
Babait tim, Fetah Nezir Osmanit (1913 - 1983)
Fotografia e fundit dhe e vetme në letërnjoftimin tënd mbetur Shpëtuar prej zjarrit të luftës, mbuluar nga hiri Pas shumë vitesh ky relikt, qē kur se ti ke vdekur Si bar shërues na u duk, sikur e përtëriu jetën.
Bisedoj me fotografinë, ajo sikur lëviz epokën Që ti e barte mbi supe i veshur me gëzimin e jetës Tre vëllezër e një motër me thjeshtësi na rrite e edukove, në vështirësi gëzimin shpirtit tonë mbolle. Zot i vetes mbete, askujt s'iu nënshtrove.
Afër gjysmë shekulli ka kaluar, e zërin tënd dëgjoj Me fyellin baritor, që gurgullonte nga gjoksi tinguj, melodi Ne ngazëlleheshim në rininë tonë e ndjenim këngën e zogjve Me shpirtin tënd të ndjeshëm e të fyellit, magjepsur si fëmi.
Ai shpirt i pastër prindëror tashmë edhe në errësirë ndriçon Është burim i gjithë të mirave, që hijeshojnë jetën tonë. Trung i familjes me rrënjët thellë në tokë e plisin rreze drite Ti mes nesh lulëzon e fryte jep përgjithmonë
Comments