top of page

Fritz RADOVANI: Kush mendoi për Shqipëri?!


ree

 

 

 


FESTË E MADHE !

Janë rreshtue katunde e qytete, asht rreshtue Kruja, Kurbini, Mati, Sapa, Zadrima, Troshani e Lezha e Misionarëve Fishta e Mjeda, Fushat e Nënshkodrës, Trushi, qendra e Argjipeshkvit të Shkodrës, Shirqi, e deri në Velipojë, me të gjitha ngjyrat ku janë ma të bukrat e kostumit kombëtar, me fëtyrat e qeshuna e të zbukurueme nën rizën Zadrimore dhe të Bregut të Bunës, lidhë dora-dorës me malësorët e Mbishkodrës e deri tek xhubletat e ruejtuna ndër shekuj për këte ditë, të shoqnueme nga çakçirët e burrave të Kelmêndit, Hotit, Grudës, Rrafshit të Dukagjinit e shka merr syni prej Majës së Hekrave e në Fushë të Kosovës, tue fluturue nga Prishtina, Shkupi, Brukseli, Mynihu, Zvicrra, Detroidi, Washingtoni, New Yorku e ku ka Shqiptarë, sot janë të gjithë së bashku lidhë një bese nën një Flamur, në Kryeqytetin e vjetër të Ilirisë…. Janë në zemrën e tyne të dishrueme përsa dekada sot gjerdan rreth qafës së Rozafës, që kryet ka ngritë naltë e në kreni të gjakut derdhun me trimni nga Martirët e Kombit të Saj, me sy të përlotun gëzimi e përmallimi vështron nga gërmadhat e thëmelëve të vjetra të mbytuna nga rrjellat shekullore të Drinazës, përzi me shkumben e përgjakun të Kirit që sjellë prej Dukagjinasve lajmin që kushtrim ndër male sot kanë lëshue, tue plasë me duhinë e tyne murët e vjetra të kalasë Drishtit plak e, tue rrokollisë shkambijë prej majës së Cukalit e Maranajt, këtu mblidhuni bre Burra, kushtrim!

PAPA GJON PALI II TAKON NANEN TEREZA N’SHKODER
PAPA GJON PALI II TAKON NANEN TEREZA N’SHKODER

Në qiellin pranveror që shndritë ma fort se kurrë asht shpalosë Veli i Papërlymë i Nanës së gjithë Botës, asht Nanë Tereza, prej Lindjes së largët që me duerte e Saja të bashkueme e të vizatuna sot lutët për né:

“O Zot, hiqi mallkimin tand Shqipnisë!”

Tallaz përzi asht Liqeni i Shkodrës, Buna, Kiri, Drinaza, që në gjiun  e vet shtërngojnë për parzëm Eshtnat e tretuna nga barbarët ndër rrjellat e tyne të kullueme, mbushë me brilante të ruejtuna ndër fletët e krahëve të hapun të Shqipës Dykrenare që me madhështinë e Sajë, Ajo sot rrokë për gjoks një Burrë:

Asht Papa Gjon Pali II…

Edhe ngjyra e bukur drandofille që sot ka stolisë pamjën Burrnore të Tij, tregon freskinë e fisnikinë e Shpirtit të thithun nga ngjeshja e buzëve për Tokën Arbënore, të thame si Nana për të Birin e vet tue pritë këte ditë që në vitin 1464.

Dy duert e bekueme të mbështetuna për Té e tërheqin me forcë për mos me e lëshue ma këte Trim…. Jo, jo, kurrma s’përsëritët historia…

U realizue andrra e shekujve të shkuem!

Plot gati mbas 530 vjetësh në Shqipni asht Papa Gjon Pali II.

Një Kunorë Lavdije të Martirëve të Kombit që ranë për Fé e Atdhe, ka krah’ e qafë dhe në dorë mban Palmën e Paqës.

Ecë, mbi gurët e gërmadhave të Tokës së braktisun… Vetem tue i Bekue!

Tue Bekue Atë Popull që nuk e ka pa njëditë të mirë deri sot!

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page