Fran Gjoka: Ndarja nga jeta e etnologut Mark Tirta

"In memoriam"
Ndarja nga jeta e etnologut, akademikut, “Nderi i Kombit”, prof. dr. Mark Tirta, një humbje e madhe për etnologjinë dhe shkencën shqiptare
Akademik emeritus, etnolog, prof. dr. Mark Tirta u nda nga jeta më 27 gusht 2026. Ai ishte njëri prej studiuesve më të shquar të etnologjisë dhe antropologjisë shqiptare, një personalitet i rëndësishëm i albanologjisë dhe një nga zërat më të spikatur të studimit të trashëgimisë kulturore shqiptare, i cili ia kushtoi jetën kërkimit shkencor, dokumentimit dhe interpretimit të kulturës materiale e shpirtërore të shqiptarëve.
Prof. Dr. Mark Tirta, shkencëtar i etnologjisë shqiptare
Jeta dhe vepra e tij janë të lidhura ngushtë me përpjekjen për të njohur, ruajtur dhe përcjellë te brezat e ardhshëm pasurinë e jashtëzakonshme të traditave, besimeve, miteve, zakoneve dhe mënyrave të jetës së popullit shqiptar.
Prof. Dr. Mark Tirta, lindi në Orosh të Mirditës me 21 maj 1935. Në vitet 1957-1961 kreu studimet në Universitetin e Shkodrës e të Tiranës për histori-gjuhësi, kurse në vitet 1967-1968 kreu në Tiranë një kurs njëvjeçar për filozofi, si kualifikim pasuniversitar. Në vitet 1955-1957 dhe 1959-1967 punoi arsimtar në Mirditë, por edhe drejtor shkolle dhe inspektor arsimi për rrethin e Mirditës.
Nga viti 1961 e në vazhdim, krahas punës në arsim, u aktivizua dukshëm me studime e kërkime në fushë të etnokulturës, duke kryer eksplorime të shumta në Mirditë e rrethet fqinje të saj. Me pasion të madh dhe me dashuri për etnografinë dhe folklorin shqiptar ai u shqua për mbledhjen e materiali etnografik e folklorik, zbuloi e përshkroi qendra të reja arkeologjike të Arbrit Mesjetar, po kështu dhe kulturë ilire e romake. I takon atij merita e ngritjes së një muze në Rrëshen në vitin 1967, ndërkohë që mblodhi dhe shumë toponime, antroponime dhe fjalë të rralla.
Disa nga veprat më kryesore të botuara të Prof. Dr. Mark Tirta
Prof. dr. Mark Tirta ka shumë vepra të botuara dhe të mirëpritura nga studiuesit, akademia e shkencave, por dhe nga lexuesit shqiptarë dhe të huaj. Ndër veprat më kryesore përmendim: “Migrime të Shqiptarëve” (1999), “Veshjet popullore shqiptare” (me bashkautorë), V.I (1999), V.II (2001), V.IV (2016), “Etnologjia e Përgjithshme” (2001, 2008), “Etnologjia e Shqiptarëve” (2003, 2006), “Mitologjia ndër Shqiptarë” (2004), “Lëvizje migruese të brendshme ndër Shqiptarë” (2013), “Mjeshtëria e kërkimit shkencor në etnologji” (2006), “Panteoni e simbolika, doke e kode...” (2007), Etnokultura Shqiptare - Ligji Dokesor (2016), “Lëvizjet migruese të shqiptarëve, të brendshme e në popujt më afër” 2013. etj. Profesori i nderuar është vlerësuar me shumë tituj e dekorata të ndryshme, për punën e bërë në studimet shkencore. Trashëgimia e tij bibliografike është e jashtëzakonshme. Po ashtu edhe trashëgimia e gjerë studimore. Disa raste apo rrethana kanë bërë që ta njihja nga afër profesorin e nderuar, teksa dua të nënvizoj se profesor Marku ishte një burrë i thjeshtë, i buzëqeshur, me shpirt gjithnjë të ri, modest dhe plot dashuri për shkencën, për artin e kulturën, për njerëzit. Gjithçka ai e arriti me një punë dhe përkushtim të jashtëzakonshëm.
Për punët studimore dhe arritjet shkencore ai botoi shumë artikuj të faqet e shtypit të kohës. Përmendim se gjatë asaj periudhe ai hartoi një fjalor me 6500 toponime të Mirditës, material i gjer shkencor ky i depozituar në Arkivin e Institutit të Gjuhë-Letërsisë. Ishte puna e tij e madhe kërkimore që në vitin 1968 u emërua etnolog profesionist në Tiranë, në Institutin e Histori-Gjuhësisë, dega e etnologjisë, (tani: Instituti i Kulturës Popullore, Tiranë), punë që vazhdoi ta kryejë deri në fund të jetës së tij.
Ai studioi me themel lëvizjet migruese të popullit tonë në shekuj, duke i përmbledhur këto studime në veprën e tij "Lëvizjet migruese të shqiptarëve..." Kjo vepër e prof. Mark Tirta përbën një vlerë unike, për kulturën shqiptare, nëpërmjet saj cilido lexues e veçanërisht studiuesit mund të përfitojnë njohur të shumë me vlera studimore dhe publicistike, sikurse dhe statistika të saktë rreth këtyre migrimeve. Por përkushtimi i tij i veçantë ka qenë edhe për veprën madhore “Etnologjia e Shqiptarëve”. Aty përshkruhen shkencërisht norma, rregulla, tradita, besime pagane, doke, ligje popullore e me radhë, profesori ka punuar me përkushtim të plotë, duke eksploruar thuajse të gjithë trojet shqiptare dhe duke kontaktuar me njerëz të moshave dhe kulturave të ndryshme. Për atë vepër ai kreu eksplorime terreni në tërë viset e Shqipërisë, në Kosovë e në krahinat shqiptare të Maqedonisë së Veriut, duke mbledhur material burimor të gjerë, por edhe duke lexuar e skeduar të dhëna nga autorët e ndryshëm eksplorues si G.J. von Hahn, Fr. Nopça, M.E. Durham, M.Hasllëk e shumë të tjerë, ndërkohë që është konsultuar edhe me materiale të ndryshme të arkivave. Në këtë rrugë pune të bërë ditë e natë, pa e ditur se ç ‘është pushimi, ai ia ka arritur ta botojë librin e tij “Etnologjia e Shqiptarëve” i cili përmban shumë vlera për shkencën e etnologjisë. Pjesëmarrja në ekspeditat etnografike nëpër vendin tonë, ishte një pasion i veçantë i prof. Mart Tirta. Ai vlerësonte në këtë drejtim shumë njerëz të popullit, ndërkohë që kishte një nderim të veçantë për akademikët e njohur shqiptarë prof. Eqrem Çabej dhe prof. Aleks Buda dhe shumë studiues të tjerë. Prof. Marku mendonte se vendi ynë duhet t`u ishte gjithnjë mirënjohës veçanërisht disa personaliteteve të huaj, miq e dashamirës të Shqipërisë dhe të kulturës shqiptare, mes të cilëve edhe Johann Georg von Hahn (1811-1868), që është quajtur dhe babai i albanologjisë, Frans Baron Nopca (1877-1933) dhe intelektualen Mary Edith Durham (1863-1944) nga Anglia. E kishte merak të nënvizonte Edith Durhamin, e cila bëri shumë eksplorime në malësitë shqiptare, shkroi 7 libra e shumë shkrime të tjera në organe shtypi, po ajo dha edhe një ndihmesë të madhe në mbrojtje të etnokulturës së Shqiptarëve. “Jeta e saj, - shkruante atëherë Mark Tirta, - ishte e lidhur ngushtë me fatet e popullit tonë. Ajo mbetet një heroinë kombëtare e Shqiptarëve e ndaj saj kemi shumë detyrime”.
Tituj dhe grada shkencore plotësisht të merituara
Prof. Dr. Mark Tirta ka merituar shumë tituj e grada shkencore: më 1968, për veprimtarinë shkencore si bashkëpunëtor i jashtëm për 7 vjet, i është dhënë titulli "Bashkëpunëtor Shkencor i Ri"; më 1978 ka mbrojtur disertacionin në mitologji e besime e ka fituar gradën "Kandidat i Shkencave"; më 1983 i është dhënë titulli "Bashkëpunëtor i vjetër shkencor"; më 1988 me temën "Migrime të Shqiptarëve": disertacion, ka fituar gradën "Doktor i Shkencave"; më 1994 i është dhënë titulli "Prof. Dr." ("Drejtues kërkimesh"). Është bërë Akademik i asociuar (2008). Mark Tirta, pasi u emërua etnolog në Tiranë, ka dhënë këto provime pasuniversitare: 1. Etnologji e përgjithshme, 2. Etnologji evropiane, kur përqendrimi ka qenë dukshëm te Ballkani, 3. Etnologjia shqiptare. Më 1971 ka qenë 4 muaj për specializim në muzeologji në Rumani e në Itali.

Profesori i nderuar njihte mirë gjuhë frëngjisht, rusisht e italisht, serbokroatisht. Ai ka botuar në vende të huaja mbi 70 shkrime shkencore. Në Spanjë, në Francë e në Gjermani i janë kërkuar për botim librat si: "Mitologjia ndër Shqiptarë" e "Etnologjia e Shqiptarëve”. Ka qenë i ftuar nga Instituti i Evropës Juglindore në Vjenë, për të bashkëpunuar në tema të popullsisë e të disa çështjeve të tjera etnologjike për Shqipërinë në një vepër madhore të këtij Instituti. I kanë kërkuar bashkëpunim për vepra madhore të emigracionit botëror të sotëm, për të bërë pjesën për Shqipërinë: Universiteti i Floridas në SHBA, një Universitet i Torontos (Kanada), një kolegj ushtarak i studimeve gjeografike në Kanada.
Më 1988 këtij etnologu i është kërkuar të plotësojë Curriculum Vitae e disa dokumente të tjera, por dhe një konfirmim vetjak pranimi, për t'u bërë anëtar i Akademisë Ndërkombëtare të Shkencave të Lutesës (Paris), por bashkë me dokumentet duheshin dërguar dhe një sasi dollarësh si test miratimi që i përmenduri nuk i dispononte; në bazë të statusit të kësaj Akademie duheshin paguar dhe kuota mujore, të shprehura në dollarë, gjë që ishte e pamundur të bëhej. Si rrjedhojë, kërkesën e ktheu mbrapsht me një falënderim mirësjelljeje ndaj atyre që ia propozuan këtë titull.
Ka qenë anëtar i redaksisë së përmbledhësit "Etnografia shqiptare" dhe i revistës "Kultura popullore", përkatësisht dhe i "Ethnographie Albanaise" e në "Culture popularie albanaise", në këtë të fundit, "Kultura Popullore", që në themelimin e saj. Në përgatitje të çdo numri të tyre ka dhënë një ndihmesë të shënuar me artikuj studimorë, me recensione librash, me informacione shkencore, me redaktime, me zgjedhje dhe përpunim materialesh për revistën dhe përmbledhësin.
Si etnolog, prej shumë vitesh ka ndërmarrë ekspedita kërkimore në tërë viset shqiptare duke përfshirë edhe Kosovë e Maqedoni Perëndimore, dëshmi që i kanë vlejtur në punën e tij studimore, si themel mbështetës në punën e tij shkencore.
Aktiv, energjik dhe i palodhur, kontribuues i madh me veprat që përbëjnë trashëgiminë atdhetare, shkencore e kulturore
Prof. Dr. Mark Tirta ka shkruar mbi 400 punime shkencore e kulturore në fushë të etnologjisë shqiptare e më tej, kryesisht nga temat: mitologji e besime, migrime të shqiptarëve, por është marrë dhe me temat: familja, arti popullor, e drejta kanunore, jeta sociale e fshatarësisë, veshjet popullore, toponimet ne vështrim etnologjik, probleme të zhvillimit krahinor e etnik të Shqiptarëve, histori e etnologjisë e njerëz të shquar, kritikë e bibliografi. Shumë punime të këtij etnologu të shquar janë botuar në gjuhë të huaja, madje edhe në disa revista e periodikë prestigjiozë shkencorë në botën e jashtme, gjithsej mbi 70 punime shkencore. Prof. Dr. Mark Tirta ka marrë pjesë me kumtesa, me referate, në sesione shkencore, në simpoziume, në konferenca, në kongrese shkencore, kombëtare e ndërkombëtare, brenda vendit e në botën e jashtme, në mbi 130 raste. Është marrë dukshëm me muzeologji: në ekspozita e muze në Tiranë, në rrethe të ndryshme të vendit, në ekspozita muzeale e veprimtari jashtë shtetit. Ka botime shkencore jashtë shtetit, mbi 70 njësi, shkrime shkencore, përfshirë dhe Kosovën e Maqedoninë. Ka bashkëpunuar në kryerjen e veprave madhore si: “Qytetërimi Ballkanik” nën kujdesin e UNESKO-s; po kështu në “Atlasi i vendeve danubiane”, - drejtuar nga Instituti i Studimeve për Evropën Juglindore, në Vjenë. Në botimet madhore të Shqipërisë ka bashkëpunuar në: “Shpati i Sipërm” (i Elbasanit), “Fjalori enciklopedik shqiptar”, “Veshjet popullore shqiptare”, “E drejta kanunore shqiptare” “Shpërngulje me forcë e qëndresë e Kosovës martire” (1998-1999); “Hasi në etnokulturën shqiptare”, “Himara në shekuj”, “Migrime nga fshatrat malore – kodrinore për në vendet paraurbane e urbane (1991-2007)” e me radhë.
Në vitin 2008 prof. dr. Mark Tirta u zgjodh anëtar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, në Seksionin e Shkencave Shoqërore dhe Albanologjike. Në vijim të veprimtarisë së tij të gjatë akademike e shkencore, ai mori statusin Akademik Emeritus. Presidenca e Kosovës i dha titullin e lartë "Nder i Kombit" si dhe “Medalje Presidenciale e Meritave” me motivacionin për “Punën e Jashtëzakonshme ne mbledhjen e materialeve etnografik e folklorik dhe zbulimin e qendrave te reja arkeologjike për Arbërinë mesjetar”). Ka disa shkrime shkencore në botime e periodikë të ndryshëm të Lezhës e të Mirditës. Është bashkautor i monografisë “Mirdita. Njohuri për vendlindjen” (1999). Ka botuar librat: “Etnologjia e Mirditës”, “Fjalori mitologjik shqiptar”, “Etnologjia e Evropës Juglindore dhe e Mesdheut”. Prej shumë vitesh ka dhënë lëndët e etnologjisë në Universitetin e Tiranës, në degët histori, sociologji. Ndër to, për tre vjet dhe në "Mitologjia" ka dhënë mësim edhe në degën e gazetarisë. Prej shtatë vitesh ka ligjëruar lëndën “Etnologjia e Evropës Juglindore dhe e Mesdheut” në Universitetin e Prishtinës. Ka udhëhequr studiuesit e rinj, si mentor, në marrje të gradave shkencore: mastër e doktor i shkencave. Në arsimin pas universitar ka bërë programe e ka organizuar provimet në lëndët e specialitetit të etnologjisë. Në mënyrë të veçantë profesori u angazhua me migrimet e popullsisë shqiptare dhe mitologjinë popullore, gjithashtu studimet e tij u shtrinë edhe në aspektet e familjes, veshjeve popullore, së drejtës zakonore, toponimisë e antroponimisë, artit popullor, historisë së etnologjisë shqiptare dhe personaliteteve të kësaj fushe. “Zhvillimi i kulturës shpirtërore, - është shenjë e ekzistencës së një kombi”, thoshte ai.
Vepra shumë planesh e Akademikut Tirta meriton respekt dhe përulje para tij, para studimeve të tija, para kontributit të jashtëzakonshëm që ai ka dhënë në shkencat albanologjike dhe sidomos në etnokulturë, ndërkohë që librat, studimet dhe materialet që la pas dijetari dhe shkencëtari Mark Tirta përbëjnë një pasuri të çmuar për studiuesit e sotëm dhe të ardhshëm të etnologjisë, antropologjisë, folklorit, historisë së kulturës dhe albanologjisë.
I shprehim ngushëllimet më të thella familjes, të afërmve, miqve, kolegëve dhe të gjithë bashkësisë shkencore për ndarjen nga jeta të këtij etnologu, profesori, akademiku, dhe dijetari të shquar.
I paharruar kujtimi i Akademik Emeritus Mark Tirta!








Comments