Filozofia metafizike e lundrimit në vargun poetik të Matos


Filozofia metafizike e lundrimit në vargun poetik të Matos


Dr Fatmir Terziu

Abstrakt

Në këtë analizë të librit më të ri poetik të poetit Agim Mato duam të ndalemi në lidhjen metaforike që qaset mes artit të fjalës për të ripërcaktuar dimensionin logjik dhe artorganik të fjalës që lëvrohet nga ndikimi i një hapësire kulturore. Tek vëllimi poetik “Lundrimi” (2014) me redaktor një emër të njohur në letrat bashkëkohore shqipe, Pandeli Koçi (alias Sazan Goliku) dhe në botimin e “Milosao”-s, poeti Agim Mato na jep një qashtërsi (më shumë se qartësi poetike) prognozën filozofike të lidhjes dhe arsyes me detin, mes një metafore që lind, rritet dhe zhvillohet e pavdekshme tek procesi më determinues i lidhjes së njeriut me detin, lundrimin (brenda shpirtit si nocion). Lundrimi është vetë roli që arsyeton, por që edhe na jep mundësinë të kuptojmë më thellë. Për këtë studimi do të ndalet tek roli i detit në kulturën njerëzore, aspektualiteti i tij Jonik në krijimin ndikues të rrethnajës, ndikimi i lundrimit si filozofi në vargun e poetit dhe më tej me një zbërthim të tërë dimensionit që jep vëllimi, si qasja kulmore në krijimtarinë poetike të viteve që pasojnë një vrull poetik të vargut të bardhë. Mes kësaj ndalesat do të jenë për të dhënë arsyen, pse Mato mbetet një poet tipologjik me vlera në krijimtarinë e tij.

Deti, rrethnaja e dyfishtë kulturore tej lundrimit nga vetja

Roli i detit në kulturën njerëzore ka qenë i rëndësishëm për shekuj, ndaj dhe si i tillë edhe për poetin Mato, ai vazhdon të jetë më shumë se arsyeja e arsyeve. Deti është vetë procesi, zhvillimi, heshtja, gëzimi, trishtimi dhe vetë komunikimi. Si poet dhe si njeri ai e përjeton detin në mënyra të ndryshme, herë të qeta dhe pajtuese, por jo pak herë edhe kontradiktore. Deti në vargun e tij është jo thjesht det, por një aspekt ku zanafill ‘lundrimi’ poetik. Ai është aq i fortë, por i qetë, i bukur, por i rrezikshëm. Përgjigjet e poetit Mato në det mund të gjenden në artformësimin e përfshirë të letërsisë poetike të tij, në ndjenjën dhe shijen e artit piktoresk, poezinë e krijuar në vite, filmimin mes memorjes dhe kapjeve të aparatit, teatrin e tij jetik dhe njerëzor të luajtur mes heshtjes dhe përndjekjes në vite, dhe muzikalitetit klasik të valëve dhe dallgëve. Një art i tillë ka ardhur në leximin e poetit mes njohurive dhe shijeve të tij, ndoshta me atë që hershmëria e përfaqëson që 40.000 vjet të shkuara. Që atëherë, artistë në vende dhe kultura të ndryshme kanë përshkruar detin, ndoshta në një kah të ndjeshëm me shpirtin e tyre artist. Simbolikisht, deti është perceptuar si një mjedis armiqësor i populluar nga krijesa fantastike: Leviathani i Biblës, Isonade në mitologjinë japoneze, ‘dhekraken’ e fundmitologjisë skandinave. Në veprat e filozofit Karl Jung, deti simbolizon personalen dhe pandjenjën kolektive në interpretimin e ëndrrës. Profesori Eqerem Çabejqë herët në studimin e tij monografik “Për gjenezën e literaturës shqipe” (1939: 61-65). Thekson se ‘një aksiomatikë e dyfishtë’ ka ekzistuar mes këtyre lidhjeve dhe literaturave. Si pasojë deti dhe lundrimet janë përshkruar në art duke filluar nga vizatime të thjeshta në muret e kasolleve në Lamu nga i mirrënjohuri Joseph Turner. Artisti Japonez Katsushika Hokusaika krijuar punime me ngjyra të disponimit të detit. Deti është shfaqur në letërsi që nga “Odisea” e Homerit (shekulli i 8-të pes). Deti është një temë e përsëritur në poezinë haiku e japoneze të lëvruar nga poeti Matsuo Basho (1644-1694) . Në letërsinë moderne evropiane, romanet e detit dhe të frymëzuara si të tilla janë shkruar nga Joseph Conrad, Herman Wouk, dhe Herman Melville. Deti ka frymëzuar shumë muzikën gjatë shekujve. Varrimi në det ka qenë praktikuar në mënyra të ndryshme nga vende të botës që nga qytetërimet e lashta të Egjiptit, Greqisë dhe Romës. Kështu lundrimi në det ka qenë dhe mbetet formëzimi i gjithë prezencës jetike dhe të përtejme, madje edhe një arsye për të rikrijuar komunikim me rrethnajën. Kështu mbetet tek poeti Mato edhe mes vëllimit, por që nis edhe tek poezia “Deti”: “Ishe altari ku rrëfehesha. Flisja e flisja mes mërmërimës/së dallgëve/me një zë që të mos kuptohej nga të tjerët./Kur ngriheshin tallazet e tua,/e ngrija edhe unë zërin/dhe bërtisja mbi shkëmbinj nga frika se s’ më dëgjoje.” (Mato, 2014: 5). Shihet qartë mes kësaj poezie ajo që në fjalën e Çabej vjen si një ‘niveau’ (nivel) kulturor, ku qasen reagimet njerëzore (ibid).

Reagimet e njeriut në det janë gjetur në letërsi, art, poezi, film, teatër, dhe muzikë klasike, si dhe në mitologji dhe interpretimin e ëndrrave psikoterapeutike. Rëndësia e detit të kombeve detare është treguar nga ndërhyrja që ai bën në kulturën e tyre; përfshirja e saj në mit dhe legjendë. Përmendja e tij në fjalë të urta dhe këngë popullore; përdorimi i lundrimeve në ofertat kushtimore; rëndësinë e lundrimeve dhe deti si nocion në ceremonitë e pranimit dhe në ritet mortore; fëmijët duke luajtur me anije lodër; të rriturit me anijet e mëdha; turmat e mbledhura në nisjen e një anijeje të re; njerëz duke medituar në mbërritjen ose largimin e një anijeje dhe qëndrimin e përgjithshëm ndaj çështjeve detare. Këto e mjaft gjëra të tjera që lidhnin Sarandën dhe lidhin tashmë më gjerë në hapësirën e saj ujore me fqinjin kulturor, si në Jug dhe më gjerë, i japin vargut dhe njëkohësisht, poetit dhe piktorit, artistit dhe vizualpikturuesit Mato, arsyen pse vargu i tij thith dhe jep ajër mes lundrimit detar. Simbolikisht, deti ka qenë prej kohësh dhe konsiderohet ende si një mjedis armiqësor dhe i rrezikshëm, pasi është i populluar nga krijesa fantastike: Leviathan gjigant i Biblës, Scylla në mitologji greke, Isonade peshkaqeni në mitologjinë japoneze, anijet e gëlltitjes në mitologjinë skandinave. Por edhe në veprat e filozofit Karl Jung, deti simbolizon personalen dhe atë pa ndjenja kolektive në interpretimin e ëndrrës. Ndaj edhe vargu jungian i Matos, e gjen dhe pështjell ëndrrën e tij të ndaluar nga ‘kartonizimi’ mes detit, lundrimit dhe valëve e dallgëve të tij: “Më mbuloje atëherë me shkumë/dhe lëpija kripën tënde/së bashku me lotët.” (ibid).

Siç shihet vlera e detit, mes vargut të Matos, merr një dimension tjetër. Ndoshta ajo që bashkon dhe ribashkon filozofikisht kulturat. Në Azinë Juglindore, rëndësia e detit rritej mes vlerave epike, princeshat në ishuj të largët, monstrat dhe peshqit magjik tek përgjojnë në humnerë futen edhe mes vargjeve të poetëve. Janë jashtë izolimeve, por edhe brenda dyzimeve. Kjo e qartë tek vargjet e poetit ku “Oqeanikët me dritat shumëkatëshe kalonin përballë/dhe nuk e ceknin tokën time, pëlhurat e velierave/atje larg i shtynte një erë tjetër/që mushkritë e mia s’e kishin provuar.” Dhe ku poeti vjen dhe qëndron mes detit si “...një Robinson Kryzo i vogël,/derisa gjiri u skuq nga balta që tretej/dhe pemët u shembën mbi ujëra, si udhëtimeve që nuk/i bëra.” (ibid). Autori lexonte literaturën e ndaluar, që ia kishte lënë mënjanë fshehurazi babai i tij vizionar, Remzi Mato, artist në novacionet e tij, i papajtuar me stuhinë e dallgëve të sistemit, dhe kuptonte se ‘mbretërit’ e hapësirës detare ishin vargjet, artit i fjalës, që ashtu si shumë kombe që besonin se Poseidoni ishte zot i detit, edhe vetë ky varg i bardhë, i lirë ishte pikëtakuesi me mitin. Këtu ai padashje i jepte jetë në zhvillim vetë artit jonian, atij arti që merrte volumin e frymëmarrjes nga ‘influenca e thellë’ ku ‘distanca midis poetit dhe popullit’ nuk ishte shumë e madhe (Çabej, 1939: 61-65). Kjo distancë bëhej akoma më e ndjeshme në lidhjen artorganike me detin: “Pranë meje notonin peshq të ngathët/e të verbër të thellësive,/të pamësuar me dritën,/të rënë sa herë në rrjeta dhe të gjuajtur/me shkelma nga peshkatarët, sërish në ujë./Isha si i verbuar edhe unë nga një pluhur i dëndur/drite./Tërë fjalosjet vetmitare,/tërë rrëfimet e pafundme me ty/filluan të më rrethonin/si një brerore e padukshme shpresash/që ngjitej nga thellësia e labirinteve nënujore./Ndjeja të më merreshin mendtë/dhe mesdita më flakte pranë teje,/dhe gjumi më zinte përzier me rërën e nxehtë,/me algat përsipër/dhe valët që më rrihnin në brinjë./Shaluar mbi një kalë deti bridhja në thellsirat e/ëndërrta të koraleve/dhe ndjeja të më firasej trishtimi,/të më avitej Poezia,/si rrezet e dritës/që kullosnin mbi hapësirën tënde, o det./Frikë nuk pata më se mos më dëgjonin të tjerët.” (ibid). Kështu frika se mos e dëgjonin të tjerrët, e bënte poetin të strukej në këtë det, mes lundrimit të tij të heshtur, pasi ai kishte format e tij të hershme të datuara e të tipologjizuara në mjedisorganikën e tij kulturore, ku vetë lidhja jonike transmetonte në heshtjen e saj. ky det i shfaqur në literaturë, të paktën që nga koha e Homerit, i cili e përshkruan atë si “e verës së detit të errët” (oînops PONTOS), tashmë qasej deri në strukun e majëfjalës së zhytur në thellësinë e mendimit të poetit Mato. Ndërsa tek “Odiseja” gjente pikërrëfimin e udhëtimin e heroit Odise që lufton për tu kthyer në shtëpi nga përtej detit pas luftës me Trojanët, e përshkruar në Iliada, ai, pra poeti shqiptar, Mato gjente arsyen të rikthente në vetvete fjalën e artë që përballej me Trojën e kartonizimeve, me ndalimin e tij lundrues e të qetë mes botimit poetik. Fluturimin e tij të përçart e merr nga një vend në një tjetër, duke përjetuar ndër rreziqe të tjera detare, ku shfaqet deti i ri përbindësh, jo si atëherë Scylla, vorbulla Karridba dhe ishulli Ogygia i nimfës Calypso, por tërë nomenklatura tjetër që lagej në det dhe jetonte tej detit dhe hallve të tij, ajo që shfaqej e frikshme në arsyen e joarsyen e fjalës. Ndaj dhe vetë poeti citon se “Lundrimet e mëdha fillojnë nga shpirti”. Në ndihmë na vjen edhe Çabej me dy aksiomat e tij, ku thekson e para është influenca e rrethnajës krijuese dhe e dyta është ngjyra politike e shkrimtarisë, me qenë se fatet e posacme socialpolitike kanë shtruar një influencë të shënuar në të lindurit e literaturave’ (ibid). Poeti, sipas Çabej, është ‘një prijës shpirtëror’ që i ka ‘rënë këtu zakonisht dhe barra e apostullit nacional’ ku gjithnjë duhet ta vendosë penën në shërbim të identitetit të tij, kulturës së tij, arsyes dhe mendimit në të mirë të fateve njerëzore dhe të vendlindjes (ibid). Kjo lidhje me vargun e Matos është më shumë se lundrim, është një falenderim ekzistence, për njeriun e tij të dashur, më të afërtin e jetës, atij që i dhuron edhe ekzistencën: “Kur erdhe ti/u terratisën perënditë e rreme/që vërtiten rrotull njeriut./Deri në ato çaste nuk e dija që ekzistoje.” (ibid). Është kjo ekzistencë pikërisht në lundrimin e poetit ku jeta, toka, hapësira dhe deti marrin forma të reja: “Drita që solle papritur ma trembi vetminë/dhe, i pamësuar me të, nuk guxova/të rri gjatë përballë teje,/që të mos vuaja. Pyesja hijen time/prej Heminguei dhe ajo bëhej më memece se unë.”. Është kjo ekzistencë që mes lundrimit mbeti një besnike e përbetuar e artit të fjalës, që në jo pak raste mundej dhe mundohej nga heshtja e dallgëve që shkisnin vetëtimthi.

Aspektualiteti Jonik dhe rrethnaja si tipologji midis formës dhe strukturës

Në përgjithësi vargu i poetit Agim Mato, i qasur mes dallgëve të shpirtit dhe atyre të rrëthnajës, apo edhe vetë detit Jon, i japin qasje të lirë aspektualitetit Jonik, ku rrethnaja determinohet dhe agravon deri në detajin më të ndjeshëm. Rrethnaja si e tillë krateret në hapësirën që krijohet si tipologji midis formës dhe strukturës. Herë pas here ‘stanzat’ variojnë dhe vargu i Matos kapërcen numeracionin dhe enumeracionin logjik, ku secili përmban një numër të ndryshueshëm të vargjeve. Pjesë lojëparësore poetikeshihet në strukturimin e tij, përthyerjen sipas logjikës poetike, ndalesën e reduktuar, ndryshesën në arsye dhe kapërcimin foljor. Tek mjaft poezi të tij shihen katërmbëdhjetë rreshta, i dyti, i treti dhe i katërti kapin numeracione të ndryshme që variojnë. Sa për skemën në vargje, nuk ka skemë të dukshme rimëbrendore, ose logjike, që synon një vend trajtimi të lirë të modelit bazë jambik që zakonisht ushtrohet pak herë nga autori, por që veçon në strukturën e tij. Në mjaft poezi ka një seri të zanoreve të hapura (melankolike, të gjatëvëna, tërheqjen në arsyetim për të na dhënë një minigjëmim të brendshëm brenda zanores, si në përshpirtjen e saj zanore kur lidhet me arsyen e fjalës). Në përgjithësi vihet nga fillim në fund të poezive një ritëm në rënie sintaksore që mund të zbulohet në leximin e vazhduar të në strofës që herë pason e herë ngushtet deri në sakrificë ndjesore. Në këtë mes vetë strofës së tilë tipologjike të poezisë së Matos, mund ti qsen lundrimet e brendshme me shtatë rreshta të pentametrit jambik, me skemën e një rime logjike që afërsohet në skematikën tradicionale të abbacddcc, por jo të ngjeshur në rimëzim dhe adoptesë. Kjo lloj poezie, tipike e Agim Matos mund të shihet si një seri tingëllimash jo të plota, ku dy pjesët e para çdoditësohen në mendësinë e akumuluar të kulturës së memorjes dhe të krijuara nga 14 linja që sugjerojnë se qëllimi nuk është të arrijnë për të arritur formën e rreptë sonet, por të ritmojnë në heshtje atë që autori kërkon ta lundrojë në përshpirtjen e tij. Me përjashtim të një linjëvargutë shkurtër (tri këmbë) të hapjes, pjesa e fundit e një poezie të tillë imiton oktavën e një soneti të mbyllur me një qëllim të vetëm, linjën klimatike të vendrrethnajës, që zakonisht është tipike ‘jodike’ ose joniane e sqaruar edhe në studimet e ia të mëparshme, ku duket se sikur pjesa e fundit e një poezie përcjell pesë linjat e brendshme e të ndjeshme të vargut. Shembujt janë shumë, por poezia “Lundrimet e mëdha fillojnë nga shpirti” na shpie piërisht në kuptimin e plotë të kësaj analize dhe vetë strukturës së saj: “Përpiqem të gjej rrënjët e dëshpërimit/ku është mpleksur spiranca e lundrimeve të tua./Hetoj ujërat e kaltërta të syve të tu,/llokoçitjen e halave të qerpikëve, si shelgje lotues,/ku frika ka ngritur folezat e një dyshimi./O brishtësi e trembur, o turbullim miturak,/O trumcak i uritur për një gllënkë qiell,/mos e lerë dritën tënde të përpëlitet nga terri,/mos e lerë shikimin të më pyesë me këmbëngulje/për dramën e një udhëtimi të ndërprerë/që mendon se luhet brenda teje./Ç’ dramë? – të them unë. Pa shikomë,/nuk të dukem si një pyll i djegur nga rrufetë e fatit?/A nuk e sheh se përditë mbledh hirin tim/dhe ua hedh sërish shpresave për t’i rritur nga e para?” (ibid).

Poezia e Agim Matos është një poemë përshpirtjeje e kombinuar me adekuaten e memorjes kulturore të mbrusur në vite. Matthew Arnold përdor termin ‘prekës’ dhe ‘ndikues’ ndërsa përcjell një analizë për një strukturë të tillë poetike (Arnold, 2005: 47). Kur ai ia atribuon këtë me ndjenjën njerëzore mbi një objekt të pajetë si deti, natyrisht bëhet më interesante si nga vetë aspektualiteti Jonik po ashtu edhe nga rrethnaja si tipologji midis formës dhe strukturës. Në të njëjtën kohë ai krijon një ndjenjë të pathosit. Lexuesi mund të ndjej simpati për të vuajtur vetë lirikisht mes vargut, që pëson në kushtet ekzistuese të rrëfimit filozofik dhe strukturor të poezive. Përsëritja e herëpashershme në disa poezi të Agim Matos, është përdorur për të ilustruar peizazhin e fshehur mes natës dhe ditës në mjedisin bregdetar: “Në ç’liman pret të të brohorasin për finishin?” (ibid). Ajo të çon deri në një pikë kulmore eventuale me: “Vërtet, nuk e di se lundrimet e mëdha fillojnë nga shpirti?”

Në heshtje të dyja këto portretizojnë, ku shfaqen lundrimet dhe shpirti. E para është ajo që mund të shihet. E fundit është ajo që thekson se drita nuk është atje, se ajo nuk mund të shihet më gjatë, rendi është zhdukur dhe lë pas asgjë, por errësira fshihet në shpirt. Në një kuptim metaforik të fjalës, jo vetëm që drita është zhdukur, qëllimi s’ka siguri, por lundrimi që fillon nga shpirti i është qepur pjesës së errët dhe errësira e struk atë. Errësira e bën të vështirë për të përcaktuar pozitën e lundrimit dhe dikush tjetër qaset në këtë mjedis të errët, dhe kurrë nuk mund të jetë i sigurt që do të kthehet drita ndonjëherë, përpos ekzistencës strukturore të vargut. Arsyet janë përdorur në pikë të ndryshme të poezive me efekte mjaft të kundërta por të hapura në mendim. Studiuesi shqiptar, Aurel Plasari, na vjen në ndihmë kur citon se ‘krijimi letrar, ai poetik posaçërisht, është një akt intimiteti të thellë, fati të brendshëm, dhe si i tillë ka karakter luhatës’ (Plasari, 2010: 7). Më tej për Plasarin, ‘talenti letrar nuk është një continuum, por ka edhe ai karakter luhatës’ (ibid). Tek Agim Mato, ashtu si edhe në rastin e poetëve “të mëdhenj”, madje të quajtur “kombëtarë”, talenti ka ardhur nga mirë-risia e tij, përkujdesja e ndjeshme shpirtërore dhe ndjesia e organizuar në mënyrë të ndjeshme gjithashtu luhatëse.

Ndikimi i lundrimit si filozofi në vargun e poetit

Lundrimi si filozofi në konceptin e Friedrich Nietzsche duhet kuptuar ‘vrulltas në sferën e metafizikës së artit’ (2001: 192). Sipas Nietzsche ‘me këtë rast e quaj të nevojshme ta përsëris edhe një herë tezën e parashtruar më parë, se vetëm si fenomen estetik ekzistenca dhe bota paraqiten të përligjur’ (ibid). E kuptuar kështu detyra e mitit është të na bindë që edhe e shëmtuara dhe joharmonikja është lodër artistike, në të cilën vullneti, në tërë ngazëllimin shekullor që ngërthen, luan me vetveten. Ky mit i ardhur nga filozofia metafizike e ndërlidhjes, sillet mes vargut perceptues të Matos si “Pjalmi i yjeve” ku thirrja është midis metafizikes dhe estetikes: “I vogël, provoja të fluturoja me krahë dylli,/duke u hedhur nga lartësitë e shkëmbinjve të/Akrokerauneve/dhe përfundoja shpesh në degët e ilqeve të jugut” (ibid). Ai vjen qartë si vetë ndikimi i lundrimit, pra si filozofi në vargun e poetit: “Po unë nuk u flas viktimave të miteve antike,/i flas shpirtit tim të ngjizur tek ti.” (ibid). Këtu është edhe një lidhje me artin dionisian, ndonëse na bëhet i qartë ndryshe nga rrjedhoja një qasje përmes vleraës së padiskutueshme të disonancës muzikore. Kjo duket qartë në mjaft poezi, por “Planeti me dritë të zezë” është mes një klauzole ku muzikaliteti poetik kryen një funksion midis lundrimit si filozofi dhe asaj që agravon mes botës së rrethnajës: “Gjëmonte Osumi kur të rigjeta. Salmonet/vërviteshin në të kundërtën e rrjedhës,/duke u ngjitur si flurudha të mateshin me zogjtë./Ç’mendoje në ato çaste?” (ibid).

Kjo prodhon edhe ngazëllimin që lindi nga vetë miti tragjik mes vargut, ku retorika hyn në funksion të vetë lundrimit shpirtëror, me anë të filozofisë së mitit të rikrijuar, ose të tejthirrur në funksion të ri tek “Xixëllonjat”: “Nëse do të vish, të betohem, e flaka moshën time,/dhe do të të çoj përdore në lëndinat e pranverave të/reja,/në çastin kur xixëllonjat lajmërojnë se ngrohet koha/ndërsa mbajnë radhën e çeljes së luleve,/të frutave të lidhura/dhe bëjnë inventarin e yjeve.” (ibid). Edhe poezitë e tjera pasuese “Feniksi”, “Ura”, “Zog i trembur”, “Memento” dhe “Gugushi”, madje edhe gjithë nënseksioni që nis me poezinë në të njëtin titull “Shtëpia ime prej deti” kryejnë një lidhje dionisiane të përftuar madje edhe nga mundimet lundruese të përshpirtjes duke na prurë një simetri të ndjeshme brenda një puhize ‘poetike’ të vetë artit poetik.

Puhiza ‘poetike’ e artit poetik

Aspektet e simetrisë në poezi nga mjaft studiues janë marrë për të përfaqësuar tensionin poetik. Në kuadër të procesit kompozicional mes impulseve spontane dhe nuhatjes së brendshme nga njëra anë, dhe më shumë vetëdije e imponuar nga struktura dhe organizimi nga ana tjetër, shihen edhe mjaft poezi të poetit shqiptar, tashmë me emër, Agim Mato. Poezitë e tij të hershme, që shpëtuan përkohësisht nga ‘kartonëzimi’ apo ‘brumëzimi ideologjik’, si “Sazani” (1983); “Mug” (1982); “Pulëbardha” (1980) kanë një konsideratë të tillë të qartë, me të cilën ne do të ndalemi më tej në këtë analizë. Këto forca nuk janë parë si kontradiktore por si të nevojshme dhe plotësuese elemente të muzikalitetit poetik, me një ngarkesë strukturore, ku spikat nevoja për ekuilibër midis të dyjave, (poetikës dhe muzikalitetit) është konsideruar thelbësore. Intuita, apo sensi logjik i poetit, luan një rol të rëndësishëm në afrimin e elementeve të ndryshëm të procesit kompozicional në një tërësi muzikale me simbiozë artistike dhe me një penelatë piktoreske të akuarielit mental, ku ngjyrimet janë kaçube të detajuara e të minidetajuara spatulanteske, të cilat babai i spatulës në pikturën shqiptare, mjeshtri Sefedin Agolli do t’i quante arti që të jep shpirti.

Struktura, si formale dhe e konceptuar ndryshe, ka një pjesë të madhe për të luajtur, por pasi organizimi logjik është jo nga tema të frymëzuara automatikisht, në penelatën poetike të Matos, aq edhe në timbrin muzikal të poezive të tij, do të krijojë një pjesë të kënaqshme të muzikalitetit të fshehur në determinim, por të hapësinuar në shpirtqasjen poetike mes logjikës, konceptualitetit dhe funksionit filozofik të kohës, vendit dhe hapësirës. Ja konceptualiteti, funksioni filozofik dhe shpirtaqasja poetike si funksionojnë tek poezia “Sazani”: “Dhjetë kilometra të një toke në det/si shpina e një peshku mbi ujë,/po sa u munduan/ta zinin në rrjetë/të ardhur nga tejdeti/gjeneralët e huaj./Po unë i sajti do të jem nga shokët poetë/që vargje shkruaj për ishullin tim,/për ishullin që rri/i ngjeshur në helmetë/te porta e Atdheut/në përgjim?” (ibid).

Për poetin Mato, qasjes në ndjenjë intuitive mund ti arrihet edhe duke mbajtur parasysh një ‘poemë’ të veçantë ‘, foto ose pikturë tonike, si një parim të përgjithshëm organizues. Kështu poezia, në kuptimin më të gjerë, ka udhëzuar në heshtjen e saj mesazhiere formën e përgjithshme të shumë prej kompozitave muzikale si dhe sigurimin e stimujve fillestare. Për qëllim të analizës dhe diskutimt, ky shkrim ndan copat e portofolit shoqërues në tre grupe kryesore në mënyrë që të përshkruajë rolin e veçantë të stimulit poetik, organizimit simetrik fushën dhe veprimin intuitiv mes forcave integruese. Nokturni i fundit është përdorur për të ilustruar se si të gjitha këto aspekte janë sjellë së bashku në një copë. Ndaj edhe hyrja në këtë studim na sjell hapësirën kilometrike mes poezisë së Matos, ku ‘Dhjetë kilometra të një toke në det’ nuk janë thjesht ajo që lexojmë ‘si shpina e një peshku mbi ujë’, por logjika me të cilën funksionon simetrikja dhe asimetrikja e shekujve me gjeneralë, pushtues e ardhës e ikës tek ‘porta e Atdheut’. Dhe ajo është “në përgjim?” Poeti e di më së miri këtë nga bunkerizimi, nga vetë ishulli që ka emrin “Sazani” dhe jo thjesht në krye të poezisë.

Ndër poetët më me ndikim në këtë pikë të hershme të autorit Mato, janë ndoshta emra të cilët vijnë nga kultura e ashtuquajtur ‘e artë poetike’ e poetëve të pyllit të mall rus, mes të cilit lastarë të njomë lisash dhe mështeknash mbajnë ende kampionin e qasjes. Këtë qasje nga periudha e fundit e simbolizmit në fundin e realizmit socialist (simbolistë, futuristë, imazhionistë, akmeistë e socrealistë) të gjithë të zhgënjyer nga epoka e socializmit e mbajnë strofkave të arta të letërsisë, Blloku, Pasternaku, Mandelshtami, Cvetajeva, Esenini, Jevtushenko, Ahmadulina dhe Brodskij. Dhe qasja e ‘ndikuar’ kapërcimërisht në vrugun e zellit dhe pasionit është marë e konsideruar si e tërhequr nga muzikaliteti dhe simetria mes strukturës dhe trajtesës së temave dhe poezive tyre, idetë dhe teoritë e tilla që u ndriçuan prej analistëve të mëvonshëm. Muzikaliteti dhe poezitë e tila me muzikalitet dhe simetri kanë pasur gjithashtu një ndikim të rëndësishëm në kompozitat e mëvonshme poetike shqiptare, nëpërmjet mendimeve të qasura në procesin kompozicional dhe rolin më të gjerë të muzikalitetit në poezi.

Më tej këtë muzikalitet e ndjejmë në poezinë tjetër “Mug” të poetit Mato. Ja si shkruan ai me zellin e penelatën e tij të brendshme:“Rrija vetëm me gjithësinë./Mbaja vesh puhizën e yjeve që çelnin si luleshqerra...”. Është ky muzikalitet poetik që ndihet si nga mesazhi, struktura, po aq edhe nga zbrazëtia si nocion filozofik. Çfarë e bren shpirtin e poetit? Pse ai gjendet ‘vetëm me gjithësinë’? Të gjitha këto kuptohen qartë. Ai kishte një baba shkencëtar, aristokrat, një baba që dinte të sillte gjëra të reja në jetë, që dinte të mbante gjallë shqiptarinë edhe në emrat e fëmijëve, (Agim, Luan, Vullnet etj.) Emra që i jepnin më shumë liri, por edhe një zbrazëtirë që dikushnaja, apo rrethnaja do ta cmirëzonte dhe kjo do të ndihej atje, pikërisht ku arti flet me heshtjen, në artin poetik të Matos...Ja si shkruan poeti dhe hulumtuesi Timo Mërkurikur shprehet mbi vëllimin poetik “Fundo” të poetit Agim Mato në ciklin “Kur flasim për Artin Jonian”: “Pak e dinë se jeta e Agim Matos ka kaluar mes privimeve sociale dhe shoqërore, duke u detyruar të kryejë punë nga më të rëndomtat, për vet karakterin klasor të sistemit që lamë pas. Arrestimi dhe dënimi politik i të jatit, i solli si pasojë heqjen e të drejtës së botimit. Ndonëse ai pohon me sinqeritet se…”nuk guxova të bëhem disident… Heshta si bilbili në degë”…”Më flakën nga radhët dhe mua/me librat e mi më qëllonin/si me gurë pas shpine/edhe pse iso më patën vënë të mbaja”. Ky akt i “flakjes”, heqja, pra, e të drejtës së botimit, solli një heshtje gati 30 vjeçare të këtij bilbili të poezisë shqipe..” Mërkuri që thuajse i di të gjitha, ndoshta jo ato zbrazëti mes vargut, apo heshtjes ‘me gjithësinë’ të poetit Mato, shton se ajo kohë “Ishte kohë pleniumesh …Atëherë ngrica pleniumesh na ftohin eshtrat/ dhe shokët tanë/ përfundonin psikiatrive… Ishte kohë brohoritjesh.. ..Dy ditë me rradhë na nxorën nga klasa duke stërvitur/brohorimat dhe duartrokitjet tona për pritjen e Hrushovit/të madh/ . …” Sipas Mërkurit “Kështu shpjegohet fakti që poeti punonte, censuronte vetveten, korigjonte e sidomos…heshtëte si…peshku në ujë, duke u “zënë frymën ironive që i qepeshin në buzë” , duke thënë më von me sinqeritet se…Rastësisht/ mbijetova, ndoshta për të dëshmuar, ndoshta për të bërë/copë e çikë ateizmin tim të dikurshëm… Dhe unë, ndërsa kujtoja dhe shkruaja këtë fakt, s’di pse nisa të rilexoj vargjet e poezisë “Gjithpërfshirje”…Kush tha se ikën të djeshmit/…Të përpiktë në leksione demokracie/përhapin rreth vetes/një dritë gjithëpërfshirëse, ku ushtojnë si një klithmë dhimbjeje e zhgënjimi bashkë vargjet…Vetëm neve na kërkojnë/çertifikata virgjërie.

Për Mërkurin më tej “Kjo puna e “biografisë” së tij edhe mua më nxori disa herë “telashe” në shtëpinë time, sepse dikush e “ këshillonte babain, që t’a shpëtonte djalin (mua) nga shoqëria e keqe që kishte me të birin e një të burgosuri politik”. Im atë më pyeste i merakosur se… “mos do ma punosh dhe ti si yt vëlla tani që s’kam takat t’ju ndjek burgjeve” dhe konkretizonte pyetjen se “ç’dreq bisedoja tërë ditën me djalin e Remzi Matos”?. Meraku i tij justifikohej me faktin se para disa muajsh ishte arestuar im vëlla, ndaj përgjigja ime e thjeshtë …” bisedojmë për poezinë”, nuk ja mbushte shumë mendjen. Po ja që një ditë e gjeta duke lexuar vëllimin poetik “Jug” të Agimit, të cilin e mbaja në biblotekën time.” Kur ‘kartonizohej’ shpirti poetik, sillej ngarrendja e trullosur e gjeografisë, jo asaj poetike. Nuk ishte gjeografikisht e qartë. Nuk ishte as gjeografia e mitit, as Çaoshi - Kaosi (gjer. Chaos) që vinte nga shpatullat e erës karshi brigjeve të detit Jon. Turfullima e quajtur nga ata që kapërcyen Qafën e Gjashtës ditën me erë e shi të vrullshëm, tufan i padukshëm, kapërceu edhe dallgën e fundit që u shtriq matanë ngrehinës ku darkonte poshtërsia e rastit. Kjo fjalë e greqishtes antike që kishte veti të vrazhda, që para krijimit dhe pas çdo shkatërrimi të Universit, kishte arsyet e fshehta të qëndronte në shpirtin e Zojës së Botës. Me këtë, vetë Zoja ishte një gjendje tipike si “rrjedhë e përhershme” e ujëgrykësive, para se lënda të shpërthente e të merrte formën për të krijuar botën e ngurtë. Çaoshi ose Kaosi, në Bibël, shpjegohet si një gjendje e Botës para krijimit, me kuptimin “shkretëtirë” dhe “bosh”. (Shiko dhe Kijameti, Dita e Madhe e Gjykimit Botëror, Tiamat.) Me këtë rast shamata përshpirtej mbi një dosje dhe pika e fundit e turfullimës që u quajt tufan i padukshëm, ra dhe pikoi mbi një katrama, ku ndereshin tërë shpirtëza të fjalosura mes mendjes dhe shpirtit, ato gjallesa të pafalshme, të pagojta, librat e Agim Matos. Dhe turfullima e ndihte shpirtërimën dyfishe të Matos, ku ai i Remziut, babait të tij, që ndjehej burrëror për të birin e tij, që kur nisi të kapërcente mendimin filozofik të penelit, e ta vishte atë me mendimin filozofik të vargut. E kishte prurë lehtas këtë në mendjen e tij intelektuale, ai njeriu i dashur, që ishte dashuruar me ‘magjinë’ e fotografisë dhe ndaj tek kartonëzimi i Matos, nuk mund të bëhej ndryshe kartonëzim i Matove.

Agim Mato, leximin e kishte të hapur e të mbyllur në shpirt, ndjesinë e udhëtimit poetik e ndjente dhe qaste bulëzëshëm amshimin jonik kur valët dhe dallgët kërkonin fatin e tyre të stërkalizuar falë pikërisht atyre tufaneve të padukshme. Dhe Saranda dukej një kornizë e vogël, ku ai varte dita-ditës portretin e tij poetik, që ia lexonte vetëm shpirti e ndonjë nga miqtë e tij të hershëm, të paktë të tillë, por jo të vetëm, si Pandeli Koçi, Kiço Papa e deri sa fjala e Fatosit, të madhit të letrave shqipe, do ti jepte gjithnjë një shtysë të nëndheshme. Kjo i jepte jetë. I jepte jetë atij edhe pas kartonizimit të ‘shpirtit’ të tij të lirë poetik... Dhe ai jetoi bashkë me vargun, me poezinë e poezitë e tij në vite e vite, deri sa një ditë, trokitja ime më shfaqi kokriza të vërteta diamanti, në një lexim të sypërsyshëm. Më tej, teksa nata vishej me mëndafshin e saj të lehtë veror, e palma bulonte nga gushtësia e zagushisë, letër pas letrash ndjeva riardhjen e një pene, të cilën e kisha ndjerë më herët nga fjalët e Myrtajt, Farukut të letrave shqipe.

Ngarendshëm, retë e ardhura të atyre kohëve, me ardhje-ikjen e disa viteve më pas, krasitën dilemën e poetit, që kishte pësuar goditjen më brutale, por me një fat, ose më saktë siç Koçi citon se “Agim Mato është një dukuri e dhimbshme. Atë vetë nuk e futën në burg si të atin për “politikë”, por e përjetoi në mënyrë të dyfishtë. Ishte aq i zgjuar sa shmangu hekurat në duar e në dritare. Por ai e provoi burgun e të atit ekonomikisht, shpirtërisht e potencialisht. Ai provoi në kurriz robërinë e burgut të madh me emrin “diktatura e proletariatit”.” E provoi këtë se duhej që Mato, i riu, drita e syrit ‘magjik’ të babait që e donte shumë të ‘shuhej’ ngadalë dhe letrat të kishin formë tjetër. Të kishin atë formë që do ta merrnin në korrikët e kartonizimeve të asaj kohe, në korrikët kur grushti ngrihej lart dhe godiste, ishte në fakt fat që ai mos të të vriste. Mos të vriste sic kishte ndodhur me poetët e tjerë të kartonizuar e të izoluar, burgosur e të torturuar. Por edhe me një fakt që vinte nga fati i të tjerëve të kampit ku militohej nga fillesa e pasluftës. Dhe çuditërisht korriku që i kishte marrë jetën poetit të madh bullgar Nikolla Vapcarov, si për ironi të fatit do t’i merrte ‘jetën’ në një kohë tjetër më të largët, librit të Matos. Jeta duhej revolucionarizuar dhe vdekja si pasojë duhej të vdiste në mënyrë revolucionare. Kartonizizimi sakaq ishte kapërcimi i shamatshëm i Qafë Gjashtës, në atë ditë-natë me stuhi, furtunë të padukshme.

Atëherë, qartësia e vonuar e “Mug”-t poetik në shpirtin e tij është më shumë se një asimetri me kohën që jetojmë. Prej kohësh, arti i tij poetik pret vendin e duhur, ndoshta më shumë se sa shpirti i tij i tendosur deri në këputje. Ajo këputje që vjen herët nga “Mug”: “...mbaja vesh detin atje poshtë,/Frymëmarrjen e guvave të tij si ca gërhitje balenash./Një xixëllonjë u shpëtoi zjarreve të perëndimit dhe u end/sipër meje/Me një hënë të vockël nën bark...” Kjo na shpie në një lidhje me substancën e tringëlluar të ashtuquajtur “Kështjella e Sos-realizmit?” Nuk e di, a duhej vallë karton të ndërtohej “Kështjella e Sos-realizmit?” Dhe nëse duhej, nuk besoj se kartoni i poezive të tilla do ta mbante atë në jetë. Vetë këto vargje do ta shkrinin atë si shkumë valësh deti Jonian, që në akuarielin e spatulën poetike të Matos, do të sillnin vetëm polen: “Ja Rozafa. Gjiri i bardhë i skalitur në hyrje të kështjellës/pikon qumësht./Lindnin shekujt, pinin qumësht te ky gji i kohës,/pinin mushtin e lirisë, /që rridhte nga gjëndrat e tokës/dhe rendnin pastaj mes luftërash, /rendnin mes lavdish...” Diku në studimet e mia, në një material të papublikuar ka një lidhje të hershme të një udh-ëshkrimtareje britanike që e quan kërkimin e bletës në pyje, si një vecori karakteristike e zonave shqiptare, të cilat e donin mjaltin në sofrën e tyre. Dhe e dini si shprehet ajo? Ja kështu: “Unë ecja në trevën me shqiptarë dhe ata bërtisnin për të risjellë bletët punëtore duke nxjerrë zërra melodikë në korr: “Bletë, bletë..., matoja jonë e ëmbël, mato, mato ..., bletëza jonë mjaltërore...”. Nuk e di në fakt nëse kjo lidhje e ka sjellë nektarin poetik të Matos ... në këto mjaltërime që flasin qartë dhe bukur edhe sot, edhe pse klubi i atëhershëm i shoferëve, që ndoshta rishtas e shohim tek “Udhëtim në Pranverë” nuk ekziston, edhe pse “Deti i plugimeve te reja” dëshmon qashtër dhe ndjeshëm: “Eja, e dashur, anës së detit /me sytë e mirë si qielli, /si trungje dallgët rrokullisen /dhe çahen, përflakur nga dielli./Ja, këtu do ngremë qytetin./Më të blerët se ky s’do të ketë, /mbi të kapshtie portokallesh /dhe radhë brezarësh gjer te retë.” Dhe ja le ta themi me vargun e fundit.... poezi të tilla enden e enden përjetësisht vetëm “Enden qyteteve të kaltëra.”

Poezitë “Zhytem” dhe “Plazhi i krorëzës” kanë në vetvete modelin ku shihet qartë qasja kulmore në krijimtarinë poetike të viteve që pasojnë një vrull poetik të vargut të bardhë tek poeti që tashmë dominon dhe konkurron ndjeshëm. Në thelb është vetë ajo ‘puhizë’ poetike që qartëson: “Këtu natyra është si në ditën e krijimit të botës./Edhe rëra e plazhit,/edhe shkëmbenjtë që dalin nga uji,/edhe deti,/edhe fundi i tij/mbajnë të pashqitur pullën origjinale të krijuesit.” (ibid). Më tej edhe rreth njëqind poezitë e autorit kanë brenda puhizën e vet e të detajuar imtësisht. Ajo që na shtyn është vendi që ata meritojnë.

Duke përfunduar

Analiza e poetikës dhe vlerave poetike të poetit Agim Mato tek “Lundrimi” na shpie mes vargut në një sipar të hapur tredimensional të hapësirës, vendit dhe kohës. Ajo na sqaron vlerën e një filozofie të tejdukshme që vjen nga lundrimi shpirtëror si imitim filozofik i jetës dhe rrethnajës metaforike të detlidhjes dhe tërë asaj ku ‘banon’ vargu poetik i Matos. Është një arsye më shumë se fakti i leximit, ajo që na detyron të huazojmë nga Ë. H. Auden se ‘Një poet është, para së gjithash, një person me pasion, që na detyron të gjithë neve që kemi një dashuri të madhe për gjuhën’. Dhe këtë ai e bën mjeshtërisht, poetikisht. Pra, duke përfunduar mund të themi se për ta vlerësuar si duhet aftësinë agimiane të këtij apo atij vargu, duhet të kemi parasysh jo vetëm bardhësinë e vargut të tij, por në po atë masë edhe mushtin dhe muzën poetike të tij, si dëshmi e dytë e kësaj aftësie. Duke i vendosur pranë e pranë Agim Maton dhe poezinë e tij, sepse ata të një udhe, të një shpirti, kemi të drejtë të supozojmë se me arsyen e lundrimit filozofik rritet edhe lundrimi shpirtëror poetik.

Referenca:

Arnold, Matthew (2005) Prose, Poetry and Writing. London: Metuen.

Çabej, Eqerem (1939) Një skicë historike e literaturës shqipe. Shkodër: Shtypshkronja Franceskane.

Jung, Karl (2008) Ëndrrat e filozofia. Londër: Penguin.

Mato, Agim (2014) Lundrimet. Sarandë: Milosao.

Mërkuri, Timo (2012) “Kur flasim për Artin Jonian”. Sarandë: Milosao.

Nietzsche, Friedrich (2001). Lindja e tragjedisë. Tiranë: Eugen.

Plasari, Aurel (2010) Dy fjalë për rileximin e poetit. Tiranë: GEER.


#mato #agim #terziu #fatmir

9 views

Shkrimet e fundit