Fjala e Lirë: I qoftë dhéu i lehtë Zonjës Selvije Selimaj
- Prof Dr Fatmir Terziu
- 7 hours ago
- 3 min read

I qoftë dhéu i lehtë Zonjës Selvije Selimaj
Kur mungon për një grusht dhé, fjala mbetet e varfër dhe heshtja bëhet më e rëndë se çdo zë. Ikja nga jeta e zonjës Selvije Selimaj është një prej atyre ndarjeve që nuk trondit me zhurmë, por me një qetësi të thellë, sepse ajo ishte vetë qetësia, dinjiteti dhe fisnikëria e përditshme, e jetuar pa bujë, por me peshë të madhe njerëzore. Ajo i përkiste atij brezi grash që nuk e matën jetën me fjalë të mëdha, por me durim, sakrificë dhe me përkushtimin për të mbajtur familjen si shtyllë të shenjtë të ekzistencës. Selvije Selimaj ishte një zonjë e respektuar, jo për shkak të një titulli apo pozite, por sepse diti të rrisë dhe të edukojë një familje të shëndoshë, të ndërtuar mbi vlera të forta morale, njerëzore dhe demokratike. Fëmijët e saj u rritën si njerëz të sjellshëm, të mençur dhe të përgjegjshëm, dëshmi e qartë se edukimi i vërtetë fillon në shtëpi dhe mbetet trashëgimia më e çmuar që një nënë mund të lërë pas. Në çdo hap të jetës së tyre, ndjehej dora e butë, por e vendosur e nënës, e cila dinte të fliste pak dhe të vepronte shumë.
Jeta e saj u lidh ngushtë me atë të bashkëshortit, zotërisë së nderuar Ramis Demir Selimaj, një burrë fisnik dhe vizionar, i cili trashëgonte nga i ati një “nofkë” që në një kohë u shndërrua në barrë, sepse pasuria dhe puna e ndershme nuk përputheshin me logjikën e një sistemi që e kishte frikë individualitetin dhe suksesin. Në ato rrethana të vështira, Selvije Selimaj nuk u tërhoq, nuk u ankua dhe nuk u lëkund. Ajo qëndroi pranë burrit të saj me dinjitet të heshtur, duke e bërë mbështetjen një akt të natyrshëm dashurie dhe besimi.

Ramis Selimaj ishte një njeri që shihte përpara, një investitor i hershëm në frutikulturë, që me mund dhe përkushtim krijoi një bahçe të madhe e të begatë në Trebisht–Bala të Gollobordës, duke i dhënë tokës frymë jete dhe shprese. Ai kishte prona dhe një dyqan në qendër të Trebisht Muçinës, pasuri që u rikthyen formalisht vetëm me ardhjen e Demokracisë, por që në realitet mbetën të mbyllura me dryn, sepse fëmijët, si shumë të tjerë, morën rrugët e kurbetit. Edhe në këtë realitet të dhimbshëm, Selvije Selimaj e përballoi jetën pa hidhërim të hapur, duke e pranuar fatin me urtësi dhe duke ruajtur lidhjen shpirtërore me vendlindjen dhe me gjithçka ishte ndërtuar me djersë. Ajo vinte gjithashtu nga një familje fisnike, me rrënjë të forta dhe me një baba të njohur për përkushtimin ndaj familjes dhe punës, çka e kishte formuar karakterin e saj të drejtë dhe të palëkundur. Në çdo angazhim të jetës, veçanërisht në kohët më të vështira, ajo ishte shembull i gruas që nuk kërkon vëmendje, por fiton respekt; që nuk flet për sakrificën, por e bën atë pjesë të natyrshme të përditshmërisë. Sot, kur ajo mungon për një grusht dhé, kujtimi i saj mbetet i gjallë në ndërgjegjen e atyre që e njohën dhe e deshën. Emri i Selvije Selimajt do të përmendet me nder si simbol i një gruaje të rrallë, që jetoi me dinjitet dhe la pas një trashëgimi njerëzore të pastër. Ngushëllime të sinqerta për Flamurin, Artanin dhe Afërditën, si dhe për gjithë anëtarët e tjerë të familjes së saj të nderuar. Ngushëllime të gjithëve që ndjejnë sot dhimbjen e kësaj mungese, por edhe krenarinë që patën në jetë një Nënë dhe Zonjë të tillë. (F.Terziu)









Comments