Fitim Haxhiraj, Artisti që e mbajti skenën brenda vetes
- Jan 6
- 2 min read

Fitim Haxhiraj, Artisti që e mbajti skenën brenda vetes
Ndërsa koha evolon, ikën përhiret, dhe mosha kalon në enigmën kalendarike, Vlora dhe skena e saj na bën të kuptojmë se ka njerëz që nuk u duhet skena për të qenë artistë. Ata bartin dritën brenda vetes, edhe kur koha përreth errësohet. I tillë ishte dhe mbeti Fitim Haxhiraj. Nuk u formua në akademi, por në atë teatër të parë, të brishtë, ku fëmijëria takon ëndrrën. Ishte ajo salla e vogël, zërat e fëmijëve, emocionet para publikut. Vallëzimi, recitimi, aktrimi, tre gjuhë të një shpirti që donte të fliste me botën. Dhe bota dukej se po i hapte një portë. Por një sistem që i frikësohet lirisë së brendshme, di ta godasë pikërisht aty ku dhimbja zgjat më shumë: te e ardhmja. Vendime të imponuara, klasifikime ideologjike, dosje, dyshime dhe papritur arti u bë një privilegj i mohuar. Jo për mungesë talenti, por sepse talenti ishte “i rrezikshëm”.
Fitimi nuk bëri zhurmë. Nuk u përkul, as nuk u vetë-shpalli i mundur. Ai e gjeti mënyrën për të jetuar me artin, edhe kur e pengonin të dilte në dritë. Koreograf pa skenë zyrtare, aktor pa rol të shpallur, regjisor i heshtur i jetës së përditshme. Nuk ishte lloj dorëzimi; ishte një formë rezistence e butë: të mos e braktisësh veten. Njerëzit që e njihnin, e ndjenin këtë. Pranë tij kishte gjithmonë një lëvizje, një ide, një ritëm të brendshëm. Ai i ndiqte ngjarjet, librat, njerëzit e kulturës, si të mos donte t’i thoshte kohës: “Unë jam ende këtu. Arti nuk më është marrë.”

Dhe pas një burri të tillë qëndron shpesh një forcë po aq e madhe, pranë tij ishte „Nderi i Kombit“ (dhënë nga Rumania), „Mjeshtër i Madh“, shkrimtarja Vilhelme Vrana Haxhiraj, autore e të gjitha gjinive letrare, më pas shkrimtare e vlerësuar gjerë e mbarë, grua që e kuptoi dhimbjen e heshtur të artistit dhe e mbajti gjallë shpresën, dinjitetin dhe kujtesën e tij krijuese brenda një shpirti që filozofinë e dashurisë e kishte më shumë se të gjitha përsiatjet, se të gjitha njohuritë e vetë filozofisë.
Ndoshta kjo është tragjedia dhe lavdia e tij njëkohësisht, që mbeti artist, edhe kur nuk e lanë të jetonte si i tillë. Sot, kur shkruajmë për Fitim Haxhirajn, nuk flasim vetëm për një emër nga Vlora, por një bashkëshort artist që merr e jep frymë artisti me librat e dashurinë e shkrimtares së madhe Vivra në krah të tij. Flasim për një brez të tërë njerëzish krijues që sistemi i ngadalësoi, por nuk i zhduku dot. Të heshtur, por të qëndrueshëm, të mohuar, por të gjallë në kujtesën e atyre që i panë. Sepse arti, në fund, nuk vdes nga mungesa e skenës. Ai venitet vetëm kur ne harrojmë ata që e mbartën me dinjitet. Dhe Fitimi nuk u mefsht nga e gjitha sa i ndodhi, por ai ende rrend e rrend me librat e shkrimtares Kombëtare, dashurinë e shpirtit dhe zemrës së tij, zemrës së tij të madhe në shpirt, në Vlorë, në Atdhe, në Komb e më tej në Glob.







I nderuar Prof. Dr. Fatmiri!
E keni prekur shumë Fitimin. Ju falenderojmë ne të dy me gjithë 4 familjet e fëmijëve tanë të mrekullueshëm.
E keni bërë shkrimin pak para kohe, se pas disa ditësh del nga botimi libri “Të pathënat e jetës”.Në një intervistë që ka vite e zhvilluar, kemi ecur në vragat e kohës...për 3 vite të dashuruar dhe 61 vite martesë. Aty do të gjeni vuajtjet,dëshirat e parealizura, ëndrrat e vrara nga Lufta e egër e klasave. Porse bashkë me ne udhëtojnë,të mirat dhe të këqijat e kësaj bote laramene, e bukura me të shëmtuarën, varfëria me përpjekjen për një jetë më të mirë. Hallet dhe dertet kanë qenë bashkëudhëtarë të jetës sonë.Gjithsesi Dashuria…
Familja mbetet e shëndetëshme kur të dy trarët e saj barazpeshojnë peshën e saj dhe ndihmojnë njëri-tjetrin të zhvillojnë talentet.
Urime Profesor Fatmir Terziu për këtë artikull.