top of page

FRAN GJOKA: I THJESHTË DHE NJERËZOR 

  • 2 days ago
  • 5 min read

 

SA I THJESHTË NË DUKJE, AQ DHE I LARTË DHE NJERËZOR ISHTE


HOMAZH

 

Njerëzit e mirë po ikin në heshtje nga kjo botë, duke lënë pas kujtime, vlerësime për emrin dhe vepren shumëvjeçare që ato kryen. Punuan, sakrifikuan, por ndonëse në vlera materiale fituan pak, ata fituan respektin e njerëzve për ndihmesën që dhanë, për veprat e tyre të mira, për dinjitetin dhe dashurinë që përcollën në jetën e tyre familjare, por dhe të bashkëkombësave te tyre. Kushdo që largohet nga kjo botë, mbetet në adresë të tij apo saj, ajo mirënjohje, kujtimi dhe emri i mirë ndër breza. Aq më tepër nëse sektorin e arsimit, në punën e bukur të mësuesisë, nga ku nxjerr breza të tërë intelektualësh të fushave të ndryshme. Pas dekadave të shërbesës së tyre fisnike në mësuesi, jeta ndërpritet, e mpleks keqardhjen, dhimbjen dhe kujtimin e mirë në shërbesën ndaj profesionit. Breza të tërë mësuesish punuan e sakrifikuan, duke vendosur nga një tullë në ngrehinën e madhe të arsimit tonë kombëtar.

E në kontekstin e të gjithave sa shkruajtëm më lart, bëjmë fjalë për mësuesin e nderuar e të paharruar, Tom Beqiri, i cili ndërroi jetë në moshën 78- vjeçare nga një sëmundje e rëndë. Mësuesi i nderuar, Tom Beqiri u lind në fshatin Simon. Shkollën fillore dhe 7-vjeçare e kreu në fshatin e tij të lindjes.

Pasi mbaron mësimet e para në vendlindje, falë dhe përkujdesjes së prindërve, dërgohet për të vazhduar shkollën e mesme pedagogjike “Shejnaze Juka” Shkodër. Sa kohë përfundoi shkollimin për mësuesi dërgohet mësues në zonën e Kaçinarit ku dha mësim në fshtrat Simon, Kushnen, Bukmirë dhe Shëngjergj.

Përgjatë gjithë kohës që Toma shërbeu në këto fshatra dhe nuk ishte pak, por mbi 40 vjet, brezat e mësuesve, që punuan me të, panë të personifikuar modelin dhe figurën e një mësuesi dhe edukatori të vërtetë e të palodhur në shërbim të dijes dhe komunitetit.

Ai karakterizohej nga cilësi të spitakatura individuale dhe profesionalizëm të lartë,  rrezatonte kulturë dhe edukatë qytetare, duke u bërë frymëzim për breza të rinj të mësuesisë.

Ishte kënaqësi dhe privilegj jo vetëm ta takoje, por thjeshtë të bisedoje me të, se çdo fjalë e tij kishte peshë, të impononte respekt dhe vlera njerëzore, sidomos kur fliste me pasion dhe dëshirë për profesionin e nderuar të mësuesit, për vështirësitë që hasen në punën me nxënësit. Ai, për më shumë se 40 vjet, qëndroi në krye të mësuesve të klasave të para dhe të pesta, pasionant që mësimdhënien e konsideronte të shenjtë dhe nuk dinte kurrë ç’është lodhja.

E gjithë kjo punë paraprihej me përgaditjen serioze. Me diskutime shkencore e metodike që bënte me kolegët e tij. Të gjitha këto nxisnin mendimin e pavarur aktiv e krijues të tyre dhe që rrisnin përqëndrimin e vëmendjes në mësim. Dhe pas çdo ore vetëvleresimi dhe verifikimi meditonte për të bërë ndryshimet e domosdoshme me qëllim që mësimi për ditën e nesërme të ishte më i qartë për 3 nivelet e nxënësve.

Toma ishte mjeshtër i rrrallë i fjalës, komunikues efektiv dhe metodist i shkëlqyer. Ka punuar pa u lodhur në të gjithë sistemin parauniversitar dhe ka dhënë shembullin personal me ndjenjën e përgjegjësisë ndaj detyrave, qofshin ato të mëdha apo të vogla. Për hir të vërtetës, duhet të theksojmë se mësues të tillë që shkrijnë jetën e tyre në mësuesi ka përsëri në Shqipëri, por mësues Toma i ndjerë do të mbetet shembulli më pozitiv dhe i kujtuar në disa kolektiva pedagogjike ku ai punoi dhe sakrifikoi shumë nga vetja, duke ju dhënë dije e kulturë brezave.

Ky dritëdhënës në dije e arsim, kishte një prejardhje frytdhënëse në familjen e tij, ku rritja dhe edukimi ishin primare, ndershmëria dhe tradita shkëlqenin, ishin arsimdashës, frymë të cilën e ndërtoi dhe fuqizoi në familjen e re që formoi, me të cilën lidhen të ardhmen e tyre. I martuar me mësuesen e nderuar dhe të respektuar, Vitoren, njohëse e shkëlqyer në mësimdhënien e mësimnxënien e klasave të para dhe të pesta e arsimit 9 vjeçar, ku për 40 vjet, edhe pse në pension, brezat e nxënësve ruajnë kujtimet më të bukura dhe ndjeshmërinë për mësuesen e tyre. Jeta bashkëshortore me zonjën u konsolidua duke u bërë kështu një çift model dhe dinjitoz në arsim e me plot vlera dhe virtyte të larta njerëzore. Në këto vite të tranzicionit, Toma bashkë me bashkëshorten e tij investuan shumë nga vetja, duke rritur e shkolluar tre djem të mrekullueshëm Albani, Alvito dhe Aldo,  dhe sot janë koshient për sakrificat e babait, duke u mësuar denjësisht atyre udhën e dijes dhe të prosperitetit.

Në foto: I ndjeri Mësues Tom Beqiri
Në foto: I ndjeri Mësues Tom Beqiri

 Kudo ku punoi në fshtatrat e rrethit Mirditë, për më shumë se 40 vjet dhe asnjëherë nuk përfitoi nga konjukturat politike të kohës, siç ndodhte rëndomë me të tjerët mësues, ndaj me të drejtë do thoja se Tom Beqiri do të mbetet një ndër mësuesit më me emër jo vetëm për Mirditën, por dhe në shkallë kombëtare.

E tillë ishte fryma që Toma jetësonte, e tillë ishe jeta që ai thurte dhe aq shumë e donte, me pagabueshmërinë, që ai nisi në mësuesi 40 vjet më parë në të gjitha etapat e tij, sepse karakterizohej nga një intuitë për t’u orientuar drejt kur “duhej” “të përballohej” jo rrallë, me kapriçot e jetës, të cilat me urtësi, mençuri e pjekuri i kapërcente denjësisht dhe me vendosmëri.

Si ish nxënës i pedagogjikes që ishim në shkollën “Shejnaze Juka” Shkoder, e kujtoi që në rininë e hershme të tij, që veçohej si një djalë fjalëpak, pa zhurmë dhe me energji të pashterrshme, dashamirës, që nuk ju dëgjua zëri kurrë për keq, gojëmbël, po kurajoz që mbronte me dinjitet mendimet e tij.

Nuk ishim jo më shumë se 17 vjeç kur dha një orë mësimi dhe mori në dorë klasën gjatë praktikës pedagogjike. Ishte i qetë, autoritar dhe i butë, duke ruajtur me fanatizëm të gjitha etapat e orës së mësimit, thua se kishte mbi supe dhjetra vite përvojë.

Me mbarimin e shkollës, fillon dhe punën në mësuesi, ku u poq shumë shpejt, në sajë të punës vetëmohuese, të përkushtimit maksimal ndaj detyrës dhe shumë shpejt i dha profesionit dashurinë dhe zemrën deri në frymëmarrjen e tij të fundit.

Një burrë që nuk e nisi dhe as e përfundoi karrierën e tij me bujë e reklama, ua la të tjerëve të gjykonin për shërbimin korrekt që u bënte nxënësve, por që gjykoi me profesonalizëm, sinqeritet, dashamirësi, punën e mirë që bënin kolegët e tij.

Në jetën shoqërore dhe publike ishte dhe mbetet njeri për t’u admiruar, një qytetar dhe atdhetar me zemër të madhe. Më ka rastisur shpesh të takohem e të bisedoj me të, kujtoi kur biseda binte te tema e ndryshimeve në tranzicionin e tejzgjatur. Ai gjithnjë ishte i hapur, me vështrimin e ëmbël e gjithë respekt, bashkëbisedonte me pasion, logjikë e argument për vlera alternative, për ide e mendime të dobishme, për demokracinë ende të brishtë në Shqipëri.

Kuptohet që është e vështirë që brenda një shkrimi homazh të sjellësh në mënyrë të plotë para lexuesve figurën e gjithanshme të një mësuesi të nderuar të arsimit mirditor.

Tom Beqiri, i ndjerë, tani nuk jeton…, e kujtojnë me lotë mallëngjimi tre djemtë e tij, dy vëllezërit, nipat dhe mbesat, ish nxënësit, kolegët dhe mbarë komuniteti prindëror.

Emri dhe kontributi tij në mësuesi do të mbetet përjetësisht në memorien e brezave të sotëm, si një ndër emrat më të nderuar e të respektuar të arsimit mirditor.

Përjetësisht mirënjoheje misionarit të arsimit!

I përjetshëm qoftë kujtimi i tij!

Comments


Shkrimet e fundit

bottom of page