Fran Gjoka: ntervistë me sociologun Gëzim Tushi
- Prof Dr Fatmir Terziu
- Jul 10
- 7 min read

Fran Gjoka: Mendime rreth librit “Big Brother: Teatraliteti social dhe realiteti mediatik”
Intervistë me sociologun Gëzim Tushi
(“Mjeshtër i MADH”, “Kalorës i Urdhërit të Skënderbeut”)
- Cila ka qënë shtysa për të shkruar këtë libër?
- Libri, që sapo kam botuar, i 25-ti në rradhën e kolanës së librave të mi, me titull “Teatraliteti social dhe realiteti mediatik”, është sintezë e debatit rreth ontologjisë dhe fenomenologjisë së këtij spektakli, ndikimit dhe interferencave të tij të drejtpërdrejta apo të tërthorta në opinionin publik,i cili, sikurse dihet, ka qënë tejet atraktiv jo vetëm në qëndrimin pasiv e kontemplativ, duke e parë atë si spektakël mediatik, por edhe në aspektin ontologjik, si një eveniment që ka sjellë efekte e kundërefekte në diskursin publik e mediatik.
Natyrshëm kushdo ka të drejtë të pyesë: -Pse e shkruajte këtë analizë sociologjike për Big Brother-in, që është bërë eveniment me atraksion social të dukshëm në jetën televizive dhe publike shqiptare?Padyshim, ngjarje të tilla me dimension të gjerë socio-mediatik, shoqëruar me ide, gjykime e turbulenca psiko-sociale, kanë nevojë jo vetëm për vëzhgimin empirik apo qëndrimin pasiv dhe indiferent përballë ekranit, por edhe për interpretimin kompleks dhe thelbësor të asaj që “duket” dhe asaj që ose nuk duket ose nënkuptohet përmes lëndës televizive dhe një raporti të qëndrueshëm dhe interesant midis Vëllait të Madh dhe synimeve të tij, banorëve si “lojtarë ekzekutues”, transmetimit televiziv linear dhe qëndrimit aktiv apo pasiv të spektatorit televiziv dhe reflektimeve të gjëra individuale e sociale. Këto raporte delikate kanë nevojë jo vetëm për të vlerësuar spektakolaritetin e eventit, por edhe për të intervenuar në efektet e mesazheve që prodhon “shtëpia e famshme” dhe që pastaj kalojnë në jetën e përditshme njëkohësisht si mjet debati, por edhe si “limfë” me efekte sociale në jetën e përditshme të shoqërisë.

Doemos, në ngjarje të tilla socio-mediatike me përmasa publike gati gjithpërfshirëse, është e nevojshme një prerje më e hollë midis qëllimeve sociale dhe realizimit spektakolar, midis efekteve të simulimit dhe simulakrës, do të thoshte në këtë rast sociologu i shquar francez, Jean Baudrillard. Kjo natyrisht është detyrë me rëndësi ontologjike për sociologun, për të bërë diagnostikime të nevojshme përmes përdorimit të instrumentit hermeneutik, të zbulimit të disa të vërtetave specifike, për të analizuar koherencën e përmbajtjes dhe fenomenologjinë e saj si fenomenologji televizive.
Duke qënë një ngjarje gjithpërfshirëse dhe në këto përmasa sociale, e ndjeva për obligim intelektual që si sociolg të bëja një analizë të ekulibruar, pa qëndrime artificialisht dikotomike, pohuese pa kusht apo mohuese me frymëzime kriticiste e nihiliste. Në këtë kontekst, libri që kam botuar tashmë dhe që është nën optikën gjykuese kritike apo afirmuese të lexuesit, në qëllimin tim strategjik është një vështrim sociologjik i tërë aspekteve të formës dhe përmbajtjes, transmetimit mediatik dhe problemeve të deontologjisë së saj, të synimeve të dukshme pozitive dhe kundërefekteve sociale. Sepse pas ngjarjeve që u zhvilluan në këtë “shtëpi të famshme” ishte edhe një ridimensionim i rolit dhe efekteve të televizionit, për të cilin ka patur vlerësime kontradiktore. Unë jam dakord me vlerësimin sintetik të psikologut amerikan, Alen Miler i cili me të drejtë ka thënë se është krijuar ideja se “…televizioni ose mediat në parim krijojnë preferencat tona. Por kjo nuk është shumë bindëse. Përkundrazi e kundërta është më e vërtetë. Mediat janë ato që pasqyrojnë dhe reflektojnë dëshirat tona.”
- A ndihmon libri juaj në perceptimin e ekulibruar të këtij fenomeni socio-mediatik?
- Ky ka qënë një nga synimet e mia, të bëj një lloj operacioni socio-intelektual të këtyre dy objekteve të unifikuara të Big Brother,të cilat janë në unitet dialektik midis tyre, të ndërthurura e të ndërvarura reciprokisht, të cilat me sinkretizmin e tyre estetik, sociologjik dhe mediatik mbajtën gjallë për një kohë relativisht të gjatë kureshtjen, interesin specifik, vëmendjen aktive të shoqëruar natyrshëm edhe me vanitetin e jetës urbane, debatet formaliste, simpatitë dhe antipatitë dikotomike për sjelljen dhe raportet midis banorëve të kësaj shtëpie të improvizuar për qëllime të integruara sociale dhe mediatiko-televizive. Nuk besoj se ka ngjarje tjetër me natyrë kaq komplekse, që të ketë patur kaq interes publik të lidhur kaq fort me vlerësime dhe kritika, me gjykime pasionante e idolatrizime të bujshme. Padyshim interesimet intensive të publikut, sipas gjykimit tim, normalisht që do të ishin nën ndikimin e kësaj pasqyre të dyfishtë (spektakli dhe spektatori) e cila duke qënë sociologjikisht herë “konkave” dhe herë “konvekse”, ka marrë një dimension intelektual linear apo të imponuar nga “imperalizmi”, pushteti publik i spektaklit. Këto qëndrime individuale apo edhe në grupe sociale janë të shfaqura mbase intuitivisht, pa synime të mëdha teoriko-filozofike. Por duke i vlerësuar në distancë efektet dhe kundërefektet e Big Brother-it, mund të pohojmë se dashur pa dashur, ai ka patur, aq sa është e mundur instrumentalisht apo forca penetruese e ideve dhe imazheve të këtij formati televiziv, të ketë ndikime në jetën individuale dhe imazhet e personalizuara të mënyrave të sjelljes në shoqërinë moderne, po aq, në mos më shumë, edhe në formatin e ndikimeve urbane e publike, duke dhënë efekte të drejtpërdrejta dhe të pamonitoruara apo ndërmjetësuara në të dy aspektet e njohjes dhe moduleve të përshtatjes me realitetin social, nga njëra anë dhe vlerësimin e ndikimit moral (gnoseologjik dhe aksiologjik) të dinamikave të lojës, herë reale dhe herë për efekte spektakolare.Formatet e reality show janë dukuri e vonë socio-esteike e mediatike, por që konsolidimi si zhanër televiziv ka qënë shumë i shpejtë, gati erruptiv, në pikëpamje të përsosjes së teknologjisë dhe deontologjisë, forcimit të synimeve me efekte dikotomike me natyrë sociale dhe publike nga njëra anë dhe si spektakël televiziv në anën tjetër. Ndoshta aty nga mezi i shekullit të kaluar, u shfaqën përpjekjet dhe dolën formatet e para, eksperimenetet dhe realizimet spektakolare televizive të formatit reality show. Në këtë kontekst, edhe Big Brother-i ynë nuk mund të mos ishte në thelb, në kuintesencën e tij, një pasqyrë e zhvillimit të lidhjeve, marrëdhënieve dhe sjelljeve njerëzore, që janë të njohura e të shfaquara jo thjesht rastësisht, por si dukuri tipike për shoqërinë shqiptare. Kjo është arsyeja pse ka kaq tërheqje sociale dhe qytetarët që e ndjekin Big Brother-in shfaqin interes dhe shqetësim, aprovim apo kundërshtim e mospajtim për mënyrën e komportimit, format dhe fenomenologjinë e e sjelljes dhe mënyrave të ndërtimit të lidhjeve interpersonale dhe marrëdhënieve komunitare të banorëve të saj. Kjo sepse duke e parë jetën në këtë “shtëpi” dhe mënyrat e sjelljes në mënyrë dhe paradigma të njëanshme apo me “syze morale” tipike të shoqërisë shqiptare të kaluar, ju duket se lënda televizive e spektaklit është deontologjikisht e cënuar, moralisht me difekte dhe sociologjikisht toksike.
- Cila është optika me të cilën keni parë anët kontradiktore të këtij eksperimenti social?
- Në fakt, nëse gjërat i shikojmë në mënyrë sempliste apo brenda kornizave të ngushta morale, duket sikur thelbi etik, estetik dhe ndikimi mediatik i Big Brother-it është një lloj “psikovampiri” që paralizon pozitiven dhe nxit negativitetin social. Madje ka autorë që mendojnë se ky format më shumë ndihmon njeriun e keq në perfeksionimin e formave asociale dhe mënyrave jo humane të sjelljes, nga që sipas tyre, “mesazhi” që vjen nga ky spektakël është një mënyrë për të treguar madje vërtetuar me “fakte mediatike”, se në kohën e sotme “është normale të gënjesh, të mashtrosh, të provokosh, të armiqësohesh me të tjerët”. Sipas sociologëve të jetës urbane, duket sikur spektaklet e kësaj natyre dhe këtij formati televizivo-publik, mund të bëhen një “udhëzues” me peshë sociale, që kërkon të na bindë individualisht, të besojmë qytetarisht paradigmën sipas të cilës këto reality show janë një mjet për të ndihmuar ekzistencialisht “kuptimin e të qënit njeri i vërtetë” në kohën postmoderne. Dhe në funksion të këtij qëllimi ( i diskutueshëm etikisht) sajohen, nxiten, krijohen situata konfliktuale në mënyrë që banorët t’i kundërvihen njëri-tjetrit në forma të ashpra e shpesh me një egërsi përtej kufijve normal të humanitetit.
Në këtë libër unë kam pasqyruar konceptin tim për rolin e një lloji të tillë të eksperimentit social. Mendimet i kam trajtuar gjërësisht në faqet e këtij libri. Sipas mendimit tim, nëse qëllimi i këtij eksperimenti, synimet deontologjike televizive, në emër të audiencës dhe ndjekshmërisë publike është strategjia e manipulimit të situatave për të nxjerrë dhe evidentuar përmasat e të “keqes” së natyrës njerëzore, ky do ish një investim i gabuar social dhe mediatik dhe kundërproduktiv në aspektin kulturor dhe efektet psikologjike në personalitetin e qytetarëve tanë.Shumica e njerëzve që ndjekin këtë “eksperiment” socio-mediatik dhe duke i parë në mënyrë të sipërfaqshme efektet dhe kundërefektet e anës spektakolare, mendojnë me semplicizëm duke e konsideruar atë thjesht një “spektakël të improvizuar”, pa pretendime sociologjike dhe synime etike, por thjesht si kohë për argëtim pasiv apo si “ekzistencë televizive” për të mbushur vakumet e “kohës sociale” dhe “pauzave bosh” të vanitetit të tepërt si një nga karakteristikat e jetës urbane.
Në të vërtetë, nëse thellohesh në strukturën e qëllimeve sociale dhe strategjisë deontologjike të këtij spektakli, qëllimet e formatit televiziv aq shumë i ndjekur nga njerëzit nuk janë aq pasive, indiferente, argëtuese dhe të pavlerësuara në ndikimin social dhe intervenimin ideo-kulturor në jetën e shoqërisë dhe nevojat e rimodelimit adekuat në përputhje me kohën të sjelljes njerëzore dhe efektet sinkronike në jetën e përgjithshme të shoqërisë shqiptare. Në kohën e sotme ndikimi konstruktiv apo destruktiv i medias mbi publikun televiziv të “dedikuar” dhe specifik apo shoqërinë urbane si entitet social kompakt, është jashtëzakonisht i madh dhe i pamohueshëm.Unë mendoj se nëse duam t’i japim vlerën e duhur sociale dhe mediatike, Big Brother nuk mund dhe nuk duhet parë si instrument argëtimi apo si komponent pasiv i dimensionit spektakolar dhe hedonistik të natyrës së njeriut në shoqërinë e sotme shqiptare postmoderne. Përkundrazi duhet një qëndrim serioz dhe objektiv për të vëzhguar dhe njëherësh gjykuar me objektivitet social për ngjarjet, ekseset, ndodhitë e stisura apo të paparashikuara, kontradiktat interpersonale e dialektike të lidhjeve dhe marrëdhënieve njerëzore brenda “shtëpisë së famshme”. Sepse ato përtej dukjes eterike apo spektakolaritetit endemik, kanë vlerë dhe ndikim të thellë moral, psikologjik, social. Pikërisht ky ka qënë qëllimi i librit tim. Ai synon të ndihmojë në mënyrë modeste analizën, perceptimin dhe interpretimin organik, të drejtë e të balancuar të multi dimensionalitetit të kësaj “krijese”, këtij zhanri që po progreson me dinjitet dhe autoritet, duke qënë një sintezë e re hibride socio-mediatike. Është koha për gjykime e analiza gjithpërfshirëse, të bëra me kompetencë dhe profesionalizëm. Personalisht kam dëshiruar ta bëjë këtë gjë, duke marrë përsipër pjesën time të përgjegjësisë si sociolog dhe synimin kritik si studiues i fenomeneve sociale të shoqërisë. Sepse, sipas mendimit tim, magjepsja e publikut pas këtij eksperimenti gati të improvizuar teatral me dimension socio-mediatik, nuk është thjesht një “lidhje fizike” mekanike, rutinore e spektakolare mediatike e formale. Përkundrazi duke bërë diagnostikimin e synimeve sociale, thelbit të lëndës së këtij formati televiziv, duket se përtej asaj që duket, si lidhje e determinuar e Big Brother-it nëpërmjet televizionit me publikun e gjërë qytetar është një inteferencë me natyrë “sui generis” metafizike dhe etike, që ka efekt të konsiderueshëm në botën sociale dhe jetën individuale të çdo qytetari, që edhe pse është fizikisht jashtë kësaj shtëpie, është brenda shoqërisë së madhe, ku reflektohen tipologjikisht ngjarje të tilla.









Comments