
Sejdi BERISHA: ZEJTARËT E PEJËS
-M O N O G R A F I- Botimi i Dytë
Zejtaria e ka zemrën dhe shpirtin e popullit. Pra, pse të mos shtrohet kjo sofër në këtë libër, ashtu siç është, e pasur dhe e ngrohtë.
Atë e kanë madhështuar dhe e madhështojnë me dëshmitë e tyre njerëzit që tani nuk janë në mesin tonë, por edhe ata që mburren e gjallërojnë sot, të cilët kanë përjetuar shumëçka duke u përplasur nëpër periudha e etapa dhe duke u përballur me ngjarjet që ua kanë sjellë motet...
A u t o r i
Në vend të prologut
NËSE NDONJËHERË
KTHEHËSH NË PEJË
Panoramë e qytetit të Pejës
Të lutëm
Nëse do, ndonjëherë
Të më takosh
Kthe në Pejë
Po të shkosh atje
Do hasësh
Frymën dhe hijen time
Do të lagësh me lotin tim
Mos harro
Në Pejë të shkosh
Edhe pse s’do të jam
Do të kesh
Shumë mall
Për shtëpinë e gjyshit
Për gjuhën e nënës
Të lutëm
Kthe në Pejë
Në Shatërvan
Pi ujë të freskët
Dhe shfletoje historinë
E qytetit
Atë do ta gjesh
Ditë e natë
Në Çarshinë e Gjatë
Të lutëm
Kthe në Pejë
Kapeshnica ka ndryshuar
Edhe Jarina
Edhe Kakariçi
Edhe Karagaçi
Edhe Puhovci
Kthe në Pejë
Për ta kujtuar historinë
Për ta kënduar këngën
Sa do të përmallohesh
Duke shëtitur
Pa ditur asnjë rrugë

HYRJE
Duke pasur parasysh rëndësinë jo vetëm historike të zejtarisë dhe të zejeve në përgjithësi në zhvillimin ekonomik dhe shoqëror, por edhe të ruajtjes dhe zhvillimit të vlerave shpirtërore dhe kulturore, gjithnjë është mirë, por edhe e udhës që të shndriten ato dhe të shkruhen libra, vepra, monografi dhe shkrime shkencore e historiografike për zejet si thesar dhe faktor i zhvillimit të një mjedisi. Po ashtu, duke pasur për bazë rëndësinë historike të këtyre vlerave në komunën e Pejës, por edhe më gjerë, këtu e pesëmbëdhjetë vjet më parë pata vendosur që të vë një gur interesant në murin e përjetësimit të vlerave tona kulturore dhe historike, duke shkruar një vepër kushtuar zejeve dhe zejtarisë pejane mbase edhe të asaj më gjerë, e cila është e para e këtij lloji në Kosovë, dhe kështu me botimin e librit-monografisë “Zejtarët e Pejës” në vitin 1995, dukshëm provokova por edhe sensibilizova opinionin për ta çmuar por edhe për ta ditur e ruajtur thesarin e paçmuar të zejtarisë. Isha i vetëdijshëm se një punë e tillë ishte e rëndë dhe me përgjegjësi, por edhe e llojit që asnjëherë, edhe sikur të shkruhen dhjetëra e dhjetëra libra, të gjithë nuk do të kënaqeshin, sepse, përbrenda librit nuk është e mundur të futen të gjitha të dhënat e ecurive zhvillimore dhe historike të zejeve, por edhe as të gjithë emrat e atyre që janë pjesë e kësaj ecurie, mund të jetë edhe të një numri që ndoshta kan