top of page

 Flutra M. Hoxha: Mëvetësia e lirisë




Çdo mëngjes, tek ujitësha lulet, më priste një skenë që më prekte thellë në shpirt: Një çift pëllumbash që përpiqeshin me ngulm të ndërtonin një fole mbi pragun e një dritareje fqinje. I shihja përditë nga ballkoni im, duke sjellë degëza e duke i renditur me përpikëri, por puna e tyre përfundonte gjithmonë me dështim. Pragu i dritares ishte i pjerrët dhe çdo përpjekje për të ndërtuar strehën e tyre të ëndërruar përfundonte me rënien e materialeve të grumbulluara me aq mund.

Ndjeja keqardhje për këta zogj të pafajshëm që luftonin çdo ditë për të krijuar një vend të sigurt për pasardhësit e tyre. Deri një ditë, kur vendosa të bëj diçka për ta. Në shtëpi kisha një fole dekorative që mbante vezë prej plastike. Më lindi ideja që ta vendosja atë në vendin ku pëllumbat po orvateshin të ngrinin folenë e tyre. Me kujdes, u ngjita në katin e lartë dhe e lidhja folenë artificiale, me shpresën se çifti do ta pranonte si dhuratë,ku pastaj do ta vazhdonte edhe mëtuje ndërtimin e saj, deri sa të jetë e përshtatshme për të rritur të vegjlit e tyre. Por reagimi i pëllumbit ishte i papritur dhe befasues. Ai nuk e pranoi ndihmën time. Përkundrazi, dukej i shqetësuar dhe i hutuar. Ndoshta, nëse do të kishte mundësi të fliste, do të më kishte qortuar për ndërhyrjen time në punën e tij.

Pas disa përpjekjesh të dështuara për ta bërë ta pranonte folenë, e kuptova se ai nuk e dëshironte atë që nuk e kishte ndërtuar vetë. Ndaj, vendosa ta largoj folenë artificiale, por dy degëzat të cilat kishte arritur ti vendosi me vështirësi rreth prangave të ditares dhe ta lë pëllumbin të vazhdonte përpjekjet e tij, edhe nëse ato vazhdonin të dështonin.

Pas kësaj, pëllumbi nuk u kthye më në atë vend. Melodia e tij e zakonshme, me të cilën isha mësuar, mungonte dhe kjo më mbushi me keqardhje. Por më dha një mësim të madh: gjithçka që ka vlerë të vërtetë, duhet fituar me mund dhe djersë. Ndërhyrjet e të tjerëve, sado të jenë të mira në qëllim, nuk mund të zëvendësojnë përpjekjet e dikujt për të ndërtuar vetë të ardhmen e tij.

Ky është një mesazh për shumë njerëz, të cilët lakmojnë mundin dhe djersën e huaj, derisa arrijnë të sakrifikojnë edhe më të afërmit e tyre për diçka që nuk e kanë krijuar vetë, por e kanë trashëguar nga të tjerët.

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page