Fritz Radovani: DY FIGURA BOTËRORE SHQIPTARE
- 3 days ago
- 2 min read

GJERGJ KASTRIOTI SKËNDERBEU
DHE
IMZOT PAL ENGJULLI
Në Shqipërinë plakë janë gurrat e lumenjve dhe të përrenjve, e janë edhe shpellat e errëta të maleve tona, ku edhe sot gurgullojnë vijat e pashtershme të gjakut të shqiptarëve, e prapë sot nuk quhen “kufij” të Shqipërisë së Gjergj Kastriotit! Janë shtatoret e Trimit të Krujës, të ngritura në shtetet më të njohura të globit, e prapë ka nga tradhtarët tanë që kërkojnë ta mohojnë e ta ndryshojnë historinë!
Aty janë pasuesit e Atij Burri që, me shpatën e vet, u tha osmanëve: “Ndal… e jo, më tej!”, dhe, prapë, mbi gjurmët e Tij, shqiptarët vazhduan luftën për mbrojtjen e lirisë së trojeve tona, e kur ua kërkoi Atdheu, për Atë dhanë edhe jetën. E ku janë varret e tyre të bekuara!?

Ku janë, bre, trojet e harruara të atyre trimave që, në vitin 1911, tronditën Stambollin, e sot emrat e tyre nuk i gjen as në librat e shkollave fillore?! Kush mund t’i mohojë emrat e atdhetarëve tanë që, gati pas 500 vjetësh, u thanë turqve e malazezëve “shporruni këndej” në Hot dhe në Memorandumin e Gerçës, e sot këta emra nuk përmenden fare, duke filluar nga Ded Gjon Luli i Traboinit të Hotit, Palok Traboini, Sokol Baci i Grudës, Dedë Nika, bajraktar i Grudës, Dodë Preçi, bajraktar i Kastratit, Col Dedi i Selcës së Kelmendit, Tomë Nika i Shkrelit, Lul Rrapuka i Vuklit të Kelmendit, Llesh Gjergji, bajraktar i Nikçit, Gjeto Marku i Hotit, Martin Preka i Shkrelit, Mehmet Shpendi, i pari i djelmënisë së Shalës, Prelë Marku, bajraktar i Shalës, Avdi Kola, bajraktar i Gimajt, Nik Mëhilli i Shllakut, Pup Çuni Prekalor, Binak Lulashi Toplanas, Bash Bajrami, bajraktar i Nikajve, dhe Bec Delia. (Marrë nga revista L.E.K.A., 1937).
Mohohen veprat e Don Nikollë Kaçorrit, At Mati Prennushit, Luigj Gurakuqit, Avni Rrustemit, Bajram Currit e të sa e sa heronjve dhe heroinave shqiptare, që na nderuan me vepra emrin e Kastriotit… e të Imzot Pal Engjullit!
A mund të ketë Shqipëria histori pa Formulën e Pagëzimit të Imzot Pal Engjullit?! – Asnjëherë!
LAVDI FIGURAVE TË PAVDEKSHME TË HISTORISË SONË TË NDERUAR, GJERGJ KASTRIOTIT SKËNDERBEUT DHE IMZOT PAL ENGJULLIT!…
Melbourne, 1 Qershor 2026.








Comments