Fragment nga romani "Zhvarrimi"


Gani Mehmetaj: Fragment nga romani "Zhvarrimi" që mori plaketen "Pena e Pjetër Bogdanit" në takimet e Gjeqovit në Zym

Letra e atë Shtjefnit, famullitar në Zllokuqan të Pejës, dërguar ipeshkvit tonë, më cyti të kopjoj kronikat e vjetra e të ndaj pjesët më interesante. Atë Shtjefni kërkonte informacione për një interesim të tij, prandaj i shkruante ipeshkvit: “Imzot, në ndonjanën prej katakombeve asht sarkofagu i mretit. Kam hulumtu gat e gat, kam gjet shumë gjana të vlefshme nga koha e ilirëve, gjyshave tonë. Hasa e mblodha sende të rralla edhe nga mesjeta, kam ba nji muze të vogël, që e ruej me fanatizëm. Po vorri i mretit tonë ma të lavdishëm, nuk me len të qetë. Aq shumë ka mjegullime për te, saqë nuk ia fali vetes, po nuk ia bana hyzmetin kësaj pune. Ju lutem me nepni ndihmën tuaj të çmume, sepse e di se në bibliotekën e françeskanëve ka shënime për këtë punë. Njashtu mund të baheni garantë te Ati i Shejt, që të na e hap bibliotekën...”

Në vazhdim atë Shtjefni i tregonte ipeshkvit sesi i ra trup e tërthorë Shqipërisë nga Shkupi në Shkodër, pastaj tutje në Himarë. Sepse, jo një herë pati vegime sikur Gjergj Kastriotin e rivarrosën: “në bregun e detit Jon, diku në kambë të shkambijve. Kam disa sheja që ma thonë ketë gja, ka disa shpella atje. Jo nji herë shkova në Himarë e Dhërmi, po nuk gjeta ferkem vorri. Më mbërthyn ethet jo pse aventurierë të ndryshëm e lypnin me qiri e me pishë vorrin e më të parit tonë, ata s’e donin për punë plaçke a lavdi, por pse po baheshin pesëqind vjet që askush nuk gjeti shej të tij. Ai la shumë gjurmë, pranej s’ka si të mos e ketë vorrin a shenjat e vorrit diku. Ai la testament për trashëgimtarët e vet, ai testament duhet të gjinet në tokat e Arbnit”. </