top of page

“Fjala e lirë” dhe Njeriu


Shefqet Meko

“Fjala e lirë” dhe Njeriu

-Ese në fundjanari 2021-


Nga Shefqet Meko


Parafjala e shkrimit


Fatmir Terziu ka dekada që me pasionin e tij krijues, me shpirtin e paepur për të shërbyer, me dëshirën e mirë për t’i ardhur në ndihmë komunitetit krijues në “botën ikanake”, në mënyrën më perfekte ka vënë në shërbim “Fjalën e Lirë”. Kjo tribunë intelektuale, që ka bashkuar cep më cep krijues të globit, intelektualë, shkrimtarë, poetë, kritikë, studiues dhe kërkues të së vërtetës... Unë personalisht e nderoj Dr. Fatmir Terziun për këtë kontribut, që unë nuk mund t'ia jepja kësaj plejade ikanakësh nga Shqipëria.

Terziu është një “sofër” e madhe që shumëkush e ka shijuar. Personalisht, edhe pse nuk mund të jem përditë në këtë sofër intelektuale dhe krijuese, sinqerisht i jam përherë mirënjohës punës titanike të Fatmir Terziut. Aq më tepër që ky shërbim i madh, kjo reklamë e krijimeve dhe kontributeve tona është 100% falas! Falas në kapitalizëm? Po, e kemi shërbim nga një intelektual i palodhur londinez, që ka lindur në Shqipëri! Dua të shpreh me zë të lartë: Faleminderit Fatmir! Faleminderit!


Sinonimia e termit „ikanaku shqiptar“


Unë jam si Ai, „ikanak shqiptar“, i ikur nga vendlindja ime ,sepse nuk shihja perspektivë dhe pata fat të ikja. Erdha në Perëndim me shpresë të madhe. Dëshmova të binte perdja e ndarjes së madhe ideologjike. Jetova tranzicionin shqiptar që nuk ka mbaruar ende. Jetova kapitalizmin dhe imperializmin. Jetova Amerikën dhe lirinë e saj, aq të ëndërruar, aq të dëshiruar, aq të ëndërruar nga miliona, që nuk mund ta provojnë dot. Jetoj Amerikën dhe madhështinë e saj, jetoj lirinë dhe pakufinë e saj dhe ndihem i rilindur ose ndihem ndryshe. Si paskam jetuar pa këtë lloj lirie? Kam jetuar se nuk e dija. Kam jetuar se nuk kisha tjetër rrugë. Alternativa e vetme quhej: Shqipëria socialiste.

Vetëquheshim “Zëri i së vërtetës”... Dekadat janë palosur si fletët e një libri. Unë jetoj dhe shoh më qartë. Jetoj dhe di më shumë, mendoj më shumë, nuk kam më kufij ideologjike, nuk kam më “postblloqe” në trurin tim...Mendoj dhe më vjen në mendje Migjeni...Shoh dhe kuptoj se njeriu qënka një përbindësh i frikshëm,majtas e djathtas. Nuk iu dhashë pasioneve të frishkme të internetit, nuk iu bashkova turmës, nuk dola në rrugë të bërtisja si i marrë, apo të kthehesha në një “pikë uji”, siç përshkruan turmat e irrituara shkrimtari Myrtaj, por si “ilaç” pata “Fjalën e Lirë”, ku njerëzit e e lirë shprehen, botojnë, tregojnë, gëzohen dhe ndihen “të mëdhenj” përballë ekranit të xhamtë. Faleminderit Fatmir Terziut, Faleminderit.


Libri dhe leximi i tij


Më vjen keq, që shumë nga “militantët” e “Fjalës së lirë”, nuk kanë porositur librin e Terziut në anglisht. Sinqerisht unë prisja që ai të ishte në “top list’“. Jo vetëm një libër i përkthyer, por gjithë arsenali botues i Terziut duhe të jetë i plotë në libraritë tona. Unë ende nuk i kam akoma gjithë librat e tij. Duhet t’i kem. Ju duhet t’i keni. Ne të gjithë duhe të jemi lexues dhe posedues të librave të Terziut. Pse jo?

A nuk është Fatmir Terziu që hapi “portën” e botimit për të gjithë? A nuk është ky i palodhur që nuk ka kursyer asgjë për mendimin e lirë krijues? Unë personalisht jam takuar vetëm dy herë me Fatmir Terziun, dhe janë dy takime monumentale. Një takim diku në ndërtimin e hekurudhës “Rrëshen-Mat” dhe takimi i dytë në Londër, ku bashkë me time shoqe Alma, përjetova në qendër të Londrës një “mirënjohje shqiptare”. Sofrën shqiptare në mes të Londrës mund ta shtrojë vetëm Fatmir Terziu. Unë nuk dija si t’ja shpjegoja time shoqe, se cili ishte Fatmir Terziu, dhe pse ai ishte duke pritur tek holli i hotelit, para se ne të ishim regjistruar. Thjesht i thashë time shoqeje, se “ende ka shumë shqiptarë të mirë…”


“Bredhja” dhe lidhja tek qëllimi


Kam bredhur shumë, ashtu si edhe shumë nga ju. Tashmë “bredhja” nuk është çudi. Bredhja është një proces normal i intelekteve dhe njerëzve që munden. Por, varet se çfarë gjen në këtë bredhje pa fund... Për mua nuk ka gjë më të bukur se udhëtimi. Ikja është një sfidë dhe befasi, një ballafaqim më të panjohurën, një konfrontim me atë që është ndryshe... Nëse bota do ishte pa “ikanakë”, ne do kishim ngelur ngujuar në shpella e guva...

Nuk do kishim provuar liri dhe Amerikë, nuk do kishim provuar shpirtin e lirë, dhe po aq të pavarur. Tendenca për të qënë i lirë, për të qënë “ai që je” nuk është thjesht tendencë politike. Më shumë se kjo, ajo është një tendencë ekzistenciale e çdo qënie njerëzore.

Darvinizmi është jo teori, por e vërtetë, jo fantazi, por realitet biologjik dhe shoqëror. Shumë mendje që dinë të lexojnë vetëm “Biblën”, apo “Kuranin”, nuk mund ta kuptojnë dhe janë të mirëkuptuar. Unë respektoj njeriun e lirë që beson, por nuk lëndon.

Nuk ka mëdyshje: Zoti që besojmë dhe nderojmë, pasi krijoi specien “Njeri” iku i alarmuar në tjetër Galaksi. Atë nuk e trembën tigrat, luanët, arinjtë, macet, qentë, minjtë, gjarpërinjtë, por iu tremb njeriut, kësaj specie kaq të paparë! Zot na ruaj nga Njeriu!


Minneapolis, 31, JANAR, 2021

160 views14 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page