top of page

Frank Shkreli: MARIE ALEKSANDRA IVEZAJ ...

1 minute ago
3 min read

Frank Shkreli: MARIE ALEKSANDRA IVEZAJ – KRENARIA E NJË VAJZE MALËSORE QË NGRITI SHQIPONJËN SHQIPTARE NË SKENËN E BOTËRORE

 

Kur identiteti nuk fshihet, kur rrënjët nuk harrohen dhe kur krenaria shqiptare shprehet pa fjalë, një gjest i vetëm mund të marrë kuptimin e një mesazhi të madh.

Në skenën ndërkombëtare të konkursit të bukurisë Miss Universe 2026, në San Juan të Porto Riko-s, një territor i Shteteve të Bashkuara, një vajzë e re nga Gruda e Malësisë së Madhe, Marie Aleksandra Ivezaj, tërhoqi vëmendjen e publikut me një gjest që kishte shumë më tepër kuptim sesa një paraqitje skenike.  Ajo, duke përfaqësuar Malin e Zi në këtë konkurs, formoi me duart e saj simbolin e shqiponjës dykrenare shqiptare. Një simbol që për shqiptarët nuk është thjesht një figurë në flamur, por përmbledhje e historisë, e kujtesës, e qëndresës dhe e identitetit kombëtar të shqipotarëve ndër shekuj.

Marie Aleksandra Ivezaj nuk e fshehu prejardhjen e saj. Përkundrazi, zgjodhi ta shfaqte atë me krenari në një skenë ndërkombëtare, përpara miliona shikuesve.  Ky gjest merr një domethënie të veçantë në prag të 28-Nentorit, 2026, Ditës ë Pavarësisë së Shqipërisë, kur kujtojmë se ajo vjen nga Malësia e Madhe shqiptare -- një trevë kjo që ka ruajtur ndër breza gjuhën, traditat, kulturën dhe vetëdijen e saj kombëtare. Pikërisht, -- aty ky Ded Gjo Luli me malësorët e vet ka ngritur Flamurin e Gjergj Kastriotit-Skenderbe, në Deçiq -- një vit para se ai Flamur të ngrighej në Vlorë me 1912 nga Ismail Qemali me bashkpuntorët e tij.  Por ajo që e bën edhe më domethënës këtë veprim është shpjegimi që vetë Marie Aleksandra Ivezaj dha pas reagimeve të shumta ndaj simbolit të shqiponjës dykrenare shqiptare. Ajo tregoi se e kishte menduar këtë gjest përpara se të dilte në skenë. Dëshira e saj ishte që vajzat shqiptare të Malit të Zi të shihnin një pjesë të identitetit të tyre të përfaqësuar në atë skenë botërore.  Ajo theksoi se të dy prindërit e saj kanë lindur dhe janë rritur në Mal të Zi, se familja e saj është nga Tuzi dhe se krenaria për prejardhjen shqiptare dhe lidhja me Malin e Zi janë të dyja pjesë e identitetit të saj.

Ky është një mesazh që meriton respekt. Të jesh shqiptare dhe, njëkohësisht, të përfaqësosh Malin e Zi nuk është kundërthënie. Identiteti kulturor dhe kombëtar nuk është, domosdoshmërisht, në kundërshtim me shtetësinë apo përfaqësimin e një vendi. Një njeri mund të jetë qytetare e një shteti dhe të ruaj me krenari gjuhën, historinë, traditat dhe prejardhjen e vet.  Prandaj, shqiponja që Marie Aleksandra Ivezaj formoi me duart e saj nuk duhet parë si një provokim prej askujt, por si një shprehje e përkatësisë së saj shqiptare dhe e dëshirës për të përfaqësuar edhe komunitetin prej të cilit vjen.

Në një kohë kur identitetet e pakicave shpesh bëhen objekt debatesh, një veprim i tillë sjell në vëmendje një të vërtetë të rëndësishme. Se askush nuk duhet të ndihet i detyruar të heqë dorë nga rrënjët e veta për t’u ndier pjesë e një shoqërie apo shteti. Marie Aleksandra Ivezaj u dha zë edhe atyre vajzave shqiptare që jetojnë në Mal të Zi, por që ndoshta nuk kanë pasur gjithmonë mundësinë ose guximin ta shohin identitetin e tyre të përfaqësuar në një skenë kaq të madhe ndërkombëtare, siç është Miss Universe 2026, në San Juan të Porto Riko-s.

Një shqiponjë, dy krahë, një histori dhe një identitet që nuk harrohet! Krenaria e Marie Aleksandra Ivezaj është edhe një kujtesë për shqiptarët kudo që jemi se identiteti kombëtar nuk mbahet gjallë vetëm me fjalë e deklarata, por me vetëdije, dinjitet dhe guxim për ta shprehur atë kudo që ndodhemi. Gjithashtu, deklarata e saj pas paraqitjes është veçanërisht domethënëse. Ajo tha se do ta përsëriste përsëri këtë gjest.

Prandaj, Marie Aleksandra Ivezaj meriton përgëzimet tona për mënyrën se si zgjodhi të nderojë identitetin, prejardhjen e saj shqiptare dhe vendlindjen e familjes së saj.  Sepse edhe mund të përfaqësosh një shtet në skenën e botës, por nuk ke pse të harrosh kurrë se nga vijnë rrënjët e tua.

 

Comments


Shkrimet e fundit

bottom of page