top of page

Fritz RADOVANI: 11 Nëntor 1990

ree

 

OH  DATA  MA  E  BUKUR  E  JETES! ASHT  DATA 11, XI, ORA  11.00

Erdhi per mos me u kthye kurrma!

Pa kalue as dy vjet nga vdekja e At Meshkallës, Sigurimit i duhet me angazhue prap spijunët për survejimin e një tjetër “arre nyçe” në atë rrugë 4-5 dyer ma larg se At Meshkalla,

Ishte Don Simon Jubanin, prifti belbacuk që do të bajnë një Epokë si belbacuku i 1924, Luigj Gurakuqi.

Shqipnia pa kete Date shkonte drejte zhdukjes!

Binte shi me rrëshekë si bie zakonisht në Shkodër në muejn e Purgatorëve. Nuk mungojnë njerëzit në të dielën e parë në vorret e Rrëmajit. Edhe pse pjesa ma e madhe ishin vorre të vjetra, mbasi në vitin 1970 u pat ndalue vorrimi i qytetarëve në këta vorre, siç e kam shpjegue me mendim rrafshimi, prap se prap kujdesi i qytetarëve në muejn nandor nuk ka mungue. Të paktën një tubë me lule secili e vente tek kryet e vorrit edhe pse pjesa ma e madhe tashti nuk kishin as Kryqa. Shumë ishin thye, shumë ishin kalbë, shumë ishin shkatrrue e, gjithshka, shkonte drejt shumjes në atë vend të bekuem…

Një qytetar që banonte në një prej apartamentëve karrshi vorrëve i quejtun Mark Murana, sjell një tavolinë me mbulesë mushamaje mbi të cilën hante bukë në shtëpinë e tij dhe vrapon në shtëpinë e Don Simon Jubanit, e sjellë ndër vorre priftin e veshun si gjithmonë me kostum të zi, tue lajmërue njerëzit e lagun prej shiut: “Eni, se tashti do të shohim MESHË prej Don Simonit!” Jo, ma shumë se 300 vetë që nuk u besojnë as syve, as veshëve dhe as kambëve, drejtohën nga Kapela e djegun e pa çati dhe me të vërtetë aty asht edhe Don Simoni.

Don Simoni ven Kryqin e mëshefun mbi tavolinë bashkë me pak gjana të ruajtuna ndër vite, pa i shkue mendja ndonjëherë kur ishte në “birucën e tij” në Burrel, se do të vijë kjo ditë dhe mbasi ban Kryq, u drejtohët të pranishëmve:

“Vëllazën e motra!

Dizidenti Mark Murana sot ka shkrue një datë historike, që do të përmendët ndër analet e kronikat historike  të qytetit tonë martir të Shkodrës së famëshme, që po vuen për liri e demokraci, por, që sot, po fillon për té dhe gjithë Shqiptarët një Epokë e Re…” dhe  përfundon fjalën e tij: “Sot një javë, më 11 nandor 1990 kemi Meshën ora 12.00, këtu ndër vorre!”

 Për pak minuta të pranishmit shpërndahën në katër anët e qytetit. Fjala merr dheun. Të gjithë vrapojnë me shpërnda lajmin “Në Shkodër ka ardhë Mesia!” Si dikur, ndër katakombe njerëzit nuk besojnë, shumica kujtojnë se janë në andërr. Ka shumë që nuk harrojnë fjalët e Shën Tomës: “Unë, pa e pa Don Simonin me sytë e mijë tue thanë Meshë, e pa vue dorën ndër plagët e tija, që i kanë hapë komunistët në trupin e tij, NUK BESOJ!”

 Të gjithëve u dukët se ndër dyer përgjohen nga xhullinjët e shekullit të elektronikës, të gjithë me lot ndër sy pranojnë: 

“Kjo asht mbrekullia!” 

Edhe pse shiu vazhdon me ra, rruga e Ballabanës edhe njëherë u këthye në pjacë. Turma, turma, të rijë, pleq, sakata e qorra që kanë lind mbas datës 19 mars 1967, ditë në të cilën në Shkodër nuk kishte ma asnjë Kishë të hapun dhe që, nuk kanë pa Dritën e Qillës tue shndritë në fëtyrat e tyne nëpërmjet fjalës së Ungjillit, drejtohen kah Rrëmaji dhe me të vërtetë të gjithë besojnë se:

“GJAKU I MARTIRËVE TË FESË DHE T’ ATDHEUT ASHT FARA QË SOT KA BIJTË, KATOLIKË E MYSLIMANË, TË VRAMË SË BASHKU NË ZALLIN E KIRIT, TË LIDHUN DORADORËS, SOT THËRRASIN:

BASHKOHUNI VËLLAZËN SHKODRANË, SI NA KËTU QË KEMI VDEKË  PËR LIRI DHE DEMOKRACI TË VËRTETË!”

 

LAVDI  SHKODRES MARTIRE DHE HEROIKE !

RRNOFTË SHQIPNIA!

Melbourne, 10 Nandor 2025.

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page