top of page

Ferit Rama poeti që këndon ‘Arbëreshen’


Ferit Rama

Ferit Rama poeti që këndon ‘Arbëreshen’

Dr Fatmir Terziu


Poetin shqiptar Ferit Rama e kam takuar vite më parë. Pikërisht në vitin 1987. E kam takuar duke u ngjitur në Petresh të Elbasanit, teksa merrja detyrën e re të drejtorit të shkollës në një shkollë afër zonës ku ai kishte vite që ushqehej me ritmin e poezisë, por edhe ua ushqente nxënësve dhe talentëve të tjerë këtë frymë poetike. Dua të them se që në takimin e parë me të, ai kurrë nuk tregonte në fizionominë e tij ditëlindjen e tij natyrale që lidhej me 17 Dhjetorin e vitit 1948. Aspak. Ashtu siç thoshin të tjerët më pas për të, ishte poezia, vargu dhe frymëzimi me të cilën ushqehej e mbahej rinor. Kështu është ky poet edhe sot në vargun dhe jetëdritësinë e tij. Është një poezi që vjen në të gjitha format e saj të lexueshme, të shijueshme, të pastra e të çiltra. Një poezi me një gjuhë të brishtë, të seleksionuar e tejet tipike në variantin e saj. Një gjuhë me të cilën ai sjell së fundi edhe lëvrimin e tij të ndjeshëm filozofik, me anë të Haikut. Është pra poeti, që bëri emër jo vetëm në Elbasan, por edhe më tej, në tërë rafshin ku konkuruan poezi dhe u afrua emri i poetit përpos saj.

Ky konkurim e bëri poetin Rama të ndjehej krenar kur botonte mes emrave të shumtë dhe renditej mes Maro Pashës, Spiro Sotës, Aleksandër Zakës, Skënder S. Rusit, Fatmir Musait, Vladimir Torovecit, apo edhe në një kënd ku spikasnin emrat e mëdhenj si Fatos Arapi që me shkrimet e tij analizonte dhe inkurajonte “Zërrat e rinj poetikë’; Kristaq Dhamoqë shihte më tej në këtë angazhim,Ali Xhikuqë rrëmonte në fusha të ndryshme krijuesish apo edhe kur ndihej fjala e lexuesit dhe spektatorit nga emra të tillë si Petro Rudi, Fejzi Murati, Thoma Nika, Bujar Skendo, Kolë Jakova, Miho Gjini, Faik Ballanca, Naum Priftietj. Ishte pra Prilli i vitit 1975 që do të sillte në duar të lexuesve “Kangjelat Arbëreshe” të poetit Ferit Rama. Këtë krijim poetik autori ua dedikonte Arbëreshëve që morën pjesë në festivalin folkloristik të Gjirokastrës. Poezia mbart në vetvete një element të qartë të poetikës dhe filozofisë që lidhet me traditën dhe kompleksin e saj ndikues në poezi. Në këtë poezi Rama lidhet simbolikisht me erën dhe detin për të na shkërmoqur qartë mesazhin e tij kulturor dhe dashurinë për plakun De Radë dhe tërë rrënjët e Arbëisë. Ja se si duket kjo në këtë poezi: “Fryn era që tej detit,/na solli kangjelat,/na sjell zëri i vëllezërve/ngazëllim në zemrat./ja tek del plaku De Radë,/zbret ngadalë nga Maki/këngëtari flokëbardhë/vjen djegur nga malli...”.

Duhet shtuar se këto vargje të poetit Rama lexoheshin në një sfond ku shtriheshin emra të lavdishëm të artit e kulturës shqiptare, në një grumbull fletësh nën titullin “Vlerësim dhe inkurajim i madh” ku thuhej se punonjës të artit nderohen me titujt e lartë “Artist i popullit” dhe “Artist i merituar”. Dhe kur poezia e tij që këndonte lirshëm “Arbëreshen” ndodhej në krah të atyre që mernin titullin “Artist i Popullit” si Avni Mula, Athanas (Tano) Banushi, Çesk Zadeja, Kristaq Antoniu, Marije Logoreci, Melpomeni Çobani, Nikolin Xhoja, Pandi Raidhi, Telat Agolli,domosdo më shumë emocion ndiente poeti që vazhdonte të bëhej një emër i ndjerë por tejet modest dhe i heshtur në mesin e krijuesve elbasanas. Edhe kur një fatkeqësi natyrore më pas i mori të shtrenjtin e shpirtit të tij, Rama vazhdoi t’i mëshonte e mëshonte penës dhe poezisë....

Më pas ai botoi disa vëllime me poezi dhe të tjera krijime të fushave dhe gjinive të tjera, derisa nën kujdesin e poetit të mirënjohur shqiptar, Milianov Kallupi, ai u përfshi në vëllimin me përzgjedhje poetike “Hajku”. Ai këtu solli disa Hajku të tij që e shtojnë akoma më shumë ndjenjën e respektit për një varg me shumë filozofi. Në këtë përzgjedhje poetike emri i Ramës u rendit mes emrave të tjerë të shquar si Ahmet Mehmeti, Elisabeta Tafa, Flamur Luta, Iliriana Sulkuqi, Kujtim Agalliu, Mariana Meta, Mihal Disho, Milianov Kallupi, Nexhip Ejupi, Rakip Zhguni dheShuaip Garuci.

Kohë më parë, pra më shumë se tridhjetë e pesë vjet më parë, kur ai iu drejtua Detit në poezinë e tij “Kangjelat Arbëreshe”, të vlerësuar të asaj kohe, nga ish Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, ai sapo kishte nënshkruar në heshtjen e tij vargore një lidhje me kaltërsinë të cilën ai e transmeton më pas me një figuracion të kuptueshëm për shpirtdhimbjen e tij dhe për qetësinë të krahasuar me detin që hesht: “Deti hesht.../veç ai e di/Ç’tramundana fsheh në gji”. Dhe në vazhdim ai në rrugën e tij poetike shtron sërrish me detajin poetik: “Pyetni këtë rrugë./Ajo ma ka lexuar ngazëllimin e syrit/ajo ma ka ndjerë zjarrin e lotit.”


19 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page