësit të komunitetit…Gjithsesi, çdo fshat ka mbetur në gjykimin e të tjerëve, e kryesisht të të huajve, vizitorëve apo kalimtarëve.

Autori Halo Malaj, mësues prej disa vitesh në këtë fshat, në një kushtim poetik e quan Gusmarin “Fshati me ngjyrë”. Ka një të vërtetë në këtë cilësim. Në vitin 1492, shumë fise hebreje, të detyruar nga dhuna e të përzënë nga vendet ku jetonin, zbarkuan në brigjet e Adriatikut. U vendosën edhe në Vllua të Gusmarit rreth 25 familje. Kohë më vonë, tre prej fiseve mbetën aty, Banaj, Çelaj dhe Gjokaj. Në lashtësi flitet për 12 fise hebreje, shumica e të cilëve me ngjyrë. Por kjo është e parëndësishme, sepse etnia, kombësia dhe feja jehude janë shumë të ndërlidhura. Të vijojmë me gjykimet e të tjerëve për Gusmarin. Kuçiotët që s’dinë ç’të bëjnë me ujin e Lëpushës, e quajnë Gusmarin fshat kseriko, sepse burimet e ujit i ka të kursyera. Në rregjistrat osmanë e gjejmë me emërin Gjysmar, ndoshta ngaqë i ngjanë një are të ndarë në mes nga rruga ku ecnin këmbësorët dhe karvanet e kuajve. Një plak i mënçur i këtij vendi, në një moment zhgënjimi e quajti vendlindjen e tij, “Fshati thjatro”. Një zotëri nga qyteti i Shkodrës, rastisi të ndalonte te pijetorja e fshatit. Ishin orët e para të mëngjesit. Përparësja që i afroi kafen teshtiu sipër filxhanit. Paska mbetur një varr i hapur, mërmëriti qytetari, pastaj pagoi lekët, por s’e lagu buzën. Në ikje shikonte njerëz me ngjyrë që nxitonin për t’u futur brenda lokalit. Kur mbriti në fshatin tjetër e quajti Gusmarin jataku i evgjitëve. Ndërsa unë e kam quajtur Rripi i Gazës. Dhe e dini pse? Atje frynin të gjitha erërat, atje përplaseshin izraelitë dhe filistinë, bëheshin gjykime kolektive dhe merreshin vendime të frikshme. Ishte si një stacion tranzit me orare të kushtëzuara. Deri në vitin ‘45 në kuvende flisnin thinjat dhe mënçuria e burrave të bardhë, paskëtaj ata heshtën dhe vendin e tyre e zuri pushteti politik, të quajturit përfaqësues të popullit. Së pari më duhet të flas për njerëzit, pastaj për natyrën. Ky fshat i ka të gjitha me “shumë”; njerëz shumë punëtorë, shumë pijetarë, qejflinj të këngës e të valles dhe shumë bujarë. Dhe më të çmuarën pasuri ka vajzat, nuset dhe nënat. Të gjitha të mrekullueshme e duararta, të lera dhe të blera. Sigurisht që këta njerwz përbënin shumicën, por mos harroni që shtëpia ka dhe vendin ku kryhen nevojat. Ndaj duhet ta themi se kishte dhe njerëz të mbarsur me urrejtje, intrigantë e ngatërrestarë. Të shumtë ishin dhe spiunët, pa harruar vrasësit e pabesë. Cdo ditë i kishe nëpër këmbë. Aty ka ndodhur që miku të vritet në shtëpi, në kundërshtim me traditën shqiptare. Një burrë nga Progonati e ftuan brenda, e mbytën në emër të hakmarrjes, pastaj e hodhën te Sterra e Trëndafilit. Mbretëria shqiptare i burgosi, por ndodhi që Mbreti të vishte këpucët në udhën e mërgimit dhe burgjet u hapën. Vrasësit shpëtuan pa u hyrë asnjë gjemb në këmbë. Faji u bë qyrk me gëzof, por s’e veshën as Gorajt, as Gumenajt dhe as Bockajt. E megjithatë, Zoti që mban shënim çdo frymëmarrje tonën, i ndëshkoi në një tjetër mënyrë, të ngadaltë por të hidhur. Gusmari ka shuma qafa; Qafa e Qarrit, Qafa e Gomarthes, Qafa e Mihait, atje ku Elmazia, motra e Xheladinit doli për të marrë hakën e babait, Qafa e Blacës, Qafa e Kalibaqit, Qafa e Sërës apo e zotërisë(!), e shumë të tjera. Po kështu janë edhe trapet (jo lundrat); Trapi i Arushës, Trapi i Syskës, Trapi i Gjergjit, Trapi i Nele, etj. Aq sa të afërt me njëri-tjetrin, aq dhe të ndryshëm janë fshatrat e Kurveleshit. Fshat e zanat, derë e tarbjat. Mote të largëta, një çoban nga Gusmari i hoqi shaminë një gruaje nga Nivica. Përzuri bagëtitë që niviciotja kishte futur në Greshicë dhe ndodhi ajo që s’pritej. Në bazë të Kanunit të Labërisë duhet të mblidhej pleqsia e fshatrave dhe të vendoste dënimin e burrit, që nënkuptonte vrasjen publike. Ishte cënuar nderi i një gruaje dhe një fshati. Nivica ishte fshat i madh e megjithatë nxitoi të bënte aleancë me Kucin. Pleqsia e Gusmarit mori 7 deshë me vete dhe shkoi në Zhulat. Ishte ditë e premte. Mishrat u poqën në hell dhe parësia mori vendimin. Zhulatit ju bënë 7 mëhallë, tok me Gusmarin që e pranoi rishtas dhe e mori nën mbrojtje…Tashmë këto kanë mbetur kujtime të largëta që s’peshohen në kandarin e kësaj kohe që jetojmë. Unë kam mbajtur ditar qysh në klasë të pestë dhe ndodh të bëhem kurreshtar e të kërkoj rrënjët e mia, për të cilat kam hedhur shënime të detajuara. Janë të shumta ato që më bashkojnë me niviciotët dhe të pakta gjërat që më ndajnë. Gjyshi im nga babai, Skëndo Gjergjit, ishte i biri i Bajos dhe Salihesë, bijë në fisin Lilaj të Nivicës. Edhe gruaja e Skëndos (gjyshja ime), Hajria, ishte bijë nga Nivica, vajza e Murat Zogaj dhe e Sulltanës. Ndërsa gjyshja ime nga nëna, Trëndafilja, gjithashtu nga Nivica, ishte vajza e Balil Bushit dhe Vikos (bijë nga Kukajt). Vikua ishte motra e Balilit të Xhixhisë që i këndohet kënga. Lidhjet miqësore të familjes tonë me gusmariotët janë krejt ndryshe. P.sh, mëma e Ahmet Tahirit dhe Skëndo Gjergjit ishin motra, bija nga Lilajt. Jo vetëm me Gumenajt, edhe me Banajt shikoj lidhjet e dikurshme. Xhafo Bana, i biri i Magripit, kishte nënë Fato Tahirin, kushërirën e parë të Skëndo Gjergjit. Enët komunikuese të gjakut funksiononin dikur, por jo sot.


Tiranë, Gusht 2023.

72 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page