top of page

Fejzulla BERISHA: Dialogu Kosovë–Serbi është i nevojshëm, por jo i pakushtëzuar


Dialogu Kosovë–Serbi është i nevojshëm, por jo i pakushtëzuar: Pa zbatim nga Serbia, nuk duhet të ketë lëvizje të reja nga Kosova


Nga Prof. Dr. Fejzulla BERISHA

Prej më shumë se një dekadë, dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, ka qenë boshti kryesor i përpjekjeve për normalizim të marrëdhënieve ndërshtetërore në rajon. Që nga viti 2011, kur nisi ky proces, Kosova ka treguar vullnet të vazhdueshëm politik për të qenë palë konstruktive, duke u angazhuar në dialog me bindjen se ai do të kontribuojë në paqen e qëndrueshme dhe integrimin euroatlantik të vendit.

Megjithatë, përkundër këtij angazhimi të sinqertë, rezultati i përgjithshëm i dialogut deri më sot është i zymtë – jo për shkak të mungesës së vullnetit nga Kosova, por për shkak të moszbatimit kronik të marrëveshjeve nga ana e Serbisë, e cila ka përdorur dialogun si mjet për të blerë kohë dhe ruajtur strukturat e saj paralele në veri të Kosovës.

Marrëveshjet e Brukselit: Nga nënshkrimi në letër, në dështim në praktikë

Më 19 prill 2013, në Bruksel, u nënshkrua Marrëveshja e Parë e Parimeve për Normalizimin e Marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë – dokument ky që duhej të shënonte një kthesë të rëndësishme. Marrëveshja përfshinte 15 pika që synonin integrimin e strukturave paralele serbe në sistemin juridik, policor dhe administrativ të Kosovës.

Por realiteti në terren është krejt tjetër. Strukturat e sigurisë së Serbisë në veri të vendit nuk janë shpërbërë, siç parashihte marrëveshja. Përkundrazi, ato kanë vazhduar të funksionojnë në mënyrë ilegale dhe të financohen nga Beogradi – fakt që është konfirmuar në mënyrë të përsëritur nga raportet ndërkombëtare dhe institucionet vendore.

Për më tepër, Serbia refuzon njohjen e dokumenteve zyrtare të Kosovës, përfshirë:Letërnjoftimet dhe pasaportat, të cilat shpesh nuk pranohen në pikat kufitare;Targat e makinave me akronimin “RKS”, që kanë qenë shkak i përplasjeve të vazhdueshme dhe tensioneve në veri;Diplomat universitare, të cilat Serbia refuzon t’i njohë edhe për qytetarët serbë të Kosovës që diplomohen në universitetet publike të vendit;Vulat doganore dhe certifikatat fitosanitare, që pengojnë eksportin e produkteve kosovare drejt Serbisë dhe rajonit.

Një rast konkret është marrëveshja për diplomatë nga viti 2011, që parashihte njohjen reciproke të diplomave universitare me ndihmën e ENIC/NARIC (rrjeti evropian për njohjen e diplomave). Serbia nuk e ka zbatuar këtë marrëveshje, duke penguar qindra të rinj të Kosovës që të punojnë apo studiojnë më tej në Serbi apo shtetet e lidhura me të.

Marrëveshja e Ohrit: Nga përparimi retorik në stagnim real

Në mars të vitit 2023, pas një periudhe të gjatë stagnimi, u arrit Marrëveshja për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve, e njohur si Marrëveshja e Ohrit. Kjo marrëveshje, bashkë me aneksin zbatues, përmban dispozita thelbësore që mund të shërbenin si bazë për një paqe reale, përfshirë:Njohjen de facto të dokumenteve dhe simboleve shtetërore të Kosovës;Mospengimin e Kosovës në rrugën e saj drejt anëtarësimit në organizata ndërkombëtare;Krijimin e mekanizmave të përhershëm të mbikëqyrjes dhe zbatimit.

Por Serbia nuk ka zbatuar asnjë pikë të këtyre marrëveshjeve. Madje, më 11 dhjetor 2023, Serbia bëri një fushatë të drejtpërdrejtë kundër anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, duke u përpjekur të bllokojë çfarëdo avancimi diplomatik të Kosovës në skenën ndërkombëtare.

Sulmi në Banjskë: Një akt i agresionit të drejtpërdrejtë

Ngjarja më e rëndë që ekspozoi politikën agresive të Serbisë ndodhi më 24 shtator 2023, në fshatin Banjskë të komunës së Zveçanit, ku një grup i organizuar paramilitar serb, i udhëhequr nga biznesmeni dhe zyrtari politik Milan Radoiçiq, vrau një pjesëtar të Policisë së Kosovës dhe kreu një sulm të armatosur ndaj institucioneve të sigurisë së vendit.

Hetimet zbuluan se grupi kishte armë të rënda, pajisje ushtarake dhe logjistikë që dëshmonin ndërlidhje direkte me strukturat shtetërore të Serbisë. Vetë Radoiçiq e pranoi publikisht se ishte pjesëmarrës në sulm, por autoritetet serbe refuzuan ta arrestojnë, duke e liruar pas një seance të shkurtër gjyqësore në Beograd.

Ky akt terrori u dënua nga Bashkimi Evropian, Shtetet e Bashkuara dhe vendet e QUINT-it, por nuk pati asnjë pasojë konkrete ndaj Serbisë. Përkundrazi, presioni u zhvendos sërish mbi Kosovën – një model i rrezikshëm i barazimit të viktimës me agresorin.

Presioni ndërkombëtar dhe rreziku i modelit asimetrik

Përkundër gjithë këtyre zhvillimeve, Kosova gjendet nën presione të vazhdueshme ndërkombëtare për “kompromise shtesë”, sidomos lidhur me krijimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. Kërkesa për themelimin e tij bëhet pa një analizë të rreziqeve reale që ky asociacion mund të ketë për funksionalitetin kushtetues të shtetit.

Nuk është i papërsëritur rasti i Republikës Srpska në Bosnjë e Hercegovinë – një strukturë që është shndërruar në burim të vazhdueshëm krizash politike dhe që kërcënon integritetin e shtetit boshnjak. Të njëjtën rrugë po e promovon Serbia edhe përmes kërkesave për autonomi në veri të Kosovës, në emër të një asociacioni që synon më shumë pushtet ekzekutiv se sa përfaqësim.

Qëndrimi që duhet të mbajë Kosova: Parime dhe reciprocitet

Në këtë fazë delikate, Kosova duhet të formësojë një qasje të qartë dhe të qëndrueshme politike, e cila të bazohet në tre shtylla kryesore:


  1. Zbatim përpara marrëveshjeve të reja – Nuk mund të kërkohet që Kosova të ecë përpara në lëshime, nëse Serbia nuk ka përmbushur as detyrimet e kaluara.

  2. Reciprocitet i plotë – Çdo njohje, hap apo përfitim që Serbia kërkon, duhet të jetë i kushtëzuar me sjellje të njëjtë ndaj Kosovës.

  3. Raportim i rregullt për zbatimin – BE-ja dhe ndërmjetësuesit duhet të publikojnë raporte të matshme për përmbushjen e marrëveshjeve nga të dyja palët, në mënyrë që përgjegjësia të mos fshihet pas retorikës diplomatike.

    Në vend të epilogut: Dialog po, por me kushte të barabarta

Dialogu nuk është luks dhe as përqafim i detyruar; ai është mjet për të arritur paqe dhe njohje të ndërsjellë. Por pa kushte të barabarta dhe pa sanksione ndaj palës që shkel marrëveshjet, ai shndërrohet në farsë.

Kosova nuk duhet të pranojë të jetë pala që gjithmonë detyrohet të japë, ndërsa Serbia jo vetëm që nuk jep, por vazhdon të minojë themelin e vetë dialogut. Është koha që ndërkombëtarët ta kuptojnë: paqja e qëndrueshme në Ballkan nuk ndërtohet duke shpërblyer agresionin, por duke forcuar shtetin e së drejtës dhe marrëdhëniet e barabarta ndërmjet shteteve.

Comentários


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page