Frank Shkreli: FESTIVALI I LIBRIT NË NJU JORK

FESTIVALI I LIBRIT NË NJU JORK--DËSHMI E GJALLË E IDENTITETIT SHQIPTAR
Nga Frank Shkreli
Një shënim paraprak me rastin e Festivalit Shqiptar të Librit në New York, organizuar nga AlbLibris, më 28–29 nëntor 2026.
Këtë fund jave në Nju Jork mbahet Fesfivali i II i Festivalit Shqiptar të Librit në New York, ku do marrin pjesë përfaqësues të AlbLibris, shkrimtarë, poetë, studiues, botues dhe dashamirës të librit shqip nga Shgqipëria dhe nga diaspora. Është kënaqësi dhe nder i veçantë ta paralajmëroj këtë tubim dy-ditor të rëndësishëm të kulturës shqiptare në New York -- Festivalin Shqiptar të Librit, që do të zhvillohet më 28 dhe 29 nëntor 2026.
Së pari, dëshiroj të përgëzoj organizatorët Dr. Pashko Camaj dhe AlbLibris për këtë nismë të çmuar kulturore, e cila dëshmon se libri shqip vazhdon të jetë një nga lidhjet më të forta shpirtërore ndërmjet shqiptarëve, kudo që ndodhen. Ky festival merr një domethënie edhe më të veçantë këtë vit, sepse zhvillohet Ditën Festës së Flamurit, 28-Nëntorit, Ditës së Pavarësisë së Shqipërisë.
Nuk beysoj se është rastësi që libri dhe flamuri kombëtar i Gjergj Kastriotit-Skenderbe takohen në këto ditë. Të dy janë simbole të identitetit tonë kombëtar. Flamuri përfaqëson historinë, sakrificat dhe aspiratat tona kombëtare, ndërsa libri përfaqëson kujtesën, gjuhën, mendimin dhe kulturën që ua përcjellim brezave. Shqiptarët e Amerikës kanë një histori të veçantë në ruajtjen e gjuhës, kulturës dhe të identitetit kombëtar. Breza të tërë emigrantësh, intelektualësh, shkrimtarësh dhe veprimtarësh kanë punuar për më shumë se një shekull që gjuha shqipe dhe identiteti kombëtar të mos humbasin dhe që lidhjet me atdheun të mbeten të gjalla. Prandaj, një festival i tillë nuk është thjesht një panair librash. Ai është një manifestim i identitetit kulturor dhe kombëtar të komunitetit shqiptaro-amerikan, një dëshmi se kultura shqiptare jeton dhe zhvillohet edhe larg trojeve tona.

Libri është kujtesa e një kombi. Përmes tij ruhen historia, traditat, vlerat, përvojat dhe sakrificat e brezave. Përmes librit njihen figurat tona kombëtare, shkrimtarët, intelektualët dhe personalitetet që i kanë dhënë emër dhe dinjitet kombit shqiptar. Në këtë kontekst, kemi edhe një përgjegjësi të veçantë që të mos harrojmë asnjëherë ata autorë dhe intelektualë që, për arsye politike e ideologjike, u përjashtuan, u heshtën dhe u mohuan nga regjimi komunist. Historia e letërsisë dhe e kulturës shqiptare duhet të jetë e plotë, pa censurë dhe pa përjashtime. Një komb që nuk njeh dhe nuk vlerëson trashëgiminë e vet kulturore, rrezikon të humbasë një pjesë të historisë dhe identitetit të tij. Një vëmendje të veçantë duhet t’u kushtohet brezave të rinj shqiptarë të lindur dhe të rritur në Shtetet e Bashkuara. Sepse gjuha nuk është vetëm mjet komunikimi, ajo është edhe kujtesa dhe shpirti i një kombi.

Paraprakisht, dua t’i përgëzoj edhe një herë organizatorët e AlbLibris, autorët, botuesit dhe të gjithë ata që kontribuojnë në organizimin e kësaj veprimtarie. Uroj që ky festival i librit të shndërrohet në një traditë të qëndrueshme kulturore, në një takim të përvitshëm të mendimit, krijimtarisë dhe identitetit shqiptar në Amerikë. Sepse një komb që lexon, është një komb që mendon. Një komb që shkruan, është një komb që lë gjurmë në histori. Dhe një komb që ruan gjuhën e vet, ruan vetveten!
Suksese organizuesve dhe pjesëmarrsve, suksese të gjithëve! Rroftë libri shqip, rroftë kultura shqiptare, rroftë Kombi shqiptar dhe miqësia shqiptaro-amerikane! Gëzuar Festën e Flamurit -- 28 Nëntorin, Ditën e pavarësisë së Shqipërisë!








Comments